22/12/2024

MISHËL DË MINTENJ FOLI SHQIP

0
Tarelli-de-Montaigne1

Me krijuesit, shkrimtarë dhe artistë të Lushnjës

Shqipërues Gëzim Baruti

Nga Kadri Tarelli

Ditën e shtunë, fund jave, më: 26, të vjeshtës së dytë, 2024, në mjediset e shkëlqyera të Bibliotekës Publike të qytetit të Lushnjës, u zhvillua përurimi i tre volumeve të librit “Esse”, të filozofit francez Mishel dë Montenj, shqipëruar mjeshtërisht nga Gëzim Isuf Baruti.

Të pranishëm në këtë kuvend libri, nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Kryetare e Bashkisë, znj. Eriselda Sefa. Tahsin Demiraj, Dine Dine, Teuta Korreshi, Sokol Miraka, Xhovani Gallani, djali i “Mèsuesit të merituar” Vasil Gallani, Shpetim Berhama, (mësuesi i frëngjishtes), Luci Pavli Shandro, Xhemal Nexha, poete Shire Caka Kasapi, Llaqi Ndine Toni, Sofokli Kuqeshi, Kristo e Dafina Davidhi, Zenel Qeveri, Niko Ferro, Mikel Basha, Skënder Gega, Asllani e Valentina Haxho, me gjithë zonjat e tjera, Albana Haxhiu, Elizabeta Metushi, vajzat e shkëlqyera të bibliotekës. Të gjithë të afërmve të Gëzimit, etj. Ndërsa nga Durrësi, morëm pjesë: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli dhe Bajram Sulejmani.

Ajo që duhet theksuar është falënderimi dhe mirënjohja që u shpreh nga të gjithë të pranishmit, për autorin Gëzim Isuf Baruti, që solli i pari në shqip, një ndër kolosët e mendimit filozofik Europian, Mishel Dë Montenj.

Në këtë mjedis krijuesish, edhe unë pata nderit të them pak fjalë falënderimi, duke kursyer kohën e diskutimeve që nuk kishin fund. U detyrova të bëj shkurtime për të mos përsëritur atë që ndodh shpesh, kur ka përurime të tilla. Kështu fjalën time po e sjell të plotë:

MISHEL DË MONTENJ MË NË FUND FOLI SHQIP

E solli mes nesh Gëzim Baruti

Përshëndetje ju pjesëmarrës dhe krijues në fushën e letrave, që nderoni këtë kuvend për librin në tre volume të Mishelë dë Montenj, Esse, të shqipëruar mjeshtërisht nga z. Gëzim Baruti.

Më lejoni që ta falënderoj dy herë mikun ton Gëzimin:

Së pari: Më riktheu pas afro 60 vjetësh në jetën publike të qytetit të Lushnjës, mua mësuesin e hershëm në shkollën e Karbunarës dhe më pas të Kashtëbardhës.

Në vazhdim: Më bëri pjesë të librit të tij, volumi III-të, duk vendosur në fund, krahas të tjerëve, shkrimin tim: “GËZIM BARUTI, E BËRI FILOZOFIN FRANCEZ TË FLASË SHQIP”, shkrim i publikuar në: Revista “Migjeni”, në Suedi,  “Fjala e lire”, Londër dhe “Zemra shqiptare”, në Zvicër, tashmë edhe në faqet e këtij libri madhor. Shkrimi është një analizë vlerësuese për punën e madhe të këtij shqipëruesi të veprës monumentale të kulturës botërore, që sipas studiuesve dhe kritikëve, “Esse”-të e filozofit Mishel dë Montenj, është një ndër veprat më të mëdha të kulturës Europiane, që hapi një epokë të re në vorbullën e rrëmujshme të mesjetës. Më korrigjoni nëse gaboj, por Gëzimi është i pari shqipërues, që më së fundi, e bëri francezin 500-vjeçar, Mishel dë Montenj, të flasë  e të këndohet shqip.

Së dyti, përshëndes znj. Eriselda Sefa, Kryetare e Bashkisë, që si rrallë kund, merr pjesë në ngjarje të tilla letrare artistike, që zhvillohen në këtë qytet. Nuk e teproj të them se vetë pjesëmarrja e saj është sa nderim e vlerësim, aq edhe ndihmesë e mbështetje, për ecurinë e punës së krijuesve Lushnjar.

Të them të drejtën, nuk më pëlqen fjala “përkthyes” që përdoret aq shpesh në fjalorin gazetaresk dhe mjedisin shkollor e mediatik. Kjo fjalë më duket e ftohtë dhe tepër zyrtare, sepse nuk ka ndjenjë, nuk ka frymëzim, nuk ka dhimbje, dashuri, urrejtje, gëzim e zhgënjim, përplasje dhe pajtim mendimi dhe dëshirash, aq më tepër kur flitet për një vepër letrare apo filozofike, siç është Mishel Dë Montenj. Ndaj me kënaqësi po përdor fjalën “shqipërim”, pasi çdo njëri nga ne krijuesit e di dhe e ndjen që në fjalët e para, punën e shqipëruesit, për ta bërë atë të këndohet e të kuptohet lehtësisht nga cilido lexues i çdo niveli arsimi dhe kulture qoftë. Gëzimi mund të na e thotë më gjerë, sa vuajtje e mundim ka një punë dhe sipërmarrje e tillë, dhe ku qëndron ndryshimi dhe afrimi mes tyre.

Në këtë udhë vlerësimi, më pëlqen të përsëris fjalët e studiuesit dhe kritikut Ali Aliu, që thotë: “Përkthyesi duhet të lundrojë mes përkthimit besnik të fjalës, pa u menduar si do të kuptohet dhe shijohet shqip, ashtu edhe mes frymës apo frymëzimit letrar, që mund të duket i bukur, por vetiu cënon përmbajtjen. I lumtur dhe i fituar është ai që, i lidh apo i përqafon të dyja këto dashuri”. Intervistë në TV. Shqiptar. Qershor 2024. Në këtë udhë krijimtarie është edhe përkthyesi ynë Gëzim Isuf Baruti, që meriton nderim dhe mirënjohje të veçantë.

Kështu, edhe unë pa mëdyshje, shtoj: – “Ai që niset të përkthejë, është i dënuar dy dhe trefish: Duhet të njohë mirë gjuhën dhe kulturën e vendit dhe po kaq mirë edhe gjuhën e kulturën e shkrimtarit, nga vjen. Ai duhet të futet në lëkurën e autorit, të jetojë, të mendojë e të veprojë si ai. Në vazhdim: – Ai është i dënuar të dashurohet me autorin, t’i ndjejë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës, buzëqeshjen dhe trishtimin, tekat, veset, dobësitë, botëkuptimin. Kështu shqipëruesi e rikrijon veprën me të gjitha përmasat: letrare, artistike, shkencore dhe filozofike”.

I lexoj dhe i rilexoj pjesët e librit, për të shijuar artin e rrëfimit, forcën e ballafaqimit apo përplasjeve të mendimit mes të diturve të mëdhenj, duke shprehur një lloj admirimi për kulturën e gjerë, veçanërisht kujtesën e mbinatyrshme të filozofit Montenj, për të cituar në ligjëratë të drejtë, mendimtarët, filozofët, perandorët, sundimtarët, feudalët, ushtarakët, politikanët, artistët, letrarët dhe poetët. Besoj se janë këto dhunti, për të hartuar një libër të tillë, si përmbledhje e të gjithë volumeve të marra së bashku. Libër me vlera që i reziston kohës, për t’u lexuar e shijuar edhe pas 500-vjetësh, si një monument i ngritur në letra, që lëviz me të gjithë shkëlqimin e tij në të gjithë rruzullin, deri te lexuesi shqiptar i kohës së sotme.

Më duhet të shtoj vetëm pak fjalë mirënjohje dhe nderimi për z. Gëzim Isuf  Baruti, si krijues dhe punëtor i zellshëm në fushën e letrave shqipe, i cili një jetë punoi duke hapur kanale, në sektorin e fermës, në Savër të Lushnjës. Por me një vullnet të pa përfytyruar, mësoi gjuhën frënge, aq mirë sa të mund të përkthejë, jo thjesht një vepër letrare, por një vepër filozofike me përmasa botërore, e vlerësuar nga koha 500-vjeçare, si nismëtare e kulturës moderne në shekujt e ngatërruar të mesjetës së turbulluar. Gjuhëtarët e dinë mirë, ç’do të thotë të merresh me gjuhën e përdorur para 500-vjetësh, dhe ta sjellësh në shqip. Gëzimi e arriti majën e suksesit.

Unë përherë, qëllimisht i shmangem analizës klasike të veprës, duke gjetur vetëm disa pika kulmore, ku mund të mbështetet, duke ia lënë lexuesi të vendosë, pasi është ai që bën vlerësimin, mbase edhe analizën letrare, artistike, shkencore, botëkuptimore, gjuhësore të veprës.

Përherë udhëhiqem nga parimi se, kushdo që bën analiza të tilla, nuk e mëson dhe nuk ka detyrë ta mësojë lexuesin. Kështu më mbetet vetëm detyra, ta ftoj atë për të kënduar librin, pasi kështu do të ndjejë kënaqësi dhe do të pasurojë dijet e tij.

Në fund, po shpreh një mendim, mbase më bashkoheni edhe ju të nderuar pjesëmarrës, se kjo vepër e meriton të përurohet në Akademinë e shkencave të Shqipërisë. Është nder i tyre, ta bëjë pjesë të fondit të saj.

Si mësues i hershëm, që nuk më ndahet shpirti nga shkolla dhe arsimi, nuk e teproj të shprehem, se: “Nëse duhen gjetur shembuj model edukimi për të vegjlit dhe të rinjtë, se si mund të ngadhënjesh dhe të kapërcesh pengesat që t’i sjell koha me prapësitë e saj, një i tillë është edhe shkrimtari, poeti dhe përkthyesi Gëzim Isuf Baruti”.

Urime Gëzim! Dhe suksese në përurime të tilla librash, mes krijuesve të ditur e të ndritur.

Kështu mes krijuesve të zellshëm qofsh përherë……!

Faleminderit dhe miqësisht!

Kadri Tarelli

Lushnjë, më: 26, të vjeshtës së dytë. 2024.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok