21/12/2024

LIBËR MONUMENT I FATEVE DHE  VUAJTJEVE TË FEMRAVE SHQIPTARE

0
Shukrije-Rama-Fati

(Shukrije Rama: ‘MOS  PAÇ FATIN TIM – rrëfime të njëmendëta’, Prishtinë, 2023)

Nga Adil FETAHU

Vet titulli i librit ‘Mos paç fatin tim’, sugjeron se përmbajtja do të shpalosë vuajtje, sakrifica, dhembjeve,  fatkeqësi të personazheve  të përfshira në libër.

Në të parë, kur e lexon vetëm titullin e librit, lexuesit mund t’i shkojë mendja se është fjala për ndonjë autobiografi të shkrimtares, apo biografi të një personazhi të caktuar. Por, sapo ta shikosh/lexosh përmbajtjen e lëndës, me emrat e personazheve dhe temat e formuluara, sheh se bëhet fjalë për fate të personazheve reale, të zgjedhura nga autorja. Dhe kur i bie në funt leximit të librit, i shtron pyetje vetes, si ka ardhur autorja deri te zbulimi i rasteve, për të marrë e regjistruar rrëfimet e personazheve. Rrëfimet e tyre i jep në mënyrë autentike, pa i zmadhuar, pa i stilizuar as hiperbolizuar vuajtjet dhe sakrificat, madje të shumtën me gjuhën e rrëfyeseve.

Personazhet janë reale, me emra e mbiemra të përveçëm dhe të gjitha personazhet kryesore janë femra shqiptare, nga fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës.  Koha është kryesisht koha e re, nga lufta e fundit (1998 -1999) e këndej, por   ndonjë mund të jetë edhe më e hershme.

Thuhet se leximin e librit duhet bërë me aq përkushtim e ndjesi, sikurse autori që e ka shkrua. Dhe, po t’i përmbahesh kësaj maksime, duhet ta kesh ‘’zemrën prej guri’’ që të mos ndjesh dhembje dhe emocione për fatet, vuajtjet, dhembjet e sakrificat e personazheve të përmendura në libër. Sepse, ato rrëfime nuk janë trillime letrare artistike, janë rrëfime për ngjarjet reale, vuajtjet, dhembjet e përjetuara të grave e vajzave tona shqiptare.

Është trishtues rrëfimi i Elhame Muçollit nga Poklreku i Drenicës, e cila përjetoi dhe mbijetoi tmerrin dhe masakrën e 53 njerëzve të vrarë të trungut familjar dhe të tjerë që ishin gjendur në shtëpinë e saj. Në mesin e atyre të vrarëve, të ngujuarëve në dhomë mbi të cilët hidheshin granata e rafale atomatikësh, u vranë edhe nëna, tri motra dhe dy vëllezër të Elhames. Kriminelëve serbë nuk iu mjaftua vrasja e masakra, po disa nga trupat i hodhën në bunar (në mesin e tyre ishte edhe poeti Ymer Elshani).

Peripetitë dhe përjetimet e Bajramshahe Jetullahit, e verbër vetë me gjithë burrin, të përzënë prej Kolivice deri në Bllacë e Stenkovec dhe Itali janë vuajtje që vetëm njeriu mund t’i përballojë.

Rrëfimet e aktores Elida Shasivari për vrasjen e burrit të saj më 24 mars 1999, viktimës së parë nga shumë viktima të krimeve serbe të kryera në masakrat, rrënimet dhe djegëjet në qytetin e Gjakovës. Ajo flet edhe për jetën, talentin, krijimtarinë e zhdukur  dhe veprimtarinë artistike, po edhe politike, burgosjen e vuajtjet, sikur dhe Hyrije Hana.

Është interesant rrëfimi i shkrimtares Adelina Mamaqit për fillimet e botimit të shkrimeve, të cilat i botonte me pseudonimin ‘’Burri’’, pasi atëherë nuk mund të botoheshin shkrime me emra të femrave. Për ta dekurajuar nga shkrimet, një shkrimtar i njohur i kishte thënë asaj: ‘’Shko mëso të gatuash e të qëndisësh, se nuk je për këto punë’’. Ajo flet edhe për jetën e vet të vështirë, qoftë në atdhe apo gjatë mërgimit në Itali, ku ka krye punë të rënda, për ta mbajtur familjen.

Kumrije Berisha, gruaja e dëshmorit Arif Ramë Berisha, mbeti me katër fëmijë të vegjël dhe me nënën e burrit, pasi Arifi u vra  më 24 maj1998.

Rrëfimet e Miradije Ibrahimit, e bija e veprimtarit Vehbi Ibrahimit, të cilin UDB-a jugosllave e vrau në Bruksel (tetor 1981). Vehbiu ishte bashkëveprimtar me Emil Kastriotin, Hysen Terpezën e Enver Hadrin. Me rastin e vrasjes së Vehbiut, ishte plagosur rënd edhe nëna Miradijes, me një plumb në fyt e një në gjoks.

Melihate Hoxha, ushtare e UÇK-së, e quajtur Shota nga Damaneku, flet me dhembje shpirti për shoqen e saj Lulen, e cila u vra në kufi, bashkë me35 bashkëluftëtarë tjerë, ndërsa për Melihaten familja e saj mendonte se është vrarë në shtëpinë e saj nga aksioni i forcave serbe. Kur Melihatja u kthye në shtëpi më 15 qershor 1999, e gjeti vetëm një qengj për ta përqafuar!

Është i dhembshëm rrëfimi i shoqes-bashkëmoshatares së Elfete Humollit të vrarë nga policia serbe (më 1.2.1990).Treqint nxënës të Shkollës së Mesme të Medicinës në Prishtinë, shokë e shoqe të Elfetes, ishin organizuar të shkonin ë varrimin e Elfetes, por policia serbe  i kishte këthyer nga rruga e nuk i kishte lejuar të shkonin në vorrim.

Personazhe tjera reale, rrëfejnë për vuajtjet, peripetitë, sakrificat e tyre, qoftë në luftë me sëmurjen e kancerit (Albana Beqiri, Habibe Hoxha), qoftë nga shkaqe tjera si Aida së cilës një pijanec i ka kishte çarë kokën me shufër hekuri, ishte paralizua dhe kishte vuajtur me sa e sa operacione.

Ka në këtë libër rrëfimesh edhe të  personazheve tjera, të cilat rrëfejnë për vuajtjet e tyre, qoftë për shkak të zakoneve patriarkale e të veseve të mbrapshta, qoftë  për shkak të varfërisë, sidomos gratë e veja të mbetura me fëmijë të vegjël; gratë në familjen e burrave të cilët janë në gurbet; peripetitë e procesit të shkëputjes së martesës (Arjeta Gashi), së cilës iu deshën 22 seanca gjyqësore për t’u ndarë nga burri i saj.  Rrëfimi i dhimbshëm i Hamide Ramës, e martuar në moshën 15 vjeçare, me një burrë 40 vjeçar, e cila i kishte lindur 9 fëmijë, që pesë prej tyre: dy djem e tri vajza i kishte përcjellë për në botën tjetër. Është edhe rrëfimi i dy motrave binjake, të cilat deri sa vet ishin fëmijë (13 vjeçe) kishin lindur fëmijë. Etërit e fëmijëve të lindur, dashnorët e motrave binjake, nuk donin të ndienin për obligimet ndaj fëmijëve të tyre, ndërsa ato as nuk mund t’i regjistronin fëmijët në ofiçari, për shkak se në moshën e tyre nuk kishin letërnjoftime.

*

Fatet e personazheve janë rrëfyer me nuancat e tyre individuale, me gjuhën popullore, secila më e dhembshme se tjetra, që prej secilës do të mund të bëhej skenar për ndonjë film dokumentar.

Libri ‘’Mos paç fatin tim’’ , është një minihistori  që shtjellon shumë pamje e fakte të jetës private të femrave, në kushte e rrethana të një mentaliteti dhe kulture patriarkale; është klithja e protagonisteve po njëherit është edhe zëri protestues i autores Shukrije Rama, kundër pozitës nënçmuese e poshtëruese të femrës.

Vërtetë, nëse statusi dhe pozita e grave shqiptare në shoqëri ka avancuar shumë: në arsim, në punësim, në përfaqësim, në pikëpamje të barazisë ligjore dhe institucionale,- statusi dhe pozita e saj në familje nuk e ka përcjell këtë avancim në planin social-ekonomik, për sa i përket barazisë, të drejtave dhe dinjitetit të gruas brenda familjes.

Tragjeditë, vuajtjet fizike, shpirtërore, mentale dhe emocionale të protagonisteve të librit ‘’Mos paç fatin tim’’, janë një ‘’trezor’’ i temave për shqyrtim e korrigjim të realitetit. Dhe këto sakrifica e vuajtje sikur e vërtetojnë thënjën se: ‘’Nga goditjet e fatit, femrat lakohen, kurse burrat thyhen’’.

***

Biografia e autores: Shukrije Rama, e lindur në Prishtinë, ku kreu studimet dhe masterin për shkencat filologjike, aastaj ka krye specializime për fushën e bibliotekave dhe informacionit (në Barcelonë, në Boston dhe në Çikag), ondërsa në vitin 2010 mori titullin Doktore e Shkencave të Menaxhmentit (në Universitetin për Paqe të KB). Është e angazhuar në mësimdhënie  dhe udhëheqje në institucionet e arsimit të lartë të vendit dhe të jashtëme. Libri ‘’Mos paç fatin tim’’, është libri i pestë e kësaj autoreje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok