15/06/2024

FJALË TË HUAJA “SHQIPE”

0

(Sarkazma e verës)

NGA NDUE DEDAJ

Janë fjalë që në “shqipen” tonë kanë fituar qytetari, apo njëfarë kuptimi të dyfishtë, çka nuk ndodh në gjuhët nga vijnë, si anglisht etj. Pra, ajo çka shënojnë këto fjalë është dhe nuk është, është kështu dhe është ashtu… Le të shpjegohemi, fjalë pas fjale, sesi ky fjalorth shqiptar i viteve të fundit e ka begatuar (varfëruar?) ligjërimin tonë publik, jetën tonë social-politike. Lexuesi mund të dijë plot të tjera, por ne zgjodhëm disa që i kemi më përzemër, ose më mirë me thënë na kanë ato “përzemër” neve, pasi nuk shpëtojmë prej tyre as në gjumë. Doemos, të gjitha ato nisen nga e mira publike, puna është si pështillën, turbullohen e shformohen gjërat këndej nga ne…

Non Grata. Fjalë me konotacion negativ. Mjaft e përhapur vitet e fundit. Sfera ku haset më shumë: Kuvendi i Shqipërisë. Prokurori. Bashki. Parti politike. Personi që e mban këtë damkë nuk ndihet aspak mirë, por as dhe krejt keq. Fundja nuk i hyn ferrë në këmbë. Ai nuk i kërcen avionit në Rinas për në SHBA, Angli a ndokund tjetër dhe kaq. Kurse për palën kundërshtare politike, ata që (para)gjykojnë çdo gjë, non grata është fundi i botës. Njëlloj si të bëhet njeriu me bisht. “Shporrmu, se të shpalla non grata”, po i thoshte një bari dhensh shoqit të tij, që ia kishte mërzitur duke i hyrë në kullotën e tij. Non grata nuk do të thotë burg, apo ndalim i ushtrimit të të drejtave qytetare, përkundrazi mund të merresh lirisht me politikë, qofsh i djathtë apo i majtë. Ëh, moj e uruara Non Grata, si të të kuptojmë ty ne njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, përderisa të padëshiruarit e tu, domethënë të matanë Atlantikut i kemi përditë në sy, në tribuna, në ekrane, duke na mbajtur fjalime të gjata e premtuar se ditë më të mira do të vijnë për këtë vend nën qeverisjen e tyre të ardhshme, pa të ardhme!?… Kësaj i thonë haja qenit, pija qenit, edhe bjeri karadyzenit!…

Incenerator. Plehradjegës. (Gjendet si objekt në Tiranë, Fier dhe Elbasan.) Futur vonë në shqipe. Përkthehet dhe me togfjalëshat: “pasurim i paligjshëm” dhe “burg qeveritarësh të lartë”. Pra si kuptim i dytë i fjalës mund të jetë dhe karrierëdjegës për disa dhe përlyerje në afera për disa të tjerë. Populli që nuk merret me gjuhësi i bie shkurt: “Para e madhe e vjedhur nga pushtetarët tanë të dashur”. Zëri i këtyre inceretorëve ka shkuar gjer larg në Europë, ku gjendet në arrati ai që konsiderohet “tigri” i tyre. Mirëpo si rregull kjo flamë që u përhap nga tymrat plehradjegës prek pushtetarë deri në nivel zëvendëskryeministri dhe jo më lart, di vetë njeriu se ç’bën me postin, mban përgjegjësi individuale, njëlloj si të jetë duke prashitur mollatarët në kopshtin e tij dhe padashje iu dëmton kërcellin afër rrënjëve.

Demontim. E barabartë me “demon” shtetëror, si ai që në vitin 2008 shkaktoi tragjedinë “bërthamore” të Gërdecit, me një numër të madh viktimash dhe të gjymtuarish; proces hetimor ende i papërfunduar ndaj ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Mediu etj. këtë korrik të nxehtë ky i fundit ka hequr dorë nga gjykimi i shkurtuar dhe pritet të shohim se çdo të ndodhë në ditët që vijnë. Një gjë të bën përshtypje, si është e mundur që ka kaq shumë përfshirje në veprimtari të paligjshme të ministrave shqiptarë, a thua se u bë deti kos?…

Vetting. Në fillim e përfytyronim si një sitë të florinjtë që ndante miellin nga krundet në drejtësi. Por ishte një lloj gjyqi që iu bëhej të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve, kush të rrinte e kush të ikte. Pra ishte sitë, por jo si ajo e miellit, dmth send pa mende dhe pa shpirt. Askush nuk mund të thotë nëse sita – vetting nuk la në ndonjë rast krundet brenda sistemit dhe nxori ndonjëherë miellin jashtë tij!? Kuptohet, pa dashje. Edhe pse thuhet se dhe vetting-u nuk i ka shpëtuar qindpërqind ndikimit nga politika e shumicës parlamentare, që do të thotë se reforma në drejtësi nuk ka qenë 24 karatsh e pastër si ari. Si një sukses i saj shihet SPAK, prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përndryshe, prokurori e krimeve të rënda që merret me pushtetarët e korruptuar, që sikur ka “eklipsuar” (lënë në hijë) prokurorinë tjetër të shtetit, atë të rretheve gjyqësore, dhe vetë Prokurorinë e Përgjithshme. Qytetari i thjeshtë është i nteresuar sigurisht për mbarëvajtjen ligjore të republikës, por në radhë të parë atij i interson një shërbim gjyqësor sa më pranë tij, sidomos në çështjet civile, që mundësisht të “udhëtojë” gjykata për tek ai dhe jo ai për tek gjykata.

Big Brother. Format televiziv kombëtar, me të dy anët e medaljes, ata që janë VIP-a të vërtetë në skenë jashtë këtij formati, aty vijnë e bëhen “hiç” si artistë, ndërsa shkëlqejnë persona jo aq të njohur, që futen në “shtëpinë më të famshme në Shqipëri” për të bërë karrierë artistike. Ti nuk mund ta kuptosh se si një artist mund ta bëjë “skena” e Big Brother më të famshëm se se skena e teatrit, kinemasë apo koncerteve, por ky nuk është faji i atyre. Kush ua ka ngenë më atyre që ua kanë shembur Teatrin, se nuk ishin të zotët për të, tenorëve të shquar të Operas që shkëlqejnë në skenat e botës, a na bëjnë ata gallatë 24 në 24 orë vëzhguar nga kamerat, nuk na bëjnë! A zihen ata me njëri-tjetrin për kotësirat e kotësirave? Jo. E po kush ua ka fajin. Një çikë palaçio, sa për  lojë, nuk i bën dëm askujt…

Intimidim. Edhe kjo është një fjalë e huaj e fjalorit tipik bashkëkohor “shqiptar”, atij politik. Gjysma e parë e saj “intim” nuk do të thotë se bëhet fjalë për diçka intime mes dy personave që debatojnë fort, që zakonisht janë individë të sferës së lartë. Sa për ilustrim, kur një deputet i opozitës kritikon një ministër për afera korruptive, ky i fundit për t’u mbrojtur (duke u hequr i viktimizuar), iu kthehet kritikuesve të tij: mos më intimidoni, shtrëngoni, dhunoni psikologjikisht, që të pranoj atë për të cilën ju më akuzoni pa baza etj.

IPARD II dhe III. Më e reja fjalë e huaja e “shqipes” sonë bujqësore, rurale, ministrore, politike, që na vjen jo nga ndonjë fermë europiane, por nga vetë Komisioni Europian, që ndan fondet, grantet, buxhetet, domethënë paratë për projektet e qeverisë shqiptare në formën e ndihmës, që kësaj here na i paska ndaluar 112 milionë euro, ngaqë nuk paskemi administruar mirë ato të mëparshmet. Thënë ndryshe nuk kemi mbjellë e korrë si duhet me paratë që na janë tash 9 vite, ndaj nuk na dhënkan këto të tjerat. Bota sheh e shkruan, po nuk e bërë katin e parë, nuk të jep lekë për katin e dytë e të tretë, pasi ajo nuk i bën punët në ajër. Ja, kështu duhet të jetë kuptimi i kësaj fjalë të huaj “shqipe”…

Procesionare. Është veçse një krimb shkatërrues, kanceri e pishës së zezë, thoni po deshët dhe tenja, vemja, larva, që zhvillon një “proces” që nuk e ndalon askush. Qeskat e saj mund t’i keni parë kur keni shkuar në masivet e pishave, të cilat nën brerjen e këtij insekti të tmerrshëm marrin ngjyrë të verdhë. Quajeni dhe verdhëza e pishës. Por rrallë e tek mund të kemi parë punonjës të pyjores duke i spërkatur pishat me ndonjë preparat mbytës. Fundja ne nuk jemi trembur se mund të mbetemi pa pyje, kur iu kemi futur vetë sëpatën e sharrën, jo të trembemi nga një krimb i pabesë, që në të vërtetë bën kërdinë. Pikërisht se qeveria nuk trembet hiç se mos kjo proçesionarja arrin deri aty sa të na lërë pa pyje, ky dëmtues nuk është përmendur asnjëherë nga ministrat e arave dhe pyllit, oh, ministrat tanë gjithnjë kanë punë shumë më të mëdha se sa të merren me krimba e karkaleca…

Post scriptum: Këto ishin vetëm disa nga fjalët e huaja, që shqipja jonë i ka “shqipëruar” pa vullnetin e saj, por të qeveritarëve etj. Herë tjetër kemi folur për dashurinë e madhe që kemi për botën, duke iu vënë emra amerikanë, anglezë, francezë etj. bareve, hoteleve, floktoreve tona, lë pastaj ndërtimin e kullave “dubaitiane” në Tiranë apo Durrës… Ku është e keqja këtu? Nuk jemi më vend i mbyllur, që iu vinim hoteleve vetëm emrat: Shkëlzeni, Taraboshi, Korabi, Butrinti, Driloni, Sazani etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok