13/12/2024

LIS  I  RRITUN  NDËR  TUFANE

0
Gjoke-Beci

= Në kujtim të poetit Gjokë Beci “Mjeshtër i Madh, me rastin e 84 vjetorit të lindjes” =

NGA VLASH PRENDI

Gjokë Beci, ky korife i këngës shqipe, sot do të mbushte 84 vjet. Lindi në fshatin Zajs të Mirditës me 30 korrik të vitit 1939. Pasi përfundon shkollën e mesme punon si mësues në Rrëshen, më pas ka punuar si drejtues kulture në institucione të ndryshme.Pas vitit 1990, u angazhua në Partinë Republikane dhe ka kryer funksionin e sekretarit të përgjithshëm në këtë subjekt politik. Ka shkruar këta libra me poezi dhe këngë:

“Kur zgjohen bjeshkët” – poezi,Tiranë 1969.

“Zambaku im” – poezi dhe këngë, Tiranë 1990.

“Qiell dhe dhe” – poezi dhe këngë, Tiranë 2004.

“Antalogji e shpirtit” – 1 – poezi dhe këngë, Tiranë 2009.

“Antalogji e shpirtit” – 2 – poezi dhe këngë, Tiranë 2009.

GJOKȄ BECI                          –     “Plis në luvër” – poezi, Tiranë 2013.

x                    x                     x

E kam njohur Gjokë Becin, kam diskutuar dhe shkëmbyer mendime, kam bashkëpunuar me të si mik, si shok, si krijues. Gjithnjë më ka pelqyer menyra e tij e komunikimit, zëëmbël, i thellë, i matur, kopetent. Gjithmonë i dashur dhe mehumor por i lodhur nga e kaluara, nga jeta. Njeri me vlera të padiskutueshme njerëzore që në çdo rast zotëronte bisedën, tavolinën. I vëmëndshëm dhe kritik ndaj fenomeneve negative. Këshillat e tij në fushën e krijmjtarisë poetike dhe folklorike ishin të vlefshme.

E kam ndjekur si krijues të qindra këngëve popullore të grupit Mirdita që së bashku me Viktor Gjikolën, strukturuan eposin e ri të Mirditës. Por krijimtaria e tij në këngën folklorike mbante vulën e popullit. Vite më vonë do të shperthente në një firmë të vetme, Gjokë Beci. Emër i bukur, tingëllon përmallshëm, si kënga e tij magjepsëse. E pata admiruar pa masë Gjokën – poet, kur para disa vitesh pata lexuar librin e tij të dytë me poezi “Zambaku im”, botuar në vitin 1990 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Madje më pati mbetur në kujtesë një vjershë e thjeshtë, e bukur dhe tepër domethënëse nga cikli “Nën kurorën e lisave” me titull “Jam lis…” ku thuhej:”…Që më njihni keni mijëra vjet,/Kam mijëra vjet që ju njoh,/Unë dhe kur digjem vetë,/Juve ju ngroh…”.Sikur ta dinte poeti si do t’i rriste brezat, do të frymëzontë krijuesit me krijimtarinë e tij të spikatur poetike. Kështu, binomi Naim – qiri dhe Gjokë – lis, sot frymëzon brezat për të ecur të sigurtë drejt së ardhmes.

Fillimet letrare i pati në rininë e hershme, kur pati botuar në vitin 1969 vëllimin poetik “Kur zgjohen bjeshkët”, ku pasqyroi jetën e vështirë të fshatit në ato vite të zymta, punën, njerëzit, problemet dhe shqetësimet e tyre. Ky vëllim shërbeu si prelud, si kredo për të kaluar më tej tek kënga popullore që autori e pati aq për zemër. Këtë kalim të butë e vë re edhe studiuesi Ndue Dedaj kur thotë: “…Duke iu drejtuar atdheut këngës së tij, poeti sikur kërkon të hedhë atë urë me këngën popullore, që më pas bëhet kredo dhe shqetësim për të…”.Në vitet që do të vinin emri i Gjokë Becit do të përmendej gjithnjë e më shpesh. Poeti do të merrte mbi vete barrën e rëndë të pasurimit të folklorit tonë me këngë, vargje, figura dhe nota të reja. Është Gjokë Beci ai që triufmoi, që vazhdoi rrugën e bukur të pasurimit të folklorit, duke ecur bindshëm në traditën e Fishtës, Naimit, Dines, De Radës dhe mjaft krijuesve të tjerë të këngës sonë folklorike dhe popullore. Kësisoj këngët  e tij do të jehonte dhe do të linte gjurmë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Vargjet plot zjarr, ritëm, melodi dhe pathos të mrekullojnë, të ngrenë shpirtin peshë, të ndezin zemrën zjarr dhe të mbushin me dashuri.

Këto momente përjetova kur lexova librat e tij të bukur “Qiell dhe dhe” dhe “Antalogji e shpirtit” në dy vëllime. Punë e bukur më shumë vlera dhe krijimtari e pasur ku derdhet shpirti i pasur i poetit Gjokë Beci. Gjoka është i veçantë në krijimtarinë e tij. Thjeshtësia, arti i derdhur në vargje, figurat e goditura letrare neologjizmat  e përdorura lënë mbresa të veçanta tek lexuesi. Nën penën e artë të poetit mirditor janë skalitur mjaft figura patriotike dhe atdhetare duke na i sjellë ata më të plotë, më të saktë, me trima dhe atdhetarë. Shihet kjo tek kënga e bukur dhe tepër e arrirë “Xhamadani i trimërisë”, sepse në këngë të tilla trimërie elementi tradicional i lartësimit të virtytit të trimërisë dhe burrërisë shkrihet me motive të gjëra atdhedashurie dhe merr jetë duke u afruar me epikën e mirëfilltë historike. Figura të tilla, pena e poetit tonë të madh  i kthen në mite, heronj legjendar në shërbim të lirisë, atdheut dhe popullit të vet, sepse çdo varg i tij është një histori më vete, është një ngjarje, është një dhimbje apo heroizëm i pashoq. E kështu, vargu dhe kënga e tij të emocionojnë, të rritin, të japin shpresë.

Ka një jetë të tërë poeti që krijon. Pena e tij nuk u sos kurrë. Lindi në ditët e vështira të luftës, pikërisht në vitin 1939. Ishte vetëm katër vjeç kur i çlirua atdheu i tij i dashur, prandaj e njeh mirë historinë, vuajtjet dhe shqetësimet e popullit. Dhe këto përjetime ai i ka mishëruar në këngë, prandaj kënga e tij është e bukur, e ndjeshme, jetësore dhe reale. Prandaj vargjet e tij janë të goditura dhe na ngrenë zemrën peshë ku i dëgjojmë të këndohen nga zërat tanë më të njohur dhe brilantë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni etj. Prandaj këngët e Gjokës këndohen me shumë ndjenjë dhe dashuri nga këngëtarët tanë të njohur Mark Gjoka, Vaçe Zela, Gaço  Çako, Ema Qazimi, Fran Vorfi, Arif Vladi, Sabri Fejzullahu, Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri etj. Kjo sepse krijimtaria folklorike e Gjokë Becit ka arritur shkallën më të lartë të shprehjes së karakterit kombëtar dhe popullor, ka çimentuar përvojën dhe bashkëjetesën tonë etnike dhe heroike, sepse siç thotë edhe prof.Alfred Uçi “…Tradita folklorike kryen funksione të rëndësishme, duke i bërë të qëndrueshme tiparet që karakterizojnë krijimtarinë kolektive të popullit tonë dhe duke siguruar ruajtjen, zgjatjen në kohë dhe riprodhimin e tyre. Ajo bën të mundur edhe akumulimin e organizuar të përvojës estetike të popullit edhe proceset e transmetimit dhe trashëgimit të saj nga njëri brez në tjetrin”. Kjo ka shërbyer ndoshta si apostulat në krijimtarinë e “Mjeshtrit të Madh” Gjokë Beci.

Krijimtaria e tij është e shumtë dhe e gjithanshme, me larmi tematike dhe artstike, me qindra figura, fenomene dhe bukuri të skalitura me mjeshtëri të rrallë. Ndue Dedaj, me të drejtë vë re se “…Qëndresa proverbale e shqiptarit do të vijë dhe do të bëhet kryemotiv i vjershërimit të poetit, gjithmonë përmes zbulimesh të reja përshtatjesh, fryt i një kërkimi të vazhdueshëm dhe i një angazhimi serioz”. Kështu ka vazhduar poeti edhe në librat e tjerë, pa e ulur ritmin, nivelin patriotik dhe vlerat. Kush nuk do të entuziamohej dhe ndjehej krenar kur dëgjon këngë të tilla si “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Xhamadani i trimërisë”, “Dasma e Kamber Roshit, “Jam Kosova e Shqiptarisë”, “Për liri s’të fal shqiptari”, “Jam Gjin Pjetri i Kurbinit”, “Dasma kosovare” etj. Në këto këngë që u bënë hit pë periudha të ndryshme kohore, zotëron rrëfimi epik, përshkrimi i saktë dhe objektiv, por edhe lirizmi i thellë që shpesh arrin një shkallë të lartë finese dhe ëmbëlsie tingëlluese, arrin të madhërishmen. E Gjokë Beci, të befason me ritmin dhe melodinë e vargut me tematikën dhe sfondin shpresëdhënës poetik. Ka ndjeshmëri të theksuar poetike si në këngët patriotike ashtu në ato lirike, sepse e sundon mprehtësia e vëzhgimit, interesi dhe shqetësimi poetik. Tematika, tonet, ngjyrat poetike tregojnë se poetit i bën përshtypje çdo ndodhi në realitet. Ai mahnitet, entuziazmohet, shtanget, hidhërohet dhe mrekullohet para një akti trimërie, para një ngjarje të rëndomtë, por edhe përpara një lisi, një shkëmbi, një luleje, një fluture, një fëmije, një përmendoreje, një flamuri të cilat i përjetëson në ngjarje dhe i derdh në art. Këtë e vë re edhe studiuesi i mirënjohur  Mark Marku i cili thekson se “Në pjesën më të madhe të poezive të tij gjallon një vetëdije historike e vënë në provë nga përvoja praktike e realiteti. Pikërisht për këtë arsye poeti të ngjan me një këngëtar të heroizmit, të jetës moderne…”.Ky realitet mund të pasqyrohet vetëm nga mendja dhe dora e këtij njeriu qe shkriu shpirtin e tij për këngën tonë të bukur.

Pena e Gjokë Becit nuk heshti,ajo punoi dhe jetoi.Çdo momento, çdo orë, ditë nxori xhevahire të reja, sepse kurrë nuk heshti. Gjokës, i punonte dora, i punonte mendja, i punonte shpirti. Kështu do të punonte gjithnjë poeti ynë i madh, sepse dhe poeti popullor do të shkruante për te: “…Pena jote prej platini, / Si e Fishtës dhe Naimit, / Ia ka qa hallet Shqipërisë, / Nëpër telat çiftelisë, / Dhe dy Fanat kur takohen, / Për Gjokë Becin shpesh kujtohen, / Ndalen pak dhe bisedojnë, / T’fala Gjokës sot po i çojnë, / Kënga jote përgjithmonë, / Ka me mbet mbi valën tonë, / Për vendlindjen ke një brengë, / T’pushoftë zemra veç me këngë”. Kjo kengë u krijua me rastin e ndarjes së tij nga jeta, prandaj po e jap të plotë për lexuesin.

 

T’PUSHOI ZEMRA, TUJ KËNDUE KANGË

 

= Poetit  Gjokë Beci  “Mjeshtër i Madh” =

 

Nëpër rreshtat e folklorit,

Ushton kanga e mirditorit,

Rrezaton si ylli i dritës,

Ai Gjokë Beci i Mirditës,

Nji kushtrim çon Lefter labit,

Lart mbi malin e Korabit.

 

Thërret Kosova me u dridh toka,

Hallet mija m’i qau Gjoka,

N’brez gjithmonë ka mbajt alltinë,

N’dorë ka rrokun çiftelinë,

Në mes gishtash ka mbajt penën,

Për Shqipni e ka shkri zemrën.

 

E lyeu penën n’gjak shqiptari,

Shkroi këto kangë me shkronja ari,

Ia lëshon zanin Taraboshit,

Krushku i parë i Kamber Loshit,

N’kulla t’moçme me frangji,

E ktheu pushkën n’çifteli.

 

Kur këndon biri i mirditorit,

Iso  mban mali Tomorrit,

Dridhet fort dhe palca e gurit,

Kur ia thotë dy fjalë flamurit,

Lëshon piskam biri shqiptarit,

Kur po del në buzë t’Valmorit.

 

Pena e tij 60 vjeçare,

Ka shëtitë trojet shqiptare,

Jehon zani e po dridh tokën,

Kangët e tij çudisin botën,

Nga Tirana në Prishtinë,

Ku lulëzon “Zambaku im”.

 

Vargje zemre,gjëmon trolli,

I këndoi dhe Mark Nikolli,

Ushton Deja, tundet toka,

Vaçe Zela dhe Mark Gjoka,

Ka lidh besë, siç e lidh burri,

Këndon Fran Preçi, Esad Bicurri.

 

Vitet ikin, ditët vinë,

Nëpër vargje zemrën shkrin,

Në k’to këngë që tundin djepa,

Këtij Gjokë Becit i’u sos jeta,

Është kjo jetë me shumë mundime,

“Rrjedh në këngë e ligjërime”.

 

Pena jote prej platinit,

Si e Fishtës dhe e Naimit,

Ia ka qa hallet Shqipërise,

Nëpër telat e çiftelisë,

Dhe të dy Fanat kur takohen,

Për Gjokë Becin shpesh kujtohen.

 

Ndalen pak dhe bisedojnë,

Të fala Gjokës sot po i çojnë,

Kanga jote përgjithmonë,

Ka me mbet mbi valën tonë,

Për vendlindjen ke një brengë,

T’pushoi zemra tuj këndue këngë.

VLASH PRENDI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok