21/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Luftrat tona?

Cilat luftrat?

Kemi bërë luftra ne?

Shqipëria nuk ka bërë luftra.

Shqiptarët nuk kanë bilanc luftrash. As të fituara as të humbura.

Shqiptarët kanë vetëm bilanc pushtimesh të kollajta dhe çlirimesh të vështira, pa luftra.

Shqiptarët nuk janë luftëtarë. Shqiptarët janë më tepër se luftëtarë. Shqiptarët janë mbijetuesa.

Shqiptarët janë njerëzit më inteligjentë dhe më vitalë të planetit. Ata kanë Histori të kaluar dhe të tashme jashtëzakonisht interesante.

Shqiptarët jo se nuk kanë mundur, nuk kanë dashur, apo nuk kanë ditur të bëjnë luftra. Shqiptarëve nuk u ka dalë hesapi të bëjnë luftra.

Shqipëria është e vogël, shqiptarët janë pak. Shqiptarët kanë nuhatur qysh herët se po të bënin luftra ata dhe vendi i tyre do ishin zhdukur qyshkur pa nam e nishan.

Lufta, si akt, si veprim, është punë si çdo punë të cilën shqiptarëve nuk u ka interesuar ta bëjnë.

Mu për këtë shkak Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve si bashkëveprim ekuilibrues i energjisë me mosveprimin, nuk është e lavdishme, heroike, luftarake, frikacake, por një zvarritje e pafundme, një tërhiq e mos e këput llaftarisht interesante.

Nuk ka luftra pushtuese dhe luftra mbrojtëse. Ato janë cilësime konvencione. Ka vetëm luftë.

Pushtuesi dhe i pushtuari gjithashtu nuk kanë ndonjë dallim thelbësor nga njëri-tjetri.

Kush ka pushtuar, ka qënë gjithmonë i përgatitur që eventualisht edhe të pushtohet.

Kush është pushtur gjithmonë ka ëndërruar të pushtojë.

Funksionimi i një vendi ndaj luftrave, si “mbrojtëse” dhe “pushtuese”, është si funksionimi i mushkërisë, e cila nuk mund ta pastrojë dhe pasurojë gjakun, vetëm duke marrë ose vetëm duke nxjerrë frymë, por vetëm duke i bërë të dyja.

Përrallat me shqiptarë qingja të pafajshëm që si të tillë nuk mund të bënin luftra pushtuese por vetëm mbrojtëse janë rrena të neveritëshme.

S’ka popuj trima dhe popuj frikacakë. Ka vetëm Histori të shkruar keq, që i bëjnë popujt të duken të tillë.

Nuk janë të ndryshëm popujt. Të ndryshëm janë Fatet e popujve që si valutat e bursave vlerën e ardhme të të cilave nuk e parashikon dot askush.

Kështu ka qënë dhe kështu do jetë.

Jo me popuj që janë të tillë apo të atillë.

Me rrethana të cilat për disa popuj janë të favorëshme, për të tjerë të pafavorëshme.

Pohimi se janë njerëzit ata që bëjnë rrethanat është një nga rrenat më të mëdha në rrugën rraskapitëse të njerëzimit drejt progresit.

Rrethanat që determinojnë fatet e popujve janë  një mpleksje marramendëse faktorësh të panumurt: subjektivë, objektivë, gjeografikë, natyrorë, pasurorë, klimatikë, etj, mpleksje kjo që i kapërxen shumfish aftësitë e mendjes njerëzore për t’i analizuar dhe nxjerrë përfundime.

Luftë që e bëmë dhe e fituam kemi vetëm 1, Luftën e Klasave.

Pse duhet të mburremi se kemi bërë gjëra të cilat bëmë shumë mirë që nuk i bëmë ?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok