Mehmet Delia – Heroi pa varr
Prof. Blerim Latifi:
Atë natë bënte shumë ftohtë dhe qentë nuk pushonin së lehuri. Duket se kishin nuhatur lëvizje njerëzish të panjohur në katundin e mbuluar nga terri. Gjyshi im rrinte zgjuar dhe po vëzhgonte me kujdes.
Diku, në fund të lamës, u dalluan tri silueta njerëzish që mezi shquheshin nëpër natë. Njëri prej burrave e thirri gjyshin me zë të ulët:
— Nipash, jam Mehmeti.
Ishte Mehmet Delia, njëri prej prijësve kryesorë të lëvizjes kaçake në Kosovë. Meqë gjyshi im ishte nip i Radishevës, ata kishin ardhur me besim te dera e tij, duke e ditur se aty do të gjenin strehë dhe siguri.
Por çfarë i kishte sjellë në atë natë të acartë?
Derisa po ngroheshin pranë zjarrit në oxhak, Mehmeti i tregoi se po vinin nga një aksion. Kishin vrarë një hafije të pushtetit serb dhe, gjatë tërheqjes nëpër errësirë, ai kishte rënë në një hendek, ku i ishin shqyer tirqit.
Atë natë, deri në agim, gjyshja ime do të rrinte zgjuar duke ia qepur rrobat Mehmet Delisë, ndërsa jashtë vazhdonte nata e ftohtë.
Mehmet Delia do ta vazhdonte luftën kundër sundimit serb edhe tri vite pas vrasjes së Azem Bejtës. Kujtesa popullore ende ruan rrëfimin për betejën në Përroin e Keq, ku çeta e tij thuhet se kishte asgjësuar 14 xhandarë.
Në vitin 1927, ai do të tërhiqej përfundimisht në Shqipëri. Pikërisht në atë kohë kishte shpërthyer një konflikt i madh në majat e shtetit shqiptar. Më 14 tetor 1927, dhëndri i Ahmet Zogut, Ceno bej Kryeziu, u vra në një atentat në Pragë, ku shërbente si ambasador i Shqipërisë. Kryezinjtë e Gjakovës do ta akuzonin Zogun për organizimin e vrasjes dhe, që nga ai moment, nisën të kërkonin hakmarrje.
Por Zogu ruhej jashtëzakonisht mirë. Ishte pothuajse e pamundur të gjendej dikush që mund t’i afrohej. Megjithatë, dikush u tha Kryezinjve se ekzistonte një njeri që mund ta kryente atë mision. Ai quhej Mehmet Delia.
Një prej njerëzve të Kryezinjve shkoi tek ai dhe i paraqiti kushtet e një marrëveshjeje të mundshme: nëse Mehmeti do ta vriste Zogun, ata i premtonin një shumë të madhe parash, si dhe faljen nga qeveria e Beogradit për të gjitha veprimet që ai kishte kryer kundër saj gjatë viteve të luftës.
Por Mehmet Delia do të zgjidhte një rrugë tjetër. Ai do ta njoftonte Zogun për komplotin dhe për ofertën që i ishte bërë. Në shenjë mirënjohjeje, Zogu do ta emëronte me gradën major dhe, në atë cilësi, do ta vendoste në krye të xhandarmërisë shqiptare në jug të vendit.
Në këtë detyrë do ta gjente pushtimi italian i Shqipërisë. Në pabesi, italianët do ta arrestonin dhe do ta internonin në Bari. Duke pasur parasysh qëndrimin e tij në rastin me Zogun, ata nuk do të mendonin ta përdornin për qëllimet e tyre. Thjesht nuk i besonin.
Pas gjashtë vitesh internim, siç thuhet, gjatë një përleshjeje mes të internuarve, Mehmet Delia do ta humbiste jetën. Thuhet se trupi i tij ishte hedhur në Detin Adriatik, në thellësitë e të cilit, ndër shekuj, kanë humbur sa e sa shqiptarë: që nga luftërat e Skënderbeut e deri te eksodi i madh pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Edhe ai mbeti pa varr, duke iu bashkuar asaj galerie të gjatë fatesh shqiptare që i përpiu deti.
M’u kujtua kjo histori kur pashë se një monument për të ishte vendosur këto ditë në vendlindjen e tij dhe të Shotë Galicës, në Radishevë. Dhe një ndjenjë trishtimi më kaploi, kur mendova për faktin se ai monument tani do të qëndrojë mes një katundi që pothuajse është braktisur krejtësisht nga banorët e tij.
Një kujtesë e gdhendur në gur, por pa zërat, hapat dhe jetën e atyre njerëzve që për breza e mbajtën gjallë atë vend. Sikur monumenti të ketë mbetur të ruajë i vetëm kujtimin e një kohe të kaluar, në një hapësirë ku heshtja e braktisjes po zë vendin e jetës.
