14/10/2024

Livia e Elvi Sidherit – ose simboli i Arbërisë në nji vajzë të shekullit 21…

0

Nga Gjergj Jozef Kola

Livia e lindur në vitet 80 e ndërsa po rritet në vitet 90 ka të gjitha hiret dhe goditjet e fatit si edhe ARBëNIA: Ajo asht jetime nga Nana dhe me nji babe plot vese, të alkolizuem që asht martue për së dyti për interes e aspak për dashuni, me atë që do të jetë me plot kuptimin e fjalës: nji njerkë për Livian. Ajo vuen në nji peshë të trefishtë!

Dashunia e vetme për Livian asht liria, e bukura, origjinalja, atdheu.

LIVIA do me thanë në shqip, Ullini, PAQJA e askush ma fort se kjo vajzë me njiqind talente e më shumë shuplaka të fatit nuk ka nevojë për të. Kur lexuesi ndjek fatin e Livias, hap mbas hapi të duket sikur po ndjek fatin e atdheut, të Arbnisë, qe sot quhet Shqipni.

Simboli i kapun nga Autori i ri, Elvi Sidheri asht i mrekullueshem, ashtu siç asht edhe vetë veprimtaria letrare e përkthyesit të talentuem. Ky simbol bahet aq i prekshëm e realist kur lexuesi shef ato rrugë të përditshme e fate njerzore të cilat autori duket se i ka prekë vetë me dorë e shkelë me kambë. Ruajtja e linjës së prindërve të Mamasë si nji forcë e pashtershme, gati transhendente e përditshme në fatin e Livias kallxon për thellësi e pjekuni te Autorit.

Në nënvetëdijen e njeriut, nimfa e krijimit asht gjithmonë femnore.

Elvi me stilin e tij e me simbolikën e fuqishme asht nga të paktit autorë të rij prozatorë të kryeqytetit shqiptar e ma ndej, që shkruen nji letersi të denjë, të fuqishme që padyshim do i rrezistojë kohës. (Ndryshe nga shumë prozatorë sot që shkruejnë për tema që nuk i njofin, përshkojnë shtigje që nuk i kanë rrahë e rrëzohen në sindromin e Karl Mayt.)

Qëndresa në karakterin e Livias përballë fatit tragjik të vllazënve e motrave të nji gjuhe, gjaku e kulture siç jane shqiptaret e Kosovës dhe mos rrezimi i saj në korrupsion apo në prostitucion kallxon se Shqipnia ka shpresë. Përçimi i frymës perëndimore në rroman, kundra anakronizmave e fanatizmit, kundra ideleve te kalbuna komuniste kallxon se brezi i ri që përfaqsohet nga Livia e Elvi Sidherit jep shpresë për të ardhmen.

Livia e Elvit asht nji pasqyrë besnike e kohës së tranzicionit e zhveshun nga çdo dogme e cila mund t’i tregohet me dinjitet botës si letersi shqipe…Ky asht nji nga të paktit romane që asht shkrue me nji STIL E ME NJI frymë; ndryshe nga shume romanciere sot që iu ndryshon stili disa herë e iu mbet fryma rrugës. (Ministrija e Kulturës duhet të marrë në konsideratë romane të tillë, t’i përkthejë e të ja rekomandojë botës se e nderojnë atë dhe atdheun tone…Mjaft ma me rekomandime e botime autorësh stilet e te cilëve jane të mbushun me fosile realsocialiste e nuk kanë forcë me e shkrue nji roman me nji stil e nji frymë)…

Elvi shkruen në standart, sepse kjo asht gjuha zyrtare që ka shkrue në shkollë dhe asht pikërisht gjuha që edhe Livia ka mësue në shkollën e saj, porse futja në një të ardhme edhe e elementeve toske në gjuhë dhe stil do e vazhdonte traditën e bukur të autorëve toskë shqiptarë si Naimi, Çajupi, Lasgushi, Asdreni…

Nëse Elvi asht sot nji shkrimtar mjaft simpatik e që premton në të ardhmen, kjo ndodh edhe falë autorëve të naltpërmendun, ndaj të cilëve ai ka si detyrim vazhdimin e pasunimit te gjuhës në përgjithsi e dialektit toskë në veçanti.

Ardhja e Livias në letërsinë shqipe i ngjan nji filizi të hollë porse të fortë e plot jetë i cili në fushën e përvëlueme nga realsocializmi përpiqet me dhanë jetë e gjallëni e lexuesin e mbush me nji frymë të re, të pastër e plot jetë.

Romani lexohet me nji frymë nga fillimi deri në fund e prandaj kush ka deshirë me mbushë „qoshkat e zemrës“ me ndjenja dhe mendime fisnike të turret sa ma parë e të gjejë LIVIAN në DY BOTË të Elvi Sidherit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok