21/12/2024

Libër me vlera të larta multidisiplinore

0
Avzi-Mustafa

(Dy fjalë për librin “Variacione gjuhësore” të Dr. Avzi Mustafës)

Autori me mjaft hollësi i trajton edhe çështjet e faktorëve që kanë të bëjnë me mësimin e gjuhës së mjedisit, duke i përmendur një varg faktorësh, që në përgjithësi na japin një pasqyrë bukur të qartë për atë se zhvillimi i sociolinguistikës te ne po merr përmasa serioze shkencore

Nga Zekerija Ibrahimi

Profesori Avzi Mustafa, që përmes titujve tashmë të botuar ka bërë emër në fushë të metodikës, didaktikës dhe sociolinguistikës te ne, kësaj radhe para lexuesve shqiptarë dhe maqedonas paraqitet me një titull të ri, i cili, po sikur titujt e mëparshëm, i sfidon qarqet shkencore të ambientit tonë.

Ky libër në fakt paraqet një përmbledhje të punimeve me të cilat autori ka marrë pjesë në simpoziume shkencore ndërkombëtare, rajonale dhe nacionale, ndërsa para botimit ai ka bërë edhe një revidim të atyre teksteve, për të na dhënë kështu një vepër që për nga vlera nga është vlerësuar si vepër multidisiplinore, sepse prek në disa fusha shkencore me të cilat autori është marrë edhe më parë.

Vepra që funksionon në të dyja gjuhët, pra edhe shqip, edhe maqedonisht, ngase në të janë dhënë të përkthyera të gjitha tekstet në të dyja gjuhët, është e ndarë edhe në dy pjesë tematike: në pjesën e parë që autori e ka titulluar socio-linguistikë trajtohen çështje që kanë të bëjnë me aspektet sociale të përdorimit të gjuhës. Në to, për shembull, flet për mënyrën e komunikimit të bashkëshortëve në familjen shqiptare, mënyrat sesi ata e emërtojnë njëri-tjetrin në mosha të caktuara, pastaj bën fjalë për aspektet gjinore të përdorimit të gjuhës, që të dyja lirisht mund të trajtohen edhe në studimet bashkëkohore gjinore që tashmë kanë marrë hov në shumë shoqëri. Në këtë pjesë ai trajton edhe tema pastër linguistike, si ato kur flet për interferencat leksikore që krijohen në të folmen e shqiptarëve të Maqedoni si pasojë e ndikimit të gjuhës maqedonase, ku me theks të veçantë ndalet në dubletet e tipit helm-otrov e shembuj të tjerë që po ashtu janë mjaft të rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës. Në këtë kuadër autori me mjaft hollësi i trajton edhe çështjet e faktorëve që kanë të bëjnë me mësimin e gjuhës së mjedisit, duke i përmendur aspektet shoqërore, pastaj ndikimin e familjes, të religjionit, të motivacionit dhe stimulimit, që në përgjithësi na japin një pasqyrë bukur të qartë për atë se zhvillimi i sociolinguistikës te ne po merr përmasa serioze shkencore.

Në pjesën e dytë, që autori e emërton glotodidaktika, që nënkupton mësimin  gjuhëve të dyta, në rastin tonë të gjuhës së a.q. të mjedisit, autori me mjaft sukses u qaset yshtjeve që kanë të bëjnë me përvetësimin e gjuhës së dytë. Këtu bën fjalë për përvetësimin e maqedonishtes nga ata që e kanë shqipen gjuhë amtare. Aty në bazë të një statistike të realizuar me nxënës të shkollave të mesme të Tetovës dhe Gostivarit, arrin në përfundime mjaft interesante për nivelin e njohje së gjuhës së dytë, si dhe për natyrat e përdorimit të kësaj gjuhe nga folësit më të rinj. Në këtë pjesë janë botuar edhe tekst në lidhje trajtimin e gjëegjëzave arumune shqipe, turke e maqedonase, që flasin në të mirë të lidhjes gjuhësore ballkanike, që viteve të fundit, pas botimit të Gjuhësisë ballkanike të Shaban Demirajt, ka dalë në shesh si një çështje mjaft m,e peshë në studimet e lidhjeve gjuhësore ose si quhen nga linguistët në studimet e gjuhëve në kontakt. Aty shihen qartë këmbimet ndërkulturore të mikrostrukturave gjuhësore, siç janë gjëegjëzat, që në mënyrë të njëjtë a të ngjashme shfaqen në të gjitha gjuhët që janë në kontakt në këto hapësira. Në këtë pjesë mund të lexohen edhe temat në lidhje me interferencat gjuhësore midis këtyre gjuhëve, si dhe çështjet e gjuhës akademike në raport me gjuhën e përditshme e kështu me radhë.

Marrë në përgjithësi, libri “Variacione gjuhësore” i Pror. Dr. Avzi Mustafës paraqet një  kontribut të vyeshëm në sociolinguistikë, aq më shumë që është i pari i këtij lloji në hapësirat tona dhe i pari që i shtron problemet në këtë rrafsh në studimit shkencor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok