LUAN KRASNIQI – KAMPIONI QË E KALOI RINGUN
Luan Krasniqi në ring, në një nga momentet simbolike të karrierës së tij
Një bisedë për sportin, identitetin, diasporën, humanizmin dhe jetën përtej fitores
Shkruan: Sadbere Emshiu, Hamburg
Një fjalë nga autorja
Ka figura që i përkasin një vendi, por që, me rrugëtimin e tyre, bëhen pjesë e një bote më të gjerë. Për mua, Luan Krasniqi është një prej tyre. Ai e nisi rrugën nga Kosova, u formua në Gjermani dhe u bë i njohur në arenën ndërkombëtare, duke e bartur me vete jo vetëm emrin e tij, por edhe një pjesë të identitetit shqiptar.
Në këtë kuptim, ai më kujton figurën e Muhammad Aliut: një sportist që nuk mbeti vetëm kampion në ring, por u bë simbol përtej tij.
E respektoj Luan Krasniqin për kampionin që u bë, por e nderoj edhe më shumë për njeriun që zgjodhi të mbetet.
Hyrje
Ka njerëz që sporti i bën të njohur. Ka edhe të tillë që, përmes sportit, bëhen pjesë e kujtesës së një brezi. Luan Krasniqi u përket të dyjave – por e dyta është ajo që e vendos atë në krye: jo vetëm si kampion që u ngjit në majat e sportit, por si njeri që la gjurmë përtej ringut.
Rruga e tij nga fëmijëria, kur ëndërronte të ishte në ring duke parë boksierët shqiptarë në ekranin televiziv, deri te majat e boksit ndërkombëtar, është një histori e ndërtuar mbi guximin, disiplinën, talentin, sakrificën dhe një besim të palëkundur te vetja.
Por kjo bisedë nuk është vetëm për boksin.
Është për njeriun që qëndron përtej sportistit. Për një djalë të ri që erdhi në Gjermani dhe gjeti në Rottweil një derë të hapur drejt ëndrrës së tij. Për trajnerët dhe njerëzit që i qëndruan pranë. Për fitoret që e ngritën dhe humbjet që e bënë më të fortë. Për diasporën dhe brezin e ri shqiptar që po ndërton identitetin e vet mes disa gjuhëve, kulturave dhe botëve. Për humanizmin, për fëmijët, për arsimin, për përgjegjësinë shoqërore dhe për besimin se suksesi ka vlerë të plotë vetëm atëherë kur mund t’u shërbejë edhe të tjerëve.
Luan Krasniqi ka qenë në ring, por jeta e tij nuk është kufizuar kurrë vetëm te ring-u.
Ai ka zgjedhur të vazhdojë të jetë pranë sportit, pranë të rinjve, pranë institucioneve dhe aktiviteteve humanitare. Sot, këtë lidhje me boksin e jeton edhe përmes nipave të tij, Ardianit dhe Arjanitit, të cilët kanë vazhduar rrugëtimin familjar në këtë sport.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse, kur flet për boksin, duket sikur nuk po kujton vetëm një periudhë të së kaluarës. Ai ende jeton me të.
Dhe, në fund të këtij bashkëbisedimi, mbetet një fjali e tij që e përmbledh më bukur se çdo përshkrim këtë lidhje të pazgjidhshme:
“Me këtë intervistë më kthyet në ringun pa duel.”
Është një ring tjetër tani.
Pa kundërshtar përballë.
Pa gong. Pa duartrokitjet e një salle që pret rezultatin.
Por me të njëjtin shpirt.
Sepse, përtej grushtit, ekziston njeriu. Dhe përtej ringut fillon ajo pjesë e jetës ku çdo fitore duhet të përkthehet në kuptim.
INTERVISTA ME LUAN KRASNIQIN
Luan, çfarë të shtyu fillimisht drejt boksit? Nga e more guximin dhe besimin e thellë në vetvete për të hyrë në një botë kaq sfiduese?
Luan Krasniqi: Para së gjithash, ju falënderoj për interesimin tuaj dhe, le të më lejohet që përmes jush t’i përshëndes të gjithë sportdashësit dhe, sidomos, dashamirët e boksit e simpatizuesit e mi, të cilët, kurdoherë, treguan dashamirësi dhe më mbështetën në rrugëtimin tim sportiv.
Sa i përket pyetjes suaj, ju them se sportin e boksit e kam dashur që herët dhe inspiruesi kryesor ka qenë i madhi Lah Nimani dhe djelmoshat e tij, boksierë të spikatur të atyre viteve, të cilët më fascinonin kur i shikoja përmes ekranit televiziv.
Që atëherë ëndërroja të isha edhe unë në ring dhe, me të arritur në Gjermani, u interesova për klubin e boksit në qytetin Rottweil, ku boksi kishte traditë dhe i kushtohej kujdes institucional.
Me aktivizimin tim në këtë klub, filloi e tëra për mua dhe me boksin.
Në rrugëtimin tënd, cilët kanë qenë njerëzit dhe vlerat që të kanë mbështetur më së shumti? Cilat ishin shtyllat e tua në momentet më të vështira?
Luan Krasniqi: Mos ta harrojmë faktin se unë erdha shumë i ri në Gjermani. Në Rottweil më pritën krahëhapur. Ishte trajneri Theo Kerekesh, ndjesë pastë, njeriu i mrekullueshëm dhe sportisti i përkushtuar, i cili më trasoi rrugën drejt boksit dhe sukseseve të mia. Pa të dhe ndihmën e tij, vështirë se do të arrija në nivelin ku isha, sepse ai ma krijoi bazamentin parësor të karrierës sime.
Por, edhe si rezultat i vendosmërisë sime dhe, me gjasë, vullnetit, disiplinës, talentit e përkushtimit, erdhën edhe sukseset motivuese në gara të niveleve të ndryshme.
Kur sot kthehesh pas dhe e sheh rrugën tënde, çfarë të duket më thelbësore?
A ekziston një çast që e ndryshoi drejtimin e jetës tënde?
Luan Krasniqi: Pa dyshim, pas sukseseve të njëpasnjëshme, si kurorëzim i angazhimit tim ishte pjesëmarrja në Olimpiadën në Atlanta dhe medalja e fituar atje – një krenari e veçantë e imja.
Ky sukses ishte bërthamor, sepse interesimi u shtua, fitova energji të reja, mbështetja ishte më e fuqishme dhe, natyrshëm, boksit iu përkushtova me përkushtim dhe vëmendje shpirtërore.
Edhe më impresionues ishte fitimi dhe, më pas, edhe rikthimi i titullit të Kampionit Evropian. Këto momente ishin më thelbësoret dhe ndër përjetimet më të veçanta të karrierës time.
Ti je ndër të rrallët që jo vetëm arritën majat e sportit, por edhe zgjodhën të kontribuojnë për të tjerët – në organizime, në këshillim, në mbështetje. Dhe, megjithatë, mbetesh i përulur.
Kush je ti në thelb, Luan Krasniqi?
Si arrihet të jesh i pranishëm në botë, pa u bërë pjesë e zhurmës së saj?
A ekziston një parim i brendshëm, një udhërrëfyes që të ka mbajtur të qëndrueshëm në këtë rrugë?
Luan Krasniqi: Bamirësia më fle në zemër dhe, i nxitur nga ky motiv, me kohë jam përcaktuar që, krahas sportit, konceptit humanitar t’i qëndroj pranë pa pretenduar që të bëhet bujë.
Ndonëse në aksione humanitare jam angazhuar dhe angazhohem gjithherë kur më krijohet hapësirë efektive, angazhohem me të njëjtin elan e energji sikur dikur edhe në ring. E konsideroj për nder kur më krijohet rasti që të bëj aq sa mundem për mirëqenien sociale të të përvuajturve. Këtë e kuptoj si të natyrshme dhe si detyrë njerëzore…
Sidomos angazhimi im për SOS Kinderdorfin, i cili ka bërë dhe po bën shumë për fëmijët dhe që është një institucion tejet serioz dhe i rëndësishëm. SOS Kinderdorf u mundëson fëmijëve që ka marrë në përkujdesje afërsisht atë jetë që do ta kishin në një familje normale. Andaj, jam krenar që kam mundësi që, përmes SOS Kinderdorfit, në formë proaktive, të jem edhe më tej në mbështetje të atyre fëmijëve.
Po ashtu, edhe për shkëmbimin e përvojave arsimore ndërmjet Gjermanisë e Kosovës, forcimin e lidhjeve të shkollave kosovare me ato gjermane, angazhimi ishte shumëdimensional.
Ndërkaq, luftimin e varësisë nga lojërat e fatit, vite me radhë e kam pasur synim dhe në qendër të angazhimit tim vullnetar. I gëzohem vlerësimeve të shumta se në këto angazhime dhe shumë të tjera, suksesi nuk ka munguar.
Ndonëse shumë veprimtari janë zhvilluar pa bërë zhurmë, siç thoni ju, motivi humanitar ishte dhe mbetet ai që më forcon në përditshmëri dhe ftoj të gjithë ata që kanë mundësi të bëjnë më shumë, sepse, duke vepruar me ndjenjën e humanizmit, jeta merr kuptim më të plotë.
Çfarë roli ka humbja në formimin tënd si njeri dhe si sportist? A ka pasur momente kur humbja të ka mësuar më shumë se fitorja?
Luan Krasniqi: Unë kam boksuar para së gjithash ngase boksi më bën kënaqësi. Spektatorët, ndërkaq, më jepnin gjithnjë forcë të veçantë me mbështetjen e tyre…
Synoja të ngadhënjej kurdoherë, sepse kështu dëshiroja që t’i falënderoj tifozët, të cilët tradicionalisht mbushnin sallat, kudo dhe kahdo që boksoja, si edhe armatën milionëshe të fansave që, përmes ekraneve televizive, i ndiqnin meçet e mia.
Por, përkundër dëshirës dhe synimit për fitore, ka ndodhur të më shoqëronte edhe mossuksesi në ring. Sporti është ai që ka fituesin dhe humbësin. Por, nga çdo humbje kam dalë më i fortë, me përvojë më të madhe, me një bazë edhe më të shëndoshë për meçin e radhës.
Prandaj, edhe ato pak humbje dueli kanë qenë mësim për mua dhe, pikërisht për këtë, unë dhe tifozët e mi kemi arritur një bilanc të shkëlqyer: 30 fitore në përpjekje të arritjes së titullit të Kampionit Botëror, pra gjithherë në meçe që zhvilloheshin në majat e majave të boksit internacional, dhe vetëm katër humbje.
Si e përkufizon sot suksesin? A ka ndryshuar ky kuptim nga fillimet e tua deri më sot?
Luan Krasniqi: Bazë themelore e suksesit është guximi. Guximi që shënon fillimin.
Në rrjedhën e kohës, varësisht nga vetëangazhimi dhe qëllimi, arrihet suksesi. Njeriu është i prirë që suksesin ta parapërcaktojë dhe kjo është dëshmi e synimit të shëndoshë që nga shkalla e parë e fillimit.
Të arrish sukses do të thotë të sakrifikosh. Dhe unë këtë koncept e kultivoj edhe sot e kësaj dite.
Asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen time sa i përket suksesit, të cilin e konsideroj finalizim të secilit planifikim.
Çfarë do t’u thoshe të rinjve shqiptarë në diasporë që kërkojnë rrugën e tyre mes sfidave dhe ëndrrave?
Luan Krasniqi: Sa i përket rinisë tonë, mund të them se është e shkëlqyeshme. Më gëzojnë sukseset e djelmoshave dhe vajzave gjithandej, të cilët po i shfrytëzojnë mrekullueshëm mundësitë që po u ofrohen në diasporë.
Sukseset e tyre janë pasqyrë e angazhimit dhe seriozitetit me të cilin e kanë fituar besimin dhe respektin gjithandej.
Prandaj, të rinjtë tanë sot, me profile të rëndësishme në të gjitha sferat, ndodhen ballëlart kudo.
Ëndrrat e baballarëve të tyre që bijtë të jenë të afirmuar në saje të punës me vlerë, po sendërtohen gjithnjë e më shumë.
Prandaj, duhet të vazhdohet edhe më me këmbëngulësi për arritje të reja në sport, po se po, por edhe në ekonomi, ndërmarrësi, kulturë e sfera të tjera jetësore, duke qenë krenarë për prejardhjen, por edhe mirënjohës për vendet e mundësive të jashtëzakonshme ku na janë hapur dyert e jetës.
A mendon se sporti ka një mision më të gjerë shoqëror? Si mund të ndikojë ai në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme?
Luan Krasniqi: Aty ku është sporti, aty është shëndeti, është fryma e shëndoshë. Është toleranca, miqësia, shoqërimi dhe vlerat më të shenjta njerëzore.
Sporti është paqe dhe dukuritë e shëmtuara nuk kanë vend në të.
Sporti duhet të masovizohet kudo. Trevat tona kanë shumë më shumë nevojë për sport dhe angazhim vullnetar në këtë sferë.
Shoqëria me sport të zhvilluar është me vlerë të jashtëzakonshme dhe në të manifestohen dimensionet më fisnike të civilizimit.
Prandaj, edhe sporti meriton më shumë mbështetje në të gjitha nivelet dhe format.
Në heshtje, larg publikut – kush je ti, Luan Krasniqi?
Çfarë e mban të fortë shpirtërisht një njeri që ka kaluar kaq shumë?
Në fund, ndoshta përgjigjet nuk do të jenë vetëm për sportin. Ndoshta ato do të jenë një kujtesë për të gjithë ne: se madhështia nuk qëndron te ngritja e shpejtë, por te qëndrueshmëria e qetë; jo te fitorja e një çasti, por te mënyra si e mban veten gjatë gjithë jetës.
Sepse, përtej grushtit, ekziston njeriu. Dhe përtej ringut fillon ajo pjesë e jetës ku çdo fitore duhet të përkthehet në kuptim.
Luan Krasniqi: Edhe pas kaq vitesh nga ndarja zyrtare prej boksit, jetoj me këtë sport. Këtë ma mundësojnë edhe nipat e mi, Ardiani dhe Arjaniti, të cilët po më fascinojnë me suksesin e tyre në boks. Jam tejet i lumtur që e kanë vazhduar këtë rrugëtim.
Kjo do të thotë se unë nuk kam pushuar me këtë sport. Përkundrazi, jetoj aktivisht me ta, edhe pse nuk paraqitem në ring.
Ushtroj me kënaqësi, si përfaqësues i boksit prezantoj në shumë organizime dhe manifestime dhe kjo më bën krenar. Nuk i kam shkëputur kontaktet me shkollat, me institucionet sportive, me organizata e shoqëri sportive, të cilat më kontaktojnë dhe më ftojnë në aktivitete.
Të gjitha këto më japin forcë të mëtejshme dhe nuk mendoj të largohem asnjëherë. Pa mendjen e shpirtin te sporti i boksit, frymimi im nuk do të kishte kuptim.
Dua të shtoj se u jam mirënjohës për interesin e treguar dhe, me këtë intervistë, më kthyet në ringun pa duel, sepse, kur pyetem për boksin, e kujtoj një periudhë ngazëlluese kohore që ia dhurova këtij sporti, që as tash nuk më lë të qetë.
PËRTEJ FITORES
Ndoshta, në fund, kjo intervistë nuk flet vetëm për një kampion boksi.
Flet për një njeri që e ka kuptuar suksesin jo vetëm si një medalje, një titull apo një fitore, por si përgjegjësi. Për një njeri që e ka mbajtur lidhjen me vendin prej nga vjen, ndërsa ka ditur të jetë pjesë e vendit ku ndërtoi jetën. Për një njeri që e ka përjetuar diasporën jo si një shkëputje, por si një hapësirë ku identiteti, puna, kultura dhe mundësitë mund të bashkëjetojnë.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e vërtetë.
Sepse ringu ka një kufi. Jeta jo.
Një kampion mund të dalë nga ring-u, por vlerat që ka ndërtuar aty mund t’i mbajë me vete gjatë gjithë jetës.
Luan Krasniqi duket se ende është në ring. Vetëm se sot kundërshtari nuk është më përballë tij. Është koha. Dhe ai vazhdon të ecë përpara – bashkë me të.
