13/12/2024

LOGATJA OSE SHNDRIMI I VAJTIMIT NË KËNGË

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Kam folur shumë herë për logatjen, por me qënë se te ky libër në kuadër të debatit mbi origjinën e këngës më duhet të shpjegoj  disa hollësi të shndrimit të vajtimit në këngë iso-polifonike (polifonike me iso, vençe, shumëzërrëshe) dhe trashëgimin e strukturës së zërrave të vajtimit te kjo këngë, këtu po e shtjelloj më hollësisht tezën e shndrimit të vajtimit në këngë.

Kemi thënë  e shpjeguar se kënga isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi me ligje, ose e thënë ndryshe, vajtimet (ligjërimet) mortore të nënave e motrave shqiptare janë burimi nisës i këngës isopolifonike. Sigurisht që ky proces është zhvilluar për një kohë të gjatë, por duhet theksuar se fillesat i ka në hershmërinë e jetesës në familje. Laboratori shpirtëror i popullit tonë, nëpërmjet një procesi (shpirtëror) trasformimi, ligjërimet e arrira si tekst e si vijë vajtimore duke i shndruar në këngë isopolifonike. Vetëm në periudhën e përsosjes së tij sipas këtij procesi, u krijuan këngë të reja isopolifonike me tekst të krijuar artistikisht. Procesi i shndrimit të  ligjërimit në këngë është një proces i gjatë kohor, ku teksti vajtimor është i pranishëm gati çdo çast (ashtu si në fabrika lënda e parë).  Kjo është e natyrëshme, nënat tona kanë vajtuar çdo ditë të jetës së tyre për bijtë e bijat e ikur para kohe.

I-Thamë se nënat vajtonin  në ditët e mortit në grup mortor, pra të rethuara nga gratë e tjera të fisit, fshatit dhe miqësisë, por  dhe ceremonia mortore ka nja afat: kalojnë të dyzetat dhe në shtëpinë e mortit vijnë  vetëm disa plaka të moçme që zënë e molloisin me të zonjën e shtëpisë, më shumë për ti larguar mendimet nga morti se sa për ta sqaruar historitë që rrëfejnë. E zonja e shtëpisë pret e përcjell me respect, por mëndjen nuk e ka te “mysafiret”, prania e përzishme e të cilave ja kujton më tepër gjëmën e freskët që kaloi, ndajë kjo “zë vajin”. Mysafiret i afrohen “me vaj në buzë” dhe kështu krijohet një grup mortor, por sigurisht më i vogël në numër se në ditët e mortit.

Në një kohë më të vonëshme, nëna e të ndjerit ndërsa vjen nëpër shtëpi sikur kërkon atë që iku, zë vajin e vetme. Është e natyrshme që nëna të vajtojë të birin “hënë më hënë”, por duke qënë e vetme, vajtimi vetëm me zërrin e saj i duket i “thatë”, ajo ka nevojë për “ndihmën” e grave që e shoqëruan në ligjërimin mortor, jo për

praninë e tyre fizike por për zërrin vajtimor të tyre, ndaj me zërrin e saj ajo “interpreton” vajtimërisht zërrat e tjerë  të grupit mortor. Ajo ka nevojë për zërrin që e “kthen” ligjërimin, për zërrin që e “hedh”  dhe sigurisht për zërrat rënkues të grave të tjera. Kjo bëhet me qëllimin e vetëm që vajtimi i saj vetmitar të jetë sa më i plotë për të ndjerin dhe sa më i “bukur”, sepse i bukur ishte dhe i miri  nënës. Gjithsesi nëna e shfryu “dufin” e shpirtit dhe ashtu e vetme në shtëpi. Veçse kjo nuk ndodh vetëm në shtëpi. Gjatë punës në kooperativat bujqësore kishte raste që një grua, e cila kishte patur një mort në shtëpi ta linte befas punën dhe të dilte në anë të parcelës, të ulej diku mbi një gur e të niste të vajtonte vetëm. Askush nuk e qortonte pse e la punën, askush nuk guxonte ti ndërpriste vajtimin veçse pas një farë kohe, kur e ndjenin nga tonaliteti i vajit se shpirti i gruas që vajtonte e kishte zbrazur ngarkesën e hidhërimit, i afroheshin një a dy gra të brigatës së punës dhe me fjalë të mira e ftonin ta linte vajin, që “dhe i ndjeri të flinte rehat”. Kjo nënë mund të vdiste duke e vajtuar të birin çdo ditë, por vajtimi i saj qoftë i ditës së mortit, qoftë dhe i më pasmi nuk harrohej.

II-Kohë pas  ceremonisë mortore, një pjestare ose një e afërme e familjes, gjatë një momenti kur qëndron apo ecën vetëm, diku në arë a në pyll, në një çast ligështimi shpirtëror i kujtohet i ndjeri dhe një tekst i goditur i  ligjërimit mortor, dhe natyrshëm i krijohet një ngarkesë në shpirt e ndjen nevojën që ta “zbrazë” këtë  gjëndje, ndajë nis e vajton tekstin që ju kujtua. Duke qënë e vetme, ajo nuk mund ta vajtojë sipas ritualit mortor ndaj e shoqëron tekstin me rënkime e psherëtima, të cilat janë në fakt zërat e vajtimit. Diku më “tejë” (në kohë)  pasi vajton psh gjysmën e tekstit vajtimor, gjysmën e dytë nis dhe e këngëzon, ndonëse këtë këngëzim sigurisht që e bën me nota dhimbjeje.

Në këtë proces, doza vajtimore është maksimale, ndërkohë që në një kohë të dytë kjo dozë vajtimore “shuhet” në vargjet e fundit duke ja lënë vendit këngëzimit, gjer sa arin momenti që teksti këngëzohet i tëri, sigurisht me një vijë melodike dhimbjeje.

Për ta thjeshtuar kuptimin e procesit, le të parafytyrojmë një urë që lidh dy brigje, ku bregun nga nisesh për  të hipur në urë e personifikojmë si “vajtimi” ndërsa bregun tjetër e personifikojmë me “këngën”. Distanca e urës që përshkon njeriu për të shkuar nga (bregu i) “vajtimit” te ai “i këngës” figurativisht është “logatja”, gjëndja e ndërmjetme mes vajtimit dhe këngës. Vija melodike e “logatjes” sipas kohës së “ngurtësuar” në melodi: ka nota të shumta vajtimi në nisje dhe minimum  nota kënge, ndërsa në “gjysmën e dytë” të “urës” kohore mbizotërojnë notat e këngëzimit karshi minimumit të notave vajtimore dhe kur “zbret” në bregun tjetër, “logatja” është e gjitha këngë. Në këtë stad muzikalisht quhet edhe “monofoni”. E rëndësishme është që të kuptojmë se në të gjitha fazat e logatjes këngëtari interpreton të gjithë zërat e vajtimit, të cilët janë zërrat e këngës (hedhësin, pritësin dhe ison) dhe jo vetëm marrësin, pavarësisht se tonaliteti i tyre është si nën zë.

Ky process  nuk “mësohet” në shkollë, ky process përjetohet në jetë. Besoj se e kini vënë re që, gati të gjitha ligjërimet mortore të vitit të mbrapshtë ’97 u shndruan në këngë iso-polifonike. Ju siguroj se të gjitha ato kaluan nëpër “urën” e “logatjes”, monofonisë.

Vjen një ditë dhe befas në një festë fshati apo familjare, një këngëtar i sprovuar i fshatit befas këngëzon në rolin e marrësit një varg, i cili të pranishmëve u kujtohet se ka qënë vargu i parë i një vajtimi të famshëm. “Qeparoi majë shkëmbi” nis një këngë qeparotase e cila në fakt ka qënë vargu i parë i një vajtimi për një kapedan. “U çkul oxhaku në grikë” nis kënga pilurjote e kapedan Zerbin Çakallit, por ne të gjithë e dimë se ky ka qënë vargu i parë i vajtimit të tij.

III-Në rraport krahasimi midis logatjes dhe iso-polifonisë  sqarojmë se: Kënga iso-polifonike muzikalisht është gjithmon më e bukur dhe më e arirë artistikisht se “logatja” (monofonia).  Për nga vetë natyra e saj “logatja” (monofonia) nuk është konkuruese asnjëherë  me këngën iso-polifonike, ajo  është fëmijëria e iso-polifonisë dhe duke qënë kështu,  nuk është as e drejtë dhe as e  llogjikëshme të kërkosh që: një fëmijë, i cili ndërsa është duke hedhur hapat e para të tij, bëlbëzon disa fjalë gëzimi me timbër melodik,  t’a krahasosh me melodicitetin e një artisti të sotëm të këngës iso-polifonike.  Suksesi i atij fëmije është hedhja e hapit të parë, artikulimi i fjalës së parë me nuanca muzikore, pa çka se më së shumti ajo fjalë është mbarimi i një të qari foshnjor.

Ky është një hap i vogël i fëmijës, ndërkohë që është një hap madhështor i artit oral, pse kalon  nga vajtimi te kënga iso-polifonike. Ky hap i vogël fëmije është “logatja”, e cila në vijën e saj melodike ka të përzier tingujt e fundit të vajit me tingujt e parë të këngës. Realisht dhe “teknikisht”  “logatja” është  hapi i fundit ”mbi urë”, duke zbritur te bregu i këngës.

Të krahasosh logatjen me isopolifoninë është si të krahasosh pikturat me motive gjuetie të banorëve të shpellave me Mona Lizën e Da Vinçit, të krahasosh kokat gjigande të Ishullit të Pashkëve me kokat e presidentëve amerikanë të gdhendura në Mount Rushmore, të krahasosh të pakrahasueshmet me epoka të tëra jete në mes tyre. Nuk mund të krahasohet  një foshnjë që loz me top në shtëpi një futbollist. Megjithatë themi se ai foshnja “është” fëmijëria e atij futbollisti të famshëm.

Për ta kuptuar logatjen duhet të kuptojmë kohën që e lindi. Logatja ka një “ngashmëri” me ninullën, nëna që këndon ninullë fëmijës mund të jetë artiste e këngës isopolifonike, por mbi djep ajo është vetëm nënë dhe zbret te bota e fëmijës e mërmërit ninullën. Nuk mund ti kërkohet kësaj nëne ta këndojë ninullën me grup isopolifonik mbi djepin e të birit.

Logatja mund të këndohet si këngë iso-polifonike në ambientet e këngës, ku  arin kulmin e përsosmërinë melodike nqse kjo këndohet nga një grup me përvojë, ashtu si çupkat e vogëla që arrijnë kulmin e bukurisë kur rriten e bëhen për t’u puthur nga djemtë e jo kur i puth nëna e tyre.

IV-Për nga vlera, të kënduarit e një këngë monofonike  është si të gjesh një monedhë antike të artë e cila veç vlerës monetare ka dhe vlerën historike e artistike,  që ja shumëfishojnë vlerën në rraport me një monedhë me peshë të njëjtë floriri të ditëve të sotme pse vetëm vlera e saj historike është një vlerësim më vete.

Kënga isopolifonike është kënduar gjithmon dhe është dëgjuar e vlerësuar nëpër koncerte e festivale, ndërkohë që logatja ka lehtësuar gjithmon shpirtin e mbushur me vrer dhimbjeje nga mortet e shpeshta të nënave tona. Ajo gjithnjë ka egzistuar, por ne “nuk e kemi pare”, sepse ajo shkonte kokë ulur rrugëve të fshatit, si një grua në zi. Tani që nëpër skena e ngjitin artistët si Roland Çenko, Erimioni Mërkuri etj. mahnitemi me bukurinë dhe njomësinë e saj, sepse është shumë e vështirë të interpretosh logatjen. Në qoftë se kënga iso-polifonike erdhi nga vajtimi duke kaluar nëpërmjet logatjes, për tu “rikthyer” nga kënga iso-polifonike te logatja duhet të njohësh çdo qelizë të këngës.

Logatja (monofonia)  nuk është kryevepër iso-polifonike, ajo është e qeshura e parë e “fëmijës” pas një vaji.

Sarandë,  tetor 2022- qershor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok