Letër drejtuar bejtexhiut pa diplomë Hasan Zyko Kamberi
Figurë e përfytyruar artistikisht e Hasan Zyko Kamberit
Nga Shyqyri Fejzo
Inderuar zoti Hasan Zyko Kamberi!
Po të nis këtë letër, së pari për të uruar shefaet e mirësi dhe së dyti të rrëfej ç’është bërë e çfarë bëhet me shenjtoren para, të cilën ti e ke pasur xhan dhe xhanllëkun ja ngjite njerzimit kokë e këmbë. Për ty efendi Hasan mund të shkruaja të njihej njerzimi, kur ke lindur ku u shkollove e cfarë diplomë ke, e kur mbylle sytë, po ato nuk gjenden në asnjë arkiv. E si do lëshonte dokument kadiu për gjendjen tënde civile kur për të ke shkruar:”Kur i rrëfen kadiut paranë/ai ters e vërtit sherjanë”.Le ta lëmë këtu këtë muhabet dhe të vazhdojmë më tej me të shenjtën para.
Si njohje, po të tregoj se kam punuar gjatë në sistemin bankar e financiar. U ndërruan sistemet në vitet nëndëdhjetë, dhe nuk u ndërran xhaketat..Ehuuu! Ishte avaz i gjatë ai. Po i bie shkurt. Mua, si mijra të tjerëve që u ra shorti të jetojmë ato kohra, mund të themi plot gojën se provuam sheqerin dhe zeherin e të dy sistemeve. Po cek nga pak sic çukit ajo pula në mulli, për punën e parasë. Sistemi ku sundonte prona shoqrore mbi mjetet e prodhimit, punën e parasë e vuri me kohë në shina mbi katër rrota. Financat e bankat ishin vërtet “prokurore të lekut.” Nuk po flas për 5 funksionet e parasë që sistemi i la në 4 funksione, as për gabimin trashanik që u bë në vitin 1965 kur u ndërrua paraja. Të ishte bërë atëhere ndërrimi 1 lek i ri të këmbehej me 9 lek të vjetra apo me 11 lek, nuk do kishim sot e gjashtëdhjet vjet “Lek të ri/lek të vjetër”. Nga “njerëz kompetentë” u bë ky veprim me alibinë “se populli që di vetëm katër veprimet e matematikës, i këmben lehtë e pa pengesa paratë. Siç duket”kompetetntët”nuk e vranë trurin se çfarë do të ndodhte më pas këmbimit.
Në sistemin e ri, të pronës private mbi mjetet e prodhimit, ka të tjera belegji e bekaete për të cilat do të ve në dijeni. Thonë se “paraja është letër dhe nuk e ha as qeni.”Por del se nuk është tamam ashtu. Po ti blesh qenit me para qofte dhe petulla, puna ndryshon. Siç duket, këtë kanë pasur parasysh “trimat”e viteve nëndëdhjetë, të cilët hapën kasafortat e bankave me çelës dhe me leva dhe paratë i bënë tufan. Bankat vërtet u bënë “klloçkë”, po janë të zgjuar bankierët. Bënë si bënë, dolën pa lagur nga firmat e famshme piramidale. Veç të tjerave ndryshuan zgjedhimin e foljeve në gramatikë. Zotrote do thuash “ç’lidhje ka kjo që thua me paratë”. Ka, i dashur Hasan, ka. Bankat foljen “kam”, tani e zgjedhojnë: “Unë kam/Ti kam/Ai, ajo kam”. Dhe vërtet tani kanë. Interesat e kredive i vendosën me dy shifra, ama nën 50 përqind. Po mirë ka thënë ai më i lashti se ju. “Kur thonë se sivjet u bënë shumë qershitë, merr shportën e vogël”. Kur kësaj pune i doli boja, ashtu si ndodhi dhe me kreditë e vogla, bankat me në krye guvernatorin Sejko u hodhën në një fushë beteje tjetër, shumë të çuditëshme, por që po ua mbush kusinë plot.
Kohët e fundit kanë dalë “berberë” të rinj të cilët qethin e rruajnë “allakolonjarçe” të specializuar për bankat e financat “që të rrëmbejnë vezët nën klloçkë.”Në kambizëm (këmbim parash) ndodhi që u zhvlerësua euro dhe leku ynë i shenjtë kërceu shumë lart dhe që aty tani kapardiset si kokoshi majë plehut. Në një rubrikë të lajmeve ne tv Klan guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko u shpreh “se ulja e vlerës së këmbimit e Euros në Tiranë, pra në Shqipëri, në nivel të ndodhur për herë të parë në të gjithë historinë e pas viteve ‘90 të shekullit te kaluar, është rezultat i performancës së ekonomisë së vendit!” Çfarë ndodhi në Shqipëri që u vërtetua kjo preformancë? Cili ishte faktori kryesor, që u rrit kaq shumë vlera e lekut? U rrit prodhimi industrial, prodhimi bujqësor e blegtoral, apo “magjistarët bankierë”? Kjo ishte gënjeshtra me bisht e këtij “berberi” që jo vetëm qethi po dhe i rrojti mirë emigrantët në rradhë të parë dhe mbarë popullin që mbaheshin me remitancat e dërguara nga ata. Vetëm ata ishin pa mjelë dhe tani Banka i kaloi mirë në shtrungë. Ky është “berber”o xhan i vëllait!
Ndalim në një fakt. Euro ne daten 13.07.2022 është këmbyer me 117, 3 lekë nga 97.8 lekë që u këmbye sot. Pra, në 100 euro humbja është 19.5 lekë.T’i biem shkurt dhe drejt për drejt, kjo ka dy arsye: Banka e Shqipërisë mund ta ketë nxitur vetë këtë “qethje” të madhe për të mbyllur gropa e vrima që ka sot ekonomia e buxheti. Dhe arsyeja tjetër mund të jetë një marveshje e mafjes financiare e cila në momentin e saj më të leverdishëm e mbyti kambizmin me euro “të pista”.Supozojmë në një moment se do e vendoste kursin që 100 euro të këmbeheshin me 50 lekë. E kush do e ndalonte? Dhe “berberi Sejko” bënte atëhere gjumin e shqerrave, duke quajtur me vend thënien e Ushtarit të mirë Zhvejk “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë!” .Kjo është dukja, lëverja e hedhur mbi kambizmin, por po ta heqësh këtë lëvere, i dashur Hasan dalin deshët, krrutat, rrurëzat që të çojnë tek falimentimet e fasonëve, si dhe mbushja e gropave të zeza të krijuara nga buxheti. Pa tjetër, për këtë veprim Sejkos ja ka bërë me sy dikush më i madh se ai.
Po të ishte sot gjallë shkrimtari i madh amerikan Mark Tëein, nuk do të mbetej natë pa dalë nëpër televizionet e vendit tonë. Ai në gjallje të tij, midis të tjerave pati theksuar se;”Mendimet i japin të mençurit e vendimet i marrin budallenjtë. “
Në Shqipëri, i dashur Hasan disa njerëz, pa takt, pyesin:-Ti sa e ke rrogën? Sa të paguajnë?Po për këtë nga individi nuk ka përgjigje. Kjo dihet. Por një ditë të mirë njerzia panë të publikuar nga hakerat pagat e gjithë sistemit shtetëror e ekonomik. Këta hakerat kur jetonit ju i dashur Hasan, nuk kanë qënë fare. Sot ata janë bërë të frikshëm.Veprimtaritë e hakerëve në fushën e financave të shtetit sot janë komplekse të sofistikuara për të vjedhur fonde, të manipulojnë sisteme financiare ose të komprometojnë të dhënat sensitive. Ata duan të paralizojnë institucionet shtetërore, hakerët synojnë sistemet financiare të shtetit për të shkaktuar kolaps ekonomik ose për të ushtruar presion politik. Ehuuu! E ke dëgjuar ti, se “ka dava Janina.!”
Publikimi i pagave bëri bujë të madhe. U bë një zhurmë e madhe pse u publikuan? Kush i publikoi? Nga doli databaza e tyre e më the të thashë. U kërcënuan institucione e individë se do mbajnë përgjegjësi penale. U hodh tym dhe shashka se kjo ishte vepër e armikut të jashtëm. Nuk i ndahen Shqipërisë këta armiqtë e jashtëm. Çfarë nuk u tha dhe u sajua që të gjorin faj mos e linin jetim si gjithnjë, duke ingranuar edhe SPAK-un. Po asnjëherë dhe asnjeri nga politikanët e të gjitha krahëve nuk u “zu demi për brirësh” e të vinin gishtin mbi plagë. Ti binin “përmidis pazarit të Durrësit”si thotë ajo kënga e bukur që këndohej nga Qemal Kërtusha. Nuk ja mbajti askujt të flasë për diferencat ciklopike që ekzistojnë midis pagave të njerëzve që punojnë e ropaten dhe atyre që rrinë kaluar dhe tundin këmbët duke u qarë se u publikuan pagat e honoraret milionëshe e të gjithëanëshme që marrin deputetët, qeveritarët, politikanët e të gjitha kallëpeve, si dhe drejtues të opozitës, apo opinionistë, antarë bordesh shoqatash, nisur nga Banka e Shtetit dhe bijat e mbesat e tyre. Çfarë nuk u sajua që “të shkathëtit” e këtyre çibanëve të ekonomisë dhe vendit të kishin emrat në tatabazat, që u përfolën aq shumë dhe që kryejnë funksionin e kusisë së madhe ku milet ekonomia dhe buxheti ynë i cërmosur.
Në kohën tuaj është përdorur si para e fisme floriri, argjendi, diamantet, etj. Disa nga ato në Shqipëri, me që nuk kishte banka u futën nëpër poçe, qypa duke u vendosur nën tokë, në shpella, në mure, nën pemë, që disa të mardhur nga trutë sot në vendin tonë, me tyrli dedektorësh grisin këpucët e gërmojnë ku të mundin te gjejnë ku i ka fshehur paratë mbreti Genti, (se u gjet rastësisht nga një fermer një thesar argjendi në një fshat të Maliqit paratë e të clit mbanin simbole të mbretërisë Gentit), ku flenë florinjtë e Skënderbeut, të Ali Pashë Tepelenës apo ku është “Damari i floririt”që ka lënë me testament pinjollit të tij Muzaka. Po përvoja pozitive apo negative qoftë, si duket u mësuaka pa mësues. Në zinxhirin e pandëshkueshmërisë që po çmonton hallkat SPAK-u sot jo rrallë paraja është fshehur, por jo në qypa e poçe prej balte si dikur, po në tuba stufe, në tenxhere metalike me presion të futura në tokë, ose në tubat e kondicionerëve.etj.
Lutemi këto mos ju turbullojnë mendjen i dashur Hasan dhe i futeni pa bereqet ndonjë kërkimi nëntokësor, se këto janë kthyer në tregime pranë zjarrit bubulak të dimrit si dhe legjenda të këndëshme sepse lëmin e ka shirë me kohë i zoti. Kështu, “paraja murdare” vazhdon historitë e veta në kushte të reja.
Do ta tregoj dhe një dukuri tjetër, por mos u trishto.
Të merrje pjesë në një dasëm shqiptare në vjeshtë, do kënaqeshe dhe mahniteshe me këngët, vallet, ushqimin e zgedhur e pijet që zbukuronin tavolinat. Por sa të fillonin vallet, e sidomos vallja e nuses, do të kapte trishtimi. Tufa kartmonedha 500 lekshe, 1000 lekshe 2.000 lekshe 5000 mijëshe dhe më lart nga prindët, vëllezrit e motrat, dajat e tezet do të hidheshin në valle. Ato do të shkelnin pa mëshirë e nën tingujt e muzikës, portretin e Skënderbeut, Pjetër Bogdanit, Ismail Qemalit, Naim Frashërit. Shkelja e atyre parave e fotove të tyre nga takat e kërcimtarëve, do ta sikterriste gzimin dhe harenë e do të mbërthente trshtimi për paranë të cilën e ke dashur dhe e do aq shumë se është djersë, është mund. Po ata që e dorovitin pa të keq, si duket nuk e kanë provuar erën e djersës e mundin për paranë.
“Kujt i duhen e shërbejnë njohuritë, mendimet e dhëna në botime të ndryshme, portale e emisione të pa numurta televizive, nga akademiku Anastas Angjeli, Prof.Dr.Arben Malaj, profesor Niko Pano, dekanit Elvin Meka etj.të cilët heshtin kur janë përpara të pa priturave të mëdha që lidhen me paranë e bankat,dhe korrupsionin si zinxhiri i pa ndërprerë i pandëshkueshmërisë, disproporcionet në shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave kombëtare, ulja drastike e këmbimit të euros, apo ndërrimi i monedhës, etj. Opinionistë dhe të quajturit “ekspertë të ekonomisë”ja futin kot. Të nxjerrësh para të reja në qarkullim do të thotë, të jetë rritur prodhimi, shërbimet, transporti, eksporti turizmi etj. Ne çfarë na është rritur që nxjerrin para pa masë në qakullim, me përjashtim të remitancave të cunguara që nuk i le rehat as pandemija. Ato para që “doroviten” aq lehtë në vallet e dasmave, me siguri nuk janë para të remitancave. Emigrantët, kudo që janë,i mbledhin ato pak para “si plaga qelbin” dhe nuk arrijnë shumat fantastike që hidhen në dasma. Ato para kanë një emër. Janë para të korrupsionit
Një problem i madh që po diskutohet sot është dhe intelegjenca artificiale, që aplikuar tek paraja, rrezik të heqë kartëmonedhat bankare nga qarkullimi, duke i zevendësuar me kartat bankare, të cilat kanë vlerë këmbimi në treg. Po edhe këtu, i dashur Hasan, mendimi nuk shkon si në vaj. Ore, duan ti shohin paratë me sy oligarkët tanë, ti prekin, ti numurojnë. Vetëm ashtu i ze gjumi kollaj. Nga kjo anë ata i ngajnë “tëpkë” Grandesë së Balzakut.
Ti numurova dhe rradhita disa dukuri që lidhen me paranë sot.Mbase do të duhen në se të bie sëra dhe rruga për tu bërë Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Shyqyri Fejzo, Hamburg-Gjermani.