06/10/2024

Fragment nga romani ”Mbretëresha Olimpia”

Nga Resmi Osmani

….Po afronte agimi, yjet po shuheshin një e nga një, por nata ishte ende pisë e zezë..Olimpia e lodhur ,por jo fuqiprerë, u ul në poltronën e lartë dhe ia nguli sytë të birit.E dinte se si nënë që dhuronte jetë, ishte e dhimbshme dhe panjerëzishme edhe për të, ajo që do t’I thoshte dhe kërkonte tyë birit. Edhe pse nuk e dëshironte, froni do të lahej me gjak.Do të shuheshin jetë njerëzore.Përderisa marrja e fronit ishte luftë, në luftë ka edhe të vrarë. Çdo fitore ka çmimin e gjakut.Nuk ishte për faj të saj as të birit. Kështu kishte qenë gjithmonë, mbret pas mbreti.

-Që nga ky çast ti je mbreti i Maqedonisë.I paracaktuari ke qenë qysh kur u ngjize në barkun tim. Me këtë synim e shpresë të kam rritur e përgatitur. Erdhi koha. Më parë nga sa e prisja. Ky është vullneti dhe e thëna e zotave. Ngulite mirë në mendje. Para se të shpallesh mbret, ke para vetes luftën për fronin. Është e përgjakshme, por për aq sa i çmueshëm dhe i lakmuar është froni i Maqedonisë, ai gjak duhet të dedhet. Kështu ka qënë gjithmonë. Gjaku forcon dhe karfos rrënjët e sundimit në truallin e mbretërisë.

Aleksandri po e dëgjonte. Ishte gjithë sy e veshë. Nëna veç po i shtonte vendosmërinë, që atij nuk i mungonte.Në atë natë të zezë kukuvajkat këlthisnin në hatullat e pallatit, qentë angullinin përvajshëm, e ëma ndillte kob e zi në atë cabinet gjysmë të ndriçuar. Ajo që po dëgjonte dhe përjetonte ishte dtama tragjike për fronin e mbretërisë. Që të bëhëj mbret, lufta duhej fituar.

Olimpija vijoi të shtjellojë arsyet e saj:

-Që ti, biri im, të bëhesh mbret i Maqedonisë, duhet të mos bëjnë më hije mbi tokë tre vëllezërit linçestidë[1], princi Aminta[2],, Kleopatra, nusja e urryer e atit tënd bashkë me të bijën dhe gjeneral Atali i poshtër e intrigant. Sa për Arrideun[3], gjaku i tij nuk lipset, e kanë vrarë zotat!

Aleksandri po e dëgjonte të ëmën i tronditur.Ajo e kishte marrë vendimin. Ishte hakmarrëse si Medea[4]. I dukej sikur ajo me frymëzim gati hyjnor, si një orakull, e bindur për drejtësinë e asaj që duhet të bënin, i shqiptonte dënimet me vdekje fare e qetë, si të bëhesh fjalë si në ca ftesa për në gosti.

-Por nënë…..

-S’ka por! Ose do t’i vrasim, ose do të na vrasin.Sy për sy e dhëmb për dhëmb. Ose ne, ose ata. Pa mëdyshje, pa pendesë, pa keardhje, qofshin burra, gra apo fëmijë! Zemër bir.Rruga e fronit duhet pastruar nga ujqërit që kanë zenë pusi. Udhë të mesme nuk ka!

-Princi Aminta, është martuar me motrën tonë, Kinanën.

-Mos ki gajle, le të mbetet vejushe.Do të derdhë ca lot dhe do ta harrojë. Do ta martojmë me një tjetër burrë, me një mbret!

Pas një heshtje të shkurtër erdhi urdhri që nuk duronte kundërshtim:

-Thirr komandantin e gardës trakase dhe urdhëroje të dërgojë ushtarët për të bërë detyrën. Jepi listëne emrave. Që tani. Nesër çdo gjë duhet të jetë në vendin e saj-tha ajo dhe shkoi të bënte një sy gjumë, po qe se vërtet mund të flinte….

*   *  *

E gjithë Maqedonia u trondit nga ngjarjet e atyre ditëve. Në Ege[5], u vranë egërsisht dy vëllezërit linçestidë, përkrahës të princit Aminta, i treti që quhej Aleksandër mori arratinë. Në Pela[6], u vranë në shtëpitë e tyre princi Aminta III dhe nusja e re e mbretit Filip, Kleopatra me të bijën foshnje. Për gjeneral Atalin u dërgua në Azi, shoku i ngushtë i Aleksandrit Ekateu, bashkë me ca trupa të pakta gjoja për përforcimin e ushtrisë, por me urdhër për vrasjen e gjeneralit sapo të gjendej rasti. Ky rast u gjet dhe Atalin e vranë për tradhti dhe gjoja bashkpunim me persët.

Kurbanet ishin bërë. Rruga për në fron ishte e hapur. Mbetej akti i fundit. Shpallja dhe kurorëzimi i Aleksandrit, Mbret I Maqedonisë, do të bëhej nga Asambleja e Ushtrisë.

*  *  *

Në respekt të zakonit të vjetër të mbretëeisë, mbreti i ri, duhet të  miratohej dhe shpallej nga Asmbleja e ushtrisë. Me mbledhjen e asamblesë u morën shokët e ngushtë të Aleksandrit. Stadiumi i Pelas ishte mbushur plot. Kur Aleksandri i qarkuar nga shokët e tij dhe gjeneralët doli në krye të foltores, zhurma e zërave u platit.Princi do të fliste.

-Ushtarë trima, kapitenë e gjeneralë, burra të shquar të fisnikërisë! Ndaj me ju hidhërimin e thellë që na shkaktoi vdekja tragjike, mizore dhe e parakohshme e atit tonë, mbretit Filipi  II. Vrasësi, Pausania dhe bashkpuntorët e tij të përbetimit e lanë krimin me gjakun e tyre.Mbreti që e mbuloi vendin dhe emrin e tij me lavdi dhe e bëri Maqedoninë vendin më të pasur, më të fuqishëm dhe autoritar të rajonit, iu mor haku! Si bir i tij, trashëgimtar i ligjshëm, vij para jush, që jeni krahu besnik i armatosur i mbretërisë, të kërkoj kurorën dhe fronin mbretëror të Maqedonisë. Ju premtoj se do të shpie më tej fitoret dhe arritjet e Atit tim. Do tu prij drejt fitoreve dhe lavdisë ashtu si edhe ati im.Do të luftojmë së bashku që të ruajmë atë që kemi firuar me gjak dhe do të fitojmë si edhe tani kundër armiqve.Do t’i mbulojmë me lavdi armët tona. Unë do t’u prij dhe kërkoj që ju rë më pasoni. Betohem se do të përmbush me besnikëri detyrimet dhe ligjet, që në vend, për shtetasit e mi, të sundojë e drejta, nderi dhe rregulli.

Përsa thashë dhe premtova jeni dëshmitarë ju dhe Zotat!

Asambleja dëgjonte me vëmebdje. Pas princit e mori fjalën gjeneral Antipatri, që shquhej për fisnikëri, mençuri dhe trimëri. Ndër të tjera, ai i tha Asamblesë:

-Princi Aleksandër, është bir i ligjshëm i Filipit të II të Mqedonisë dhe gruas së tij të ligjshme, princeshës epirote Olimpi, pjesëtar i dinastisë Argeade, ngaku kanë dalë gjithë mbretërit tanë. Cilsitë e shquara, mençuria, dituria dhe trimëria, dëshmitarë të së cilës ju ishit në Keronea[7], e bëjnë të denjë të vërë mbi krye kurorën e mbretit të Maqedonisë. Le të votojmë.

Duart u ngritën lart dhe stadium ushtoi nga brohoritja ”Rroftë Mbreti”. Ushima e kësaj thirrje u dëgjua në gjithë qytetin. Antipatri vijoi fjalën:

Në emër të Asamblesë së Ushtrisë dhe popullit nën armë, princin Aleksandër, bir i Filipit II të Maqedonisë dhe Princeshës Olimpia të Epirit, e shpall mbret me titullin”Aleksandër i III, Mbret i Maqedonisë”, – tha këto, i vuri mbi krye kurorën e artë mbretërore dhe i dha në dorë spektrin e sundimtarit.

Asambleja brohoriste pa pushim dhe thitrrja “Rroftë Mbreti Aleksandër” dridhte ajrin.

Këto brohoritje ,jehonën e të cilave aq shumë e kishte pritur, i dëgjonte e lumturuar dhe zemër lehtësuar edhe Olimpia në pallatin mbretëror. Më në fund Zotat kishin dëgjuar lutjet e nënës, ia kishin përmbushur qëllimin e jetës, dëshirën e saj zhuritëse: I biri njëzetvjeçar ishte kurorëzuar Mbret i Maqedonisë.

Tiranë ,tetor 2010 – mars 2011.

 

[1] Tre vëllrzër nga familja princote e fisit ilir të Lynkestëve.

[2] Aminta, nipi I Filipit nga I vëllai.

[3] Arrideu, djali I Filipit me balerinën Filina.

[4] Medea, heroine e tragjedisë me të njejtin emër.

[5] Ege, Edesa e sotme, kryeqyteti I vjetër I Maqedonisë

[6] Pela, kryeqytet I Maqedonisë ne kohën e mbretërimit të Filipit dhe Aleksandrit.

[7] Keronea, emërvend ku u bë beteja kundër aleancës së qytet-shteteve greke.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok