13/12/2024

Mos e shani Bashën, qeshni me të!

0
Lulzim-Basha1

Nga Andi Bushati

Pas maskaradës së fundit me flamurin dhe siglën e PD-së, shumica e atyre që e mbështetën Lulzim Bashën, kur vrau babain e vet politik, sot janë ndarë në dy grupime të mëdha. Të parët e kanë marrë seriozisht kuvendin e vulës të mbledhur këtë të shtunë. Ata kanë vënë kujën se si Luli ka zhdukur nga statuti fjalën dorëheqje duke u bërë njësoj si Saliu, që nuk di të largohet kurrë, madje edhe pas humbjeve të njëpasnjëshme.

Të tjerët ende nuk i besojnë syve dhe veshëve kur shohin se si, në një ish parti të kthyer në bandë mercenarësh, Basha do të marrë për vete edhe funksionin e kreut të grupit parlamentar. Të gjithë këtë grupim e përbashkon një gjë: ata i marrin si serioze gjëmat që dëgjojnë nga goja e atij që e kanë pasur kryetar për gati një dekadë.

Të dytët kanë një qasje tjetër. Duke e kuptuar sesa qesharake është të bësh betejë epike me Bashën, ata thjeshtë po e tallin. Dikush e quan si festë synetie, atë që ndodhi sot, një tjetër e konsideron organizatorin e saj si dikë që do të jetojë në deziluzion, ndërsa një i tretë bën autoironi me faktin se ka besuar vërtet që një ditë Luli mund të drejtojë qeverinë.

Pavarësisht se të dyja grupimet janë gabim, pasi secili prej tyre ka besuar edhe pas majit 2021, që Lulin e mbështet shumica e demokratëve, madje madje, vazhduan të përkunden në këtë përallë edhe pas kuvendeve të dhjetorit të atij viti, pra brenda të qenit të gabueshëm, këta të dytët kanë më shumë të drejtë.

Dhe ka një arsye të qartë se pse Luli duhet trajtuar me të qeshur. Ndryshe nga ata që friksohen se ai po bëhet autokrat, diktator apo se po mbledh të gjitha pushtetet brenda vulës, Basha duhet marrë për atë që është realisht. Ai nuk ngjan as me Edi Ramën, që ka zhdukur zgjedhjet nga PS dhe që i’a imponon asaj ministrat pa pyetur askënd. Ai nuk krahasohet as me Berishën, para të cilit s’guxon të pipëtijë askush edhe kur pëson disfata katastrofike. Ai nuk përbën shembull antidemokratik si Ilir Meta, që kur iku vetë në presidencë ia la trashëgimi partinë gruas. Dhe i pari dhe i dyti dhe i treti mund të simbolizojnë sot e gjithë ditën shembuj tipikë shqiptarë të autokratëve më mendjengushtë. Por sado të rënda të jenë mesazhet që ata japin, sado të dëmshme efektet që lënë trashëgim, në të mirë apo në të keq, duhet thënë që edhe Rama edhe Berisha edhe Meta kanë së paku një parti.

Ndërsa Basha ka vetëm vulë të vjedhur. Edhe po të dojë të jetë diktator apo grumbullues pushtetesh, ai është i tillë vetëm në imagjinatën e tij. Ai nuk ka as mjete as forcë për ti sendërzuar ëndërrat e veta më të errëta. Shpesh ai ngjan me atë personazhin e njërit prej filmave më të parë në Netfliks, “L’isola della Rosa”, që për tu bërë kryetar shteti ngriti një platformë çeliku në mes të oqeanit, të cilës i vuri emër, i krijoi flamur dhe e pagëzoi me vulë.

Se si mbaron fabula e këtij fiksioni është lehtësisht e imagjinueshme edhe për ata që nuk e kanë parë. Fiks kështu është edhe histora e Bashës. Prandaj është qesharake ta trajtosh atë si rrezik. Në vend të merremi me ato që bën, me ato që thotë apo me ato që rrëmben, le të bëjmë me të pak humor. Eshtë mundësia e vetme në këtë sezon të zymtë politik.

Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok