22/12/2024

MIKU I SHARRIT NDAJ TË CILIT PO TREGOHEMI ARMIQ

0
Syrja-Etemi

Shkruan Syrja ETEMI

Do të ishte arsye  banale të thuash se nuk ia vlen të shkruhet (së paku një shkrim si ky), e të bisedohet  për  qenin, kur  kemi shumë e shumë probleme tjera që na tangojnë. Po kështu  kanë  thënë  edhe gjyshërit dhe baballarët tanë, prandaj edhe“historia u ndërrua” ; u  ndërrua  emri, (që d.m.th. – të tjerët   nuk  turpërohen  nga  emri “Jugosllovenski pas apo Sharplaninac”), kurse  ne  akoma  turpërohemi nga copa e historisë së quajtur:  ”Qeni  Ilir”. Gjersa ne shumë pak dimë për këtë monument natyre, të tjerët do të na tërheqin vëmendjen që nga antika :

Që në kohën e perandorit romak (v. 308-314), Valerius na njeh me Qenin  Ilir me emrin Daia, që në Gadishullin Ballkanik e sjellin blegtorët e njohur të fisit Mollos nga  Tibeti – në  mijëvjeçarin  e  dytë p.e.s.

Për këtë flet edhe Plini, ku, përveç të dhënave që na jep  për Shqiptarët, bën fjalë edhe për qenin e Sharrit, me ç’rast thotë: Qeni Shqiptar është i madh, korpulent dhe i ashpër, sa që mund të hajë edhe një luan. Për këtë arsye, ai thotë: »Shqiptarët, përkatësisht Ilirët, i dërguan Lekës së Madh një qen, i cili në arenë e mundi luanin, madje edhe demin. Ai ka sy të larmë dhe bebëza ngjyrë gri aq të fiksuar, sa që më mirë sheh natën se sa ditën, dhe, për këtë arsye, është shumë gjahtar  i mirë dhe bredh në skëterrën e natës, njësoj si në ferkun e ditës. »

Publicisti i njohur kroat, Ivan Lonçar, kështu e konsideron këtë kafshë bujare: »Sharrjani është  i butë për fëmijët, por shumë i rrezikshëm për ariun » dhe, në një shkrim më të gjatë në revistën enigmatike të Zagrebit të vitit 1989, ravijëzon : « Qeni i Sharrit (Sharrjani) është raca më e lashtë e qenit në Ballkan. Është i njohur për ruajtjen e grigjës së dhenve, i cili njihet që nga koha e Ilirëve  dhe Romakëve. Përveç kësaj, ai është një nga qentë pastoral më të fuqishëm në botë. Nuhatjen e ka aq të mprehtë, sa që mund të dallojë edhe hapin më të lehtë të njeriut, i cili është larg deri edhe 500m. Në aparencë duket serioz, i vendosur, jashtëzakonisht i guximshëm, luftarak e shumë besnik. Lidhet ekskluzivisht me një person » – për të zotin.

Ky qen peshon deri në 45 kg., me kokë të madhe, me lëkurë të leshtë dhe veshë të mëdhenj, të cilët u lëshohen dhe u kthehen tatëpjetë. Ruajtësit e këtij qeni, veshët ua presin që të vegjël (këlysh), me qëllim që të bëhen « më të sertë » dhe më të shkathtë për t’u përla në sfida me « egërteja » (egërsira), por edhe me qenë tjerë, prandaj ka mbetur edhe shprehja «Filanit ia kanë pre veshët këlysh », d.m.th, e kanë bërë të dresuar apo të mësuar.

Ai që i gëzohet borës së parë të stinës së dimrit është Sharrjani apo qeni i Sharrit. Kështu, kur bie borë, ky vrapon lirshëm në terrenet e hapura dhe luan sikur një fëmijë i hazdisur nën borën e bardhë. Kjo kafshë shumë atraktive, më mirë rritet dhe zhvillohet në kushte të vështira me të ftohtë e me një klimë të ashpër, me ç’rast ndjehet më natyrshëm, më i lirë. Prandaj, ai nuk duron të mbahet lidhur në ndonjë dhomëz apo « kutar », ashtu siç veprojnë disa adhurues të kësaj race, që i përdorin për sfida qensh, që në kohë të fundit organizohen në Pollog, por edhe më gjërë. Në vendbanimin ku jetoj (Sllatinë), ky lloj qeni dikur ishte pjesë e pandarë e tufave të dhenve, dhe, gati 2 të tretën e vitit e kalonte në bjeshkët e paana të Sharrit, kurse tani ai « robërohet » nga ruajtësit e pakujdesshëm të zonës së theksuar. Për besimin e madh që kishin qehallarët e dikurshëm sllatinasë në qenin e Sharrit, do të paraqes edhe një anekdotë të para dyzetviteve: « Murxhi i Muratit Drizës »

MURXHI I MURATIT DRIZËS

N’pranvier kur i çojn’ dhent n’bgjieshk, Vaiti ene Sabiti e marën  tejfën e dhenve ene çent, ene nejsen termë udhës… mrëjn ner n’Kalipic. Atej ndalen  pak t’i prëjn dhent. Kur mbas atine mrën ëne Murati me kuajlt me shieka ngarkaum për n’bgjieshk. Zateket me çubënt, e u thuët :

– A i kini mar kejt çent me viti?

– Vetëm Murxhin e kimi lën, – i thaun atua.

– Po kush di raue dhient n’bgjieshk,a ktua klishët xhi buhën shoç me ukin ene na i farojn’  kejt dhent, ë? Frejk t’shkuëni ëne tu ma mirni Murxhin se aj e din xhi ësh uki, ja ndejn erën  pi për s’largi ene s’e le t’afruhat ngat dhenve! – Ene shkuan para atine n’bgjieshk.

Sabiti nejset kada – kada me dhient, a Vahiti, frejk e frejk shkuan n’shpej ene e mer Murxhin, fken munjiher, ene i mrën dhient Te Feri – n’Vërtejsht.

Tregoi: Eshtref Zeqiri, lindur më 1943, Sllatinë, TETOVË

 

Prandaj, lirisht mund të themi se rol  të  veçantë  në  formimin  e Qenit  të  Sharrit, kanë luajtur masivet e larta malore, që kufizonin  kryqëzimin me llojet e tjera të qenve.  Ashtu i fuqishëm, i bukur  është edhe sot, duke iu falënderuar vrazhdësisë së thepave dhe  nevojës për t’u bërë ballë të papriturave të natyrës së egër të Sharrit, por edhe më gjërë.

Gjeli është simbol francezve, kanguri simbolizon australianët, kur  përmendet panda, s’ka dyshim se   të  gjithë  e  lidhin  me  Kinën, prandaj, është koha që Qeni Ilir  të mbetet simbol i Shqiptarëve, që do të ishte një mburrje për gjithë historinë tonë kombëtare. Ai ka qenë  dhe  duhet të jetë krenaria jonë kombëtare, sepse është pjesë e ndritshme e historisë sonë nacionale. Atë e ka bërë vetëm kjo natyrë e mrekullueshme e  Sharrit, e që këtij të fundit natyra ia  fali bukurinë, madhështinë, ashpërsinë, fortësinë, besnikërinë, të cilin Ne sot shumë pak ose fare nuk e çmojmë, aq më pak, në kohën kur  popujt tjerë, aq shumë  shprehin kujdes dhe nuk  kursejnë mund dhe kapital  që  ta bëjnë  për  vete këtë pajë brezash. Prandaj, mos të na vie çudi se pse dikur Akademia e  Shkencave Serbe dhe LKJ(Lidhja  Komuniste e Jugosllavisë)  edhe këtu do të fusë hundët, duke angazhuar  një  ekip  të  madh  ekspertësh (biologë, veterinarë, kinologë), në krye me njëfarë eksperti, prof. Slobodan  Pavlloviç, që  me çdo kusht t’ia ndërrojnë emrin Qenit  Ilir …

Tragjedi, tragjedi, tragjedi  atëherë, sot  dhe  nesër! Atëherë: që  nuk ka reaguar askush, për  këtë  që po na  ndodhë sot e që, ende nuk shprehim as koshiencën më të vogël, s’do mend se, nesër gjeneratat që do të vijnë, do të na padisin për neglixhencë dhe indolencën për t’i dalë zot pronës që na e ka falë Zoti. Sot  që, akoma  «  na  vjen  turp të  meremi  me  historinë  e  një  qeni », nesër  kur  duhet   të  rrëfehemi  para  nipave , stërnipave  tanë, do të jetë shumë vonë, sepse, jemi  të  sigurt  se, ata  do  ta  kuptojnë më mirë se Ne rëndësinë e  kësaj  « embleme » të historisë sonë.

Sot  mund  të  shijosh  bukuritë  e  Sharrit, t’i  gëzohesh  agimit dhe  muzgut  të  këtij  masivi, por  tmerrohesh  nga fakti  se në  këto kreshta  malesh  nuk  e  gjen      (ose e has  shumë  rrallë) simbolin e  këtyre  majave, tmerrin e  ujqve  dhe  arushave, shokun më besnik të barinjve, Samurain e  historisë  sonë gati të përhumbur – Deltarin  Ilir .

Në vend  që  të  ishte  rojtar i tufës së deleve (që, sot,  edhe këto i gjejmë shumë pak), ai , fatkeqësisht, më tepër pikaset  në  karakollet  për shërbimet e policisë dhe ushtrisë antishqiptare, ose në sallonet e zonjave nëpër metropolet europiane. Këtë dhuratë të “nënës natyrë”, sot, fatkeqsisht e gjejmë  nëpër   fermat e qenve të metropoleve, i cili, me siguri  vuan për natyrën e mahnitshme të Sharrit.

Nëse  me  vëmendje  e shikon  Deltarin  Ilir, nga  serioziteti  i  tij  do  të  vëresh se  në  fizionominë  e  tij akoma shquhet  mallëngjimi  për  vrazhdësinë, bukurinë, befasitë që ia afron vetëm  Sharri  mahnitës dhe i mrekullueshëm. Por, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj  dite, ca  matrapazë  shqiptarë, me qëllim që të arrijnë përfitime  më  të mëdha  për  “luftë  qensh”, Deltarin Ilir e  kryqëzojnë  me  raca të tjera. Ata rishtazi kontribojnë  që  edhe më shumë ta zhdukin si racë  krenarinë tonë. Ky le të jetë një apel  për të ndërgjegjësuar  instuticionet, historianët, veterinarët, ekologët, akademikët tanë shqiptarë, ku do që të jetojnë e veprojnë në hapësirat e trojeve të ndara, që t’i dalin zot kësaj prone, kësaj pasurie të nënës sonë – Natyrë, që na e kanë lënë pellazgo – ilirët. Prandaj, duhet të mësohemi të çmojmë këtë vlerë të jashtëzakonshme, e,me këtë,edhe gjithë këtë thesar të pasur, qoftë nga flora, qoftë nga fauna e pashterrshme e këtyre anëve – këto mbushullime që na i ka dhuruar perëndia. Këtu, do t’i përgjërohem filozofit të madh antik, Aristotelit, i cili thotë : « Aty ku çmohet guximi, ka trima ; aty ku çmohet urtësia, ka të mençur ; aty ku nuk çmohet asgjë, nuk ka asgjë. »

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok