LYPËSIT E TROTUAREVE DHE TË SEMAFORËVE
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Në pjesë të caktuara të qytetit veprojnë lypësit. Veprojnë kryesisht në pjesët kryesore të qytezës. Lypës ka edhe në rrugët e kryeqyteteve. Lypës janë kryesisht femrat, por ka edhe meshkuj që lypin. Lypjen e kryejnë në mënyra të ndryshme. Lypëset janë kryesisht gra të reja, me fëmijë. Por ka edhe gra moshash të mesme. Shumë lypëse janë nëna, nëna me dy a tre fëmijë të vegjël. Lypësit lypin çdo ditë, verë-dimër. Lypin edhe kur është ftohtë, edhe kur është vapë. S’ka dyshim se dikush manipulon me lypëset. Burrat e lypëseve s’i sheh dot. Në muzg, ata i presin gratë e tyre dhe nisen për në vendbanimet e veta. Lypëset mund të jenë bashkëshorte të tyre, por mund edhe të mos jenë. Ka raste kur gratë i çojnë detyrimisht për të lypur. Për ta trazuar ndërgjegjen e kalimtarëve, nënat e reja mbajnë në prehër apo në krahë foshnjë. Foshnja mund të jetë një vjeçe apo një vjeçe e gjysmë. Ka raste kur pran së ëmës rijnë tre fëmijë të vegjël. Ndodh që lypja të zgjatë mbi gjashtë orë. Verë-dimër, mbi gjashtë orë. Në pikëpamje fizike, nënat lypëse janë të dobëta. Të tillë janë edhe fëmijët e tyre. Me fjalë të tjera, janë të paushqyer. Paratë e grumbulluara nga lypja ua merr bashkëshorti apo personi i cili i nxjerr të lypin. Askush s’e di se ku i çon paratë ai që ua merr ato. Mund t’ përdorë për bukë, për ushqim, për mbijetesë, për ekzistencë. Por, mund të ndodhë që konfiskuesi i parave të mbledhura t’i përdorë ato për qëllim të veta: bixhoz, lëndë narkotike, terma-teposhtë, lart e poshtë etj. Si ri foshnja me orë të tëra në prehrin e së ëmës, pa qarë?! Me siguri, para se nëna të dalë të lypë, i jep pjellës së vet preparate që e vënë në gjumë. Fëmijët e lypësve janë të zbetë, të lodhur, të rraskapitur, të unët, të etshëm dhe të paushqyer. Veshja e lypëseve dhe e fëmijëve të tyre është për të ardhur keq. Veshjet e lypësve janë të palara, të papastra, të përlyera dhe të ndotura. Në shumë raste fëmijët e lypësve, edhe vetë ata lypës, janë të zbathura. Ata ecin këmbëzbathur. Fëmijët lypës nuk janë si fëmijët e tjerë. Fëmijët e lypësve nuk shkojnë në shkollë, janë jashtë hapësirave shkollore, jashtë bankave shkollore, jashtë sallave të fizkulturës. Ata nuk ndjekin kurse, kursin e pianos, të violinës, të matematikës, të gjuhëve të huaja, anglisht, gjermanisht. Ata nuk janë pjesë e ndonjë ekipi të futbollit, të basketbollit, të volejbollit, të hendbollit. Ata nuk dinë se ç’është skijimi. Fëmijët e lypësve nuk shkojnë në çerdhet e fëmijëve. Për ta trazuar ndërgjegjen e kalimtarëve, nënat lypëse qëllimisht nuk ua veshin foshnjave të veta apo fëmijëve të vet këpucë. Në kulmin e dimrit, i mbajnë në krah foshnjat këmbëzbathur. Lypëset ulen skaj trotuarit, mbi një karton. Përpara vetes kanë të shtruar një copë pëlhure apo një kuti. Solidarët rëndom u japin nga dhjetë denarë (1,5 cent). Por, ka raste kur kalimtari u jep 50 denarë (9 cent) ose 100 denarë (1,5 euro). Dikush nuk jep hiç dhe u thotë: “Zoti të dhëntë.” Lypësit lypin edhe pranë semaforëve. Ndalen veturat para semaforëve dhe lypësit afrohen më dritaren e ngasësit të automjetit. Numri i atyre që solidarizohen nuk është i madh. Qytetarët e dinë se lypësit punën e lypjes e kanë shndërruar në zanat. Lypësit kanë ndërtuar edhe strategji për lypje. Lypin përpara marketeve, zyrave të këmbimit të valutave, bukëpjekësve, bankave, mishtoreve. Me fjalë të tjera, lypin aty ku denduria e lëvizjes së njerëzve është më e madhe.
Lypësit janë kryesisht të bashkësisë etnike rome. Është e pamundur të mos ketë punë për këtë kategori njerëzish. Në vendet tona vijnë për të punuar njerëz prej shteteve aziatike. e s’paska punë për lypësit e hapësirave tona. Punë ka sa të duash. Madje për punë të caktuara ka edhe mungesë të fuqisë punëtore.
Numri i lypësve është shtuar. Ka raste kur lypësit vijnë edhe prej qyteteve të tjera. Prej një qyteti më të pazhvilluar, vijnë për të lypur në qytetin që është ca më i zhvilluar. Prej një qyteti me më pak banorë, vijnë në qytetin që ka më shumë banorë. Numri i tyre shtohet sidomos në kohë e verës kur vijnë kurbetçinjtë prej kurbeti, prej Gjermanie, Zvicre, Italie, vendeve skandinave.
Lypës në një shtet të Evropës, në shekullin XXI. Shteti që ka lypës nëpër trotuaret e qyteteve dhe pranë semaforëve të udhëkryqeve, nuk mund të konsiderohet shtet. Shteti i tillë është pseudo-shtet, kuazi-shtet. Ai farë shteti s’e ka vendin, as në NATO, as në Bashkimin Evropian. Lypës ka në të gjitha shtetet e Ballkanit. Ka që thonë se njerëz që janë pa kulm mbi kokë e që flenë rrugëve, ka edhe nëpër vendet e zhvilluara të botës.
Pothuajse në të gjitha vendet e rajonit e më gjerë, lypësit i përkasin kryesisht bashkësisë etnike të romëve. Shteti ka për detyrë që bashkësinë etnike të cilës i përkasin lypësit, ta integrojë në shoqëri. Romëve duhet t’u mundësohet shkollimi, arsimimi, emancipimi. Duhet t’u mundësohet arsimim në shkollat profesionale. Duhet t’u mundësohen zanate. Të rinjtë e kësaj bashkësie etnike mund të punojnë në bujqësi, në blegtori, në ndërtimtari. Vajzave rome dhe djemve romë duhet t’u mundësohet shkollimi, arsimimi, emancipimi dhe punësimi në institucionet publike. Pjesëtarëve të këtij komuniteti duhet t’u jepen tokë për ndërtimin e shtëpive. Për pjesëtarët e këtij komuniteti duhet të ndërtohen ndërtesa solidariteti, ndërsa banesat e ndërtimeve t’u jepen atyre me favore. A ka buxhet për një gjë të tillë?! Buxhet ka, por s’ka vullnet. Vullnet s’ka ngase ka vjedhje, abuzime, pasurim brenda nate. Teoria se pjesëtarët e bashkësisë rome nuk duan të punojnë apo nuk duan të shkollohen, është e pasaktë dhe e papranueshme. Ato janë pikëpamje raciste.
Lypësit e trotuareve dhe të semaforëve na e përkujtojnë kohën e poetit të mjerimit Millosh Gjergj Nikolla, të njohur me emrin Migjeni (Shkodër, 13. tetor 1911 – Torre Pellice, Itali, 26 gusht 1938), na i përkujtojnë skicat e librit “Novelat e qytetit të veriut” (1936). Na e përkujton refrenin: “Zoti të dhashtë”, “A do qymyr, zotni?” Na e nxjerrin para syve shekullin e apoteozës së misrit, prozën që flet me realizëm të dhimbshëm për varfërinë, mjerimin dhe padrejtësitë shoqërore të kohës. Na i përkujtojnë heronjtë migjenianë që janë njerëz të thjeshtë, të papunë dhe të flakur tej, ku spikasin tema si izolimi, gruaja e shtypur dhe shpresa e thyer.
Legjenda e misrit: Misër! Misër! Në shekullin e njëzet s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri – bërtet dhimbshëm engjëlli i fjalës artistike. .
Për lypësit tanë fare nuk kujdeset shteti, nuk kujdesen institucionet e tij. Ka shumë raste kur lypësit keqtrajtohen, manipulohen dhe instrumentalizohen nga pronarët e tyre, kurse autoritetet policore fare nuk çajnë kokën për të marrë masa. Indiferente janë edhe organet e gjyqësisë, pushtetarët, qeveritarët, pushteti qendror, ai vendor. Nuk çajnë kokën ministrat, deputetët, liderët e subjekteve politike. Ku është i ashtuquajturi Avokat i Popullit?! Ku është i ashtuquajturi Komitet i Helsinkit?! Ku janë të ashtuquajturat shoqata për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut?! Ku është akademia, universiteti, ligjëruesit universitarë?! A janë diku shkrimtarët, kemi apo s’kemi shkrimtarë?! A ka mbetur ndonjë filozof, sociolog?! Ku është zëri i protestës, i reagimit. E tërë shoqëria paska rënë në gjumë! Për programet e Reality show (Reality television) me ditë të tëra ri pa gjumë.
Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji! – Migjeni
