10/11/2024

REPORTER NË KOHË PAQEJE

0

(Përsiatje rreth publicistikës)

NGA NDUE DEDAJ

Nderimi fillon nga reporterët e luftës

Ka qenë një rastësi e këndshme takimi me gazetarin e njohur të Kosovës, Nehat Islami, para disa vitesh, aty në mjediset e eko-hotel “Marubi” Rubik, në një darkë të shtruar nga zonja Marianne Graf, ku ishte dhe këngëtarja e njohur Shpresa Gashi, fotografi profesionist Shkëzen Rexha etj. Në gjysmën e dytë të viteve ’70 Nehati kishte qenë gazetar në Lindjen e Mesme me qëndrim në Bejrut, dërguar atje nga gazeta “Rilindja”. Miti i tij ishte i kuptueshëm për faktin se kishte qenë ndër të paktët gazetarë shqiptarë që kishin pasë rastin të raportonin nga fushat e luftës jashtë vendit. Nehati më rroku në krahët e tij të bëshëm miqësisht, si të ishim njohur prej kohësh – “shkrepe” i tha Skënder Thaçi mjeshtrit të fotografisë, ta kenë kujtim; nuk di në e mora ndonjëherë atë fotografi apo jo, ama atë “shkrepjen” e syve të bacës Nehat nuk e harroj. Kisha lexuar për reporterë luftë dhe në sytë e mi të mbijetuarit ishin heronj të gjallë, pasi kishin qenë të shumtë gazetarët e luftës që kishin rënë, siç bien dhe sot e kësaj dite në Ukrainë, Gaza etj.

Po pse na u kujtua sot Nehat veterani i gazetarisë, teksa po hedhim këto pak radhë në letër? Thjeshtë për faktin se ai ishte ndryshe nga gazetarët që kishim njohur në Shqipëri, ku ata të luftës nuk ekzistonin. Aleksandër Çipa shkruan: “Nehat Islami, autori i librit “Hotel Bejruti”, është i pari dhe i vetmi reporter lufte në këtë hapësirë në historinë e gazetarisë shqiptare, një cilësi dhe e vërtetë e cila shumë pak njihet prej komunitetit të gazetarëve në të quajturën Shqipëri londineze”. Ndonjë gazetar të vjetër race, qendrestar i rrallë ndaj të gjitha regjimeve diktatoriale, si Petro Marko, mbas kryerjes së burgut, ku e patën futur në fillimet e “pushtetit popullor”, ndërkohë që drejtonte gazetën “Bashkimi”, kryesorja në atë kohë në vend, e kishin lënë në harresë të plotë, si një gjeneral të fjalës së ndaluar, që ia kishin hequr nga dora lapsin e mprehtë të gazetarit par excellence. Kishim pasur gazetarë të akredituar në Kinë etj., që venin ndonjëherë në Luftën e Vietnamit, por gjithsesi këndej nga gazetaria jonë mbretëronte paqja e jashtme, por jo dhe ajo e brendshme, gazetarë trima si Fadil Kokomani e Vangjel Lezho do t’i vriste diktatura, në betejën për fjalën e lirë, të tjerë do t’i dëbonte me “ceremoni” nga gazetat, Radio, Televizioni etj., duke i degdisur në kantiere pune e kooperativa bujqësore për riedukim, po që s’u “riedukuan” kurrë! Them se duhet të ketë qenë mbi njëqind numri i gazetarëve të ndëshkuar, në një mënyrë apo në një tjetër, të paktën që nga Konferenca e Partisë e Tiranës e vitit 1956 dhe sidomos pas Plenumit IV të KQ të vitit 1973.

Publicistika, ti shkruan atë që ndjen, po nuk “korr” atë që don!…

Njeriu nuk e di se cila do të jetë rava e tij për kah e nesërmja, aq më tepër një adoleshent 14 – vjeçar, që një ditë i shkrep në kokë të shkruaje një gjysmë faqe gjë dhe ta postojë në gazetën “Zëri i Rinisë” në Tiranë. “E pabesueshmja” nuk do të vononte të ndodhte, pas tri ditësh ai do ta shihte emrin e tij në gazetë. Ishte data 5 maji 1971, Dita e Dëshmorëve, por shkrimi nuk ishte për të rënët, përkundrazi bëhej fjalë për një shfaqje humori që kishin dhënë nxënësit e gjimnazit të Rrëshenit. Kështu nisa dalja ime publike, pa kurrëfarë ideje se çfarë ishte kjo gjë. Shkruaja për kënaqësi dhe nuk mendoja se kisha tërhequr vëmendjen e ndokujt në ato fillime, kur një ditë njëri nga profesorët e matematikës, që nuk më jepte mësim, Jozefi, i biri i historianit Injac Zamputi, iu drejtohet kolegëve të tij aty në hollin e shkollës: “E shihni firmën e këtij djalit në gazetë?” dhe e hapi “Zërin e Rinisë” në faqet e brendshme ku atë ditë kishte dalë një shkrim imi. Për hir të së vërtetës asnjëherë këtë gjë – emrin në gazetë – nuk do ta shihja si ndonjë medalje, si diçka që të dallonte nga të tjerët, të bënte më të “rëndësishëm” se ata, aq më pak si një stoli intelektuale për t’u mburrur!? Kisha njohur mësues, mjekë, inxhinierë, llogaritarë, teknikë të zotët dhe njeriu i shtypit ishte thjeshtë njëri ndër ata, që dallonte nga dhuntia e të shkruarit. Gjithë përpjekja e gazetarëve të rinj asokohe ishte të shkruanin reportazhe të arrira me mbresa të freskëta nga kantieret e punës, shkollat, aksionet, ndër të cilët dhe gjimnazistët para meje Frrok Çupi, Halil Lalaj e Ndue Lazri. Publicistika nuk ishte diçka që të bënte të famshëm, por të ushtronte në të shkruar, sidomos po të kishe prirje letrare. E reja, e bukura, e veçanta i përkasin çdo kohe dhe aq sa na lejonte vetëkufizimi ideologjik, jemi përpjekur t’i zbulojmë ato në jetën e njerëzve e t’i sjellim për lexuesin përmes kollonave të gazetës. Për më tepër që nuk punoja zyrtarisht në ndonjë gazetë si i brendshëm (përpos 6 muaj në shtypin lokal, në kapërcyell 90 – 91), nuk merrja porosi për shkrime editoriale, por vetëm për reportazhe nga sondat, minierat, hekurudhat, shkollat, sharrat, stanet etj., që kishin jehonën e kohës dhe lexoheshin rregullisht në Radio-Tirana. Edhe pse me statusin e bashkëpunëtorit, apo të korrespondetit vullnetar, ne gjithsesi ishim pjesë e gazetës, venim në redaksi herë pas here, thirrëshim në Tiranë në seminare, në përvjetorët e gazetës dhe në ditën e shtypit, përfshiheshim në çmimet kombëtare të gazetarisë etj. Më duket e tepërt të rrefej për fituesit e atyre çmimeve, sa i përket reportazhit, emrat e tyre janë të publikuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, por mund të them se jepeshin me meritë dhe pa kurrëfarë hatri. Tek e fundit lexuesi sheh faqet e gazetës dhe të gjithë ata që e “mbushin” atë për të janë gazetarë, paçka se kush paguhet me rrogë, kush me honorare e tash pa kurrëfarë shpërblimi. Kuptohet, pas 90-ës, gazetaria ishte e lirë, por jo e “çliruar” nga problematikat e veta aspak kalimtare. Vërtet shkruan atë që ndjen, po nuk “korr” atë që don, pasi vëmendja ndaj shtypit është përherë e më e paktë…

Atë fillim vitesh ’70, kur niste shtegtimi im rinor në udhën e gazetës, jo mirëfilli të gazetarisë si profesion, s’e imagjinoja dot se ku të shpiente ajo, por, kohë pas kohe, plot njerëz të panjohur do t’i bëja të njohur, të cilët mund të më harronin të nesërmen, por unë asnjëherë ata, edhe pse me shumë prej tyre nuk do të shihesha më. Nuk është diçka që më ka ndodhur vetëm mua, kjo i përket profilit të reporterit që shkel terrenin. Ata ishin vërtetë njerëz rastësorë, por këtu qëndron vlera, pasi nuk ishin të përzgjedhur, nuk ishin zëdhënës të ndonjë institucioni, por vetvetja. I kujtoj dhe tani, që ka kaluar aq kohë, për të njerëzishmen e tyre, asnjëri prej tyre nuk më kërkoi dokument që isha i dërguar i gazetës, edhe pse kishim karta të rregullta me fotografi, firmosur nga kryeredaktorët, që vërtetonin që ishe bashkëpunëtor i këtij apo atij organi shtypi. I pari dokument i tillë më është lëshuar nga “Zëri i Rinisë” më 1979, por as atë e as të tjerë më pas nuk i kam paraqitur ndonjëherë para ndokujt, siç kurrë nuk ma ka kërkuar pasoportën ndonjë polic i republikës. Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë i çertifikonte gazetarët në të gjithë vendin dhe unë në 90-ën kisha kategorinë e dytë, me firmën e kryetarit Marash Hajati, kurse për të parën flitej se ishte kriter dhe njëfarë moshe. Ky forum botonte dhe revistën “Tribuna e Gazetarit”, që ndihmonte në kualifikimin profesional të gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të shtypit. Por asgjë nga këto nuk mjafton për afirmimin tënd si reporter, publicist, gazetar. As rrjetet sociale në kohën e sotme, ku përfshihen dhe “përzihen” të gjithë. Tek e fundit sa ti e ke ushtruar me profesionalizëm publicistikën e dëshmon ajo çka ti ke shkruar në vite dhe publiku i gjërë që të ndjek, në nivel kombëtar, e jo thjeshtë rrethi i ngushtë i miqve të tu virtualë, që ta bëjnë “nderën” me kusht që t’ua kthesh edhe ti me të njëjtat vlerësime!? Për atë që e ka pasion “të lindur”, publicistika nuk është diçka kalimtare, nuk ndalopn kurrë, por është si arti i krijimit për artistin. Një gazetar dhe mund ta mbyllë kontratën me gazetën ku punon dhe të kalojë në një punë tjetër, në administratë, diplomaci etj., por jo një publicist, që nuk rron dot pa publikun dhe publiken, edhe kur është mbi të 90-at si Sami Repishti…

Kohët kanë ndryshuar, por jo zakoni i reporterit klasik, që e bëri deri vonë i paharruari Fatos Baxhaku, me vargun e reportazheve në “Shqip”, ku si miq që ishim, e kam shoqëruar në gjithë Mirditën etj. Është rasti për të vënë në dukje se në gazetari të rren mendja se ç’po bën, nëse nuk lexon letërsi, dokumenta, enciklopedi, nëse “ngopesh” me terrenin dhe nuk e sheh atë në vazhdimësi si një burim të publikes. Vërtetë sot mund të marrësh shkas dhe nga njoftimet amatore në rrjetet sociale, por nuk mund të shkruash me aq gjë, lypet të shkosh vetë atje për ku bëhet fjalë, ta përshkruash me detaje atë që ndodh. Dihet që reporterët përpiqen të krijojnë kontakte e të bëjnë të njohur gjithandej, që t’i kenë për informacion sa herë t’iu nevojitet. Kur isha student në Shkodër, veja gjithnjë te Vasfi Duka, drejtori i gjeologjisë dhe njihesha me të rejat e kërkimeve. Në NSHRAK kisha mjeshtrin Muc Koxhaj, që me sa di ishte dhe hero pune. Në Koman njihja Kolën shpatullgjërë të tuneleve. Atje botonte gazetën e hidrocentralit “Drita e Drinit” miku im i paharruar Frano Cakaj, që më pas do të vente korrespondent i “Zëri i Popullit” në Dibër. Nuk po them gjë për Mirditën, pasi aty isha i shtëpisë dhe i kisha të gjitha dyert hapur. Ditët e “mia” ishin sidomos Dita e Minatorit në shkurt dhe Dita e Gjeologut në gusht, ku ishte e pamundur të mos kisha shkrime në gazetat kryesore të vendit. Kësisoj, në vitet ’80 miqtë e mi ishin minatorët, gjeologët, metalurgët, sharrëtarët, mësuesit, ekonomistët, vullnetarët e hekurudhave etj. dhe gjeografia e shkrimeve rrallë e kapërcente Mirditën, me ndonjë reportazh nga Lukova, Shkodra a Tropoja, si për pak thyerje gjeografike. Kurse me ardhjen e demokracisë u krijuan të tjera mundësi lëvizjeje dhe komunikimi, shkrimet filluan të kishin adresa në krejt botën shqiptare e jo vetëm. Në 2018 – ën që ishte Viti i Skënderbeut pata kënaqësinë të flisja me plot shqiptarë të trojeve që e kishin “njohur” në një mënyrë a në një tjetër Heroin Kombëtar. Ata njerëz të thjeshtë ta thoshin historinë e tij me dashuri, ashtu siç e kishin dëgjuar nga të parët, Isufi në Shtjefën të Matit bënte me dorë andej nga vendi ku ai besonte se ishte varri i Vojsavës, xha Ormëni në Kaninë të Vlorës tregonte për Donikën, xha Halili në Mazrek të Hasit (Prizren) e shtrinte fillin e brezave familjarë deri te Kastrioti, në Plavë e Guci rrëfimtari ynë ishte Tahir Gjonbalaj, në Manastir vajza e pasionuar e muzeut, Edita Bajramoska na “prezantonte” me etërit e Alfabetit të shqipes…

Proza e shkurtër dhe reportazhi, skica, poirtreti, sa të ngjashëm në pamje të parë, aq të ndryshëm si përmbajtje, në krijimtarisë time janë lëruar nga dy “plorë”, po jo njëri prej ari e tjetri prej argjendi. Letrarë si Dritëro Agolli, Mehmet Elezi, Spiro Dede, Xhevahir Spahiu, Preç Zogaj, Shaban Sinani, që kanë punuar si reporterë në shtypin qendror e kanë pasuruar publicistikën me “letërsi”, duke e bërë atë më të ngritur, lë të themi letrarisht, pa bërë fjalë për reportazhin / përshkrimin e mirëfilltë letrar që lëvrohej rrallë nga shkrimtarët si Kadare, Shuteriqi, Xoxa, Godo etj. Ka një dhënie të publicistikës ndaj letërsisë, por nuk mendoj se është dhe e kundërta. Disa nga lajtmotivet e mia publicistike, mbrujtur me sharmin e letërsisë artistike, ishin mishëruar në titujt e reportazheve: “Miniera e bën njeriun minierë” (në kuptimin e pasuron shpirtërisht me virtytin e punës, sakrificës, solidaritetit njerëzor – që më pas solli romanin “Shembja”); “Stinët e Gurit të Nuses” (sagat e nuseve me një jetë / fat të pamundur – që më pas solli romanin “Unaza e Virgjëreshës”) etj.

Kur shkrimi që ngre probleme, bëhet vetë “problem”…

Reportazhi është gjini publicistike afirmuese, por mund të ndodhte të “gaboje” dhe nga e mira. Kështu më 1981 unë botova në “Zëri i Popullit” reportazhin “Nëntoka jonë buron” për zbulimin e minierës së bakrit në Palaj, nga gjeologët e Shkodrës. Shkrimin e kishte botuar Frrok Çupi. Kur në drejtorinë e ndërmarrjes gjeologjike kishte rënë telefoni i Ministrit të Industrisë, që ishte anëtar i Byrosë Politike. “Kush është autori i shkrimit dhe pse i keni dhënë shifrat e rezervave gjeologjike, pasi kishim vendosur që ato t’i shpallnim në Kongresin e Partisë?! Gazeta ka korrespondetin e vet në Shkodër dhe nuk ka qenë i autorizuar të shkruaje për këtë zbulim!…” Por u mbyll me aq, si me thënë, më një vërejtje që nuk mbërriti deri tek unë, ndërsa një kritikë ndaj organeve të pushtetit në Mirditë, disa vite më vonë, më la pa shtëpi!?…

Maja e lapsit nuk është asnjëherë e lehtë, po përherë ka rrisk. Asokohe më kishin paralajmëruar në dy raste partiakët e provincës, që të kisha kujdes, pasi “maja e lapsit mund të të hajë kokën”. Unë kam lëvruar kryesisht reportazhin dhe me këtë gjini të bukur të publiçistikës zakonisht bën miq dhe jo “armiq”, por kur reportazhet filluan të ngrinin probleme të ngecjes së prodhimit, u bënë vetë “problem”. Mbaj mend që shkova në një minierë për të bërë një reportazh dhe u ktheva duarbosh. Biseda me inxhinierin e prodhimit F. B. më bindi se nuk kishte asgjë pozitive për t’u shënuar. Ia thashë kryeredaktorit se në vend të reportazhit do të bëja një shkrim kritik dhe ai nuk pati se ç’të thoshte. Pas një vëzhgimi për uzinën e bakrit reagoi negativisht sekretari i Parë. Pas një kritike për seksionin e Planit sulmoi drejtuesi Ekzekutiv i rrethit. Kryeinxhineri mekanik i një ndërmarrje gjithashtu reagoi keq. Edhe sot ka hatërmbejtje, kur ti thumbon zyrtarë, pushtetarë, sipërmarrës që krijojnë “gropa të zeza” me investimet e tyre. Ndokush dhe ngre telefonin “anonim” për të tërhequr vëmendjen që të mos i biesh më asaj punës së HEC-eve etj. Pa folur për opinionet kritike, ku fshikullohet qeveria, që janë një korpus shkrimesh më vete, që në njëzet vitet e fundit kanë dominuar publicistikën time, veçanërisht në “Shqip” e “Panorama” etj.

Ndokush që lexon shënime të kësaj natyre mund t’i presë drutë shkurt: “Po ku kishte gazetari atëhere? Ku të linte Partia të thoshe të vërtetën!” Patjetër, kishte ca të vërteta që nuk lejohej të thuheshin, si dënimet politike, ndalimi i fesë, varfëria, izolimi etj., por kishte ca të tjera për të cilat shkruhej, pa kursyer as burokracinë shtetërore. E jo vetëm revista “Hosteni” që ishte satirike – humoristike. Sigurisht kishte propagandë me tepri, s’i shpëtoje dot frazës shtampë “nën udhëheqjen e Partisë” as kur flisje për silazhin e lopëve, por pavarësisht kësaj kishte idealizëm, punë të ndershme, solidaritet, sakrifica, siç kishte dhe fasadë, iluzione, zhgënjime e gjer “thashetheme” politike e humor të zi. I paprekshëm ishte vetëm “Olimpi” nga kritikat publike, ndërkohë që nxitej fryma kritike ndaj dukurive negative të shoqërisë në bazë. “Ambulanca ku të zënë ethet” ka qenë një ndër shkrimet e mia të para satirike – kritike, kur isha vetëm 15 – 16 vjeç. Mbizotëronte puna, qendrat e reja administrative po merrnin pamje qytetëse, me rrugë të asfaltuara, sheshe, shëtitore, hotele, godina kulturore e sociale etj., ndërtoheshin masivisht fabrika dhe uzina, korpusi energjitik i Drinit, rinia dhe punëtoria ndërtonte hekurudha në të gjithë vendin dhe treni shkoi deri në Pogradec, Shkodër e Mirditë – këto ndryshime pasqyronte shtypi i asaj kohë, hap pas hapi, por erdhën “barbarët”, që ishim po ne që i kishim ndërtuar dhe u shkulëm binarët e i çuam shinat për skrap! Shkruam për minierat që ishin një realitet, pavarësisht kushteve të punës, por ishte e pamundur të shkruaje për aksidentet. Kemi shkruar reportazhe për mbjelljen e pishave nëpër male e deri në bregdet, që ishte një punë shumë e mirë, siç kemi kritikuar qeveritë e tranzicionit që lejuan barbarizmin në pyje, ku “barbarët” sërish ishim ne mbjellësit e tyre. Kemi shkruar për çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve, për shkollat e reja e kabinetet mësimore, po sot që nuk ka më të tilla çfarë mund të shkruhet? Kemi shkruar reportazhe për popllsinë që rritej e që i kaloi tre milionë banorë, kurse sot me trishtim lajmërojmë tkurrjen e saj dita-ditës. Shkurt, kemi raportuar lajmin e mirë të shoqërisë dhe kjo përbën vlerë, por jo dhe lajmin dramatik dhe kjo është dobësi dhe dështim në njëfarë mase. Nga gjysma e viteve 80 e mbrapa pati rritje të frymës kritike të shtypit. Më 1988, në “Zëri i Popullit”, pata botuar shkrimin problemor “Tani që miratohen të drejtat e studimit”, ku kritikoheshin anëtarët e Partisë dhe kuadrot që kërkonin privilegje për fëmijët e tyre, çka u mirëprit në Ministrinë e Arsimit dhe për këtë arsye në vjeshtë u përfshiva me ekipin e kontrollit të kësaj Ministrie, në rrethin e Dibrës, mbasi profesioni im bazë ishte mësuesia. S’do mend që demokracia është hapësirë lirie universale, por demokracinë ku të gjithë ikin s’di si ta quash? Demokracia është njeriu dhe jo pallatet, kullat, muret, betoni, sado e vlefshme të jetë infrastruktura! Demokratike është të njoftosh dhe arritjet e jo vetëm kronikën e zezë, që është kthyer në një sindromë e mediave bashkëkohore.

Gazetaria, kërkim i asaj që ndodh ndër ne dhe në terren

Gazetaria, publicistika, komunikimi është dhe profesion, por është në radhë të parë pasion, vokacion, idealitet. Ai që është mësuar të shkruaje nuk rri dot pa e bërë këtë gjatë gjithë jetës. Dhe nuk i ke gjerat në tavolinë, duhet të ecësh për të shkuar atje ku është lajmi, informacioni, e reja që po ndodh. Është java e parë e korrikut 2024, e dielë dhe ndërsa të gjithë po nxitojnë drejt plazheve, tre veta jemi nisur me pa rrugën e re të Dukagjinit, ku sigurisht dikush paguan për shpenzimet e rrugëtimit, që nuk e mbulojnë më gazetat. Nuk na ka nisur askush me shërbim, por ne duam të gjendemi atje, për vetë dhe për të tjerët. Kështu kemi qenë dy – tre herë dhe në Rrugën e Arbërit, që ende nuk ka përfunduar. Por dhe në Rrugën e Ersekës në ndërtim e sipër. Rrugën e Kombit e kemi ndjekur dita-ditës që në piketa, sidomos pjesën nga Miloti në Kalimash, por dhe deri në Morinë e pastaj në Kosovë. Kemi pasur “etje” për rrugët, ndaj rendim pas tyre dhe sot e kësaj dite. Është një zakon i vjetër yni. Kur sapo kishte nisur hekurudha Milot – Rrëshen – Klos, një rast e kemi bërë në këmbë rrugën nga sektori i Arishtës (Skuraj) në Rubik nëpër trasenë që vetëm sa ishte shkërmoqur. Komisaren e ndjerë të hekurudhës Mimoza Jazoj, diplomuar për frëngjisht, ende e përfytyroj aty në zyrën e saj, në një barakë pupuliti buzë Fanit, ku shtrihej sektori i vullnetarëve, duke na folur për sirenat e reja të asaj lugine, që nuk e patën jetën e gjatë, si dhe vetë ajo. Asokohe “Zëri i Rinisë” botonte suplementin “Vullnetari” dhe unë isha gjithnjë i angazhuar me shkrime si “vullnetar”, krahas reporterëve zyrtarë të gazetës, Preç Zogaj, Selami Spahiu, Lazër Stani, që ishin miqtë e mi dhe e bënin me radhë, një javë njëri e një javë tjetri. Këto nuk janë “heroizma”, por përpjekje për t’i prekur me dorë gjerat para se të shkruash për to. Kam qëndruar një vit me punë në Reps e Fan (në sferën e arsimit) në pikun e ndërtimit të Rrugës së Kombit, 2008-2009, kam botuar disa reportazhe në gazetat më të rëndësishme të kohës si “Shqip”, “Shekulli” etj., shkrova dhe një libër që e kam dhe sot në dorëshkrim, pasi rruga eci më shpejt se botimi i librit tim. Ishte ajo ëndërra e e para njëzet vjetëve, mbetur në mes, kur shkruanim reportazhe për trenin, duke uruar si për njeriun: “Ardhësh i bardhë”, që, siç thamë, mbërriti në kryeqendrën e mirditorëve, por ngeci pak më përtej, te Ura e Tarazhit e Tuneli i Prosekut dhe nuk mbërriti kurrë në Klos. Autori Rexhep Shahu, në librin e tij “Apologji për Udhën e Kombit”, pati mirësinë ta shënonte këtë kontribut tonin, krahas të tjerë reporterëve, që ndryshe nga politikanët, që bënin llogari elektorale meskine, e pasqyruan rrugën si ngjarjen më të madhe të fillimshekullit XXI.

Post scripum. Ti je shpallur e pranuar nga publiku si një lajmës i ndryshimit dhe don ta bësh sa më së miri atë, por gjërat kanë ndryshuar, për fat të keq! Sikur nuk ua ka kush ngenë më reportazheve nga udhët e largëta “prapa diellit”! Tash komoditet është me qenë reporter i kronikës politike aty mbi lumë të Lanës! Bile mund të ngjash disi “anakronik” duke gjurmuar jetën shqiptare në malet që po japin shpirt, ku që për mendimin tonë “shpëtimi” i tyre nga grabitja shtetërore duhet të jetë një luftë e mediave. Reporterë të kësaj “lufte” pa pushkë ia vlen me qenë sot e gjithmonë…

NDUE DEDAJ

Korrik 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok