01/01/2025

MITI SERB PËR KOSOVËN, SYNON ‘’TREPÇEN’’ DHE PASURITË TJERA TË KOSOVËS

0
Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

Pozita  gjeografike-strategjike dhe pasuritë natyrore të Dardanisë (së sotme), jo se i kanë shërbyer popullsisë vendase për zhvillim, përparim e lumturi, por kanë shërbyer për lakmi të pushtuesve të huaj dhe i kanë sjellë fatkeqësi popullsisë vendore.

Gjiganti minerar ‘’Trepça’’ është shembulli tipik i kësaj lakmie, që po na përcjell edhe në ditët e sotme.

Pa hy në histori të mëhershme, të kohës së pushtimeve romake,  bizantine, osmane, serbe, gjermane dhe përsëri serbe, t’i bëjmë një vështrim këtij aspekti vetëm për periudhën prej luftërave ballkanike e deri më sot.

Pas pushtimit të Dardanisë së sotme (Kosovës) nga shteti i Serbisë (1912), dhe pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene pas Luftës së Parë Botërore, minierën e Staritërgut e kishte marrë në koncesion Nikolla Pashiqi, politikani më i njohur serb, sikur që i kishte marrë edhe 3000 ha tokë në Gazimestan!

Në vitin 1925, një ekip i ekspertëve të minierave nga kompania britanike ‘’Selection Trust’’ e angazhuar për rivatalizimin e Minierës së Staritërgut, kishte bërë hulumtime dhe konstatuar sasi të mëdha të xehes që përmban përqindje të larta të plumbit dhe zinkut. Duke parë leverdinë e eksploatimit të xehes, kompania britanike e kishte blerë koncesionin, nga djali i Pashiqit (Radomiri).  ‘’Selektion Trust’’ në dhjetor të vitit 1927, e kishte formuar kompaninë ‘’Trepça Mines Limited’’, me seli në Londër, për shfrytëzimin e mineraleve të Trepçës. Nga hulumtimet e zhvilluara, kompania britanike në vitin 1929 kishte konstatuar se në Minierën e Staritërgut ekziston sasi xeheroreje 1.750.000 tonë.  Ajo kompani pastaj bleu koncesionet edhe për minierat tjera: Novobrëdën, Janjevën,  dhe miniera tjera në Serbi, të gjitha nën emrin ‘’Trepca Mines Limited’’. Gjatë hulumtimeve të mëtejme, ekipi kishte konstatuar gjithnjë e më shumë sasi të xehes, me përqindje të lartë të metaleve të plumbit dhe zinkut për tonë të xehes, siç shihet në tabelën në vijim:

Tabela e sasisë së xehes së konstatuar në Minierën ‘’Trepça’’  në Straritërg

Viti    Sasia e xehes (tonelata)                    Përmbajtja e metaleve

Plumb (Pb)                     Zink (Zn)

1929            1.750.000                       11,50%                            10,50%

1931            2.100.000                       10,50%                             7,80%

1932            2.500.000                         9,00%                   8,50%

1934            2.500.000                         8,70%                   8,50%

1935            3.007.000                         8, 70%                  8,00%

1936            3.300.000                          9,40%                   6,40%

1937            3.900.000                          9,50%                   5,20%

1938            4.976.000                           8,70%                    3,80%              .                    1939            848.000                             8,60%                    3,80%

*)‘Razvoj metalurgjie olova i cinka u Rudiku ‘’Trepça’’, Stari trg’.

Në periudhën 1930 – 1941 (para pushtimit gjerman), Kompania britanike ‘’Trepça Mines Limited’’, ka nxjerrë e shfrytëzuar 6.267.501 tonë xehe, nga të cilat ka nxjerrë e rafinuar 510.829 ton plumb, 383.901 tonë zink, 11.191 tonë bakër,  589.820 kg argjend, 414,16 kg bizmut.

Për transportimin e xehes nga miniera e Straritërgut deri te fabrika e flotacionit në Zveçan, ajo kompani ka ndërtuar teleferikun me gjatësi 6350 metra, në lartësi mbi tokë 232, që bartnin 67 kosha  me nga 802 kgr. peshë xeheje.

Energjinë elektrike e prodhonte Termoelektrana e ndërtuar në Zveçan, me qymyrin  që e merrte nga Obiliqi.

‘’Trepça’’ në kohën e okupimit gjerman

Në prill të vitit 1941, ‘’Trepçën’’ e morën gjermanët dhe menaxhimin ia besuan kompanisë  gjermane ‘’Manifelt AG’’.

Deri sa ‘’Trepça’’ ishte në duar të shtetit të Gjermanisë.  në periudhën 1941 – 1944, shteti gjerman ka  nxjerrë këto sasi xeheje:

20.IV – 31.XII.1941                 306.692 tonë xehe

Janar-dhjetor 1942                 350.439 tonë

Janar-dhjetor 1943                 398.046 tonë

Janar-tetor 1944            272.365 tonë

(Nuk ka të dhëna për përqindjet e metaleve në tonë xeheje, por duhet konsideruar atë përqindje që ishte në vitin 1939, në tabelën më sipër, eventualisht me ndonjë rënie të vogël të asaj përqindjeje).

Kur është fjala për shfrytëzimin e xehes nga shteti gjerman, duhet shtuar këtu se ishte kohë e luftës, nuk kishte mjaft ekspertë të angazhuar, madje ka pasur edhe sabotime nga xehetarët dhe punëtorët vendas.

‘’Trepça’’ në Jugosllavinë e Re

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe riokupimit sllav të Dardanisë/Kosovës, pasuritë natyrore u regjistruan në pronësi të shtetit socialist. Kështu edhe ‘Trepça’ u bë pronë e shtetit të Jugosllavisë, dhe zhvillohej e shfrytëzohej sipas planeve pesëvjeçare të shtetit, ndërsa ishte një nga bartësit kryesor të zhvillimit ekonomik të atij shteti, dhe asokohe ishte e njohur parulla:’’Trepça punon – Beogradi ndërtohet’’!, që aludonte në faktin se ‘’Trepça’’ nuk ishte në funksion të zhvillimit të Kosovës, por të viseve tjera të Jugosllavisë.

Në ndërkohë, ‘’Trepça’’ ka pësuar ndryshime të statusit dhe subjektivitetit të personit juridik, dhe një kohë – sidomos në periudhën 1970-1989, kur Dardania  (Kosova) fitoi autonomi të plotë dhe u bë subjekt i Federatës,  Trepça i ka dhënë impuls zhvillimit të përgjithshëm: ekonomik, shoqëror, arsimor, shëndetësor, kulturor të Kosovës. Në atë periudhë është shënuar sasia më e madhe e xehes së nxjerrur nga Miniera e Staritërgut, falë angazhimit të zellshëm të ekspertëve, minatorëve dhe punëtorëve shqiptarë. Kjo mund të shihet nga tabela në vazhdim:

Pasqyra e nxjerrjes së xehes nga Miniera e Staritërgut në periudhën 1945-1998

Viti    Sasia e xehes (tonelata)                   Përmbajtja e metaleve (përqindja/t)

Plumb (Pb) Zink (Zn)

1945            119.457                           7,9               9,0

1946            430.377                          6,8               9,4

1947            436.635                          6,9               5,0

1948            533.573                           7,3               5,5

1949            694.266                          6,6               4,9

1950            665.201                           6,5               4,7

1951             625.785                          7,3               4,3

1952            574.831                           6,9               4,3

1953            537.566                           6,2               4,2

1954            510.539                           6,9               3,0

1955            558.598                          6,8               3,7

1956            576.233                          7,6               4,2

1957            561.727                           7,0               4,0

1958            573.152                           6,9               4,0

1959            593.397                          7,0               4,1

1960            602.162                          6,7               3,6

1961            605.594                          6,5               3,9

1962            623.934                          6,5               3,8

1963            621.817                           6,4               4,1

1964            629.503                          6,3               3,8

1965            571.766                           6,1               4,1

1966            545.727                           5,7               3,9

1967            596.103                           5,6               3,6

1968            584.670                          5,6               4,0

1969            607.162                           5,4               3,8

1970            610.403                          5,3               3,9

1971             602.564                          5,3               3,9

1972            599.236                          5,3               3,8

1973            609.256                          5,1               3,5

1974            631.111                            4,8               3,1

1975            636.937                          4,7               3,2

1976            658.437                          4,4               3,3

1977            671.758                           4,3               3,2

1978            601.805                          4,5               3,9

1979            674.801                          4,5               2,8

1980            688.418                          3,8               2,7

1981            695.047                          3,8               2,3

1982            628.217                           3,6               2,3

1983            664.366                          3,4               2,3

1984            702.718                           2,97             1,92

1985            686.770                          3,05             1,86

1986            647.078                          2,75             1,77

1987            636.95                                      3,24             2,19

1988            571.618                           3,18             1,89

1989            368.573                          3,27             2,09

1990            204.570                          3,44             1,92

1991            206.489                          3,55             2,27

1992            134.946                           3,09            2,11

1993               48.612                          2,69             2,10

1994               32.475                          2,28            2,57

1995            125.761                           2,66             2,77

1996            181.009                           2,95             1,77

1997            257.888                          2,71             3,27

1998            311.315                            3,10             3,07

*)Po aty.

Periudha më intensive e prodhimit (nxjerrjes së xehes), e investimeve dhe e zgjerimit të kapaciteteve përpunuese të Trepçës, ka qenë periudha prej vitit 1967 deri në vitin 1985, kur Trepça u bë prodhuesi më i rëndësishëm i plumbit dhe zinkut, argjentit, arit, kadmiumit, bizmutit dhe finalizimit të prodhimeve të metaleve fisnike.

Në vitin 1978 janë prodhuar 86400 tonë plumb i rafinuar, 118 tonë argjend dhe 44.800 tonë zink. Nëse vlera e tyre llogaritet me çmimet e tashme, prodhimi vjetor (i atij viti) do të kapte shumën prej 500 milionë US dollarë. Nëse asaj shumë i shtohet edhe vlera e finalizimit në prodhime të përpunuara, efektet financiare rriten edhe së paku 25%.

Përveç llojeve të shumta të metaleve në xehet e Trepçës, elementet kimike mundësonin prodhimin e acidit sulfurik, fosforit, superfosfatit, plehrave artificiale, ngjyrave, llaqeve. Kjo bëri të mundur hapjen e fabrikave të reja për prodhimin e akumulatorëve, llamarinës, gypave dhe telave të zgjatur, municionit (të gjuetisë), fabrikën e pajimeve të procesit, finalizimin e metaleve fisnike në Famipën e Prizrenit, etj.

‘’Trepça’’, me 40 subjekte të ndryshme ekonomike, me 23000 të punësuar në to,  e shtriu aktivitetin e vet ekonomik dhe zhvillimor pothuajse në tërë Jugosllavinë dhe u bë gjiganti më i madh ekonomik i Jugosllavisë.

‘’Trepça’’ mori teposhtëzen pas suprimimit të autonomisë së Kosovës

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, futjes së masave të dhunshme dhe ndërrimit të strukturës etnike të punëtorëve në kompleksin e Trepçës, prej nga u përjashtuan kuadrot udhëheqëse, profesionale dhe punëtorët shqiptarë,  gjë që ndikoi në pakësimin e nxjerrjes së xehes, kështu që ‘’Trepça’’ e humbi rolin e gjigandit ekonomik. Për t’i shfrytëzuar pasuritë e Trepçës, që i duheshin Serbisë për financimin e luftërave agresive që zhvillonte në Bosnje e Kroaci, pushteti okupues solli në Trepçë ekspertë e minatorë nga Bullgaria, Çekia, Polonia dhe punëtorë nga refugjatët serbë të ikur nga Kroacia,  por rezultati i punës së tyre ishte i vogël.

Ky degradim i Trepçës vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës në Kosovës (1999). Në vitin 2005, prodhimi mujor i nxjerrjes së xehes nga Staritërgu ishte 2500 deri 3000 tonë xehe në muaj, sasi kjo që në kushtet normale nxirrej për një ndërrim pune ditore!

Pretendimet e Serbisë për mbajtjen e Dardanisë (Kosovës) të pushtuar, sikur e mbajti 87 vjet në shekullin e kaluar, synim kryesor e kanë shfrytëzimin e pasurive natyrore të kësaj treve. Mitet e rrejshme mesjetare, ‘’brenga’’ për ata 90 mijë serbë në Kosovë, më se gjysma e tyre pleq, janë vetëm pretekste, kurse qëllimi është te pasuritë natyrore, të cilat i ka shfrytëzuar afro një shekull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok