27/12/2024

MEFAIL MEHMETI OSE MEFAILI I VOGËL – “NE NUK MUNDEM TA BËNIM SHQIPËRINË ETNIKE, POR BIJTË TANË PATJETËR NJË DITË DO E BËJNË”

0
Mefail-Mehmeti

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(-e likuiduan më 6 shkurt 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Mefail Mehmeti apo siç njihej në popull Mefaili i Vogël, kishte lindur në fshatin Zajaz dhe vinte nga një familje atdhetarësh, që gjeneratë pas gjenerate e kishin luftuar armikun në këto troje. Mefaili i vogël, nuk kishte përfunduar ndonjë shkollë, ngase shkolla nuk kishte në gjuhën shqipe, ndërsa për shkollën në gjuhën e armikut, babai nuk e kishte dërgua. Por, të lexonte e të shkruante kishte mësuar në mënyrë autodidakte. Qysh si fëmijë binte në sy për sjellje të urtë dhe fisnike. Ishte shok e mik i ngushtë i Mafailit të Madh. Edhe Mefaili i Vogël, gati-gati kishte të njëjtin rrugëtim me shokun e tij Mefailin e Madh. Vinin nga i njëjti fshat, kishin të njëjtat peripeci, të njëjtat vuajtje, kishin të njëjtin armik dhe kishin përjetuar të njëjtin fat kombëtar. Në rini të hershme kishin par me sytë e tyre ushtrimin e dhunës e të terrorit mbi bashkëfshataret e tyre. Andaj, ishte krejt e arsyeshme e normale të kishin dhe të njëjtën urrejtje për okupuesin dhe dashurin e paskajshme për Shqipërinë Etnike. Të dy Mefailat ishin miq të pandashëm, andaj nga shoqërimi i tyre i pandashëm dhe duke mos i dalluar se cili ishte Mefail Shehu, e cili ishte Mefail Mehmeti, ashtu spontanisht fshataret filluan ti thërrisnin me nofkat Mefaili i Madh që ishte Mefail Shehu dhe Mefaili i Vogël që ishte Mefail Mehmeti. Nofkat u vunë nga arsyeja se njëri ishte më i gjatë e tjetri ishte më i shkurtër. Por, në ndërkohë, në shoqërinë e tyre hynë edhe një Mefail Selimi, që më vonë ishte edhe roja e Mefailit të Vogël, atë fshataret e quanin me nofkën Mefaili i Ri, ngase në këtë kohë i kishte vetëm 19 vjet.

Mefail Mehmeti, pasi se mori pjesë në çdo luftë e betejë ku kishte marr pjesë Mefaili i Madh, ai kishte trashëguar nga ai, strategjitë luftarake dhe kishin lidhë besën se do të luftonin për çlirimin e vendit deri sa të jenë gjallë. Pasi përfundon të Luftës së  Dytë Botërore, ata edhe më tej luftonin, ata edhe më tej nuk dorëzoheshin. Siç dihej, pas një sulmit të një brigade shqiptare, ata kërkojnë nga Mefailët dhe vullnetaret që të dorëzohen, duke iu kujtuar se çdo gjë ka marr fund, lufta e Dytë Botërore ka përfunduar, andaj kthehuni në shtëpit tuaja, na do të jemi dorëzan dhe do garantojm për jetët tuaja dhe për popullin shqiptarë. Mefailet nuk iu besojn aspak këtyre fjalëve, megjithate vendosin që të largohen nga qyteti duke u strehuar në male të Kërçovës. Zakonisht Mefailet ishin edhe strateg të mëdhenj të luftës, dhe organizatorë të mirë të saj. Prandaj, për të qenë më të qet dhe më të sigurt, gjatë dimrit kur strehoheshin në male, nuk rrinin të gjithë luftëtaret në një vend, por ndaheshin në grupe të vogla nga 8-10 veta, në rast rreziku të mos sulmoheshin që të gjithë dhe të kishin mundësi të lëviznin për ti ndihmuar njëri tjetrit. Kështu kishin vendosur edhe gjatë dimërit 1944/45.

Të dy Mefailët ishin betuar që mos të largohen nga vendi. Do të qëndronin deri në fund, që të mbronin fshataret dhe tokat e tyre. Por pas sulmit që e patën në Ahishtë dhe në të cilën u likuidua Mefaili i Madh, komandën e grupit e mori që ta udhëheq Mefaili i Vogël. Rënia e komandantit të Çetës- Mefail Shehut, grupi e përjetoi rëndë. Ajo ishte një humbje e madhe për luftëtarët e sidomos për Mefailin e Vogël. Pas tërë kësaj nuk kishte mbetur rrugë tjetër vetëm se edhe më tej duhet vazhduar rezistencën. Mefaili i Vogël për roje të veten kishte Mefailin e Ri (Mefail Selimin), i cili vinte nga fshati Kollare dhe ishte trim dhe i besës. Andaj edhe me këtë kishte vazhdua miqësia sikurse me Mefailin e Madh.

Jeta në male ishte e vështirë dhe me plot rreziqe. Se, pas vrasjes së Mafailit të Madhë, disa nga luftëtaret kishin kaluar kufirin dhe kishin kërkua strehim në vende të ndryshme perëndimore si në Greqi e pastaj për të vazhduar për Itali e SHBA, pasta disa nga ata u vendosen në Turqi- Stamboll, e shumë nga ata përfunduan në Greqi.

Shërbimi Sekret jugosllav dhe ushtria jugosllave, kishin informata se në cilat pjesë të Kërçovës lëvizte grupi i vullnetarëve në krye me Mefailin e Vogël. Ata i përcillnin herë fshehur e herë hapur, duke i sulmuar kohë pas kohe në prita të ndryshme, por për luftë frontale nuk kishin guxim. Ushtaraket jugosllav, vet e kishin përhapur se Mefailin e Vogël nuk e zë plumbi. Ushtaret ishin të frikësuar dhe iu iknin sulmeve direkët me vullnetaret. Fshatarët në fshehtësi iu ndihmonin vullnetarëve me ushqime, veshmbathje dhe me municion. Ata i kishte kap frika për jetët e luftëtarëve dhe druheshin për jetët e tyre. Çdo sulm që planifikonte armiku iu dështonte, andaj ata morën masa më të rrepta për përgatitjen e një sulmi përfundimtar. OZN-a, në anë tjetër bënte përgatitjet më perfide për ta asgjësuar grupin. Pasi se nuk kishte mundësi për ti asgjësuar  ballë për ballë, si gjithmonë që din e bëjnë sllavët, vunë në lëvizje metodën e tradhtisë. Dihej se me njerëzit e komprometuar dhe servilë, të manipulosh me ta ishte më së lehti, andaj oznashët e gjejnë një shqipfolës, i cili pa hezituar, kishte shkua në komandën ushtarake jugosllave, dhe jep informacione të sakta se ku  fshihej Mafaili i Vogël me shokë. Pas kësaj informate, jepet urdhri tek njësitet ushtarake jugosllave që të përgatiten në mënyrën më të mirë për të rrethuar vendin në të cilën ndodheshin luftëtarët vullnetar. Sipas informatës së dhënë, ata ndodheshin në malet mbi fshatin Kollarë. Mefaili i Vogël e dinte se ishin të përcjellë nga organet e OZN-es, mund të largoheshin, por ky i kishte dhënë besën Mafailit të Madh se do e vazhdon rrugën e tij dhe kurrë për së gjalli nuk do ta lëshon vendin. Andaj vendosën të qëndronin dhe të luftonin me tërë forcat e tyre. Me 16 nëntor 1945, në Kërçovë futen forcat partizane dhe shpallin “Çlirimin “ e Kërçovës, andaj ishte e ditur për rrugën e okupimit të trojeve shqiptare.

Për zënien e grupit të Mefailit të Vogël akuzohen disa bashkëfshatar të tij të shitur, të cilët duke e ditur se një fshatar nga Zajazi me emrin Nefrus Lika për çdo ditë në mes të dimrit të  madh me një kalë me sajë, shkonte në mal kinse të marrë dru, dhe sa herë që shkonte çonte bukë te shpella, që të furnizonte me ushqim Mefailin e Vogël me shokët që e shoqëronin në shpellë. Thuhet se, fshatari ishte shumë i kujdesshëm përderisa e kryente këtë punë atdhetare, duke pas kujdes të shtuar që të mos hetohet nga policia e vendosur në fshatin Zajaz. Një ditë, atë dikush e përcjell dhe spiunon tek organet e ndjekjes. Një mëngjes e rrethojnë shtëpinë e Nefrus Likës, e arrestojnë dhe e dërgojnë në zyrën e policisë në Zajaz. Atë aty e rrahin në mënyrën më shtazarake duke i kërkuar që të tregojë se ku strehohet Mefaili i Vogël. Ndaj tij përdoret forca dhe tortura, por ai qëndron deri në fund duke përsëritur se “Nuk e di dhe nuk kam lidhje me këtë”. Pas këtij arrestimi, fshatarin e lirojnë, duke e bindur atë, se gabimisht e kishin arrestua dhe  po i besonin. Fshatari besnik edhe më tej vazhdon rrugëtimin e tij nga fshati në bunker dhe anasjelltas. Po edhe fshatari, këtë rrugëtim e bënte me qëllim për të bindur oznashet se ai merrej vetëm me punët e veta, duke sjell dru në shtëpi dhe duke bërë zik-zake të shumta për të humbur gjurmët për tek bunkeri ku ishin strehuar luftëtarët.

Oznashet e kuptuan hilen e fshatarit dhe kështu filluan të luanin lojën e tij duke lënë përshtypjen se nuk po e përcillnin. Plot një javë e kishin përcjellë fshehtas fshatarin deri sa në fund e kuptuan se ku ishin strehuar vullnetarët. Me 6 shkurt 1946, ushtria dhe policia jugosllave rrethojnë shpellën, dhe dërgojnë një ish luftëtar të tij që të bind Mefailin e Vogël me shokë, që të dorëzohen dhe duke i treguar se shpëtim nuk ka nga këtu, ngase është i rrethuar nga të gjitha anët. Me të kuptuar se është i rrethuar, dhe duke dyshuar me të drejt se tek fshatari që kërkonte dorëzimin, nxjerr revolen dhe e vranë në vend.  Del nga shpella, me numrin e paktë të shokëve, por që të gjithë ishin betuar se nuk dorëzohen të gjallë, në dorë të armikut. Ata fillojnë luftën edhe pse ishin të pakt në numër, me një ushtrinë të armatosur mirë dhe që e kishte rrethua me mur të hekurt.

Ishte muaji shkurt 1946, në Zall të Vogël, në vendin e quajtur “Gjeksinat”, fillimisht duke luftuar, plumbi i armikut Mefailit të Vogël i plagos dy duart,  dhe më ishte e pamundur që të mbante mitralozin që e kishte të pandarë prej vetes. Mefaili duke e parë veten se më nuk mundë të luftonte, kërkoi nga shokët që ta vrisnin, por ata nuk pranuan një gjë të tillë. Duke e parë situatën e krijuar një ushtar jugosllav e qëllon me një breshëri plumbash trimin e Zajazit. Në këtë mënyrë pushoi së rrahuri zemra e madhe e Mefailit të Vogël, i cili luftoi me pushkë në dorë për Shqipërinë Etnike.

Të nesërmen ushtria jugosllave e tërhoqi zvarrë trupin e pajetë të Mefailit nga Kollari deri në Kërçovë. Në këtë qytet, në mes të sheshit, ushtria jugosllave do ta mbajnë për pesë ditë të ekspozuar, dhe shumë qytetar i detyronin të dilnin në shesh dhe ta fyejnë e ta gjuajnë me gurë birin e tyre. Por, shumica e qytetarëve shqiptar edhe pse ishin të kërcënuar, ata në mënyrë dinjitoze përshëndeteshin me trimin duke i dhënë lamtumirën e fundit ashtu siç i kishte hije Mefailit të Vogël.

Sipas burimeve thuhej se ishte 6 shkurti i vitit 1946, kur u likuidua Mefaili i Vogël. Ai mbylli sytë me një shpresë e me një ëndërr të pa realizuar që vazhdimisht shpresonte se një ditë  porosiste ai se “Ne nuk mundem ta bënim Shqipërinë Etnike, por bijtë dhe bijat tona patjetër se do e bëjnë”.

Nga ky momenti, disa nga bashkëluftëtarët e tyre u arrestuan dhe kaluan shumë vite në kazamatet jugosllave. Disa u strehuan ndër familje të njohura shqiptare, që ishin të njohura për trimëri e besë si në fshatrat e Kërçovës, po ashtu edhe të Pollogut, gjithandej ku jetonin shqiptarët. Duke u strehuar tek jatakët e tyre, ata pritnin një kohë më të volitshme për të dal jashtë vendit që një ditë të kthehen kur të pjekën kushtet për të vazhduar luftën aty ku e kishin lënë. Pas likuidimit të Mefailit me shokë, në mënyrë të organizuar 14 veta kalojnë kufirin për Greqi, nga aty disa shkojnë në  Turqi e disa në Amerikën e largët. Ndërsa bashkëluftëtari i tyre, miku e shoku më besnik, Mefaili i Ri (Mefail Selimi), pati fatin që ti shpëtojë këtij sulmi barbar, edhe ai duke e parë se egzistimi në male ishte i pamundur, ai qëndroi në disa vende ku e strehonin jatakët besnik deri në pranverën e vitit 1946.  Në pranverë i shoqëruar nga: Shahi Rushani, Neshyt Kasa, Kurtish Hajroja, Mazllam Selimi, Selim Selimi, Zenel Selimi, Garip Emini, Ramazan Hajvazi, Ramazan Abidini, Xhaferr Neli, Xhemail Shehu, Ramazan Dalipi dhe Fazli Braja ia mësyjnë kufirit grek. Shumica e tyre u vendosën në Turqi dhe Amerikë, ndërsa vetëm Ramazan Abidini shkoi në Brazilin e largët. Pas rënies së Mefailave, supozimi i tyre u vërtetua, Zajazi me rrethin përjeton natën e Shën Bartolomeut, duke lënë pas shumë varreza masive dhe fshatin gati plotësisht të shkatërruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok