Besimi i qytetarëve fitohet me atdhedashuri e jo me dhunë!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Protesta është e drejtë themelore e qytetarëve në një sistem demokratik, e drejtë e shprehjes së pakënaqësisë qytetare ndaj vendimeve (të padrejta) qeveritare apo ngritjes së çmimeve që e rëndojnë jetën e qytetarëve. Për të arritur efektin një protestë, duhet të jetë me qëllime të pastra dhe pa ndikime partiake. Mirëpo në Kosovën e pasluftës, në vend që programet politike dhe vizionet pragmatike të liderëve partiak të jenë inspirim i qytetarëve për ndryshime politike, protestat janë bërë mjet i ardhjes në pushtet të partive politike pa ide dhe pa vizion të çartë shtetërorë dhe kombëtarë.

Politizimi i një proteste legjitime qytetare

Pra, protestat partiake nuk kanë qëllim interesin dhe as mirëqenjen e qytetarëve, por arritjen e qëllimit politik për ardhje në pushtet. Duke u thirrur në emër të interesit të qytetarëve, në emër të mashtrimit dhe manipulimit të pushtetarëve, vijnë përseri në pushtet mashtruesit dhe manipulantët politikë, të cilët nuk e kanë gjetur vetën në partitë e tjera dhe për këtë, si mundësi të mirë i shohin pakënaqësitë e qytetarëve për të ardhur në shprehje me idetë e tyre kontraverse, aspak bindëse dhe reale për përmirësimin e jetës së qytetarëve!

Si gjithnjë partitë jashtëparlamentare e shfrytëzojnë paaftësinë e partive opozitare në Kuvend për t’iu kundërvënë partisë apo partive në pushtet dhe e kundërta, partitë opozitare në Kuvend i suportojnë vegëzat e tyre jashtë parlamentit për të provokuar trazira dhe dhunë kundër pushtetarëve, për të ardhur më lehtë tek qëllimi politik i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme!

Një gjë e tillë u shpërfaq edhe në protestën e fundit të organizuar nga PSD-ja e margjinalizuar në skenën politike kosovare. Shtrenjëtime të rrymës kemi pasur edhe në të kaluarën dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Por, shtrenjëtimet e rrymës kësaj radhe janë të ndikuara nga faktorët e jashtëm (global) dhe të brendshëm si produkt i keqmenaxhimit të aseteve energjetike të vendit.

Jo për ta arsyetuar qeverinë për shtrenjtimin e rrymës, pasi më së paku i shkon për shtati asaj ngritja e çmimit dhe protestat e qytetarëve. Mirëpo përgjegjësinë që mbanë qeveria për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike qëndron në faktin pse nuk është në gjendje të implementojë vendimet e saj në mënyrë lineare për të gjithë dhe në tërë territorin e vendit.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët lojal të shtetit të Kosovës dhe lirimi në të njëjtën kohë nga pagesa e rrymës për antishtetërorët, siq e parapelqejë t’i quaj serbët e Veriut (të amnistuar nga pagesa e rrymës nga të gjitha qeveritë paraprake), është pak më tepër se përgjegjësi shtetërore, është paaftësi e inkasimit të rrymës së prodhuar me mund të madh dhe blerë nga taksapaguesit shqiptar dhe jo serb të Republikës së Kosovës.

Kjo është ajo pjesa me të cilën nuk jam pajtuar me asnjë qeveri paraprake dhe as me këtë të fundit, e cila kishte premtuar unifikim të sistemit energjetik dhe shtrirje të sovranitetit edhe në Veri të vendit!

Ana e errët e protestës

Sikurse në çdo protestë tjetër, edhe në protestën e djeshme u shpërfaqën anët negative të përdorimit të dhunës ndaj ruajtëvse të rendit dhe qetësisë publike, në këtë rast ndaj Policisë së Kosovës dhe përdorimi i gjuhës fyese dhe armiqësore ndaj drejtuesve shetërorë dhe shtetit të Kosovës në veçanti.

Si gjithnjë protestat paqësore dhe demokratike janë një mundësi e mirë e agjenturave të jashtme për të infiltruar elemente destruktive për t’i dhënë kahje tjetër protestës siq ndodhi në protestën e djeshme, ku së paku një qytetarë i Kosovës e kërkoj kthimin e Serbisë në Kosovë “vetëm Serbia e qet në terezi këtë vend”!

Kjo është dëshmia më e mirë se agjenturat e jashtme dhe shteti Serb në veçanti është i gatshëm të investoj miliona dhe miliarda për destabilizimin e situatës në Kosovë për realizimin e aspiratave të saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Një situatë e tillë i jepë dimension tjetër protestës, e cila nuk ka të bëjë fare me rrymën dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

Për këtë anë të errët të protestës, përgjegjësia bie drejtëpërdrejtë mbi organizatorin, i cili përveq distancimit, do duhej përjashtuar menjëherë nga protesta personat të cilët kërkonin kthimin e Serbisë në Kosovë! Por, në vend që të ndodhë kjo, goditet dhe sulmohet fizikisht polici i shtetit nga organizatori i protestës!

Pjesëmarrja dhe vënja në ballë të protestave e figurave të dështuara politike, e matrapazëve dhe mercenarëve politikë i ka dhënë shije të keqe protestës dhe i ka vënë në lajthitje qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

Protesta e djeshme e PSD-së është dëshmia më e mirë për nevojen e një Alternative të Re politike, e cila do ta bëjë shkëputjen përfundimtare nga klasa aktuale politike në pushtet dhe opozitë. Politika në Kosovë nuk guxon edhe më tutje të udhëheqet nga mercenarë dhe misionar të shkatërrimit të shtetit, por duhet të udhëheqet nga intelektualë të urtë dhe atdhetarë që e fitojnë besimin e qytetarëve me programe të çarta dhe ide të shëndosha politike. Pra, besimi i qytetarëve fitohet me atdhedashuri e jo me protesta dhe veprime të dhunshme e vandaliste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok