23/12/2024

Lufta e Pengjeve dhe Ballkani si peng i luftërave

0
Mehmetaj-Lufta-Pengjeve

Nga Suadela Balliu, Kryeredaktore e Uetpress-it, Tiranë

Që ta njohësh luftën, në të vërtetë, duhet ta kërkosh nën lëkurën e viktimave dhe në sytë e ushtarëve.

Ushtarët e penës letrare të Gani Mehmetaj, janë edhe viktima. Viktima të një kauze artificiale. Therorë të një shteti artificial në gremisje.

Ata janë pengje. Pengje të besëtytnive, të frikës, të moskuptimit dhe urrejtjes për tjetrin, për fqinjin e dikurshëm kthyer në bashkështetasin më të pagjasë, me të cilin e kanë lidhur vetëm luftërat.

Lufta e Pengjeve  vjen si  përpjekje e shkrimtarit për të rrëfyer, gërmuar e ngacmuar plagë që shkojnë larg në kohë. Më larg se përpjekjet e Kosovës për mëvetësi, më larg se gjenocidet dhe spastrimet etnike ndaj shqiptarëve e madje, edhe më larg se projekti i shtetit federativ të Jugosllavisë.

Ngjarjet në roman lëvizin në kohën kur federata jugosllave nis shkërmoqet e luftërat në Ballkan ndizen sërish.

Ata që rrëfejnë janë tetë ushtarë, prej tetë kombësive të ndryshme, të veshur me një uniformë, atë jugosllave, dhe degdisur diku në humbëtirë. Siç shkruan autori, ata janë para mëdyshjeve halmetiane: të luftojnë për një shtet që po merr rrokullimën  apo të dorëzohen. Ata nuk mendojnë njëjtë, nuk e ndiejnë njësoj luftën, por kanë fat të përbashkët…

Në kazermën prapa diellit, në alpet sllovene,  nuk ndodh asgjë e njëherazi ndodh gjithçka. Shpalosen armiqësitë. Shpaloset pushteti i dhunës së një kombi, që është ndier gjithnjë më i epërm edhe gjatë projektit të bashkimit të sllavëve të jugut. Projekt i nisur herët si  Lëvizja Iliriane. Ndoshta nuk është rastësi që autori e ka pagëzuar me këtë emër protagonistin, përmes të cilit na vjen e gjallë dëshmia e luftës së gadishullit. Ndoshta edhe për të trazuar atë pretendim modern të sllavëve jugorë për prejardhjen nga banorët e lashtë, autoktonë. Një pretendim shumë më i hershëm i shqiptarëve në këto troje.

Për të dekriptuar armiqësitë mes kombeve – ata të mbledhur nën një çati pa themele të federatës socialiste – shkrimtarit i duhet të shkojë mijëra vite në kohë, atëherë kur gadishulli quhej Iliri.

Ashtu si  shokët e brigadës alpine, edhe Ilirjan Nikajn  e kanë dërguar në kazermën prapa diellit, me pahir, në luftën me armiq të paqartë. Armiku nuk duket askund dhe ata nuk dinë kundër kujt luftojnë. Të gjithë të huaj, në një ushtri të huaj, në vend të huaj.

Gjuha e Gani Mehmetajt është pamore.  Meritë kjo edhe e përvojës si kineast. Përshkrimet e gjalla ia bëjnë të lehtë lexuesit ta ndërtojë sfondin e të ngrejë skenën ku luhet drama e tetë djemve të thjeshtë, të harruar aty jo prej ndonjë zoti idhnak pagan porse prej zotave të luftërave moderne, që luajnë fate popujsh. Libri është brumë i mirë për tekst dramaturgjik apo skenar i një filmi.  Ndoshta kjo është  në projektet e ardhshme të zotit Mehmetaj, i cili ka shërbyer për vite si drejtor i Kosova Film.

Zhvillimi dramatik i romanit të krijon përshtypjen se autori e ka ndarë enkas në dy pjesë të rëndësishme, ku kuptohet më mirë Ballkani para dhe pas federatës jugosllave. Rrëfenja i kapërcen dyzet vitet e sundimit të shtetit federativ.

Tetë personazhet e tij nuk janë të rastësishëm. Autori, arkitekt i veprës, i ka zgjedhur si arketipe të popujve të rajonit. Secili  ushtar bëhet kështu përfaqësues i gjithë mendësisë së kombit nga vjen. Gjuha e zgjedhur është e thjeshtë dhe është pikërisht ajo thjeshtësi që nxjerr në dritë, shtresë pas shtrese, historinë e gadishullit dhe famën e tij si fuçi baruti në mes të Europës.

Trillit letrar nuk i mungojnë faktet historike, që Mehmetaj i shpalos me saktësinë e një kronikani. Libri po ashtu është i  pasur me folklorin e popujve ballkanas.

Gojëdhëna, këngë e rapsodi për heronj që shquhen dhe lëvdohen në shekuj për trimëritë. Thënë ndryshe mbi mizorinë e karakterin gjakatar për të vrarë pamëshirë armikun, fqinjin.

Lufta për të cilën janë thirrur të luftojnë është për ta një nocion absurd, që u jehon prej lajmeve në radio. Por ngjallja e së kaluarës, nuk ka nevojë për armiq të huaj. Lufta dhe armiqtë janë vetë ata. Uniforma e njëjtë nuk i shoi dallimet e aq më pak i sheshoi paragjykimet e armiqësitë e vjetra. Përmes narracionit, autori shpalos bindjen se projekti i Jugosllavisë ishte jo vetëm i paaftë të sillte bashkëjetesë paqësore nën një çadër, por edhe i destinuar të dështonte.

I ndërtuar mbi një terren të rrëshqitshëm, mes popujve që identifikimin kombëtar dhe nacionalizmin e kishin zgjuar ndoshta edhe përpara krijimit të shtet-kombeve europiane me shpërbërjen e perandorive të mëdha, i ngritur mbi themele tragjedish dhe lumenjsh gjaku ishte i pashmangshëm edhe dështimi.

Bisedat e thjeshta mes ushtarëve shpesh merrnin tonalitetet e gjuhës diplomatike, për nga kujdesi për të shmangur fyerje me bazë nacionaliteti.

Aleancat e brishta, miqësitë mes tetë ushtarëve -Zorani, Franci, Ilirjani, Senadi, Stipe, Dimçe, Ishtvani dhe Bozho – shpalosin edhe se cilët kombe kuptoheshin diç më mirë me njëri-tjetrin e cilët jo. Koret e plagëve nuk mbajnë më dhe gjithçka hapet. Ata bëhen kështu të parët qengja flijimi, blatuar zotave të luftës. Nuk janë ata që e duan luftën. Atyre u është  mësuar  t’i friken tjetrit e ta urrejnë. Atyre u kërkohet të marrin armët e të shtien. Lufta nuk është e tyrja, por ata janë në mes të saj.

Zgjedhja stilistikore e shkrimtarit, për të bërë kapërcime të shpejta dhe të shpeshta nga koha e kryer në atë të tashmen, ia sjell lexuesit ngjarjet të gjalla sikur po kryhen ende. Kjo për të treguar se edhe pas tri dekadash, Ballkani mbetet zjarri i hapur.

Tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës janë kambana që trand se asgjë nuk është e qetë në gadishull.

Autori nuk i kushton vëmendje vetëm ecurisë dhe fateve të luftës, por zhvillon karakteret duke na bërë që përmes secilit personazh të njohim popuj.

Pjesa e dytë e romanit, e bën luftën konkrete. Terreni i saj është kaotik. Fushëbeteja është e gjithë harta e ish-Jugosllavisë. Të gjithë luftojnë kundër të gjithëve. Kështjella federative po shkërmoqet dhe të gjithë rimarrin shpejt rolet e vjetra, ku ngjan më e lehtë që popujt të jenë armiq. Kjo ngase, as Jugosllavia nuk e pat në vizionet e saj të sillte paqen mes popujve që kish mbledhur në vathë, ku disa kishin privilegje e të tjerët shtypeshin. E shkuara nxirrte malet me kufoma, zbulonte varret masive…

Ngjarjet zhvillohen vrullshëm si në një film aksion. Protagonistin e hedhin situatat nga njëra ushtri në tjetrën, prej  Sllovenisë në Kroaci, me ushtrinë serbe e deri në Bosnjë.

Autori shpalos, ndër rreshta, faktin kur tridhjetë për qind të ushtrisë jugosllave e bënin shqiptarët. Ilirjani bëhet dëshmitari dhe përmes syve të tij shohim tensionet në shpërthim në secilin shtet, sesi ushtria jugosllave tanimë kishte marrë divizat serbe. Ai provon në lëkurë tmerret e luftës, plagoset, burgoset, arratiset, dezerton. Autori e lë gjallë, duke e kaluar në situata me zgjidhje deux ex machina. Ilirjani duhet të jetojë  për të na treguar atë që ka ndodhur.  Do të kishte qenë më e thjeshtë për këdo narrator të zgjidhte ta rrëfente librin nga një kah, fjala bie nga ajo shqiptare. Është pikërisht këtu forca e penës së Gani Mehmetajt, që ngacmon dhe na sjell një qasje tjetër, të së njëjtës tablo lufte dhe gjenocidesh. Ndoshta gazetari brenda tij – dikur drejtues i gazetës Rilindja dhe  Bota Sot – e di rëndësinë e  të qenët neutral. Si shkrimtar është njohës i mirë jo vetëm i natyrës njerëzore, por edhe i specifikave etno-kulturore të secilit popull të Ballkanit. Që të jenë të besueshëm personazhet e tij duhet të kenë karaktere dhe gjuhë krejt të dallueshme nga tjetri. Përmes kësaj bëhet edhe më e lehtë të kuptuarit se nga burojnë armiqësitë dhe urrejtjet: shpesh nga paragjykimet dhe padija. Ballkani ndoshta mbetet rajoni, ku popujt njihen pak ose aspak mes veti. As gjuha e unifikuar, ajo jugosllave, nuk i ndihmoi në afro gjysmëshekulli të kuptoheshin dhe njiheshin.

Në epilog të romanit, Ilirjanin – ushtarin e ushtrisë jugosllave e gjejmë në Hagë. Një tjetër ngacmim ky me aktualitetin, ku sot ende liderë e ish-liderë të Kosovës, ish-luftëtarë të UÇK-së presin gjykimin në Gjykatën Ndërkombëtare. Ilirjani lirohet por jeta e tij dhe e të gjithë ushtarëve të brigadës alpine, nuk është më e njëjta. Në jetën publike të Kosovës, Gani Mehmetaj – një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reputacionin e një zëri që provokon e madje akuzohet edhe si përhapës i ndasive e përçarjeve. Në letërsi, ai jo vetëm e rrëzon këtë famë, por shkon deri në tolerancë… Na fton ta shohim historinë, gadishullin, madje edhe luftën, me sytë e tjetrit. Në këtë roman e shohim sa me sytë e shqiptarit Ilirjan aq me ato të boshnjakut Senad, serbit Zoran, dalmatinasit Stipe e kështu me radhë…

Ashtu si edhe në romanin tjetër të tij, Zogjtë e Qyqes, historinë tragjike të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve zgjodhi të mos e rrëfente me gojën e një shqiptari, porse atë të një koloni serb.

Librat e Gani Mehmetit kanë forcën për të trazuar ujërat dhe vijnë gjithashtu si një  ftesë për të dalë nga vetja e për ta parë luftën me të tjerë sy. Me sy pak më të afërt të ca ushtarëve të thjeshtë, që janë po aq viktima.

Ky lexim, ashtu si edhe vetë Historia tregoi se një projekt i tillë ishte i panatyrshëm, ku popujt as i kanë varrosur e as i kanë harruar armiqësitë dhe plagët mes veti. Një vrasje e paralajmëruar prej incidenteve të vazhdueshme mes Prishtinës e Beogradit i ngjalli frikërat e vjetra të gadishullit dhe shqetësimin e arenës ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok