Mos martesave brenda gjakut/fisit, një nga cilësitë më thelbësore të shqiptarëve

Nga Agron Tufa
Nëse do të veçoja një nga cilësitë më thelbësore të shqiptarëve midis rrëkeve të kombësive në Ballkan, Azi dhe Europë, është tabuja e mos martesave brenda gjakut/fisit. E gjejmë këtë distancim moral-etik që në Eposin e Kreshnikëve, saktësisht në këngën “Martesa e Halilit”. 30 agët e Jutbinës me venë e haje rreth zjarrit dimëror, pasi e qortojnë Mujin pse e ka lanë vëllaun pa e martue, fillojnë t’i sugjerojnë Halilit vashat më të bukura të Krahinës e Jutbinës. Reagimi i Halilit në fund është ky:
“Zoti ju vraftë more Agët e Jutbinës!
Po ku asht ndie n’mes toke e qielle
Me u martue vllau me motrën e vet?
Se tana çikat e Jutbinës
Bash si motra po më duken…”
Nuk e di nëse kjo tabu është dhe midis grekëve apo arumunëve tanë. Ndër arabë, turq e sllavë, sikundërse ndër europianë, e kam të sigurtë që kjo tabu nuk ekziston. Është një nga cilësitë e shenjta që më mrekullon, tok me institucionin e kumbarisë.