22/11/2024

Mbillet në lëndinën e Pallatit të Europës në Strasburg «Lisi i Europës»

0

– Thirrje autoriteteve shqiptare dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për të mbjellur të parët «Lisin e Europës» –

Kryeparlamentarja e KiE znj. Liliane Maury Pasquier duke mbjellur pemën Lisi i Europës

Nga Fotaq Andrea

Është e njohur se më 14 korrik 1870, gjeniu Viktor Hygo mbillte në kopshtin e vet në Hauteville House, Guernesey, në prani të miqve dhe nipërve e mbesave, një lende lisi, duke e pagëzuar filizin e ardhshëm « Lisi i Shteteve të Bashkuara të Evropës ». Shumë shpejt filizi lulëzoi dhe jeton ende edhe sot i fuqishëm, duke mbartur me vete dhe duke mishëruar që prej 150 vjetësh ëndrrën e hygoiane për ta parë Europën të bashkuar dhe në paqe.

Nisur nga kjo ide gjeniale largpamëse e Viktor Hygoit, që sot konsiderohet me të drejtë si një “stërgjysh” i Europës së Bashkuar, dhe në kujtim të veprës së tij madhore, në dhjetor 2018, autori i këtij shkrimi i drejtoi një letër ish Sekretarit të përgjithshëm të Asamblesë së Këshillit të Europës, Bruno Haller, në të cilën theksonte se “Viti 2019 shënonte 70 vjetorin e themelimit të Këshillit të Europës, si dhe 170 vjetorin e fjalimit të Viktor Hygoit mbajtur në gusht 1849 në Kongresin ndërkombëtar të paqes në Paris, ku hodhi pikërisht idenë e tij për themelimin e “Shteteve të Bashkuara të Europës”.

I frymëzuar nga kjo ide, kur ndërtimi europian has sot sfida të reja të Bashkimit Europian (si Brexit dhe hapja e negociatave për anëtarësim në familjen europiane të Shqipërisë), propozoja në letër të mbillej gjatë vitit 2019, në mënyrë simbolike, filizi “Lisi i Europës” në lëndinën para Pallatit të Europës në Strasburg, “për t’i dhënë një impuls të ri projektit për ndërtimin e plotë europian, si dhe vlerave demokratike të Këshillit të Europës (KiE), duke forcuar përherë e më shumë rolin e tij parësor si garant i sigurisë demokratike dhe i respektit të të Drejtave të Njeriut”. Shtoja gjithashtu në letër se mbjellja e “Lisit të Europës” do të shërbente po ashtu si një akt simbolik për t’iu propozuar tërë shteteve anëtare e kandidate të KiE-së të ndiqnin të njëjtin shembull dhe “Lisi i Europës” të bëhej kësisoj “pema symbol e vlerave demokratike dhe e të drejtave njerëzore, si vlera të pavdekshme të Europës së Bashkuar në paqe e liri”.

Miku i Shqipërisë Bruno Haller, i cili është dekoruar gjithashtu me dekoratë të lartë nga presidenca e Shqipërisë, jo vetëm e vlerësoi propozimin si një “ide shumë e mirë”, por iu drejtua menjëherë Shoqatës ndërkombëtare të funksionarëve të vjetër të Këshillit të Europës (AIAACE), konkretisht zëvendspresidentit të saj Z. Hans de Jonge, për ta parashtruar idenë në Sekretariatin e KiE-së. Ceremonia e mbjelljes së filizit “Lisi i Europës” u organizua më 4 tetor 2019, në prani të ZV.Sekretares së përgjithshme të KiE-së Znj. Gabriella Battaini-Dragoni, të Kryetares së Asamblesë parlamentare Znj. Liliane Maury Pasquier dhe të Sekretarit të përgjithshëm të Kongresit të pushteteve lokale e rajonale, si dhe të mjaft përfaqësuesve nga Komiteti i Personelit, nga Shoqata “Amicale” dhe Shoqata ndërkombëtare e funksionarëve të vjetër të Bashkësive europiane. Merrni po ashtu pjesë përfaqësues të Bashkisë së Strasburgut dhe shumë funksionarë të lartë të KiE-së. Në fjalën e rastit, Z. H. De Jonge theksoi ndër të tjera se  Shoqata ndërkombëtare AIAACE “dhuronte këtë filiz “Lisi i Europës” me rastin e 70 vjetorit të KiE-së, duke shprehur besimin tonë për një të ardhme të gjatë të Organizatës”, e cila është organizata më të vjetër ndërqeveritare europiane, dhe që, “falë polivalencës të ndërveprimeve e bashkëpunimeve të saj, falë instrumentave dhe mekanizmave që zhvillon, ndjek nga afër proceset e integrimit europian, mbi bazën e vlerave themelore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Pa dyshim, shkrimtari i madh klasik Viktor Hygo, babai i romantizmit francez, është nga autorët më të njohur e më të dashur për lexuesin shqiptar, dhe qysh herët, madje. Por Hygo njihet nga ana tjetër edhe si humanist i madh, filozof, politikan, jurist e avokat i shquar, që mbrojti fuqishëm vlerat njerëzore, duke dalë kundër mjerimit, varfërisë, margjinalizimit shoqëror, e sidomos njihet si ndër të parët shkrimtarë të angazhuar kundër dënimit me vdekje e torturës.

Për ne shqiptarët, ia vlen të theksojmë se gjeniu Viktor Hygo nuk ka munguar të shkruajë me penë të zjarrtë, duke përmendur qëndresën e tyre historike, sidomos në veprat e tij “Choses vues” (Ndodhi të përjetuara) dhe  “Orientalet”. Tek shkruan për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, ai përfshin në to edhe “les pays de l’Albanie” (vendet apo trojet e Shqipërisë), flet për “timariotët” (himariotët) trima, siç i quan ai, dhe ngre lart veprën e lavdishme të krejt udhëheqësve arvanitas të revolucionit grek, e sidomos figurën “enigmatike” të Ali Pashë Tepelenës, të cilin e krahason me Napoleonin dhe e vë përballë tij në forcë, qendrueshmëri e ashpërsi. “Ata, shkruan Hygo, qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, siç përballen me shoshoq tigri me luanin, shqiponja me skifterin”.  Po ashtu, në akuarelin e tij “Kështjella”, ai jo thjesht ilustron vargjet e tij të famshme për kështjellën e paepur të Aliut, por e shfaq atë metaforikisht si kështjellë simbol e mbarë Shqipërisë dhe e qëndresës së saj historike, që dallgët (tallazet e Historisë) nuk e kanë tundur kurrë një njëherë nga vendi.

Nga ana tjetër, siç kemi përmendur në një shkrim tonin, në kryeveprën e tij “Katedralja e Parisit”, Hygo vë në dukje se heroina kryesore Esmeralda, cigania e bukur që “çmendi dynjanë”, ndodhet në kryeqytetin francez “ardhur me dhinë e saj nga vendet e Shqipërisë” (sic!) Dhe jo vetëm kaq, por dhinë e saj ajo e thërret me dashuri prindërore alla shqiptarçe (à l’albanaise) “Djali”, një term ky shqeto shqip, siç kemi argumentuar në shkrimin tonë, duke lënë të kuptohet se “dhia” e Esmeraldës në fakt është thjesht e gjinisë mashkullore, kur brirët e kafshës jo domosdoshmërisht përcaktojnë gjininë, cjap apo dhi. Dhe dihet që Viktor Hygo tërë elementët kryesorë dhe episodet e kryeveprës së tij “Katedralia e Parisit” i ka huazuar nga dokumente mesjetare, tek i përdor ato me besnikëri e vërtetësi. Ja një arsye më shumë pse është tepër e dashur figura gjeniale e Hygoit për ne shqiptarët.

Në mitologjinë shqiptare, simboli i lisit zë vend qendror dhe pellazgologu i madh Dhimitri Pilika e sheh lisin (dushkun) si simbol themelor të Dodonës hyjnore të Lashtësisë, si falëtorja e parë e Zeusit, me karakter të mirëfilltë profetik. Nxjerr, ndër të tjera, në pah toponomastikën e vendit tonë, mjaft e pasur me emra që kanë rrënjën në termat “dushk” e “lis”, që nga fshatrat Dushk në Gramsh, Lushnje, Shijak, Lezhë, Peqin, deri në fshatrat Lis, në Kat, Kavajë, Mallakastër, Dukagjin, ku mjaft fshatra shfaqen me emrat konkretë Lis-Pateos, Katër-Lis, Bregu i Lisit, Qafë e Lisit, Maja e Lisit, etj. Po ashtu, edhe vetë emri i qytetit heroik Lezhës, themeluar që më 669 para Lindjes së Krishtit, vjen thjesht nga termi i lashtë “Lissus”, siç njihej në Antikitet. Dhe në këtë “Lissus”, “Lisi Skënderbeu” mblodhi rreth vetes Kuvendin e Leshës për të themeluar shtetin e parë të Arbërit.

Frazeologjia shqiptare po ashtu është e pasur me shprehje që kanë në thelb termin “lis”: “është lis me shumë degë” (për familjet e mëdha fisnikërore me të parin e tyre); dhe kundërta: “mbeti si lis pa degë”, mbeti  “pikë në lis”; “lisi i gjakut”; “lis i lartë” (njeri i fortë, i paepur) apo “lis me rremba”; “lisi i qumështit”; “lis me rrënjë të thella”, “e pret lisin me një sëpatë”, etj. etj. Me të drejtë, miku im i kahhershëm prof. Përparim Çarçani, inxhinier në pyje, kur e pyesja këto ditë nëse ka dallim midis “lisit” e “dushkut”, nisur nga postulati konician që nuk ka “sinonimi absolute”, me shkruante, jo pa humor se dallimi nuk është i prerë, por që të krahasosh lisin me dushkun është si të vësh përballë shprehjen “burrë lis” me dy “rr”, dhe   shprehjen  – në mund ta krijojmë – “burë dushk” me një “r”, se për të një dushkajë është pyll me lisa dhe të dy termat kanë sinonimi të plotë, po lisi te shqiptarët është “hyjnizuar” si pemë e lartë me trung të trashë tërë gunga e bunga, dhe që rron deri edhe njëmijë vjet. Në fund të fundit, sinonimia e fjalëve që përcaktojnë familjen e pemëve që lidhin lende është shumë e pasur në gjuhën shqipe: lis, dushk, qarr, bujgër, bung, shparth, prrall, valanidh, etj, etj.

Në përfundim, e mbyllim këtë shkrim me një thirrje nga zemra drejtuar autoriteteve shqiptare dhe në mënyrë të veçantë kryebashkiakut Veliaj për të ndërmarrë nismën që Shqipëria, shteti i parë alfabetik anëtar i Këshillit të Europës, të mbjellë e para gjithashtu “Lisin e Europës”, nën shembullin historik të Të Madhit Hugo, që kërkonte integrimin e plotë – dhe pa kushte – të shteteve të kontinentit të vjetër në “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kjo është largamësia gjeniale hygoiane, dhe në nderim të tij, në pritje që të miratohet së shpejti nga Sekretariati  i KiE-së pllaka përkujtimore që do të vendoset para filizit “Lisi i Europës” i sapombjellë në Strasburg, le të japë Shqipëria shembullin dhe kontributin e vet me mbjelljen e “Lisit të Europës”, si një sinjal paraprak historik drejt realizimit së shpejti të anëtarësimit të saj në familjen e madhe europiane. Do Zoti, dhe kjo thirrje gjen realizim për të mirën e Shqipërisë, për të ardhmen dhe begatinë e saj.

Nënsekretarja e Kie-së, Znj. Gabriella Battaini-Dragoni duke përshëndetur

Nënkryetari i AIAACE Z. Hans de Jonge duke përshëndetur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok