18/12/2024

MBI KONCEPTIN E HEROIT

0
Blerim-Latifi

Nga Prof. Blerim Latifi

Çka është heroi? Nga shkaku i përdorimit të shpeshtë të këtij termi, ne e kemi krijuar iluzionin epistemologjik se e dijmë përgjigjen në këtë pyetje. Por sapo të heqim mbulesën e opinioneve dhe stereotipeve të zakonshme, para nesh shfaqet kompleksiteti konceptual i figurës së heroit. Titulli i librit të famshëm të mitologut Joseph Campbell, HEROI ME NJË MIJË FYTYRA, na e sugjeron këtë kompleksitet.

Secila kulturë e ka figurën e saj të heroit. Edhe të antiheroit. Figura që kemi ne është sajuar nga shtresat kuptimore të vendosura nga dy burimet kryesore të Civilizimit europian: mitologjia antike greke dhe tradita religjioze abrahamike. Athina dhe Jerusalemi, siç thotë Leo Strauss. Vetë fjala “hero” na vjen prej të parës.

Në përfytyrimin e grekëve të lashtë heroi ishte një qenie më shumë se njeri dhe më pak se perëndi. Një qenie që jetonte midis njerëzorëve të vdekshëm dhe hyjnorëve të pavdekshëm. Kjo e përcaktonte edhe statusin e tij ontologjik. Derisa perënditë zotëronin pavdekësinë, njerëzit e vdekshëm ishin të dënuar të vdisnin dhe të harroheshin, heronjtë zotëronin lavdinë, nderimin e përjetshëm. Në këtë rend kierarkik të ekzistencës, njerëzit e vdekshëm kishin vetëm një mundësi që t’i iknin zhdukjes dhe harrimit: të bëheshin heronj. Kjo nënkuptonte se ata duhej të arrinin virtytin e tyre esencial: të bënin vepra të jashtëzakonshme, mbinjerëzore, të cilat, duke qenë të tilla, do të mbaheshin mend përgjithmonë, nëpërmjet adhurimit e nderimit nga të gjallët. Historiografia perëndimore ka lindur pikërisht nga ky motiv mitologjik.

Modelet klasike të heroit në mitologjinë antike greke janë Herkuli, Akili e Odiseu. Edhe Aleksandri i Madh e shihte veten brenda këtij modeli. Ai e konsideronte veten gjysëm-perëndi, bir të hyjnive, pra hero.

Shpesh në figurën antike të heroit e gjejmë një cilësi, të cilën grekët e vjetër e quanin “hybris”. Hybrisi është sjellja arrogante e heroit, kryengritja e tij kundër perëndive dhe rendit të tyre, kryengritje e cila rëndom përfundon me dënimin e rebelit. Miti i Sizifit, ai Prometeut dhe i Ikariusit, mes shumë të tjerëve, e shprehin këtë motiv.

Nga burimi tjetër i Civilizimit europian, pra tradita religjioze abrahamike, na vjen një figurë tjetër, ajo e martirit ( dëshmorit). Dëshmori është ai që me vetëdije pranon vdekjen e dhunshme për të dëshmuar që nuk heq dorë nga besimi i tij. Figura e dëshmorit është qendrore në historinë e krishterimit të hershëm. Ajo është histori e martirëve të besimit të krishterë, martirologji. Vetë Krishti është kryemartiri. Islami e ka adoptuar figurën kristiane të martirit, duke krijuar atë të shehidit. Natyrisht me anë të një sinteze, ku janë shkrirë edhe elemente të huazuara nga Judaizmi mesianik.

Në modernitet këto dy figura, heroi dhe martiri, përvetësohen nga ideologjitë moderne, në mënyrë të veçantë nga ideologjia kombëtariste, nacionalizmi. Nacionalizmi e merr figurën e heroit antik dhe e shndërron në heroin e kombit, e merr martirin kristian dhe e shndërron në martirin e kombit. Meqë për një komb liria është vlera supreme, atëherë heroi është dikush që bën vepra të jashtëzakonshme për këtë liri, dhe martir është ai që vdes dhunshëm duke mos hequr dorë nga besimi tek kjo liri.

Por liria kombëtare është vetëm një dimension i konceptit modern të lirisë, koncept i cili i përcakton vetë modernitetin. Të jesh modern do të thotë ta çmosh lirinë para të gjitha vlerave tjera. Në këtë kontekst, heroi modern e ka fatin të lidhur me idenë e lirisë. Nisur nga kjo edhe Hegeli e shikon heroin si një figurë që vepron në përputhje me agjendën universale të lirisë, e cila përmbushet në kursin e ngjarjeve historike.

Filozofia post’hegeliane e historisë, ndërkaq, ka lëvizur në drejtim të zëvendësimit të figurës së heroit me figura të tjera. Tash historia nuk shikohet si produkt i pasioneve të heronjve, por si produkt i forcave shoqërore, klasave, grupeve, racave, etj. Janë këto forca që e lëvizin historinë, e jo individët e jashtëzakonshëm. Shkenca e Sociologjisë ka lindur nga kjo pikëpamje.

Në shekullin e XX figura e heroit mbijeton në kulturën e kinematografisë dhe në ideologjitë e popujve të vegjël, të cilët luftojnë për të arritur lirinë e tyre. Kjo e dyta e shpjegon prezencën e kësaj figure në historinë tonë moderne. Të shtypur mizorisht nga regjimet e ndryshme serbe, ne është dashur të lidhemi pas kësaj figure, ta nderojmë , adhurojmë e krijojmë atë, për ta mbajtur gjallë dhe ushqyer shpresën e çlirimit. Sepse në thelbin e figurës së heroit qëndron një premtim: premtimi për ta arritur atë që na duket e pamundshme derisa jemi të prangosur nga forcat e epërme që na thonë se ky është fati ynë përfundimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok