26/12/2024

MIRDITASI QË S’MUJTI ME E NDAL KOHËN

0
Gjon-Mark-Ndoj

Gjon Mark Ndoj (1928 – 2006)

NGA NDUE DEDAJ

Ai aty kishte qenë, por i ndaluar, ndaj s’e kishim njohur. Jetonte në Orosh, punonte punëtor krahu në mirëmbajtjen e rrugës automobilistike, ishte anëtari më i rregullt i bibliotekës së vatrës së kulturës në Bulshar, ashtu si Musine Kokalari në Rrëshën, i vetmi “luks” që u lejohej të ndaluarve. I ndaluar asokohe donte më thënë të mos kishte asnjë të drejtë, për asgjë, as për të shkuar në dasma te farefisi yt, se të nxirrnin përjashta komunistët me tesër e pa tesër. Zot në shtëpinë tënde nuk ishte më ti si qëmoti, por Partia. Kështu që me demokracinë, në qytetin e Rrëshenit, zbriti dhe ai. Atëherë u bë një personazh publik, pasi drejtonte shoqatën e ish – të përsekutuarve politikë për Mirditën. E vërteta ishte se ai në këtë qytet kishte qenë mësues në vitin 1946, kur dhe kishte filluar kalvari politik ndaj tij. Një mirditas me tipare fisnike, antikomunist, nuk mund të ishte “bashkudhëtar” i revolucionit ideologjik që sapo kishte nisur.

Tashmë, me rënien e komunizmit, ai ishte njeri me peshë, pyetej për gjithçka dhe i ecte fjala. Drejtuesit e rinj të rrethit e kishin pikë referimi dhe me të drejtë, pasi ai vinte nga shtresa më hekakeqe politikisht e shoqërisë. Nuk u soll në demokraci me të tjerët, siç ishin sjellë në komunizëm me të. Kishte qenë njëherësh një letrar i kultivuar me plot dorëshkrime letrare dhe jo vetëm. Këtë do të mësonim më vonë, kur dhe do të nisnim të bashkëpunonim. Libri i parë i shtëpisë botuese “Mirdita”, botuar në vitin 1997, është një bashkëpunim me shoqatën që drejtonte Gjoni, ku shkruhej dhe për nacionalistët më të shquar të Mirditës nga veta ai. Në këtë kohë nisëm të “zbulonim” pak nga një autor të mirëfilltë, që kishte plot syrtarët me dorëshkrime letrare, poezi, tregime dhe novela, drama, një monografi politike për Kosovën, shkruar në fillimin e viteve ’80, kujtime etj. Të gjitha shkruar me një kaligrafi të bukur, por me një shkrim tepër të imët, që mezi lexohej dhe kjo diktuar nga koha e shkrimtarisë së tij në burg, ku kishte mësuar frëngjisht dhe përkthyer ndonjë vepër në këtë gjuhë.

Kishte kryer Konviktin e Oroshit, vijue Liceun Françeskan “Iliricum” në Shkodër dhe në rrethanat e krijuara më tej kishte studiuar si autodidakt. Vuan 17 vite burg politik, nga të cilat dhjetë në Burgun e Burrelit, ku dihet se qëndronin kundërshtarët më të rrezikshëm të regjimit; aty ai bëri zakonin e intelektualëve të tjerë të fushës së letrave, shkroi ndër të tjera dhe tri drama, me nga dy akte: “Mujo Ulqinaku”, “Hasan Riza Pasha” (I hueji për ne) dhe “Kordiani”, shumica e të cilave nuk e kaluan dot portën e prangosur të Burrelit, qe në shoqëri me At Pjetër Meshkallën, Engjëll e Kel Çobën, Gac Çunin etj., duke pasur mentor Gjergj Kokoshin.

Më 1999 botoi librin e parë artistik, me tregime e novela, “Kardinal Ahuni”, dhe më pas në të njëjtën hulli, “Ndëshkimi i pafajësisë” dhe“Davita e Kulakut”. Novela ishte lloji i prozës më i lëvruar prej tij. Studiuesi Mark Marku, në parathënien e “Kardinalit” shkruan: “Autorit fatmirësisht nuk i është dashur të sajojë subjekte, personazhe dhe atmosferë artistike… Tregimet e këtij libri janë fotografime të befta që ndërgjegja e autorit i ka bërë këtij realiteti të ashpër. Si të tilla ato janë të qashtra, pa ndërlikime e stërhollime të kota, subjekte që rrëfehen në atë stil që na imponon natyra e tyre”.

Gjoni u përfshi dhe në antologjinë “Kontakt Poetik” të poetëve mirditas, botuar asokohe. Ishim të përhershëm në shoqërinë e tij në Mirditë dhe jo vetëm, në promovime librash të ndryshëm, bashkë me Ndue Gjikën, Uran Butkën, Sadik Bejkon, Gjon Përjakun, Pal Doçin etj., në bar-kafetë e qytetit dhe në shtëpinë e tij, me Lekë Shtinë, Bardhok Pulajn, Zef Zefin, Gjergj Markun etj., sidomos në kohën kur ai nuk mundi më të dilte jashtë banesës për shkaqe fizike. Në shtëpi na priste gjithnjë buzagaz bashkëshortja e tij e fisme, Vitorja, dy djemtë, vajza Veronika, që do të shkruante dhe ajo më vonë një libër interesant me mbresa të trishta nga ajo kohë. Mësuesi Anton Filej ishte komshiu i tij i papërtuar, që ia “dëshifroi” më durim të pashoq në kompjutër tekstet e shkruara imët, që më pas Gjon Jaku, botuesi i “Geer” Tiranë, më një përkujdesje të veçantë, i kthente në libra.

Një ditë, aty nga viti 2000, një grup miqsh krijues të prirë nga Gjon Mark Ndoj shkuam për një vizitë te Zef Vorf Nekaj në Laç, që kishte ardhur nga Amerikë dhe jetonte te të afërmit e tij. Përveç bisedës plot shqyrtime të së kaluarës së afërt të atyre të dyve, kujtoj dhe bibliotekën e madhe që Zefi kishte sjellë nga përtej Oqeanit. Mbetet i paharruar takimi ynë atëherë me këtë mirditas të ditur e të shëtitur, arsimtar në Mirditë e Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, profesor, editor dhe publicist i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dallon korrespondenca më Mustafa Krujën më mërgim etj.

Libri “Luftëtarë mirditas të lirisë” është një kontribut i rëndësishëm i Gjon Mark Ndojt, si një detyrim moral ndaj nacionalistëve atdhetarë, që u burgosën politikisht, u dënuan me burgime të rënda e të gjata, u vranë me gjyq e pa gjyq, u arratisën jashtë vendit etj. Ka qenë fat për kujtesën historike shqiptare dalja e librit “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit, pasi nxiti plot pena të ndaluara deri atë kohë që të shkruanin ato që kishin parë dhe përjetuar në regjimin e kaluar. Gjoni, siç e cekëm, e kishte të shkruarit pasion e po të ishte në liri mbase dhe profesion, por gjithësesi libri i tij i fundit, “S’mujta me e ndal kohën”, që ai nuk e pau të botuar (mbërriti ditën e lamtumirës së tij), është në frymën atzefpllumase. Gjon Mark Ndoj, që ishte i formuar me kulturën klasike perëndimore, vërtet nuk mujti e “ndal” kohën e mbrapshtë të diktaturës e me i dhënë asaj një tjetër trajtë, por kohën në liri që pati në dispozicion nuk e kaloi me muhabete pa bereqet, por si një Sokrat i paepur iu vu punës e shkroi dhe në shtrat ku e ngujoi sëmundja e paralizës, shkaktuar prej mundimeve të burgut.

Ruajmë kujtime të shumta me “Lalë Gjonin”, siç e thërrisnim shpesh, kemi folur për tekstet e tij letrare dhe përgatitjen e tyre për botim, gjuhën e përdorur nga ai, një gegnishte veriperëndimore (shkodranishte), që ai e kishte përzemër, edhe pse për ne do të ishte dëshirueshme një gegnishte letrare më e gjërë. Shkodra, me të folmen e saj melodioze, traditën letrare shkrimore të Koliqit, Pipës etj. kishte lënë gjurmën e saj në formimin e tij si letrar.

Kredoja e tij shfaqet dhe në poezinë tronditëse “Pranvera eme”, që dallon për stilin e veçantë, strofën e vështirë pesëvargshe, por sidomos për filozofinë e jetës, brengën e një pranvere që endet si një “kujtim i vranët”, ku shkrihen në një: lulet dhe kupa e helmit, zëri i qyqes dhe ai laureshës, vetmia dhe rrezet e diellit, ku këto të fundit janë vetëm për zogjtë e jo dhe për poetin, pasi… “kur zemra s’njeh kohën, pranvera eme asht kjo?!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok