21/04/2024

MEFAIL SHEHU- (MEFAILI I MADH) – UDHA JONË ËSHTË SHQIPËRIA ETNIKE, NUK KA RRUGË TJETËR

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1898- u likuidua në fund nëntor 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Mefail Shehu ose si njihej në popull Mefaili i Madh ose Mefaili i Zajazit, ishte i lindur në Zajaz të Kërqovës, në vitin 1898. Ai kishte lindur në një familje që për kohën ishte përparimtare dhe që ndjenjat kombëtare, dashuria për atdheun dhe vendin ishin kultivuar dhe ekzistonin brez pas brezi. Në kohën kur konfliktet e luftërat në Ballkan ishin shtuar, po në atë kohë kur sulmet e zullumqarëve shtoheshin për çdo ditë në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve, dhe mu në këtë kohë Mefaili i vogël lëshon shtat. Familja në të cilën u lind Mefaili ishte e kamur dhe për rritën e tij nuk kursenin asgjë. Ndodhi që në moshën 15 vjeçare Mefaili ishte dëshmitar i një krimi makabër që e kishte organizuar dhe ekzekutuar ushtria serbe në fshatin e tij,  duke i sulmuar dhe marr me dhunë nga shtëpitë e tyre mbi 300 burra shqiptar, që më vonë i mbyllin në xhamin e fshatit duke i dhënë zjarrin. Duke i djegur të gjallë që të gjithë. Mafaili i ri, nuk ishte njeri që mund të harronte ato tmerre, dhe ndoshta, mu kjo, kishte ndikua që në memorien e tij të skalitet urrejtja ndaj armikut dhe ndoshta mu këtu u betua, se kurrë nuk do të ndalet së luftëtuari, derisa ta shporr edhe armikun e fundit nga trojet shqiptare.

Dashuria ndaj vendit dhe nacionalizmi shqiptar i Mefail Shehut u kultivuan gjatë viteve të rinisë, ngase ai ishte i cili e përjetoi dhe e pësoi gjenocidin e terrorin që ushtruan serbo-sllavet në 22 fshatra shqiptare në rajonin e Kërçovës. Gjatë gjithë jetës së tij, deri sa të vritet Mefail Shehu do të ëndërrojë për një Shqipëri të pavarur, dhe si pjesë e pandashme e saj do të jetë edhe Kërçova dhe të gjitha viset shqiptare. Është i njohur amaneti i tij, që shumë shpesh e thoshte para qytetarëve të vet se: “Në bëfshim vëllazërim me sllavët, na mallkon gjaku i pafajshëm që është derdhur, na mallkojnë nënat që nuk jua dinë varret, na mallkojnë bunarët e mbushura me kokat e familjarëve tanë, ai që ka guxim të ther një fëmijë, nuk ka besë, kjo u dëshmua edhe sot. Udha jonë është Shqipëria etnike, nuk ka rrugë tjetër”.

Fshati Zajaz, ku kishte lindur Mefail Shehu, ishte njëri nga fshatrat më të mëdha në komunën e Kërçovës, por edhe në Republikën e Maqedonisë. Shtrihet në fushën e Kërçovës, nën malin Bistra. E gjejmë pranë rrugës Kërçovë – Gostivar, 10 km nga qyteti i Kërçovës dhe 36 km nga Gostivari. Siç dihej, gjatë historisë, Zajazi e Kërçova ishin cak i sulmeve të kriminelëve sllavë, sidomos gjatë dhe pas pushtimit të tokave shqiptare në vitet 1912 – 1914. Historia dëshmon se tre bunarë të Zajazit në ato luftëra ishin mbushur me shqiptarë të pushkatuar apo të djegur e të masakruar. Njëri bunar i braktisur, me rreth 40 kufoma, është zbuluar në oborrin e shtëpisë së liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit. Gjithashtu, afër kësaj shtëpie dhe përballë saj ishin varrosur mbi 60 burra të masakruar nga pushtuesit sllavë. Një varrezë masive kohë më parë ishte zbulua gjithashtu afër Kërçovës, në një shpellë afër vendit të quajtur Dardhë. Një ekip ekspertësh zbuloi në të shumë kafka dhe mbetje mortore.

Mbetjet mortore janë nxjerrë në vitin 2016. Pas këtyre viteve të rënda, si rezistencë ndaj pushtimit dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, por edhe në Zajaz, ku kishte lindur Lëvizja Kaçake nën udhëheqjen e Sefer Zajazit i njohur me emrin Sefer Kaçaku, Sadin Selmani, Kalosh Dani-Zajazi me të vëllain Lazamin etj.

Duhet theksuar se Mefaili i Madh gjatë tërë jetës është dalluar nga moshataret për trimëri dhe për mençuri. Gjatë viteve të 30, deri sa kjo pjesë ishte nën okupim, Mefaili caktohet të jetë xhandar në Zajaz. Në këtë pozitë, ai qëndron deri më 1941. Nga ky vit mund të thuhej se, fillon aktiviteti i madh i tij atdhetar, duke ikur nga Zajazi në Kërçovë për të filluar një jetë të re. Me ardhjen e tij në këtë qytet, ai formon Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e kufijve dhe popullatës shqiptare nga sulmet e bullgarëve. Pra, Komiteti ishte edhe zanafilla e parë e çetave vullnetare shqiptare për mbrojtjen e kufirit nga sulmet e  ushtarëve bullgar. Në një miting (tubim) të madh, të organizuar në Sheshin e Qytetit, në afërsi të xhamisë së madhe në Kërçovë, populli që ishte tubuar, atë e zgjedh për Komandant të përgjithshëm të forcave vullnetare, si dhe komandant lufte për Zajaz Xhuma e Kollarë. E Mefailin e Vogël e zgjedhin për Zajaz Teqe, Greshnicë e Llapkidoll. Ndërsa, Begzat Vulin e zgjedhin për anën e Rretheve të Berikovës e deri në Garanë, në të cilat fshatra kishte shumë trima, që me sukses udhëhiqnin luftën kundër forcave sllave.

Pas zgjedhjes së tij komandant i forcave vullnetare, ai bashk me Mefailin e Vogël kaloi fshat më fshat duke i folur popullatës se si duhet të organizohen dhe të mbrojnë vendin dhe duke iu folur se si një ditë këto toka, do të jenë pjesë e pandashme e Shqipërisë Etnike. Prandaj, duhet luftuar pa kursyer jetën. Mefail Shehu (Mefaili Madh), mbajti edhe disa tubime si në Zabel të Zajazit dhe te “Gurra e Kaçakëve”, afër Tajmishtit.

Mefaili i Madh, në këtë kohë mori për obligim që së bashku me mikun e tij Mefail Mehmetin-Mefailin e Vogël, të organizonintakime të shumta, që ti informonin fshataret se rreziku i luftës është afër, dhe është mirë që të gjithë burrat e moshës madhore të regjistrohen dhe të formojnë çeta vullnetare për mbrojtjen e vendit dhe të popullatës shqiptare. Gjatë këtij aktiviteti, të dy Mefailet, nga populli shqiptar kërkoni që ata kurrsesi të mos angazhohen në ushtrinë italiane, por të ishin të gatshëm me çdo gjë që kishin, të mbronin kufirin shqiptar. Dihej se, në këto anë, urrejtja ndaj okupuesve ishte shumë e theksuar dhe në tokat e tyre nuk duronin që të shkelte këmbë e huajt dhe okupuesin mbi kokë. Luftonin edhe kundër atyre që mendonin se duke luftuar në anën e partizanëve do i sjellin lirin popullit.

Parashikimet e Mefailit të Madh për rrezikun që po iu kanoste shqiptarëve dolën të sakta. E sidomos duhet përmendur betejën e 15 majti të vitit 1943, në fshatin Klladnik, kur forca të shumta bullgare të udhëhequra nga krimineli Jakim Klladniku, pop i kishës ortodokse, i sulmuan në befasi fshataret shqiptar,  duke iu shkaktuar dëme të mëdha, por fal organizimit të shpejt të çetës së Mefail Shehut, i mbrojtën fshatrat nga më e keqja, duke i mbrojtur fshataret. Forcat e Jakimit i shpartallojn duke iu shkaktuar dëme të mëdha, e ata i detyrojnë të ikin të turpëruar. Trimat shqiptarë veç që luftonin kundër bullgarëve, ata ishin kundër çdo okupuesi pa marr parasysh se çfarë ngjyrime politike kishin. E urrenin komunizmin dhe ndaj ushtarëve partizan kishin humbur besimin që herët. E thoshin hapur se nën petkun e luftës partizane e antifashiste fshihej një okupator i ri, hiq më i mirë se ata të mëparshmit. Andaj, ishin këmbëngulës në kërkesat dhe luftën e tyre çlirimtare dhe në çdo cep të vendit luftonin për një të ardhme më të mirë dhe për një Shqipëri Etnike.

Çeta e Mefail Shehut, po në këtë kohë bashkëpunonte ngushtë me të gjitha grupet shqiptare që luftonin për të njëjtin qëllim. Sidomos, janë të njohura bashkëpunimet e tyre me Grupin e Xhemë Hasë Gostivarit gjatë vitit 1944. Ishin ata, së bashku që luftonin në fushën e Pollogut kur e kërkonte nevoja. Pastaj luftuan në Kërçovë,  në Gostivar, në Zajaz, në Dibër dhe në shumë vende të tjera, duke lënë pas vetes shumë të vrarë, e shumë të plagosur nga forcat armike. Të bashkuar në luftë, dhe në idealin e tyre, ata patën shumë fitore, duke e ndjekur armikun nga tokat shqiptare.

Mufail Shehu, bashkë me luftëtaret vullnetar shqiptarë ishte shumë aktiv sidomos pas kapitullimit të Italisë, ngase Kërçova gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte nën sundimin italian. Italia pasi kishte kapitullua, ushtria e saj duke mos pas kurrfarë mundësie për të tërhequr armatimin e shumtë që e kishte, kishte vendosur që ato ti kallte, vetëm e vetëm që mos të binin në duart e vullnetarëve shqiptar. Duke i parë se po i shkatërronin armatimin, Mefail i Madh bashkë me shokë, e bënë planin që ti shpëtonin depot, e sidomos ato që ndodheshin në rrethin e Kërçovës. Organizuan që në mënyrë të shpejt, vullnetaret shqiptar të merrnin pushtetin në Kërçovë dhe rrethinë. Dhe, pasi morën pushtetin, me forcat e tyre shpëtuan një sasi të madhe armatimi dhe të gjitha ato që i shpëtuan iu ndan vullnetarëve shqiptarë. Në anën tjetër Xhemë Hasa- Gostivari kishte bërë të njëjtën gjë dhe s bashku me grupin e Mefailit të Madh, e kishin dëbuar ushtrinë italiane për tej malit Karaorman. Në të ardhmen, vullnetaret shqiptar qen të përgatitur mirë për ti mbrojtur tokat e tyre. Në këto lufta, dalloheshin sidomos trimat e Mefailve që ishin të gatshëm për sulme në çdo moment. Bashkëpunimi dhe përkrahja e Xhemë Gostivarit dhe e Mefailve, vazhdoi edhe më vonë, kur filluan sulmet partizane ndaj tyre dhe ishin s bashku çdoherë, kur e kërkonte nevoja.

Mefaili i Madh, mbi 6 vite kishte luftuar me pushkë në dorë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme kishte udhëhequr me çetën e tij. Çeta e komanduar nga Mefaili i Madh, në fund të vitit 1945 numëronte rreth 30 luftëtar. Por me rënien e Zajazit, me 16 nëntor 1945, vullnetarëve shqiptar iu ngushtua rrethi. Megjithatë, asnjë nga luftëtarët e tij nuk ishte dhe nuk pajtoheshin për të ikur jashtë atdheut, për të lëshuar vendin e tyre. Mefaili i Madh e parashihte se, po qese edhe ata ikin, atëherë ditë të vështira do të vijnë për popullatën shqiptare. Fshataret do të mbesin pa mbrojtje dhe jetët e tyre do të jenë në rrezik. I frikoheshin tej mase masakrave ndaj shqiptarëve. Prandaj ai ishte që të jetë aty dhe të mbrojë fshataret me tërë fuqinë që kishte.

Në fund të vitit 1944, forca të mëdha partizane ia mësyjnë Kërçovës dhe rrethinës duke e sulmuar në katër anët. Qëndresa e vullnetarëve shqiptar ishte shumë e madhe, por okupatorët kishin armatim dhe ishin më superior. Andaj, qëndresa e mëtejme për çetën e Mefailve ishte e pamundur. Mefaili i Madh urdhëroi që të tërhiqen në drejtim të Gostivarit. Brigadat partizane të ardhura nga Shqipëria, kërkuan nga ata që të dorëzoheshin, se lufta kishte marr fund duke i thirrur se “Edhe Hitleri e Gjermania e fuqishme janë dorëzua, andaj është mirë që edhe ju të dorëzoheni”, iu kishin thënë ata. Mefaili i Madh e urrente komunizmin, e mbi të gjitha e donte Shqipërinë, andaj ishte i sigurt se me këtë vëllazërim-bashkim të proklamuar, kurrë nuk do të ketë Shqipëri Etnike. Por, kur brigada shqiptare hyri dorëzanë se ata do të kujdesën për popullsinë e pambrojtur, ata e pranuan këtë kusht dhe me luftëtarët më besnik u larguan duke u strehuar jashtë në male. Mefaili i Madh me vullnetarët e vet shkoi në Ahishtat e Baqishtit, ndërsa Mefaili i Vogël në Zall të Vogël, afër Kollares.

Pas nëntorit të vitit 1944 situata në teren ishte vështirësuar dhe bashkë me të edhe qëndrimi në male. Për atdhetaret shqiptarë si Mefaili i Madh e Mefaili i Vogël me grupin, qëndrimi i tyre në mal ishte i pamundur ngase ata ndiqeshin këmba këmbës. Thuhej se kudo që ishin ata, ishin të përcjell nga organet e OZN-ës, dhe grupet e ndryshme partizane. Partizano-çetniket, bënin çdo gjë vetëm e vetëm për ti zbuluar se ku strehoheshin. Ata përdornin shumë metoda për të ardhur deri te vendi i tyre. Disa i kërcënonin, e disave iu premtonin shumëçka vetëm e vetëm për të treguar se ku fshiheshin luftëtarët. Dhe një ditë, herët në mëngjes, me ndihmën e dikujt apo të përcjellë nga punëtorët e OZN-es, rrethohet strehimorja në Ahisht ku qëndronin atdhetarët. Forcat partizane kërkojnë  dorëzimin e tyre. Po atë ditë, në roje kishte rastisur të ishte Mefaili i Ri ose Mefail Braja, i cili me të parë se ishin të rrethuar nga të gjitha anët nga partizanët, jep alarmin se janë të rrethuar. Ata, partizanët ishin të interesuar për ta zënë Mefailin e Madh, ngase me arrestimin e Mafail Shehut nga të tjerët nuk ndjenin rrezik. Se pa koka, konstatonin ata trupi bie. Andaj, ata kërkonin në mënyrën decidive që të dorëzohet Mafaili i Madh bashkë me luftëtarët. Partizanët e dinin se sa i rrezikshëm ishte atdhetari Mefaili i Madh, andaj edhe ia kinin frikën. E dinin edhe këtë, se po qese dorëzohet Mefaili i Madh, vullnetaret shqiptarë do të shpartalloheshin. Por, ata, ishin gabua rëndë, se të gjithë luftëtaret vullnetar shqiptar ishin Mefaila e trima të pa kompromise.

Mefail Shehu kur kupton se janë të rrethuar, fillon luftën në kushte të pabarabarta, por plumbi i parë e kap trimin e Zajazit duke e lënë të vdekur. Por, para se të vdiste trimi, i kishte këshillua shokët, që me të gjitha fuqitë që kanë, të shpërthejnë rrethimin. Po aty, në këtë luftë vriten edhe Selim Daut Braja, Nijazi Gjirokastra nga Shqipëria. Ndërsa Isen Selim Braja, bashkëluftëtar i Mefailit  plagoset rëndë dhe mbas gjashtë javëve vdes nga plagët e marra.

Atdhetaret e tjerë që i shpëtojnë këtij rrethimi, largohen nga Ahishta, duke u larguar në drejtime të ndryshme. Duke e parë rrezikun që iu kanoste shumica prej tyre ia mësyjnë largimit nga Kërçova e Maqedonia duke kaluar në shtetin grek. Disa nga ata emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e disa nga ta ikin e strehohen në Stamboll.

Kufirin e Greqisë e kishin kalua: Fazli Sefer Braja, Mazllam Selim Braja, Selim Adem Braja, Mefaili i Ri (Braja), Zenel Qerim Braja, e disa të tjerë nga Zajazi, gjithsejtë 13 vetë. Me ata, kishte qenë edhe Shehi Rushani, me djalin e vet të cilin ia vrasin te Ahishtja e Tuhinit, e babai me thikën që ka pasur në brez, gropon varrin e djalit dhe e varros aty në atë vend.

Pas likuidimit të tij, në nëntor të vitit 1945, trupi i tij i pa jetë vendoset në një qerre me dy rrota, i përcjellë nga ushtaret dhe njerëzit e Sigurimit jugosllav, të cilët kaluan nëpër Zajaz, duke vazhduar rrugën për Kërçovë. Në rrugë e sipër, ata i ndalnin qytetaret duke i detyruar që ta shikonin kufomën dhe duke i pyetur, se a e shihni se ky është Mefaili i Madh. Pastaj i detyronin që ta pështyjnë e ta fyejnë në gjuhën e tyre.  Më vonë e ngarkojnë në një tren, në stacionin hekurudhor të Kërçovës që edhe sot është enigmë se ku përfundoi kufoma e atdhetarit të devotshëm- Mufail Shehu, i cili një jetë të tërë luftoi për një Shqipëri Etnike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok