22/12/2024

MALISHEVË: MESAZHET E MËDHA TË JANARIT SHQIPTAR

0
Prend-Buzhala

(Një ÇMIM LETRAR dhe një shpalosje e janarit 1990, Bubavec, Malishevë)

Nga Prend BUZHALA

Malisheva edhe këtë vit përkujtoi dy dëshmorë të rënë në janarin e vitit 1990. I përkujton nëpërmes një manifestimi kulturor-letrar. Sivjet u nderova edhe me ÇMIMI E PARË  që ka vlerën e vet e që me mua lidhen edhe ngjarje të së kaluarës dhe e konsideroj si homazh për ato ngjarje e për të rënët… Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe dhe Sport e Malishevës dhe SHKL “Tafil Kelmendi” tashmë e ka shndërruar në amnifesti m tradicional këtë përkujtimore. U përuruan edhe dy libra në përgatitje të Sherife e Lujeta Thaqit, që i ksuhtihen Rasim Thaqit të ndjerë: “Rasim Thaçi- idealisti që krijoi ura mes njerëzve” dhe “Do të flas me diellin”  i  autorit  i  lënë  në  dorëshkrim poetik i Rasim  Thaçi  (post  mortum.

1.

Në Kosovë viti 1990 po hynte me ngjarje të mëdha historike për Kosovën.

Janar 1990. Po zhvilloheshin demonstrata anembanë Kosovës, me parullat që i thanë jo Serbisë: Liri, Demokraci. Janari po ndodhte si prelud i asaj pranvere të Kosovës. Lëvizjet legale politike ende ishin në formim, të anëtarësuarit në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, po i dorëzonin librezat e anëtarësisë, po dorëzoheshin edhe libreza pune, në shenjë proteste e mospranimi të organeve të dhunshme, si quheshin atëherë falangat politiko-policore serbe që viheshin si “organe drejtuese” mbi shkollat, institucionet, kombinatet, fabrikat… Nga ana tjetër, populli ishte në këmbë: Liri, Demokraci. Kishte të vrarë e të plagosur anembanë Kosovës. Atë janar po zbrisja për në Ujëmirë (të Klinës), kur nxënës e arsimtarë (të filloreve e të shkollave të mesme), po marshonin drejt Klinës. Policia u zë pritë dhe plagosen dy  vetë: një nxënës dhe një profesor.

Merret vesh se në komunën e Malishevës (komunë fqinje, ku nja 15 fshatra aso kohe ishin më Klinën), kishin shpërthyer në demonstrata. Në to, më 30 janar 1990 në Malishevë, vriten dy të rinj: Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku. Ata përkujtohen edhe te Lapidari në Sheshin e Dëshmorëve të këtij qyteti.

2.

Vrasja e tyre u shndërrua në manifestim kombëtar: në Bubavec e në Malishevë ishin mbi njëqindmijë qytetarë anembanë Kosovë. Në Ditën e Varrimit të tyre erdhën te unë dy të rinj,  një nga Bubaveci dhe Haki Morina (aso kohe veprimtar e ish i burgosur politik mjaft aktiv). Kërkojnë nga unë që ta shkruaj një Fjalë Homazhi për Ali Kryeziun, për ta lexuar dikush nga këta të rinj. Pasi e shkrova, u nisëm për në Bubavec me Idriz Berishën e me të tjerë. Kijevë: ishte masë e madhe, e rrethuar me policë e tanke serbe. Me fluturime edhe të helikopterëve. Kijeva, po ashtu e mbushur me forca të armatosura. Por masa ishte tejet e madhe, e pafund, që mësynin Bubavecin, fshat afër Kijevës. Posa mbërrijmë, dy të rinjtë më thonë se unë duhet a lexoj atë fjalë nderimi për Aliun. Në ato momente vijnë dy ish-udhëheqës shqiptarë (komunistë, por që vala e ngjarjeve i hodhi në anën e popullit), kërkojnë t’ua tregoj fjalimin. Natyrisht, nuk kisha në të diçka nxitëse,  “inkriminuese”… përpos që i ndërlidhja me parullat Liri, Demokraci edhe vrasjen e dy të rinjve: një si orientim se çfarë të bëhet më tutje. Ishte hera e parë që po dilja para një mase pas vitit 1982, kur qesh burgosur… Në fund, pasi lexova Fjalën, se si më erdhi vetvetiu edhe një thënie: “Nëse duhet të jetojmë, le të jetojmë në Liri e Demokraci dhe nëse duhet të vdesim, le të vdesim për Lirinë dhe Demokracinë…”. (Po atë pranverë e zgjerova këtë thënie edhe me fjalët Republikë dhe Pavarësi). Gjithçka duhej bërë në hap, me takt e me ritmin e ngjarjeve, pa e dëmtuar procesin… edhe kur arriti Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve një muaj më vonë, edhe kur zunë të formoheshin asociacionet politike e shoqërore me theks nacional të rezistencës, edhe kur zuri të ndahej arsimi shqip po atë vit nga ai serbo-jugosllav…

Kur i rashë në fund fjalimit, mësymë në varrimin tjetër, në Malishevë, i cili ishte po aq madhështor, me nderime kobmbëtare e që e kishte karakterin e një lëvizjeje të mirëfilltë shqiptare. Në mbrëmje jepet emsion i lajmeve dhe për varrimin në Bubavec (RTP, natyrisht, nuk e thiotë asnjë fjalë për fjalimin që kisha, por ai doli tek gjatë këtyre viteve, në incizimet e ruajtura)…

Më vonë, kur kërkonin nga unë që të shkruaja diçka për epitafe memorialësh të varreve të të rënëve, ndër të tjerat tekste, e shkruaja gjithnjë edhe vargun e poetit Ali Podrimja: “KOSOVA ËSHTË GJAKU IM QË NUK FALET”! Jo pak ndër familjarë të të rënëve e kishin zgjedhur këtë thënie… Le të themi, që këso paraqitjesh publike, kishin edhe paralajmërimin e vet: nëse nuk përfillen kërkesat shqiptare të Kosovës, mund të shpërthejë lufta… ashtu si edhe gjithçka ndodhi më vonë…

3.

Me fshatin Bubavec, aso kohe, më lidhin edhe dy ngjarje të tjera.

Gjatë viteve ’90 nis një kapitull i ri i lëvizjeve politike e kombëtare. Meqë tashmë vepronim në dy komuna, na ra hise që të gjendeshim në të njëjtat angazhime me shumë shokë, profesorë atdhetarë e të tjerë. Kështu, kur po mbahej manifestimi i Pajtimit të Gjaqeve në Zllakuqan të Klinës (mars 1990), meqë ishte ditë feste, ditë pashkësh, nga Malisheva na erdhën disa veprimtarë. Ishim së bashku me Sokol Kryeziun e mulla Xhevatin, kur e biseduam mundësinë e mbajtjes së një manifestimi të përbashkët ditën e Bajramit, (prill 1990), në Bubavec të Malishevës. I bëmë përgatitjet të dy këshillat e pajtimit (Malishevë dhe Klinë). Manifestimin e drejton Sokol Kryeziu dhe falen dhjetëra gjaqe, arrihen shumë pajtesa etj. ishte një masë e madhe, si rrallëherë. Erdhën nga të katër anët… Nga ana e Kryesisë së Pajtimit të Gjaqeve (Klinë) i bëra edhe skenarët, edhe fjalimet (që i lexonin të tjerët)… ishte pranverë jo vetëm e pajtimeve, po edhe e vëllazërimit shqiptar. Tonat i bëmë kullat, sheshet, shtëpitë, xhamitë dhe kishat, intelektualë, mësimdhënës, të rinj, studentë, priftërinj e hoxhallarë…. të gjithë… Edhe Botën Ndërkombëtare Perëndimore… E pandalshme ishte gjithçka…

Janar 1991: po përkujtohej në këto anë publikisht për herë të aprë manifestimi kushtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Përsëri e kërkuam ndihmën e mulla Xhevat Kryeziut. Manifestimi qe mbajtur në xhaminë e Bubacecit (Malishevë), kryesisht me të rinj, ish të burgosur e veprimtarë të lëvizjeve kombëtare. Po atë vit pata bërë regjinë e dramës “Procesi” të Jusuf Gërvallës (i shfaqur nga dy grupe amatore, të Bubavecit të Malishevës dhe të Çabiqit të Klinës). Po në këtë xhami qe shfaqur edhe kjo dramë… kurse të rinjtë e Çabiqit e shfaqën në Çabiq, Ujëmirë e qendra tjera…

4.

Sot, kur po mbahej ky manifestim letrar-përkujtimor, vetvetiu zgjohet kujtesa e atyre viteve. Poetë në këtë  manifestim kishte nga shumë vise etnike, nga Kukësi e  Bajrm Curri, poetë nga Prizreni, Prishtina, Drenasi, Podujeva, Kastrioti, Fushë-Kosova, Klina, Peja, dhe Malisheva. Jo pak poetë sollën jehonat poetike të asaj botë të të rënëve, jehonat e luftës… është po ajo poetikë e atyre jehonave të asaj kohe, që vjen edhe sot me ato reminishenca. Ishin edhe dy të shpërblyerit tjerë: Shefqete Gosalci (poete dhe luftëtare e UÇK-së) e Lulëzim Hajdari (Kukës) që sollën aso reminishencash poetike e që i vlerësoi juria e Malishevës: Mehdi Krasniqi-kryetar, Hana Bytyçi- anëtar dhe Izet Shala-anëtar. E ksaj fryme ishte edje fjala e drejtorit të DKRS të malishevës, Fitim Shala.

Dhe çfarë u thonë poetët të rënëve, çfarë i thonë asaj kohe?

Ata shprehen nëpërmes vargjesh:

– se liria nuk është diçka që paguhet lirë, por tejet shtrenjtë, me më të shtrenjtën, me jetën e njerëzve;

– se liria që nisi në atë dekadë (vitet ’90), është kujtesë e përbashkët, prandaj kujtimi iu takon të gjithëve dhe borxhi i asaj kujtese  iu takon të gjithëve;

– se ajo kujtesë nuk do të zhduket kurrë, se të rënët kurrë nuk do të harrohen; se ky është borxh që vetëm pjesërisht mund të shlyhet duke e kujtuar sakrificën e tyre;

– se të rënët e atyre viteve (dhe në secilën periudhë të historisë), përfaqësojnë edhe veten tonë sot, karakterin tonë etik e nacional sot; se përfaqësojnë edhe historinë tonë nëpër shekuj e periudha, një histori atdhedashurie e rezistence; se janë edhe histori e guximit tonë masiv, e heroizmit masiv; janë edhe histori e trashëgimisë sonë të pavdekshme, trashëgimi e shembujve të mëdhenj të historisë dhe e kësaj trashëgimie;

– se ata kanë rënë duke dhënë jetën e tyre për diçka të madhe, siç janë Kosova, Liria, Demokracia dhe Pavarësia; se ia vlen të jepet jeta për diçka që qenka më e madhe se vetvetja; se ata ishin njerëz, siç do të thoshte gjenerali amerikan Norman Schwarzkopf: “Nuk na duhet një hero për të urdhëruar njerëzit në betejë. Na duhet një hero për të qenë një nga ata njerëz që shkon në betejë”; dhe të tillë ishin të gjithë ata të rënë, deri te dëshmorët e heronjtë e UÇK-së;

– se nderimi për ta sot, është nderim i përhershëm, i përjetshëm, i pashlyeshëm: është Kosova ajo që nuk harron;

– se kujtesa për ta nuk është vetëm nderim, po edhe mesazh i madh janari, që nga Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Isa BoletinI e deri te vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, E tek të rënët tjerë  e të të tjerëve që shkuan në amshim nëpër janarët e historisë;

– se mesazhi i janarëve shqiptarë na e thotë edhe një porosi të vërtetash të mëdha: ti duhet ta duash kombin tënd përgjithnjë e përgjithmonë, është i vetmi patriotizëm racional, siç do të thoshte një shkrimtar…

…dhe siç thanë edhe poetët sot.

(Post scriptum: Malisheva ka potencial kulturor, letrar e mediatik të jashtëzakonshëm. Kësaj radhe, ishin bashkë… në historinë e vlerat e përbashkëta… deri te transmetimi i ngjarjes nga RTV Malisheva në kyre me Habib Zobajn, edhe gazetar lufte e luftëtar, që evkokoi çaste të rëndësishme… ).

(28 janar 2023)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok