23/12/2024

MEDALIONI I DIKTATORIT

0
Visar-Zhiti

– antibaladë –

Nga libri “Si na erdhi ai, i ndaluari”

Nga Visar Zhiti

“…meqënëse folëm për diktatorë, Stalin e Enver, do të doja të sillja dhe këtë poezi, është nga ato që kisha bërë mënd në qeli, ku shpesh na linin me duart e prangosura e nuk lejohej madje as të ëndërroje. Për të mbijetuar shpirtërisht, sa do pak, që të mos çmendesha, bëja çmendurinë tjetër, krijoja poezi me mënd. Kur më çuan në burgun e Spaçit e më pas të Qafë Barit, gjithë ankth guxova dhe ua tregova disave prej bashkëvuajtësve, miqve më të ngushtë, ku kishim besim e për fat nuk u zhgënjyem. Së pari ia mërmërita në terr çamit Bajo, e ai më tha shkruaji, duhen si dëshmi, se ti mund të vritesh në minierë, por këto duhet të mbeten, i ruajmë ne, i mësojmë përmendësh… e kam treguar dhe në librat e mi që ai pastaj ia tregoi poezitë e mia shkrimtarit Zyd Morava e ai kapitan Maks Rakipajt, sot përkthyes i qindra poezive, Lam Spahisë, përkthyes veprash të mëdha, po kështu i lexuan dhe shkrimtari tjetër Halil Laze, të tjerë që shkruanin fshehurazi a që do të botonin më pas, Ahmet Kolgjini, Astrit Xhaferri, Robert Vullkani, po kështu dhe Inxhinier Farka, mësues Roni, miqtë e internimeve të Lushnjës, Dine Dinia, Lek Mirakaj, Esat Çoku, Naim Staravecka, po edhe trimat e çartur Prendi, Malindi, Landi, Mirushi… dhe ca shokëve që s’janë më Adriatiku, Vasoja, Linci, që dritë paçin!

Mirënjohës atyre për besnikërinë e guximin ….

Dhe atëhere besoja ashtu si dhe tani se poezia lind nga dashuria, por ja, që ndodh të derdhen në të mllefe dhe pakënaqësira të mëdha, urrejtje për diktaturën dhe dhunuesit. Urreja poezitë për tiranët, jo vetëm ato që i himnizonin, por dhe që ishin kundër, seç japin, një ndjesi të pabukur.

Hiqe nga libri, do më thoshte bashkëvuajtësi im, piktori Valer Dyrzi Tarasov, hiqe, dëgjomë mua, se ata janë aq të poshtër, sa u vjen mirë që edhe i shan, mjafton që i kujton. Ja, ju kemi bërë që të shkruani për ne, mburren, hiqe, mos ua jep këtë kënaqësi të mynxyrshme. Në pikturat e mia nuk ka fare as burg e as diktaturë, qëndro mbi to, injoroji, kjo i çmend. Po të çmendur janë […].

Valeri i jap të drejtë, “est-etikisht”, por po e risjell këtu… “

…është në librin tim “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, si dëshmi të së keqes, të atyre që e bëjnë dhe të atyre që e pësojnë. Mbase Valeri nuk do të më zemerohet.

*  *  *

Ku bëhen medalione diktatorësh,

ç’djall i sjell, nga ç’terr e ç’turp?

Ashtu me ndryshk si me përbuzje

Kohësh

 

ti i mbërtheve nëpër trup:

Gojë të Stalinit, dafina të Qezarit,

Hitleri të dha histeri dhe humbje.

Të ruan ty garda e Çingis Khanit,

në tribunat që (s’)dihet pse janë

të kuqe.

 

Triumfator rri mbi poltrone

dhe derdh fjalimet e tua shterpe.

Po si kështu, ne na rrënove,

fatkeqësira kudo si monumente?

Kaq dëm këtu s’kanë bërë

përmbytjet,

 

as edhe luftrat, jo asnjëherë,

u prish njeriu, u prishën virtytet,

nga humnerat e diellit biem në ferr.

Shpif armiq, gjendje bllokade,

që turmë e trembur nga pas të vijmë.

Medalionet e tua si luspa kafshe

në trupin e shtetit rrezëllijnë.

Kur te ty ngjallej Mao Ce Duni,

me mur kinez lidhe atdheun.

Ali Pashë Tepelena nga bodrumi,

me shpatën tënde (e) vret të vdekur.

 

Triumfator fle mbi poltrone,

magnetofoni lexon fjalimet shterpe.

Po si kështu, ne na rrënove,

revoltat ngrijnë si monumente.

Më e rëndë gjendja se e rëndë,

kur zgjidhje bëhet vdekja jote,

se për At-dheun dhe Ne-dheun është

medalion flakja e medalioneve.

Visar Zhiti

————————————

Poezia në “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, Shtëpia Botuese Onufri, 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok