21/12/2024

MIRDITA U NGJIZ NGA LAJMI I MIRË

0
Ndue-Dedaj-Nusja

Eseja hyrëse e librit “Nusja mbi kalin e vdekjes”, 2021

Nga Ndue Dedaj

Mirdita, metaforë shqiptare sipërore e ngjatjetimit, mesditës dhe lajmërimit të së nesërmes, trevë historike, etnokulturore në zâ, me shtrirje gjeografike nga rranzat e “Malit të Skënderbeut”, matanë rrjedhës së Matit në jug e deri në Drin në veri dhe nga Vau i Dejës në perëndim deri në Lurë në lindje, tokë e bekuar e Pirustëve dhe regjion katolik që nga fillesat e Krishterimit; “së hershmi, krahinë e quajtur “bazilikane” (mbretërore), çka dëshmohet dhe nga emërtimi “San Alexandri in Basilicano Arbanensi diocesis” (Shuteriqi), me Ndërfandën seli të Shtetit të Arbërit, “republikë aristokratike”, “shtet i vogël autonom”, “principatë e Mirditorëve ose Mirditasve (siç e quante Abat Doçi), ndonëse emër relativisht i vonë (1416), lidhje politike – ushtarake për mbrojtjen e trojeve në shkullin XVI, “krahinë vetëqeverisëse 12 bajrakëshe” dhe rreth administrativ sa gjysma e Mirditës krahinore, pikë së pari është njeri.

Kështu na e sjell legjenda më e hershme e saj, një njeri që rend nga prehistoria për të krijuar në këtë truall tempullor ditën e mirë të tij, duke vjelur frytet e tokës dhe nëntokës.

Mund ta nisësh esenë duke i thënë Mirdita njeriut që sapo takove, i njohur a i panjohur qoftë, apo gjithë njerëzve njëherësh, siç ka ndodhur me të parët e tu jetë e mot. E jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por në mbarë rruzullin, mbasi gjithkah dihet se është një krahinë kësaj rrokullíe që ka për emër këtë përshëndetje universale, që nuk vdaret kurrë. Nuk janë vetëm arkivat austriake, gjermane, italiane, t’Vatikanit, angleze, franceze, kroate, turke etj. që ruajnë dokumente historike të Mirditës së shekujve të shkuar, po dhe aspekte mediatike nga bashkëkohësia. Në fillim të viteve ’70, në një emision televiziv italian, pyetjes së gazetarit të njohur Mike Bongiorno, nëse kishte në Europë një vend që quhet “Mirdita”, konkuruesi iu përgjigj përnjëherësh: “Po, gjendet në Shqipëri”.

Kanë filluar sa e sa poezi e poema kështu, nga përshëndetja, ndaj ne do të donim ta endnim ndryshe metaforën tonë. Afër Rrëshenit, një kodër me lisa thirret “…ke bubullon toka”. Ti e dije se bubullon qielli, por ja që paska një vend, për më tepër aty ku ti rron prej gjysmë shekulli, ku bubulloka toka!… Nga se? Nga ndonjë lumë i nëndheshëm? Nga “bubullima” e legjendave? Nga kumtet e një qytetërimi të hershëm të shuar? Mbase ky i fundit, pasi aty janë zbuluar nga arkeologët artefakte, qeramika të vjetra, varre arbnore të mesjetës së hershme, teksa jemi në të njëjtin terren ku qe zbuluar përkrenarja ilire e Perlatit, varreza arbërore e Prosekut (Kozaç) dhe në të njëjtin areal me tumat ilire të Fushës Papërdhok (Kalor), Gomsiqen, ku Franz Nopça pati zbuluar varre romake me tulla, përkrenare, armë etj., Vigun e kalasë fushore të Kastrit etj.

Si një fillesë biblike

Në Iliri, paraardhësit e Mirditëve, Pirustët, nxirrnin bakër, kishin miniera dhe punishte të metaleve të bukura (me ngjyra) dhe me arin e argjendin e nëntokës bënin jo vetëm përkrenare, heshta e topa për të luftuar pushtuesit, por dhe stoli për “gratë e tyre si princesha”, trashëguar deri në kohën e sotme; ku në shekullin XX gratë e Mirditës mbanin stoli metalike, unaza e vëthë prej argjendi, me forma pothuaj të njëjta me ato të gjetjeve arkeologjike të mesjetës së hershme (shekujt VIII – IX) të zonës së Komanit e  të Dalmaces.1

Pirustët zejën e tyre e shtrinë dhe në Europë, në minierat e arit të Dakisë në veri të Danubit (Rumania e sotme). Tradita mineralnxjerrëse e përpunuese vijoi dhe në mesjetë me minierat e Bulgrit dhe Fandit, të cilësuara si kroje argjendi. Nëpër Rubikun e arit kalonte rruga “transballkanike” e antikitetit, që lidhte Lezhën (Lissus) me Prizrenin dhe Nishin (Naissus), një rrugë e pakryer prej asokohe e më sot, kur autostrada Durrës – Nish – Beograd ende nuk është përfunduar, mbasi as në shekullin XXI nuk kanë rënë muranat e Ballkanit.

Kështu, njeriu i legjendës, rendte mbi tokë e nëntokë, krahëhapur si shqipet e kreshtave, duke vizatuar me bojë të bardhë, në guvat e Rubikut, piktograme me gjuhën e pasur të simbolikave antropomorfe e floreale, të harkut e shigjetës, bukës dhe kryqit, ashtu si arti shkëmbor prehistorik në Mirditë kishte lënë gjurmët e tij antike dhe në rrasat e shkrueme të Xhuxhës (petroglifet), Blinishtit, Konajve, Mërkuthit, Kthellës së Epërme etj.; krahas simbolikave të shumta qysh pagane gdhendur në porta kullash e varre (dielli, hëna, yjet, zogjtë, lulet, gjarpëri, kali, delja), motiveve të shpatës e shqiponjës dykrenore po në kulla, si dhe qendisjeve të bukura dekoruese të gjoksores së këmishës, xhupit dhe krejt veshjes së gruas mirditore.

Duhet të jenë fatlum ata popuj që janë endur përmes legjendash, pasi kanë dëshmuar se dinë të ëndërrojnë dhe të shohin përtej përditshmërisë.

Po si u krijua legjenda e ditës së mirë? Kushedi pas cilës luftë a rrëmeti të natyrës, befas, diku në Shqipninë e Naltë, tre vllazën ndahen në trojet e tyre, por janë aq të vorfën sa nuk kanë asgjë për të ndarë, përpos një shale kali, një shoshe mielli dhe një lutje në formë urimi për atë që mbeti pa gjë, që dita e tij të ishte e mirë, me diell dhe me shpresën e pabjerrë. Nuk është më kali i shtegtimeve, por vetëm një relike e tij (shala), nuk është më magjja e bukës, por vetëm një relike e saj (shosha). Fundja ato ishin dy shenja materiale të jetesës, kështu që dy vllazën kishin se nga ta nisnin prapë jetën, kurse i treti ndër ta, që nuk dimë nëse ishte i madhi, i mesmi, apo i vogli, do ta niste nga lutja “Bane o Zot për mue ditën e mirë!”(Njëlloj si të thoshte: “Ardhtë mbretëria jote!”), frymëzuar prej mësimeve të urtisë krijuese me qenë përherë i përvutë e i pakrení.2

Kaq kishte qenë e gjitha, si një fillesë biblike, e shqiptuar për të dëshmuar vllaznimin ndërkrahinor mes malësorëve të Shalës, Shoshit dhe Mirditës, me afërsi gjeografike dhe doke të njëjta, po jo se kjo krahinë doli nga “brinja” e tjerës. Fundja, jo vetëm ato, por dhe krahinat e tjera veriore ishin njëherë të gjitha territore dukagjinase. Mirdita, thirrej përndryshe “Malet e Dukagjinit” dhe emërvendet e “Lekë Dukagjinit” hasen gjithkund nëpër Mirditë, Pukë, Lumë e deri në Dukagjin të Matit. Kanuni i Lekë Dukagjinit sipas studiuesve është sendërtuar në trevat veriore qendrore, kryekrejet në Mirditë, ku dhe u mbledh nga Gjeçovi, në Gomsiqe. (Ashtu siç “Kanuni i Skanderbegut” është mbrujtur në trevën e Krujës, Kurbinit, Matit, Dibrës, Elbasanit etj.) Kjo qasje etnokulturore ndërkrahinore legjendës së “tre vllazënve” i jep kuptimin e një bashkësie unitare.

Nuk është e rastit që ajo legjendë është aq e shkurtër, e papërpunuar dhe e parapsodizuar, por konçize si një datëlindje pa datë, vit e shekull, si një adresë eterike në kohë e hapësirë e këtyre banorëve të maleve; ashtu si e mbarë shqiptarisë, ku ishte shqiptuar formula më befasuese mbi dhé: “Shtëpia asht e Zotit dhe e mikut”. Ej! A ndiet ju, o gjind? E mira ditë ndodhi në mua, me mua, për mua, ajo asht dhe dita juej. Prandej mos druani të bëzani në oborr të kullës sime, ditën as natën, në shi a në diell, në të mirë e në të keq…

Po si ndodhi? “Të parët që banuen tokën (që më vonë do të thirrej Mirditë) qenë Ulájt (gjysmë zotat)”, thotë një gojëdhanë e mbledhur nga Dom Nikollë Gazulli. Siç mund të merret me mend, ata ishin superkreshnikë dhe teksa flinin në lendinat e blerta, flladitur prej krojesh, tërhiqnin me frymën e tyre fijet e barit dhe lulekuqet. E mbas atyne zotër të këtij vendi qenë Fandamadhasit (Fandamadhi shtrihej nga Oroshi deri në Kryezi), popullsi anase / vendase, e përmendur si përpunuese metalesh. Sipas gojëdhënës, një “stërpik” i këtij Fandamadhit ishte dhe Shtangu i Konajve të Fandit.3

Ka shtegtuar gojëdhëna e pazakontë (prej së cilës thuhet se u krijuan si një trini dukagjinase: Shala, Shoshi e Mirdita) si letërsi gojore – gjithnjë e më shumë duke u gërshetuar me historiken. Edhe pse ajo kishte aq pak fjalë, sa një lajm i mirë, në të vërtetë për nga kumti ishte romani i parë për këto malësi në zë, që në shekullin XX do të hidhej në letër nga një gjurmues i zellshëm i folklorit, At Donat Kurti.4 Pikërisht atëherë kjo gojëdhanë nisi të mos besohej më, por të merrej si një “shaka” e lashtësisë së Mirditës, që kishte kaluar nëpër (sh)kulme e dallgëzime të pamata dhe kishte pasur historinë e saj me data, ngjarje, predikime, besëlidhje, kuvende, parí, princni dhe kësisoj nuk mund të mbetej “peng” i një legjende parake, si në fillimet e njerëzimit.

E, megjithatë, gojëdhëna mbi krijimin e Mirditës nuk mund të shpërfillet, pasi ajo mbart farën e ditës së mirë, lajmit të mirë, që askund të trojet shqiptare nuk ngjiti dhe mbijetoi më fort se këtu, duke krijuar padyshim emërvendin më të bukur shqiptar, siç është thënë nga studiuesit. Përndryshe, shprehja “Për mua qoftë e mirë dita” dëshmon filozofinë e ekzistencës së këtij populli vital, vullnetin e tij të epërm për të krijuar, ndërtuar dhe për t’u lartësuar në votrën e vet të pandërruar.

Arhondët e Mëdhenj të Shtetit të Arbënit, në Ndërfanë

Historia ende nuk kishte arritur ta shpërndante tisin mjegullor të legjendës. Ajo ishte aty, në kërkim të “motit të mirë”, dhe kur në trollin e mirditëve të mëvonë u mbartën arhondët e mëdhenj shtetarë të Arbnit, Progoni me të bijtë, Gjinin e Dhimitrin, që ndërtuan një bazilikë në Ndërfandë në fundin e shekullit të 12-të dhe fillimet e të 13-it. “Për të ruajtur të drejtën e vijimësisë të Principatës së Arbnit territorialisht të pushtuar nga ekspandimi i Dukatit venedikas të Durrësit, në kuptimin e statusit juridik, është plotësisht e mundur që trashëgimtarët e dinastisë së Arbnit ta kënë zhvendosur qendrën e tyre duke e ngulitur në abacinë e Shën Mërisë së Ndërfanës, e cila kishtarisht i ka pas përkitur po dioqezës së Arbnit”, shkruan Aurel Plasari.5 Që Ndërfanda ishte një qendër kishtare historike e dorës së parë e dëshmon dhe fakti se aty, në të 14 – in shekull, siç shkruan Shuflai, përgatiteshin priftërinj për gjithë Shqipërinë Veriore e gjer Dalmacinë.6 Po ashtu Blinishtët mesjetarë ishin një tjetër derë fisnike arbnore në këtë truall.

Për të ardhur kështu te Mirdita e përtej legjendës, e njohur dhe si“Malet e Dukagjinit”.

Arkeologjia aq shumë e vonuar, që ka gërvishtuar aty-këtu përciptazi nëpër Mirditë, ka barrën të zbërthejë gjuhën “e vdekur” të nëndheshme të tumave ilire të Fushës Papërdhok (Kalor), por dhe në kala e rrënoja të hershme të fortifikuara, anë e mbanë trevës, si në Kastër (Vig), Rubik, Blinisht, Ndërfanë, Gëziq, Kodër – Rrëshen, Pëshqesh, Bisakë, Simon, Korthpulë, Ungrej, Qafë – Mali, Kimëz, Perlat etj., të ngurtësuara në toponime, si: “Kalaja e Judejve”, “Kalaja e Kastrit”, “Kodra e Kalasë”, “Kalaja e Teutës”, “Kalaja e Meshurdhit”, “Gjyteti”, “Kalaja Qytet”, “Fusha e Gjytetës”, “Suka Qytet”, “Qyteza e Skënderbeut”, “Kalaja dhe Gjytetja e Lekë Dukagjinit”,  “Kalaja e Lekës”, “Rrethi i Qytezës”, “Kepi e Qytezës”, “Përroi i Qytezës”, “Qafa e Pazarit”, “Qafë Qytezë”, “Shkëmbi i Përbetimit”, “Kuvendi i Madh” (abaci antike në Malin e Shenjtë, Orosh), “Shpella e Batos” etj., shumë prej tyre fortesa të ndërtuara në shekullin VI nga Justiniani, që më vonë u përdorën nga Dukagjinët etj. Pa anashkaluar Rubikun, Ndërfanën, Oroshin, apo Fushën Papërdhok, një qytetërim të lashtë mbart dhe Domgjoni, me rrënojat e mureve të hershme, furrat piruste të shkrirjes së bakrit, Ujësjellësin e shekullit IV të erës sonë, monumenti më autentik i llojit në vendin tonë, absidën e kishës së Shën Barnabës (Shmarramej), rrënojat e një fortifikate (gradishte) në kodër, që vendasit i thonë “Qyteza” etj., dëshmi e pranisë, në atë anë të Munellës, të një qendre të antikitetit të vonë.

Jo të gjitha këto toponime shënojnë qytete të mirëfillta, por diku qendra të banuara/ qyteza, diku e kanë fituar këtë emër si qendra të përpunimit të metaleve, qendra kishtare të dëgjuara, vendpanaire etj. Arkitektura e kishës së Shëlbuemit në Rubik, absida dhe afresket e stilit bizantin dëshmojnë gërshetimin e qytetërimit të vjetër europian në këtë vend.

Nëse populli ditëmiras a mirëditas shtegtonte shekujve duke lartësuar tempujt e besimit të vet të pandërruar, emri i tij paraskënderbegian, Merditas, në krye të herës u ngjiz aty në rrezen e Malin e Shejtit, me gjurmën e Sh’Llezhdrit e të shumë shejtërve të tjerë, tej e këndej lumit Fand me dy degë (i madhi dhe i vogli), apo dy lumenjve me të njëjtin emër. Habia është se mori një përhapje të paparë një emër gjithsesi i ri i rrethinës së Oroshit dhe jo ndonjëri nga emrat e vjetër gjeografiko-historikë të trevës. Ndërkohë muzeu oroshian, me fillesë benediktine, kishte ruajtur “Arkën e Shejtë”, me statujën e Shën Aleksandrit brenda7, një kryq argjendi dhuruar kishës nga Pal Dukagjini dhe të tjera relikte arkivore me rëndësi.

Mirditasi e ruajti besimin katolik si një thesar shpirtëror e nuk e lëshoi kurrë, siç besimi e mbajti atë në rrënjë të qytetërimit europian, të mos vdarej tymnajave të orientit.8 Liria ishte për mirditasin kuptimi i ekzistencës së vet individuale, lokale e kombëtare. Ai nuk mund të rronte ndryshe, veçse i lirë, prandaj ka një ditar të pasur të qendresës historike ndaj dyndjeve të shumta pushtuese. Liria ishte kulmimi i tij historik. Vetëm kështu “Lidhja e Mirditës” e vitit 1570 mund të nxirrte deri në 12 mijë luftëtarë kundër ushtrive otomane. A mund të imagjinohet kjo përveçse me shpirtin, idealin dhe kushtrimin e lirisë?9 Ndër lajmësit e Selisë së Shenjtë mbi qendrimin e mirditasve në liri, pa iu nënshtrue zotnimit të turqve, me të cilët kanë qenë në luftë të vazhdueshme, ishte dhe Marin Bici, pasi i viziton ata në malet e tyre, në vitin 1610. Ka qenë proverbale trinia e lirisë së mirditasve brenda sundimit të prandorisë otomane: “Me mbajtë armët, mos me i prekë në gjâ e ndër doke, mos me i ngucë në besim”.10  Ka pasur një lidhje të pandashme të Mirditës me kishën, ku bash për këtë “nderim të lartë të shqiptarëve ndaj insitucioneve të krishtera dhe përfaqësuesve të tyre pa marrë parasysh konfesionin”,“Mirditët i mbajnë dhe sot kuvendet e tyre pranë gërmadhav të Shën Palit, tek abacia e dikurshme”, si dhe një vetëdije kombëtare të krerëve mirditas, ku më 1595 Mark Gjini flet mbi “la mia nazione Albanese”11, i cili bashkë me të vëllain Gjon Gjini dhe të tjerë kalorës politikë të një koalicioni perëndimor kundër sundimit otoman përpiqen për kauzën e “Kombi im shqiptar”.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX Mirdita ishte në Veri qendra e zhvillimeve luftarake kundër sundimit të Portës së Lartë. Kronika e qendresës heroike vjen e pasurohet me lëvizjen e vitit 1862 në Mirditë, ideuesit dhe kryesuesit e së cilës ishin princi Bib Doda, rilindësit e shquar shkodranë Zef Jubani e Pashko Vasa, abati i Mirditës Gaspër Krasniqi etj., një prelud i Rilindjes për pavarësi kombëtare. “Mirdita, për numrin e bajraqeve, potencialin luftarak më të madh dhe ndikimin që kishte midis malësive të tjera, kishte tërhequr vëmendjen e Napoleonit III”, shkruhet në Historinë e Shqipërisë (1965). Ajo lëvizje u përtëri dhe njëherë në vitin 1876-1877, si kryengritje, e prirë nga Preng Bib Doda, Zef Jubani, Prend Doçi etj. Mirditasit do ta dëshmonin veten edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Por Kongresi i Berlinit, i qershorit 1878, nuk mori parasysh protestat e shqiptarëve kundër copëtimit të trojve të tyre etnike, u kufizua vetëm në ruajtjen e venomeve të Mirditës, për çka Franca dhe Austro-Hungaria kërkuan sanksionimin nga Kongresi (protokolli 13) që Porta e Lartë t’i garantonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet”, liri që “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta).12

Poeti Pjetër Zarishi që ia njihte Mirditës nga afër vazhdën e qendresës historike dhe të Rilindjes, shkruante:

“Ti njimend ndërmjet territ dritë e vetun,

Ti lule ndërmjet dimnit na qindrove;

Ty t’paçim, se m’ty shpresa e jonë ka mbetun”.13

Mund të duket disi e mitizuar autonomia e Mirditës brenda perandorisë otomane, por nuk ka kurrëfarë miti këtu. Dy kanë qenë mënyrat për ta arritur atë, qendresa me armë dhe diplomacia me Vatikanin, Austrinë, Francën etj., ku ana diplomatike ende nuk është analizuar siç e meriton. Pa mbështetjen politike e kulturore të Perëndimit nuk mund të kishte qendrueshmëri të vetëqeverisjes krahinore. Historiani Ligor Mile shkruan: “Mirditasit nuk i njohën kajmekamët turq dhe vazhdimisht nuk iu bindën urdhërave të tyre. Kështu, qeveritarët turq, – citon ai “Lajmet e Sankt – Peterburgut”, nr. 80, 21 mars 1877 – “kurrë nuk shkelën në tokën e Mirditasve dhe vazhdimisht banonin në Shkodër”.14 Edhe historiani gjerman Peter Bartl ka vënë në dukje se “Mirdita prej kohësh kishte një qeverisje autonome, e cila nuk u cënua dot as nga pushtuesit turq”. Falë këtij statusi historik, vetëdijes kombëtare dhe qëndrueshmërisë luftarake, Mirdita qe vendi ideal për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kimzës, në prill të vitit 1911, mbas një kuvendi mbajtur për këtë qëllim në Fan, ku një rol të veçantë pati Terenc Toçi.

…Kështu, mot pas moti, ajo legjenda e fillesës, perla gojëdhanore e “gjenezës” së Mirditës, do të përmbushej nga vlera historike, etnologjike, folklorike, religjioze e dokësore të mirditasve (quajtur nga të tjerët shqiptarë të kulluar, bij të vërtetë të shqipes), në të cilët do të shpalosej urtësia burimore e tabanit, shprehur në ekuacione të tilla ekzistenciale të malësorit shqiptar si: “Hall me rrue e gjygj me dek”, “Me ndejt shtrembët e me fol drejt”, “Del i miri prej të keqit dhe i keqi prej të mirit”, “S’asht nji ditë si çdo ditë”, “Ka del fjala, del shpirti”, “Çdo shpi mrenda kufinit të vet asht krye e Gjomark”, “I madhi ndanë, i vogli zgjedh”, apo be kozmike si “Për qiell e për tokë!”, që kur shqiptohej nga veriakët përshkohej nga vetetimat qielli e toka.

12-a si një numër biblik – 12 fiset e Izraelit – gjen shprehje dhe në sofrën mirditase me 12 burra (11 krushq, bashkë me të zotin e shtëpisë 12), në shëmbëllim të “Darkës së Fundit” me 12 apostuj, në unitetin e 12 dhenave (bajrakëve), apo në Kosovë sharkia me 12 tela, e si për analogji, te të vjetrit dëgjohej shprehja “Për dymbëdhetë dreqën” (s’ka më keq) etj. Do të thoshim me guxim dhe pa e tepruar se shqiptarëve u mungojnë nga biblioteka e traditës aq “libra” të pashkruar etnopsikologjikë sa fjalë të urta kanë, pasi në secilën prej tyre lexon një përvojë jetësore të sintetizuar në pak fjalë, ashtu si në popujt e tjerë të Europës, po ato atje janë fytyrëzuar në libra, shtatore e arkiva.

Një popull kuptohet nga ajo se si ndjen, përjeton dhe i shpreh ndjesitë e emocionet e veta. “Ti nuk do ta kuptosh ligjin tonë (kanunin), nëse nuk e njeh dhe kupton popullin tonë”, i thotë një shqiptar i vjetër studiuesit austriak të kanunit shqiptar, Valter Peinsipp-it.15

Flamuri i Mirditës “dielli me rreze”

Mirdita, krahina më e madhe veriore shqiptare, jo rastësisht e mbiquajtur “i Arbërisë fis i kryekreut” (Risto Siliqi), që për flamur të vetin kishte diellin me rreze, ishte në lidhje gjaku, miqësi, ndërlidhni dokesore, kuvende e kushtrime luftarake të përbshkëta me banorët rretheqark, si kurbinasit, pukjanët, lurianët, matjanët, dibranët, lumjanët, hasjanët, krasniqasit, zadrimorët, bregmatasit, dukagjinasit, kelmendasit, hotjanët, dardanët etj. Kuvendet krahinore Mirdita i bënte te Lisat e Shpalit, por dhe në Orosh, Perlat, Kashnjet etj., kuvendet ndërkrahinore në Kallmet, Fan, Kalivare etj., teksa merrte pjesë dhe në ato ndërballkanike në Kuç (Mali i Zi) etj.

Mirditasit, me banorët e trevave të tjera shqiptare, i lidhnin udhët e vjetra të gjata, që zinin fill nga deti Adriatik (portet e Durrësit, Shufadasë n’Patok, Shëngjinit) dhe rroknin Tiranën, Shkodrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Elbasanin, Vlorën, Korçën, Shkupin, Tetovën, Janinën etj., me karvanet e mallrave, bujtinat mikpritëse, panairet artizanale (të dëshmuara që nga shekulli XVII), në ditë kremtimesh të veçanta, në Malin e Shenjtë (Orosh), Shëngjergj, Fand, Perlat (“Pazari i Dukagjinit”), ashtu si dhe në Kabash (Pukë), Dejë (afër Vaut të Dejës), Derjan (Mat), Milot (Kurbin) etj., ku, siç dihet, në ngjarje të tilla ndalohej marrja e gjakut. “Ditën e Shën Gjonit, në malin e Shën Aleksandrit (Shën Llezhdrit) në Mirditë, ku ndodhet abacia antike, tani pothuajse e shkatërruar, bëhet një panair i përgjithshëm, nga ku vijnë njerëz nga Kthella, Selita, Bulgri, Fandi i Vogël dhe Fandi i Madh, Dibrri e Lezha, Lura, Zadrima, Shkodra, Kruja, Kurbini, Mati, Çidhna dhe Dibra e Poshtme…”, thuhet në një relacion të vitit 164316, duke shtuar se në panair, ndër të tjera paraqiteshin armët dhe flamujt e fituar gjatë betejave me osmanët, për të cilat ka shkruar me aq nderim Pjetër Budi.

Festat me miq të shumtë, panairet me të ardhur nga aq larg, vajtjet e ardhjet te njëri-tjetrit në ditë motmoti etj., dëshmojnë se nuk ishin vetëm luftërat që i përbashkonin shqiptarët, por jeta e përditshme në paqe.

Është e rëndësishme, parimore dhe shkencore të thuhet se Mirditasit nuk kanë ardhur nga ndokund e as janë shpërngulur për diku tjetër masivisht, si një ngulim nga e para, siç thuhet ndonjëherë në mënyrë gojëdhanore, qoftë dhe nga ndonjë dijetar i gjysmës së parë të shekullit XX, sipas të cilit shpërngulja e mirditasve nga Rraznat e Pashtrikut dhe zatetë së pari në kodër Kolike të Oroshit ka ndodhur pas vdekjes së Gjon Kastriotit, në vitin 143217, ndërkohë që kemi aq shumë dëshmi të banimit në këtë territor që nga koha e Neolitit, miniera dhe qyteza ilire, “nekropolet më të rëndësishëm të kulturës së hershme arbërore të Buklit e Prosekut (shekujt VII – IX)”, kishën e vitit 1154 në Kalivare, katër kuvendet benediktine: Rubik (1166), Ndërfanë, Shpal dhe Orosh, Shtetin e Arbërit etj. Ka pasur sigurisht lëvizje të brendshme të popullatës mirditase, ku, siç shkruan Dom Prend Suli, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit (1468), mirditas nga zona e Oroshit u vendosën në Pashtrik, për t’u mbrojtur nga sulmet osmane, duke u rikthyer më vonë sërish në vendin e tyre. Gjithsesi, mirditasit kanë lëvizur brenda për brenda “shtëpisë”, trojeve dhe bashtinave të veta autoktone, këndej dhe përtej Pashtrikut, i cili nuk ka qenë një piramidë ndarëse për ta, por një lloji “Olimpi” që e ngjisnin sa herë iu duhej të merrnin rrugët për te njëri-tjetri. Pse ishte kështu, ata venin njëlloj për pazar, si në Lezhë e Shkodër, si në Prizren e Gjakovë. Mirdita e disa shekujve më parë, “si pjesë kryesore e Dukagjinit mesjetar fillonte nga Lezha e Vau i Dejës e shkonte deri në dhé të Lumës e në malësitë e Prizrenit”,18 si dhe të Gjakovës, Klinës e deri matanë Sharrit, ku “në Gostivar, në një fshat, rreth 60 familje me mbiemrin “Mirdita”, e mbajnë veten të ardhur dikur nga krahina e Mirditës”.19 Ka një kryqëzim udhësh, vajtje – ardhje, të mirditasve në Kosovë, ku shumë banorë atje të thonë se janë të ardhur nga Mirdita, kurse në Mirditë shumë të tjerë të thonë se janë të ardhur nga viset e Lugut të Drinit etj. Dëshmi e migrimit të brendshëm, të mirditasve drejt Kosovës, janë dhe makrotoponimet e mbartura atje si patronime: Mirdita, Oroshi, Spaçi, Kuzhnini, Kaçinari, Shtufi, Domgjoni, Gojani, Selita etj. Një mirditas i vjetër ka shkruar në kujtimet e veta se duheshin katër ditë me shkue në Gjakovë në këmbë e katër ditë me u kthye prej andej, thuajse gjithnjë me kafshë të ngarkuara me bereqet e mallra të tjera. 20

Në të njëjtën mënyrë, në kërkim të një jetese më të mirë, apo në rrethana historike specifike (për t’u mbrojtur nga sulmet e pushtuesve, për të mos ndërruar fenë, për shkak gjakmarrje etj.), mirditasit kanë zënë me banim dhe në Jug, në viset e Himarës etj., pa folur për Bregun e Bunës, Zadrimën, Bregun e Matës, fushat e Kurbinit etj., që i kishin më pranë. Janë lëvizje të natyrshme në një hapësirë etnike, ashtu siç, për shkaqe të ndryshme historike e sociale, familje të shumta kosovare janë vendosur në Durrës (Rrashbull), Lushnje (Kosova e Vogël), Fier etj. Si për t’i vënë vulën një marrëdhënie te tillë historike ndërshqiptare, Neritan Ceka shkruan: “Mirdita dhe, më gjerë, lugina e Matit, e Fandit dhe e Drinit, ishin boshti i Arbërit të hershëm, për faktin se ofruan lidhjen natyrore midis dy hapësirave të mëdha shqiptare: asaj bregdetare adriatike – joninane dhe asaj kontinentale, kosovare-shkupjane”.21

Historia pa glorifikim

E gjithë historia shqiptare, për mendimin tonë, i ngjet një palimpsesti. Por në mënyrë metaforike më sipër u tha se Mirdita e gjenezës së saj ishte njeri. Dihet se kohërat i mveshin emrat me mugëtirë, ashtu si lisat e vjetër me lëmyshk, por nëse do të duhej një emër identifikus për këtë, le të ishte dhe ai i priftit domenikan, matematikanit, astronomit dhe diplomatit të Skënderbeut, Gjon Gazullit, që pati shkruar me dorën e tij në Universitetin e Padovës (Itali) origjinën e tij prej Mirdite. Ato mote në Abacinë e Oroshit ishte abat një tjetër mirditas i dëgjuar, gjenerali dhe diplomati i Skënderbeut, Pjetër Perlati (Duka), që pritej në Vatikan nga Papa për të folur për punët e Arbënisë. Të dy këta prelatë të lartë të kishës, diplomacisë dhe diturisë kishin në “fiset” përkatëse emra të tjerë të shquar. Me këto duam të themi se kjo trevë dhe mbarë Arbënia në shekullin XV ishte europiane dhe në hullinë e europianizmit, ku, nëse civilizimi arbënor nuk do të ishte ndërprerë nga sundimi otoman, historia e malësorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të Mijëvjeçarit të Dytë nuk do të ishte ajo e mbijetesës me “tri pllambë tokë varun në brinjë” e “tre muej bukë ma e mira shpi”, e një varfërie të skajshme në një peizazh të zymtë, jo rrallë përzhitur nga baruti i gjakmarrjes.

Mirdita kishte pasur bujarinë e saj të lartë, që ia vlen të ndriçohet, sa të jetë e mundur, përmes dokumenteve arkivore. Shuflai shkruan se “në vitin 1436, duke u kthyer nga vendi i shenjtë, kalon nëpër Raguzë “filius ducis Prenghi”, me ç’rast “përmendët për herë të parë titulli princ (Prenk princeps), të cilin e mbajnë dhe sot e kësaj dite krerët e malësorëve katolikë të Mirditës, që janë vazhdimisht nën ndikimin e fortë të abatëve benediktinë të Shën Lleshit (Santus Alexander de Monte) në Malin e Shenjtë”.22

“Kuvendi i Arbnit” (1703), mbajtur në Mërçi të Lezhës, në gjuhën shqipe, vepër e pashoqe e Gjon Françesk Albanit dhe Vincens Zmajeviçit, me pjesëmarrjen edhe të mirditorëve, ishte një kambanë e fortë kushtrimi dhe një projekt i ri kishtar për qendresën shqiptare ndaj asimilimit kulturor dhe fetar, duke u fokusuar dhe te shkolla e Velës e ajo e Kurbinit.23 Duhet thënë se kriza e gjatë e pushtimit otoman dhe varfëria kishin ndikuar në deformimin sadopak të personalitetit të malësorit. Ka autorë që kanë vënë në dukje jo vetëm meritat e banorëve, po dhe veset e abuzimet e ndryshme te një pjesë e tyre, si hajnia, hjekësia, apo grabitjet e bereqetit dhe bagëtive në fusha, duke pasur aty-këtu dhe të vrarë e të lënduar, si një rast në Zadrimën e 1905-s.24

Këto episode ngjethëse i ka ditur dhe Edith Durham, e cila, megjithatë, i ngriti në piedestal malësorët shqiptarë dhe veçmas mirditasit, të cilët i adhuronte. Nga lartësitë e Oroshit, në motet e para të shekullit XX, ajo mbante vesh se ç’thoshte si profet i vendit të tij, Abat Doçi, “ndoshta më largpamësi ndër nacionalistët shqiptarë”, për rënien së afërmi të perandorisë otomane, krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, njohjen europiane të tij, politikën e kujdesshme ballkanike me fqinjët, arsimimin e njerëzve etj., pasi tashmë thoshte ai:“shpirti i kombit shqiptar është zgjuar, si te myslimanët, si te të krishterët”.25

Një tjetër dijetar anglez i asaj kohe, Arthur Moor, për të cilin “Shqiptarët janë mundësisht populli ma i vjetri i Europës”, shkruan: “Mirdita asht nji botë aq e çuditshme n’Europë, sa meriton me u vërejtë me kujdes… Europa nuk e njef “Zemrën e Shqipnis”, të cilën turqit kurr s’kanë mujt me e pushtue. Kjo ende asht e padheshkrueme, e pastudiueme dhe e papërshkrueme sikurse ka qenë në kryefillim…”26, çka solli këtu për këtë qëllim ajkën e shkencëtarëve të kohës. Edhe At Anastazi i romanit “Lule” të Barkatës, ish-profesor i Universitetit të Romës, nga shkrepat e Rubikut, bën thirrje që të gjithë edukuesit e popujve (europianë): profesorët e universiteteve, mësuesit, demagogët, lumturiprurësit, anarkistët, komunistët etj. duhet të vijnë këtu, në Shqypni, pranë këtij populli të thjeshtë e të paprishun, që ata e quajnë gjysmëbarbar, të kuptojnë se si në vobegësi, në thjeshtësi andjesh, në shpresë tek i madhi Zot, e ka rrajën lumnia e çdo njeriu në veçanti dhe gëzimi e mirërrojtja e popujve në përgjithësi, ku, sipas frat Anastazit, ata do të gjenin shkollën e vërtetë të jetës.27

Duhet thënë se qendresa gjithëfarëshe ndaj skamjes, pushtimeve të shumta, ashpërsisë së terrenit etj. pati krijuar në shekujt e fundit dhe një rapsodizëm glorifikues (ndryshe nga epika historike dhe poetika historizuese fishtiane), që ndihet dhe sot si një folklorizëm i vonuar. S’ka kuptim që shkrimet, kumtimet e kremtimet bashëkohore të mbeten peng i një kundrimi glorifikues të së kaluarës së mirditasve, që në vetvete është një madhështim i rremë. Tjetër është legjenda, miti, aureola diellore dhe tjetër Mirdita përtej legjendës dhe legjendarizimit të historisë së saj e heronjve. Demistifikimi do të ishte kundrimi më i përshtatshëm në kohë moderne, kur historia duhet parë në një tjetër projektim. Mirdita, e zhvshur nga patetika për të, është ajo çka lypet sot. Nuk ka pse t’i vëmë “stringla” që nuk i ka pasur. Mjaft të vihet në spikamë qendresa për mbrojtjen e trojeve, ruajtjen e besimit dhe të dokeve, mbrujtja etnologjike e përpajnuar në korpusin kulturor kombëtar etj. Mirditës i mjafton vetja, autentikja saj, aty ku ajo ishte e përveçme dhe kurrëfarë ekzaltimi romantizant rreth saj: “Që Mirdita u bë kaq e përmendur ndër Shqiptarë e në botën e jashtme, kjo se mbështetej në një organizim tepër të veçantë, që na vjen që nga Mesjeta…” 28

Qendra historike vetëqeverisëse të Krahinës kanë qenë Shpali dhe Oroshi, ndërsa Nënprefektura e Mirditës, nga viti 1920 ka qenë, në fillim në Vaun e Dejës, pastaj ka lëvizuar gjithnjë e më në thellësi, në Ungrej, në Reps dhe nga viti 1933 në Shpal. Në Mirditën e shekujve XIX – XX kanë bërë emër figurat historike Kapidanore si Lleshi i Zi, Bib Doda, Preng Bib Doda etj.; krerët e njohur të Dheut: Preng Marka Prenga i Oroshit, Zef Ndoci i Spaçit, Ndue Përdeda i Gojanit, Preng Tuc Doda i Fanit, Kol Toma i Velës, Bardhok Prenga i Kthellës, Gjon Shkurt Lufi i Selitës, prijësit e çetave të Pavarësisë Zefi i Vogël i Fanit (Kosovë), Nikollë Curri (Fushë-Arrës), kanunarët e përmendur: Çup Kol Skana i Oroshit e Palucë Preng Gjoni i Kashnjetit, major Preng Jaku, deputeti i parë i Mirditës së 1921-it Ambroz Marlaskaj, intelektuali Lekë Margjini, gjeneral Gjin Marku etj.

Në vitin 1949, me heqjen e prefekturave e nënprefekturave dhe krijimin e rretheve, qendra administrative e Mirditës nuk do të ishte më Shpali, por Rrësheni, i cili nga viti 1996 do të bëhej dhe qendër e dioqezës së re (në këmbë të Abacisë së Oroshit) që përfshinte Mirditën, Matin, Klosin, Bulqizën dhe Dibrën. Në vitin 2001 ndërtohet Katedralja e Rrëshenit. Identiteti i Mirditës në shekullin XX kishte qenë bakri dhe industria e tij, ndërsa tash krahina është në kërkim të një identiteti të ri, atij agro-turistik. Info-Kulla Rubik është një lajmëtare e turizmit në kërë rajon, përfshi dhe Matin e Pukën, ku shumë nga kullat e vjetra po shndërrohen në vila moderne, duke ruajtur autenticitetin e arkitekturës së tyre.

Visar kuturologjik autentik

Visari kulturologjik i trevës së Mirditës është vështruar përmes prurjeve autentike të bardëve epiko – lirikë anonimë, si dhe gjurmimeve etnokulturore të dokeve, riteve, kulteve, folkut, gjuhësisë, “tjegullave” të arkeologjisë, dëshmive të historisë etj. të një vargu dijetarësh shqiptarë dhe të huaj, vizitorë të Selisë së Shnjtë në dioqeza, ipeshvinj e abatë, konsuj francezë në Shkodër, profesorë të shkollës albanologjike austriake, kërkues shkencorë e udhë- e vendepërshkrues italianë, gjermanë, kroatë, amerikanë etj., që nga Marin Bici, Benedetto Orsini, Gjon Kolesi, Mark Skura, Shtjefën Gaspri, Nikollë Vladanji, Uilliam Martin Lik, Fransua Pukëvil, Ami Bue, Johann Geog von Hahn, Sami Frashëri, Zef Jubani, Pashko Vasa, Eduard Spenser, Hiacinth Hekuard, Zhan Klod Faverial, Franc Nopça, Edit Durham, At Domeniko Pasi, Pjetër Zarishi, Prend Doçi, Auguste Degrand, Teodor Ippen, Dom Nikollë Kaçorri, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Vinçens Prenushi, Ambroz Marlaskaj, Fabian Barkata, Maksimilian Lambertz, Karl Steinmetz, Zef Valentini, Fulvio Kordinjano, Antonio Baldaçi, Dom Dod Koleci, Dom Prend Suli (Spaçi), Dom Nikollë Kimza, Zef Mark Harapi, Ndue Paluca, Athanas Gegaj, Kol Dema, Dom Mikel Lezhja, Imzot Zef Gjonali, Imzot Frano Gjini, Ann Bridge, Carleton Coon, Stavri Frashëri, Gjergj Shabani, Kol Shtjefni etj.

Nëse ajo gojëdhëna me “tre vllazën” vijonte të shtillej në qiellin dhe tërthoret e Mirditës si një fantazmë, arkeologjia e viteve ’60, kishte nxjerrë ndërkohë mbi dhé disa vlera unikale, si përkrenarja e Perlatit e shekullit III para Krishtit, monedha e Justinianit e Meshurdhit, shqiponja e Arbërit dhe mbishkrimi epigrafik i Gëziqit, bazilika mesjetare e Shnapremtes në Ndërfandë, gjurmët e kishës së Karmelinës dhe stolitë arbërore të Buklit, varrezën arbërore të Kozaçës (nekropoli i Prosekut) etj. E megjithatë, me të drejtë thuhet se arkeologjia vetëm sa e ka gërvishtur tabanin e Mirditës, ka objekte si Fusha Papërdhok në Kalor me më shumë se dhjetë tuma ilire, pa u hapur asnjë.

Mirdita, si asnjë krahinë tjetër e vendit, solli deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, Princninë e fundit shqiptare, me seli në Orosh dhe në Shkodër, si një institucion vetëqeverisës sui generis, por dhe i diplomacisë mes Lindjes dhe Perëndimit, si dhe Abacinë e fundit në Ballkan, që pati rëndësi të madhe sidomos pas vitit 1888, me rimëkëmbjen që i bëri Imzot Prend Doçi, me statusin e ri nullius, të mosvartësisë më në ipeshkvinë e Lezhës, por drejtpërdrejt në Vatikan. Nga shkolla e Velës (1632), Noviciati i Rubikut, te Konvikti “Mirdita” (1926) mirditasit kanë pasur rrugëtimin e vet arsimor historik.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, ky korpus kulturor pasurohet me shujtën shpirtërore të së Lumes Marie Tuci, shkollat unike të Ndrec Ndue Gjokës, operën e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës, poemat, dramat, novelat dhe romanet e Kol Jakovës, Fatos Arapit, Llazar Siliqit, Loni Papës etj., rizbulimin prej Dhimitër Shuteriqit (rreth shtatëdhjetë vite pas Teodor Ippen) të Stemës së Arbërit, ditarin e disidencës të Musine Kokalarit, rolet teatrore e filmike të Preng Lëkundës, Rikard Ljarjes dhe Roza Anagnostit, shkrimet historike të Injac Zamputit, Pal Doçit, Peter Bartl (Mynih), Zef Mirditës (Prishtinë), veprën shkencore etnologjike të Mark Tirtës, këngët e një folku të risuar dhe ato të muzikës së lehtë të Gjok Becit, pentagramin muzikor të Ansamblit “Mirdita” të Dorian Ninit, meloditë burimore në çifteli, fyll e bilbil të virtuozit të shquar Ndue Shyti, urbanizimin e Rreshenit (qendrës së re të Mirditës) nga Bujar Ferra etj.

Në diasporë, SHBA, ndriçonte me veprën e tij misonare dhe kulturore Imzot Zef Oroshi, përkthyes i Katër Ungjijve, e apo atje përmbushte karrierën universitare e publicistike Zef Vorf Nekaj, me kushtime të ndjera ndaj Mirditës.

Energjia e pashterrshme krijuese e mirditasve ka shpërthyer në një cilësi të re në dhjetëvjeçarët e fundit, në botën akademike, letërsi, arte, sport, gazetari, drejtësi, politikë, ekonomi, biznes, agroturizëm etj., me spikatjen e jo pak individëve të suksesshëm, mjafton të sjellësh në vëmendje investime si: kantina e verës “Arbëri” (Rrëshen), “Zepa natyral” (Tiranë), bujtinat turistike të Rubikut, Perlatit etj., autogrill-at e Rrugës së Kombit dhe të tjera sipërmarrje tregtare dhe shërbimesh ndaj komunitetit. Nga fillimi i viteve ‘90 do të linin gjurmët e veprës së tyre humane në Mirditë dhe shoqata e personalitete të mirënjohur të huaj, italianë, austriakë etj.

*

Një nga njohësit me rrënjë e me degë të jetës së shqiptarëve, At Bernardin Palaj (që ka shërbyer kryesisht në Dukagjin, por dhe në Rubik) ka shkruar “në secilin qytet e fis shqyptar ke me gjetë zeje të veçanta, përreth të cilave siellet një histori arti të panjohun, thjesht shqyptar”.29 Në male“njerëzit ishin në gjendje të pashkollueme, por jo të paqytetnueme”30, do të thoshte Ernest Koliqi, që shkroi aq fisshëm për malësorët, të cilëve iu kishte bujtur aq herë në votër në Dukagjin etj.

Këtë u përpoqëm të bëjmë për Mirditën në këtë libër. Mund të thuhet se lënda e mbarështruar në të është thadruar pak nga pak prej kohësh, atëherë kur kishte kryer libri im i parë kërkimor “Toka e Katedraleve” e tash përpiqesha të kundroja në shpirtin artistik të mirditasve, shpaluar në këngë, valle, melodi, rituale, gjuhë, punime artistike etj. Kësisoj, ky libër, që ka nisur të ngjizet para njëzet e pesë vitesh, përmbyllet me dëshirën që çështjet kulturologjike të Mirditës së vjetër të rrahura në fletët e tij e të tjera si këto, të trajtohen gjërësisht e në mënyrë shterruese nga të tjerë lëvrues, sot e nesër.

Edhe pse nuk ka qenë qëllim në vetvete, libri rrok më së shumti fatin e gruas mirditase, ku eseja “Gra me kurorë mbretërore” është një himn kushtuar saj, që dëshmon dhe statusin social që ajo kishte në jetë, pavarësisht kufizimeve kanunore. Ajo ka ditur si të sillet në botën e urdhëruar nga burrat, ndonëse pozita e saj shpesh ishte dramatike: si nuse në rrethana kritike, si virgjërshë e përbetuar, si vajtimore etj. Në këtë kundrajë, i jemi qasur edhe të pazakontës në jetën e mirditasve, për ta njohur dhe atë. Një nuse që vdes në udhë ditën e dasmës. Një vajzë në fillimet e shekullit XX që vendos të mos martohet, por rri “virgjëreshë” për të rritur të vëllain jetim dhe shkon e ftuar në dasmën e ish – të fejuarit. Nënë Dava e Domgjonit që e pret një gjysmë shekulli të shoqin e arratisur në Amerikë. Apo burri (në zâ) i vdekur prej pushkës që vihet si i gjallë në karrige ditën e përcjelljes te të shumtit.

Në këtë kuptim, libri na fton ta recptojmë të kaluarën, shpesh në të pazakontën e saj.

Mirdita është një metaforë. Borges shkruan: “Ndoshta historia e përbotshme është historia e disa metaforave”. Pa pretendimin që me doemos me e gjetë veten në ndonjërën nga këto “disa metafora”-t e përbotshme, pa droje mund të thuhet se të madhe apo të vogël një histori nuk e bën hapësira gjeografike, lokale apo kontinentale, por gjurma e përveçme që njerëzit kanë lënë në vorbullën e pandalshme të epokave apo kohëve.

_________________

  1. Hëna Shahiu, Disa stoli metalike të ditëve tona me tipare të trashëguara nga kultura e hershme shqiptare, në “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanalogjike, vëll. II, Tiranë 1969, fq. 247 – 252, cituar nga Andromaqi Gjergji, në “Klasifikimi i veshjeve popullore shqiptare”, Etnografia Shqiptare, IX, Tiranë 1978,
  2. Simon Filipaj, “BIBLA, Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe e Re”, Tiranë 2012.
  3. Dom Nikollë Gazulli, Oroena mbi nji hartë të Shqipënisë, Hylli Dritës, nr. 7- 8, 1938.
  4. At Donat Kurti, “Zakone e doke shqiptare”, Botimet Françeskane, Shkodër 2010.
  5. Aurel Plasari, “Arbni”, Akademia e Shkencave, Tiranë 2020.
  6. Milan Shuflai, “Serbët dhe Shqiptarët”, Tiranë 1926, f. 152.
  7. Injac Zamputi, “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore…”, Tiranë 1963, 1965.
  8. Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, “Mirdita” 1999 & 2006.
  9. Pal Doçi, “Vetëqeverisja e Mirditës”, Tiranë 1996.
  10. Zef Mark Harapi, “Mirdita në histori, në gojëdhana e në zakone të veta (deri në vjetin 1929)”, Geer, Tiranë 2013.
  11. M. Shuftali, “Serbët dhe Shqiptarët”, Tiranë 2002, fq.160.
  12. Historia e Shqipërisë, II, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1965, fq. 91 dhe 137.
  13. Vjerrsha të Dom Pjetër Zarishit, “Derës t’Gjomarkut”, Hylli i Dritës, 1914, fq. 321.
  14. Ligor Mile, “Kryngritjet popullore në fillim të Rilindjes sonë”, Tiranë 1962, fq. 125.
  15. Valter Peinssip, “Populli i shqipeve të malit”, shtëpia botuese “Mirdita”, 2005.
  16. Pietro Antonio di Venetia, “Historia serafica overo Cronica della provincia di S. Antonio”, Venetia 1688. (“Mirdita, histori dhe aktualitet”.)
  17. Dom Gaspër Gurakuqi, “Përmblerdhje vrojtimesh përmbi zakonet, Shkodër 1940.
  18. Mark Tirta, Mirdita në vështrim etnologjik, në “Mirdita njohuri për vendlindjen”, Tiranë 1999.
  19. Mark Tirta, po aty, artikull i cituar.
  20. Zef Pepaj, Jeta ime, kujtime, “Geer”, Tiranë 2010, f. 25.
  21. Neritan Ceka, Mirdita, boshti i Arbërit të hershëm, në “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” (intervistë dhënë Gjon Markut), Tiranë 2009, f. 400.
  22. M. Shuftali, “Serbët dhe Shqiptarët”, Tiranë 2002, fq. 61.
  23. P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.
  24. Edith Durham, “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Argeta Lmg, Tiranë 2015.
  25. Karl Steinmetz, “Nga Adriatiku në Drin të Zi” (shtypshkrim).
  26. Arthur Moor, Fisi i Mirditës”, Hylli i Dritës, 1940, fq. 367 dhe 372.
  27. Fabian Barcata, “Lule”, “Mirdita”, Tiranë, 2001.
  28. Mark Tirta, Etnokultura shqiptare, ligji dokesor, ASHSH, Tiranë 2016.
  29. At Bernardin Palaj, “Doke e kanu në Dukagjin”, Shkodër 1942.
  30. Ernest Koliqi, Vepra, numër 5, fq. 92.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok