01/05/2026

LIBRA DHE ERRËSIRË NGA ERNESTO SABATO

0
Zhiti-Sabato

Nga Visar Zhiti

Ka shkrimtarë që lexohen për të hyrë më thellë në errësirën dhe dritën e njeriut, pra, të njerëzimit, po mendoja.

Ernesto Sabato është njëri prej tyre. Ai shkruajti për ato realitete, ku njeriu përballet me frikën, fajin, vetminë, ankthin, vetveten…

Diti të tregojë errësirën dhe traumat që ndodh të mos e dinë që i kanë, me të cilat gabojnë dhe të tjerë e bëhen të dëmshëm…

Po unë veç desha të them se ai sot mbush 15 vite që është larguar nga kjo jetë dhe desha të risillja diçka nga universi i tij, që lidhet dhe me ne.

Tashmë e dimë që shkrimtari argjentinas, Ernesto Sabato, ndër më të shquarit e letërsisë botërore të shekullit XX, kishte origjinë arbëreshe nga ana e nënës (babai italian), prandaj dhe kishte dashur të vinte në Shqipëri, të shihte malet, pengu i tij…

Dhe erdhi. Dha dhe intervista. Në librin e tij “Para fundit”, tregon:

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë të parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur. Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. […] U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi… në atë vend, sot përsëri në luftë…”

Ishte para vitit të çmendur ’97. S’dihet ç’parandjeu, por kujtoj që, kur iu dorëzua në Presidencë në Tiranë titulli “Nderi i Kombit”, Sabato tha:

“Demokracia më e keqe është më e mirë se diktatura më e mirë. Por më thoni, a ka diktaturë të mirë?”

Jo, asnjëherë, shkrimtar i dashur!

Atë trallisje e gjejmë dhe në librat e tu mahnitës, janë dhe në shqip, përkthyer mjaft mirë, me shpirt…

Maestro,

nuk është shuar zëri juaj i butë e i thellë, është bërë më i qartë. Si një porosi e vyer… Errësira që na japin nuk duhet shmangur, por kuptuar dhe përballuar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok