08/10/2024

LIGJËRIM I IDEVE TË RRËFIMIT

0

Anton Marku “Duke pritur vetveten” Botoi “IWA Bogdani”, 2021. Prishtinë

Shkruan: Engjëll I. Berisha

Shkrimet që vijnë nga autorët, e që kanë bërë një copë jetë me krijimtari, nxjerrin raportin individual të krijimeve të tyre,  me jetën, sa të duket se është rrëfim personal, por në fakt ka shënjestër rrëfimin e jetës me situata sa shpirtërore, po aq e lidhur me vende dhe ngjarje të përgjithshme. Plejada e viteve të fundit, nuk ka mundur t’i ikë diskursit retrospektiv duke e përsëritur figurën e  identifikimit të jetës me shembuj e që bëhen raport si prodhuese e ideve dhe e motiveve. Motivi mbetët i njëjtë, sepse koha që jetuan ka prodhuar dukuri të njëjta.

Duke lexuar librin e autorit Anton Marku, me titull interesant “Duke pritur vetveten”, gati fund e krye paraqet konstelacion me idetë e tij përmes zhanrit dhe ideve shumë afër reales, me dozë idealizmash për kultin e jetës. Sikur të ishin shkruar brenda natës, të gjitha poezitë i zotëron në këtë frymë, e që për ta konsideruar të arritur një përmbledhje duhet ta ketë në një vijë komunikuese ligjërimin e rrëfimit në raport me fenomenet e përshtypjet që kemi. Jo se është “ligj” i poezisë, por, përmbledhja shkruhet për lexuesin për t’ía ofruar përqendrim të vëmendjes për diçka vizuale, apo impulsivitet të sistemit, sikurse të qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit në tru, me mendime të mira.

Sa çudi, nuk e di ndonjë strukturë tjetër ka për tendencë kaq shumë, sa poetët, ta kapin apo ta trajtojnë me kaq bindje argumentuese, se jeta ka diçka përtej asaj që mbajmë në duar, përtej asaj që na shikon syri. Sikurse që ngulin këmbë se e sotmja e ka bukurinë apo shëmtinë e vetë, edhe të nesërmen poetët e parafytyrojnë gati sa profetike ku shpirti e realiteti janë të lidhura me të vërtetën. Poezitë e Anton Markut, përforcojnë bindjen se nuk janë absolute as madhësia, as vogëlsia, sikur mëton ta mbrojë filozofia. A nuk na bind konstatimi i tij në poezinë “Pa kohë”, se koha është e zënë peng/ në përhumbjen e saj.

Leximet, frymëzimi që ka marrë, dhe jeta biblike që bën autori, e bën të shkojë përtej meditimit, duke paraqitur jetën, vdekjen dhe jetën a pasosur si ritual të pashmangshëm, apo si forcë e graviteti ku çdo gjë sillet rreth të bëmave, mëkatit apo dashurisë që ndjemë gjatë jetës. “Para Hyut/ mos dil duarthatë/ si një kufomë pa trup/ mos nguro të përqafosh mëkatet e tua/ uni yt nuk vdes”, poezia “Kambana”. Autori shkon përtej ideve, ai konstaton aq sa bën ligjërim e thirrje se graviteti janë ato që besojmë e që veprojmë, dhe se s’kemi pse frikohemi nëse substanca e jonë është unike, dhe nuk paraqet modus falsifikues. Atëherë, edhe para Hyut dil shlirë, je i pastër. Kjo është thirrje njerëzore, është universale për t’i shpëtuar kontroverses që na ndjekë kaq shumë.

Anton Marku, ka një ngrehinë me krijime të tija për kaq vite, duke e ruajtur shtrirjen e tij si një projekt për ta paraqitur rrugën kah shkon e ku ka synim, ai e ruan mendimin e tij, sikur thashë më lartë, jo vetëm ëndërrues, por edhe potencon nocione me të vërtetën, sikurse në çdo libër ka poezi për vdekjen si amshim dhe për jetën si sublim, e në mes të dyave kërkon rrugë shpëtimi. Këtë e bëjnë krijuesit që rriten duke besuar.

Asnjëherë nuk i shpëton çështja e një kolektivi njerëzor, pikërisht trungu prej nga vjen, për ta ruajtur identitetin dhe për të komunikuar me figura historike, me heronj, me personalitete që ua ruan emrin në poezi, për të mos mbetur vetëm në një ambalazh të politikës ditore. Mbase mërgata solli diçka të re te autori, kjo është tejet sipërfaqësore, përballë ndërtimit të shpirtit dhe perceptimit të bukur në udhëtimin e tij poetik.

Shkencëtarët e shekullit të fundit po nxjerrin konstatime se, – heshtja është pajtim me gjendjen ekzistuese. Andaj poetë si Antoni janë zë që nuk frikësohen, edhe pse sot kërkohet shkenca në natyrë, mendimi i tyre është ide në natyrë përmes artit, për të paraqitur burimet tona shpirtërore përballë proceseve globale që kanosin botëkuptimin e njeriut.

Përmbledhja më e fundit e Anton Markut, “Duke pritur vetveten”, i dorëzohet lexuesit me motivacion, për t’i eksploruar mundësitë e zgjidhjes së sfidave, na duhet një ndërtim i mirë shpirti, përballë makinacioneve që e drejtojnë jetën me derivat artificial.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok