09/11/2024

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

0

Nga Blerim Latifi

Objekti në fotografi është shkolla fillore “Azem Bejta” në Prekaz. Në këtë shkollë i kam mbaruar tetë klasët e fillores. Kush e di sa kujtime të fëmijërisë më lidhen me këtë shkollë. Padyshim një ditë krejt ato do të mblidhen në faqet e një libri. Më kujtohet se si çdo ditë mësuesi më dërgonte për t’ia marrë “Rilindjen”, të cilën e sillte autobusi i Kosovatransit, që njëherë në ditë bënte linjën Skenderaj-Prekaz. Isha në klasën e parë dhe tekstet e gazetës më frikësonin më dendësinë e tyre. Mësuesi na jepte të bënim detyra klase dhe vetë zhytej në leximin e gazetës.

Njëherë drejtori i shkollës na pat zënë duke e gjuajtur me guralecë bustin e Azem Bejtës, i cili, duke qenë i zbraztë brenda, lëshonte një tingëllimë të madhe kur goditej. E patëm paguar shtrenjtë atë rrugaçëri. Aso kohe ishte e zakonshme që sjelljet e palejueshme të nxënësve të ndëshkoheshin me masa represive.Madje ekzistonin mënyra të shumta të rrahjes së nxënësve dhe ne e dinim saktë se kush nga mësuesit cilën mënyrë e preferonte. Edhe familjet i aprovonin ato, mjaftonte të mos shkaktonin lëndime serioze. Sot një praktikë e tillë duket e paimagjinueshme.

Në afërsi të shkollës ishte biblioteka e bashkësisë lokale, e cila, siç thuhej, kishte një fond prej rreth 20 mijë librash. Kur u vendosën masat e dhunshme në vitin 1990, përgjegjësi i bibliotekës u largua nga puna dhe asaj iu vu dryni. Një natë dikush e theu derën e bibliotekës dhe pastaj ajo iu nënshtrua rrënimit. Mësuesit na thanë që të shkonim t’i merrnim librat e t’i dërgonim në shtëpitë tona, sepse vetëm ashtu mund t’i shpëtonin ato nga shkatërrimi.Kështu, në moshën 11 vjeçare, unë  kisha bibliotekën personale. Isha bërë një fëmijë i çuditshëm: nuk kisha lodra, por kisha shumë libra, gjithë koleksionin e letërsisë botërore dhe atë të autorëve shqiptarë të botuar nga “Rilindja”. Dashunia për librin më ka lindur që atëherë. Fatmirësisht kjo dashuni asnjëherë nuk më është zbehur. Biblioteka ime personale nuk ishte e thënë të ekzistonte gjatë. Në ofensivën e shtatorit të vitit 1998 ajo u dogj bashkë me gjithë shtëpinë nga ushtarët serbë. Vetëm një libër me poezi e poetit francez Andre Freno më ka shpëtuar prej saj, falë faktit se atë e kisha në Prishtinë. E ruaj me kujdes atë libër, sepse më mbanë të lidhur me ëndrrat e fëmijërisë.

Po atë ditë që dogjën shtëpinë time, të njëjtit ushtarë i vunë flakën edhe shkollës, duke e shndërruar në gërmadhë. Sot nuk ekziston asnjë gjurmë e saj, ndërsa aty afër është ndërtuar objekti i ri i shkollës. Krejt çfarë ka mbetur janë kujtimet tona për të dhe një grumbull fotografish, si kjo, e shkrepur në një kohë tanimë të largët nga mësuesi Gani Hamiti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok