05/11/2024

Miti i viktimizimit dhe heroizimit

0

Nga Enver Bytyçi

Në historinë politike të Serbisë dhe të Shqipërisë ka një dallim thelbësor: – Ndërsa serbët e kanë bazuar krijimin e shanseve për epërsi në Ballkan përmes mitit të viktimizimit, shqiptarët e kanë humbur betejën me serbët për shkak të mitit të heroizimit! “Ne jemi heronj dhe nuk duhet të viktimizohemi”! Kjo mendësi na ka ndikuar në prapambetjen tonë!

Në konceptin e shqiptarëve është patriotizëm të mos viktimizohesh, por të bësh heroin. Ndërkaq në psikologjinë e serbëve viktimizimi, duke gënjyer e shpifur për popujt jo serbë, sidomos për shqiptarët, është mjeti më i efektshëm për të fituar simpati dhe mbështetje!  Rrena, thoshte Qosiq, është patriotizëm për serbët.

Kjo do të thotë se ndërsa shqiptarët kanë qenë e mbeten viktima dhe shumë pak heronj, jetuan me mitin e heroit. Ndërsa serbët edhe pse historikisht ishin agresorë dhe në këtë kuptim heronj të kombit të vet, jetuan me frymën e viktimës. Deri në fund të shekullit të kaluar fitorja ishte e serbëve dhe humbja u takoi shqiptarëve.

Në fund të viteve 1980 u shfaq një filozofi e re e shqiptarëve në Kosovë. Bartës i saj ishte Ibrahim Rugova. Ai është i pari lider politik e shpirtëror i shqiptarëve që solli në vëmendje faktin se “shqiptarët janë viktima, ndërsa serbët agresori”! Deri në këtë kohë gjithë bota i shihte shqiptarët si “heronj”, më saktë “si bisha”, pra si problemi i vetëm i Ballkanit. Kur Rugova dëshmoi të kundërtën dhe shqiptarët u panë si viktima, atëherë Kosova u çlirua me ndiohmën e NATO-s nga Serbia.

Kompleksi për të thënë të vërtetën e viktimizimit është kompleks që e ka dëmtuar historikisht kombin tonë. Viktimizimi dhe heroizimi duhen vënë në dukje në atë masë sa ekzistojnë. Ndryshe gënjën veten dhe jeton me utopinë e të qenit krenar pa qenë krenar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok