MEMORANDUMI I RADHËS…I IMPERIALIZMIT SERB!
Nga Adil Fetahu
Pas Tribunës së studentëve dhe profesorëve serbë, që u mbajt pardje në Kragujevc, dje e publikuan në rrjetet sociale dhe në të gjitha mediat serbe një pamflet politik, të cilin e quajtën Memorandumi për Kosovë e Metohi. Thonë se përmbajtja e Memorandumit është shprehje e vullnetit unik të studentëve në bllokadë.
Për korrektësi të këtij shkrimi, po e publikoj tekstin e plotë të Memorandumit, i sajuar në katër pika, me këtë përmbajtje:
‘’Ne studentët e Serbisë, të tubuar në Kragujevc, kryeqytetin e parë të Serbisë moderne dhe qendrën e mendimit shtetformues, të vetëdijshëm për përgjegjësinë personale dhe kolektive dhe borxhin historik ndaj paraardhësve e pasardhësve tanë, emiratuam këtë Memorandum që është shprehje e dëshirës unike:
- Kosova e Metohia janë pjesë përbërëse dhe të patjetërueshme të Republikës së Serbisë
Ky fakt nuk është vetëm kategori kushtetuese, por është imperativ historik dhe moral, i cili nuk mund të jetë objekt i bisedimeve për esencën e tij.
Ruajtja e rendit kushtetues të Serbisë në Kosovë e Metohi është themeli i qëndresës së shtetit serb dhe peng i paqes së drejtë në rajon.
- Kosovë e Metohia nuk janë vetëm hapësira, por ato janë komponente të identitetit kombëtar serb.
Kragujevci që është qytet në të cilin janë vu themelet e shtetësisë moderne serbe, e ka për detyrë të bëhet roje e vlerave të amanetit, të cilat kanë mbirë në Kosovë e Metohi, jo vetëm të ujitura me gjakun e derdhur në fushën e luftës, veçse edhe në agimin shpirtëror, nga të cilat edhe sot na shkëlqejnë kishat e Prizrenit, konaqet e Pejës, ari i Banjskës dhe shtyllat kubeve të Graçanicës.
Pa Kosovën e Metohinë, kodi ynë historik dhe kulturor e humbë burimin dhe kuptimin e vet.
- Si popull i pjekur dhe historik, jemi të vetëdijshëm se çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet në mënyrë të izoluar, por kryesisht brenda rrjedhave të ndërlikuara të .bashkësisë ndërkombëtare.
Serbia duhet aktivisht dhe në mënyrë konstruktive të bashkëpunojë me të gjitha organizmat relevante ndërkombëtare, duke i konsideruar si partnerë të pashmangshëm për gjetjen e zgjidhjes më adekuate në suaza të Kushtetutës.
Qëllim yni është modeli sipas të cilit, duke respektuar në mënyrë konsekuente të drejtën ndërkombëtare, të sigurohet paqja, siguria dhe mbrojtja e plotë e të drejtave për popullin i cili jeton në atë territor.
- Çështja e Kosovë-Metohisë i përket secilit qytetar të këtij vendi
Lidhja jonë me krahinën jugore nuk konsiston ekskluzivisht vetëm nga fakti i mbajtësit të pasaportës së Republikës së Serbisë, veçse nga fakti esencial i historisë dhe kulturës serbe.
Secili individ, si bartës i mbamendjes kolektive, ka për detyrë të kontribuojë në ruajtjen e kësaj pasurie shpirtërore dhe kulturore, e cila i kalon kufijtë e dokumenteve administrative.
Ky Memorandum do të shpërbejë si përkujtues, se lufta jonë për Kosovë e Metohi, njëkohësisht është luftë për fytyrën tonë, për kulturën tonë dhe për ardhmërinë tonë, në familjen e popujve të botës me të drejta të barabarta.
&
Siç mund ta vërejë lexuesi i vëmendshëm, me asnjë fjalë dhe në asnjë fjali nuk përmendën dy milion e sa shqiptarë që jetojnë në Kosovë e Metohi, siç thonë ata. Sikur të mos ekistonte asnjë, apo sipas Memorandumit, mendohet që shqiptarët të zhduken në çdo mënyrë e me çdo kusht, ashtu siç e parashihte paraardhësi i tyre, Vasa Çubriëëpvoqo më dy elaboratet (as.memorandumet) e tij (1937 dhe 1944), apo siç parashihte plani ‘’Patkoi’’ i S.Millosheviqit, në vitin 1999.
Ka miratua e zbatua Serbia plane, programe e memorandume për zhdukjen e shqiptarëve nga Kosova, që nga ‘’Naçertania’’ (1844) deri te Plani ‘’Patkoi’’ (1999), por përkundër viktimave të shkaktuar në njerëz dhe pasojave tjera shkatërruese, nuk ka arritur t’i realizojë ato as në kohë shumë më të përshtatshme për Serbinë.
Memorandumi i studentëve të Serbisë, me këto ambicje imperialiste për kthimin e Kosovës në kuadër të Serbisë, edhepse nuk ka kurrëfar relevance praktike, mbetet si një akt turpi dhe i tmerrshëm shovinist dhe luftënxitës.
Ne shqiptarët jemi mësuar me mentalitetin nacional-shovinist dhe pushtues të popullit serb, me të gjitha pasojat që kemi pësuar. Por, është për të ardhur keq që ky pamflet politik është i brezit të ri, i rinisë studentore, brez i cili ka lindur dhe po arsimohet dhe ‘’edukohet’’ në shekullin 21, ndërsa e ruan dhe kultivon mentalitetin nacional-shovinist radikal të paraardhësve të vet. Në vend se studentët të ishin një brez i ri i vertikales morale, në vend se të gjykonin krimet monstruoze që kanë kryer paraardhësit e tyre ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e të tjerëve, në vend se ta pranojnë realitetin e ri, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shumica dërmuese e botës demokratike, ata hartojnë memorandume morbide, si një nekrolog për brezin e tyre, duke vazhduar kontinuitetin nacional-shovinist e ekspansionist të paraardhësve. Këta studentë që pretendonin se do ta merrnin Çmimin Nobel për paqe, me protestat dhe bllokadat e tyre nëpër Serbi, të cilat po zgjasin tash e 18 muaj, pa asnjë rezultat, tash na paraqiten me pretendime imperialiste.
Rinia serbe në përgjithësi, dhe ajo studente në veçanti, janë vetëm fytyra të reja në fantazinë imperialiste serbe. Këta nuk kanë mësuar asgjë nga historia, për ta kuptuar se Kosovën e ka pushtuar Serbia me luftë në vitin 1912, kur shqiptarët të rraskapitur në luftën për t’u çliruar nga Perandoria Osmane, nuk ishin të përgatitur edhe për një luftë për t’u mbrojtur nga pushtuesi i ri ( nga Serbia). Por, me kalimin e kohës dhe me luftën e pandërprerë gati njëshekullore, më në funt me luftë të armatosur e fitoi lirinë dhe pavarësinë. Dhe këtu jemi ‘’fifti-fifti’’; Serbia me luftë e pushtoi dhe me luftë e humbi Kosovën.
Babai i kombit serb, Dobrica Qosiqi, më pak ditë se një muaj par vdekjes, në një intervistë të gjatë për javoren ‘’Nedeljnik’’, dt.24.04.2014, ua ka lënë një amanet duke iu tregua: ‘’Për mendimin tim, çështje e Kosovës është zgjidhur. Kjo do të thotë se Kosova nuk është më krahina jugore e Serbisë. Gjeneratën tuaj e këshilloj, të mos shpenzoni energji në çështjen e Kosovës, sepse atë e ka zgjidhur historia pa ju pyetur juve’’.
*
Ideologu dhe hartuesi i këtij Memorandumi të studentëve është njëfar Millo Llompar, profesori i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit, një malazez i shartuar në sojin më të keq serb, eksponent radikal nacional-shovinist. Por, pavarësisht kush është ideologu dhe hartuesi, Memorandumi është nën firmën e studentëve të Serbisë., respektivisht në firmën e Universitetit (serb) të Mitrovicës, që ata e quajnë Universitti i Prshtinës, përkohësisht me seli në Mitrovicë.. Në preambulë theksohet se Memorandumi është shprehje e dëshirës unike, dhe për këtë nuk dyshojmë. Sepse, kushdo që i ka përcjellë protestat e studentëve në Serbi, ka mund të vërejë transparente e të dëgjojë klithje kundër shqiptarëve dhe Kosovës, sa që kur donin ta ofendonin kryetarin e tyre (Vuçiqin), e thërrisnin: ‘’Vuçiqe, shiptare’’ (o Vuçiq, o shqiptar)!
Ky është morali politik dhe kombëtar i rinisë studenteske të Serbisë, vazhdimësi e kontinuitetit imperialist serb!
