26/12/2024

LIGJËRATA LAMTUMIRËSE (TESTAMENT) E AKADEMIK ESAT STAVILECIT

0
Esat-Stavileci

Nga Adil Fetahu

Profesorë, shkencëtarë, shkrimtarë, artiste, sportiestë e soji tjetër i njerëzve të mëdhenj, në raste të caktuara,  para  se të largohen nga  vendi, nga  profesioni apo para se të ikin nga kjo botë, kanë lënë  amanete e porosi  nga ma të ndryshmet. Dikush këto ua ka lënë më të dashurve të vet, dikush një rrethi më të gjërë, e dikush ashtu të përgjithshme.

Njëri nga profesorët më të shquar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, dhe jo vetëm  aty por edhe në përmasa  kombëtare shqiptare, akademik Esat Stavileci, pas punës 45 vjeçare në atë Fakultet,  para se të shkonte në pension, mbajti një ligjëratë lamtumirëse me studentët e tij. Ligjërata  është  sublimim i asaj që profesori  e konsideronte me rëndësi  për punë dhe sjellje në jetë, është  emocionuese dhe këshilluese, është testament.  Për  shkak të këshillave, urtësisë dhe mençurisë që përmban ligjërata, këtu po e ribotojmë të plotë, nga libri “GJURMËT E NJË JETE”. Ligjërata  mban titullin: “Në 45-vjetorin e mbylljës së karrierës pedagogjike”, ndërsa nëntiullin (Fragmente nga fjala përshëndetëse me studentët, më 8 tetor 2010). Ja teksti i plotë i ligjëratës së akademik Stavilecit:

“Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën,tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjës nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahëm prej jush, pa ju lënë disa porosi të jetës dhe të kohës.

Për 45 vjet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bënë vetëm atë që duhet të bësh, mos bënë atë që s’duhet të bësh!

E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjën. Kush e meriton lindjën, e ka më të lehtë vdekjën!

Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh. Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal! Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Është fat i madh të presësh të dalësh nga dera nëpër të cilën ke hyrë. Nga të gjitha dyert, më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat më të mirët janë ata që hapin të gjitha dyert. Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdorur çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar.

Pse po largohem?

Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh, se sa të të largojnë. Është pëlqyer një aforizëm imi: ne shqiptarët sikur nuk dijmë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën. Është mjaft nëse le pas vetes ata që mund të të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë Fakultet dhe dy asisentë doktorë shkencash në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë.

Kam cur nëpër një  rrugë të mesme, sepse shumë heret më kishin mësuar se mesi është i  artë.

Sot po përshëndetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet si, një ligjëratë lamtumirëse. Kush mban ligjëratë lamtumirëse, duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.

Lartësia e bjeshkës nuk matet me sy, por me këmbë. Në jetën time kam  ecur këmbë, që të mos më mashtrojnë sytë.

Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës së parë ka qenë: si pëlqeni, t’ju flas me gjuhën dhe  stilin e rëndë të juristit, që të më konsideroni të mençur, pa kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që t’i kuptoni të gjitha. Besoj se më kanë kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojnë.

Jeta është një mësim që mund të mësohet, por që nuk mund të porositet. Në shumë raste jeta I ngjan tregtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë.  Përfundimi del i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se sa me atë që kemi shpresuar.  E shpresa  është pasuria më e madhe e atyre që s’kanë asgjë. Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”; sa  të merresh me bijën, e harron nënën”!

Nuk e kam menduar se do të qëndroj kaq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barcoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë:  kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjetë vjet burgim, i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët: “falimnderës, nuk e kam ditur se do të jetoj kaq gjatë”!

Dyzetpesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të ushqejnë vetëm studentët. Falënderimi im është për ta.

Ti je ai që të tjerët mendojnë për ty, e jo ai që mendon për vetën tënde. Ju falënderoj nga zemra për konsidertën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja të provimit të fundit. Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e njëkolegës suaj, qe cila kishte shkuar në fund të testit të provimit: “Jam …vjeçare, do të ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që ligjëroni më gjatë dhe të jetoni më shumë”!

Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën. Askush nuk ka mësuar të vrapojë, para se të mësojë të ecë. Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: “step by step”!

Ardhmërinë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny. Po të ishte kështu, të githë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë. Në jetë duhet të kërkosh shumë, që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund të mos jetojë”!

Të ecësh me kohën, do të thotë të ecësh përopara dhe të mos kthehesh prapa.Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar? Jam përpjekur të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja.

Ne më shumë duam sesa bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta na mbetet borxh për atë që nuk bëjmë.  Sillemi padrejtësisht ndaj jetës.Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen  e tyre.

Ambicja më e madhe e rinisë është të mos iu ngjajë gjeneratave të mëparshme, por që t’i vjelë të mirat e tyre.

Mos  synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet. Kujdes, se edhe budallenjtë bëjnë garë se kush është më budalla se tjetri. Edhe ata bëhën rresht dhe u prinë budallai më i madh.

Mundimi  më i madh vjen nga mundimi me fjalët. Të flasësh, apo të heshtësh?  Por, asnjëherë mos hesh kur duhet të flasësh, ndërsa përherë hesht kur nuk e ke fjalën. Njerëzit flasin shumë, sepse fjalët i kanë  falas. Por, fol tamam. Mos u tremb prej atij që flet shumë, por prej atijqë mendon shumë. Aftësinë nuk mund ta fsheshësh, si dielli pas kodrës, por në mungesë kujdesi – mund ta ndotësh.

Njerëzit duhet t’i frikësohen kohës kur majmunët mund të turpërohen se ata e kanë prejardhjen prej tyre!

Shoqërohuni me të vjetrit e të diturit, se mund të mësoni më shumë, por mos u shisni  mend të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj.

Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punën time ta përshkojë ndershmëria; punës së ndershme nuk i duhet drita  edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë. Është një mendim i artë:  “Nuk gabojnë vetëm ata që nuk punojnë”!

Në jetë nuk duhet të lejosh të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh  fërshkëllimet. Unë po iki përpara se të “shurdhohem”. Nuk kam pëlqyer që të dashurohem në vetveten. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe. Kujdes:  asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë. Asgjë nuk i kam mësuar të tjerët, para se ta mësoja vetën time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.

Në jetë kam pëlqyer të mos prishëm me të tjerët, pa ua ndaluar të  tjerëve që  të prishën me mua. Është nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.  Thuhet se njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit.

Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Është politikan i mirë vetëm ai që bënë gjumë të rahatshëm.

Profesion më të miëe kam konsideruar atë  që të mësosh të tjerët ato që ke mësuar për veten.  Përherë kam konsideuar se është më lehtë të pyesësh, se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por  edhe më kanë yetur më shumë.  Kam parapëlqyer përgjigjet figurative.  Kur më kanë pyetur për procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, jam përgjigjur se procesi  do të jetë më kompleks se që po paraqitet; më i vështirë se që po mendohet; dhe më i gjatë se që po parashikohet.  Jemi vonuar shumë me proceset zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vrarë mendjën se më mirë se me duar të hueja ndërtohet me duart tona.  Kemi hedhur hapin pa e fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Jemi lëshuar në vrap pa peyetur se ç’vlerë ka të vrposh, nëse je në rrugë të gabur.

Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarrje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci, përgjigjesha me këngën e Ardit Gjerbea: “Ja ku jam”! Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha, “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzë : “Jo nuk ndahet Mitrovica”! Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha: “Nuk vendoset karroca para kalit”. Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej:  që drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar. Kur më pyesnin, kur do të bëhet mirë për Shqiptarët, përherë kam thënë: “nesër”. E nesërmja është e jueja dhe mos ia falni askujt tjetër!

Heret e kam kuptuar se koha është vëtetë ar. Planifikoje kohën, sepse vetëm me kohë fitohet koha! Mos harro se ora nuk është vetëm për ta mbajtur, por edhe për t’iu përmbajtur.

Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjëri, sepse doja të jem me të gjithë. Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më heret e dikush më vonë.

Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësinë. Më kanë thënë, pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shum; jam përgjigjur – pëkërisht për atë. Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa kur drejtësia shtrembërohet. Ndërgjegja e pastër e juristit ia zbardhë fytyrën drejtësisë; juristi duhet për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, sikur që e lanë fytyrën.

Për disa procese poitike jam mbajtur i rezervuar. I jam përmbajtur thënies kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj, edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan – mos e nënshkruaj. Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshin, mos iu beso.  Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh. Urtia popullore thotë: kush ia di rendin heshtjes, ia di edhe rendin e fjalës. I vetmi  njeri që nuk e mban fjalën është ai që nuk e jep! Fjalën  publike e kam mbëshetur në argumente. Argumenti shtë sikur bora: sa më butë që bie, aq më shumë zë vend. Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet si pessimist. Po cili shtë dallimi midis optimistit dhe pesimistit? Përherë kisha një përgjigje për këtë: otimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantaollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat.

Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën. Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?  Jam përgjigjur shkurt:  Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë:  në Shqipëri për ta mbajtur shtetin, në Kosovë për ta bërë shtetin. Kam tërhequr vërejtjen: shteti nuk është mall që shitet në treg.

Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatis këtë ligjëratë?

Shkurt: tërë jetën!

Mbani mend: të vdesësh i ndershëm është më shumë sesa të jetosh i ndershëm. Dhe po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bëni vetëm atë që duhet të bëni, mos bëni atë që s’duhet  të bëni!

(Nga libri: Esat Stavileci: “Gjurmët e një jete”, fq.651-658). Zgjodhi për ju: Adil Fetahu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok