14/12/2024

Leksioni hebraik për problemin e amnistimit të krimeve të luftës

0
u6_Blerim-Latifi

Pjesë e shkëputur nga një shkrim i imi, i publikuar muaj më parë

Nga Blerim Latifi

Simon Vizentali, si i burgosur në kampet naziste të shfarosjes, të vendosura në Poloni, një ditë, bashkë me disa të burgosur të tjerë, dërgohet në një spital nazist për t’i kryer disa punë. Aty, në një kthinë, takohet me një ushtar nazist, i cili është duke vdekur nga plagët e rënda që i ka marrë gjatë luftimeve në frontin rus. Ushtari, që është duke dhënë shpirt, kërkon t’i rrëfehet Vizentalit, njësoj siç i rrëfehen priftit të krishterët e penduar në prag të vdekjes.

Ushtari i tregon Vizentalit për krimet monstruoze kundër hebrenjëve, në të cilat ai ka marrë pjesë. Ai ndjehet i penduar dhe kërkon nga Vizentali që ta falë në emër të popullit hebre.

Vizentali dëgjon rrëfimin e ushtarit dhe pastaj largohet pa i thënë asnjë fjalë. Ky veprim i Vizentalit ka nxitur debat të madh nëse ishte apo nuk ishte veprim i duhur, nga pikëpamja morale. A duhej Vizentali, që edhe vetë ishte viktimë e nazizmit, të cilit i kishte shërbyer ushtari, ta pranonte pendesën dhe kërkim faljen e tij? Përgjigjja e Vizentalit është mohuese. Ajo kuptohet në vetë aktin e largimit të tij nga ushtari pa i thënë asnjë fjalë.

Dhe ka disa argumente që e mbështesin këtë përgjigjje të Vizentalit:

I pari: Askush nuk e kishte autorizuar Vizentalin që të fliste dhe të merrte një vendim në emër të hebrenjëve.

I dyti: Asnjë nga familjet e viktimave të Holokaustit nuk e kishte e autorizuar të bënte të njëjtën gjë.

I treti : Ai nuk mund të fliste në emër të të masakruarve të pafajshëm dhe të merre një vendim për vuajtjen e tyre.

I katërti : As populli hebre dhe as familjet e viktimave nuk mund të marrin një vendim faljeje në emër të tyre, pa i pyetur ato, sepse falja, në thelbin e saj, është një akt personal dhe vetëm ai që ka pësuar krimin mund ta kryej këtë akt falje.

Nëse ne i falim kriminelët, pa i pyetur viktimat, ne bëjmë një akt të dytë krimi kundër tyre, sepse po i përdorim ato për një qëllim që nuk ka të bëjë me to, por me interesat tona. Prandaj falja është moralisht e pamundshme! Është thyerje e ligjeve themelore te moralit! Është krim kundër humanizmit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok