15/10/2024

Me politikanë të vegjël nuk mund të ndriçohen rrugët e vështira në natën e errët të historisë

0

Nga Blerim Latifi

Gjëndja aktuale në dialogun Kosovë – Serbi i ngjan asaj vijës së frontit ku dy palët ndërluftuese janë barrikaduar në transhetë e tyre pa mundësi të bëjnë më tutje, qoftë mësymje, qoftë tërheqje. Në Beograd askush nuk guxon ta mendojë pranimin e pavarësisë së Kosovës, sepse askush nuk do të mund t’i përballonte akuzës për tradhti kombëtare dhe fundit të sigurtë politik. Njëjtë është në Prishtinë: askush nuk guxon ta mendojë pranimin e një autonomie për serbët e Kosovës, sepse etiketën e tradhtarit dhe fundin politik do t’i ketë të gatshme menjëherë. Strategjia e Bashkimit Evropian për t’i nxjerrë palët nga transhetë e tyre është krejtësisht e kotë, sepse ajo bazohet në politikën e padobishme të ndërmjetësimit pa imponim dhe në premtimin e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian, në kohën kur procesi i zgjerimit të tij praktikisht është i vdekur. Në anën tjetër, edhe administrata e presidentit Biden nuk duket se ka ndonjë qasje për ta zgjidhur shpejtë dhe përfundimisht problemin Kosovë- Serbi. Kështu që të gjithë treguesit flasin për vazhdimin e status quosë, në të cilën, sipas asaj shprehjes së famshme, gjërat lëvizin, por asgjë nuk ndryshon. Politikanët e dy vendeve do të vazhdojnë të shkojnë në Bruksel, mediat do të vazhdojnë t’i përcjellin dhe komentojnë takimet e tyre, por në fund të ditës a vitit asgjë nuk do të ndryshoj. Natyrisht, Serbia ka mundësitë që t’i përballojë shumë ma mirë se ne rraskapitjet e dialogut të pafrytshëm, ndërsa ne, sipas të gjitha gjasave, këto rraskapitje do t’i përdorim për t’i qëruar hesapet me njëri- tjetrin në luftën e brendshme për pushtet dhe për ta dobësuar edhe më shumë shtetin tonë. Rusia, e cila ka vite që ndjek strategjinë e saj të madhe për t’i diskredituar dhe destabilizuar demokracitë perëndimore, do të vazhdojë t’i fryej zjarrit të kaosit në Ballkan, kaos i cili do të kapitalizohet nga të gjithë ata që duan pushtet, pasuri dhe ndikim jashtë rregullave demokratike të sundimit të ligjeve. Autoritaristët e të gjitha ngjyrave në Ballkan janë aleatët e heshtur të Rusisë në këtë qëllim. Kështu, ne, duhet të mësohemi për të mbijetuar në një situatë gjeopolitike, në të cilën Rusia do kaos, Bashkimi Evropian nuk ka fuqi për të imponuar zgjidhje, ndërsa Amerika ndodhet e zënë në betejën e shekullit me kapitalizmin shtetëror të Kinës që po pushton botën. A jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe rreziqet e saj për ekizistencën tonë të brishtë? Kam frikë se jo. Sepse me politikanë të vegjël nuk mund të ndriçohen rrugët e vështira në natën e errët të historisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok