22/12/2024

LARGËSI TË AFËRTA NË NJË LETËR

0
Albina-Idrizi

Nga Timo Mërkuri

Në poezinë e saj “Letër”  Albina Idrizi, duke marrë shkas nga një situatë familjare krijon një vepër poetike  me karakteristika universale dhe vlera artistike të spikatura, ku ndërthuren mjeshtërisht ndjeshmëria personale dhe reflektimi mbi realitetin kolektiv. E shkruar në formën e një letre drejtuar vëllait në në mërgim, në momente të vështira familjare të sëmundjes së nënës dhe  kërkesave të saj të shspeshta dhe insistuese për praninë e të birit, kjo poezi tingëllon si një klithmë, si një kërkesë, si një lutje shpirti që të ndryshojë e të përmirësohet diçka në jetën e familjes dhe të Kosovës. Në thelb, kjo poezi nuk është një rrëfim personal, por një krijim i ngritur mbi bazën e universalitetit. Figura e nënës dhe thirrjet e saj për ribashkim familjar përfaqësojnë përvojën kolektive të shumë familjeve shqiptare në periudhën pas luftës në Kosovë, ku izolimi politik i shtetit të ri dhe pamundësia e qytetarëve të saj për të udhëtuar lirshëm ishin plagë të dhimbëshme. Vargjet mbushur me simbolikë dhe ndjenja të holla, krijojnë një atmosferë që fton lexuesin të reflektojë mbi lidhjet njerëzore,  rolin e sakrificës dhe forcën e dashurisë që sfidon distancën dhe kohën.  Poezia nis me ngrohtësi e dhimshuri motre për vëllanë të cilit i përcjell merakun për nënën plakë të sëmurë:

Nëna nuk është mirë, vëlla

shpeshherë ngre dorën

dhe të fshin ballin

thua se nuk je kaq detra larg.

E ndien edhe ti?

Fjalët janë të thjeshta, dhe imazhi duket si i vizatuar me laps të zi, por gjithsesi ato përcjellin një drithërimi dhe ngashërim të fshehur mes vargjeve që, si në një sekuencë filmike shfaqin lëvizjen e dorës së nënës në jerm nga termperatura e lartë, për të fshirë ballin e të birit, që e sheh si me djersë, a ndoshta thjeshtë për ta përkëdhelur, që i biri më në fund i erdhi nga larg në këto ditë të vështira. I kishte premtuar që do ti vinte sa herë që të kishte nevojë për atë, dhe ja ku i erdhi…i miri i nënës.

I-Poetja  ve në gojën e heroinës një pyetje  të thjeshtë drejtuar vëllait të saj te vargu i pestë: E ndjen dhe ti? (dorën e nënës mbi ballë). Kjo pyetje  është sa ngashëruese aq dhe shumëkuptimëshe që të habit me dendësinë dhe shumëdimensionalitetin e saj dhe të bind se ajo nuk është  vendosur rastësisht apo vetëm estetikisht. Ka një shpirtërim ky varg ku çdo gërmë e fjalë reagon si pjesë shpirti a zemre kur preket.

1.Kjo pyetje krijon lidhje të drejtpërdrejtë dhe emocionale midis heroinës dhe vëllait, por mund të shihet edhe si një lidhje e drejtpërdrejtë me lexuesin apo një entitet tjetër simbolik, si Kosova. Pyetja është e tillë që kërkon konfirmim e përbashkët të ndjenjave , (jo thjeshtë një pohim) duke i dhënë poezisë dimension universal dhe thirrje për solidaritet emocional. Pyetja shërben si mjet introspektiv, ku heroina përpiqet të gjejë një përgjigje që i jep kuptim përjetimeve të tyre dhe si e tillë  ajo reflekton një ndjesi pasigurie dhe dëshirë për të ndarë dhimbjen e mallëngjimin me një tjetër,(vëllain) duke forcuar lidhjen mes figurës dhe botës poetike.

2.Kjo pyetje është në harmoni të plotë me temat e poezisë, si dashuria për nënën dhe vendin dhe fton edhe lexuesit të përfshihen emocionalisht dhe të ndajnë dhimbjen që buron nga mungesa e vëllait, nga sëmundja e nënës dhe  nga vuajtjet e Kosovës. Në këtë mënyrë, pyetja bëhet  pikënisje e një reflektimi mbi lidhjen mes njeriut dhe atdheut.

  1. Në aspektin stilistik, pyetjapërmban një efekt të fuqishëm poetik, duke mos kërkuar domosdoshmërisht përgjigje konkrete, por duke nxitur lexuesin të meditojë mbi përjetimet e shprehura në vargje. Pyetja krijon një ndjenjë përbashkësie dhe forcon tonalitetin emocional të poezisë. Në kontekstin e faktit që vëllai është larg, në emigracion, pyetja “E ndjen dhe ti?” shndrohet në thirrje të heshtur për të ndjerë sëbashku peshën e largësisë dhe pasigurisë. E parë në këtë kontekst, ajo nuk i drejtohet vetëm vëllait të heroinës, por shtrihet tek të gjithë ata që përjetojnë të njëjtën dhimbje dhe mall për së largu për familjet e tyre.
  2. Në kontekstin historik të Kosovës, pyetja është një kërkesë për ndërgjegjësim kolektiv dhe njohjen në tërësinë e tyre tëdhimbjeve të përbashkëta që burojnë nga humbjet dhe sakrificat e një populli të tërë.

5.Dhe së fundi, përmes kësaj pyetjeje, poezia krijon një urë mes ndjenjave individuale dhe përjetimeve universale, pse ajo fton jo vetëm për reagim emocional, por dhe për një reflektim mbi ndarjen e dhimbjes dhe ruajtjen e lidhjeve shpirtërore në mes të distancave dhe sfidave.

Ajo që mund të shtojmë pas kësaj është fakti i mahnitjes që na shkakton densiteti i ndjenjave dhe finesa artistike e shprehur nga Idrizi, e cila na sugjeron indirekt që ta lexojmë më me vemëndje vijimin e kësaj poezie.

II-Poetja e vazhdon bashkbisedimin me të vëllain nëpërmjet vargjeve “sepse krahë më të gjatë se të nënës / e sy më të thellë se të sajtë / unë kurrë nuk kam pa,” ku shfaqet një pamje poetik jo aq i fizikut të nënës (krahë, sy) se sa i dashurisë së saj si forcë universale gjithëpërfshirëse. Sigurisht që krahët dhe sytë janë metafora, përmes së cilave, dashuria e nënës merr përmasa të pakufishme dhe hyjnore, duke u paraqitur si një fuqi që arrin përtej çdo distance fizike apo kufizimi njerëzor, ku:

“Krahë më të gjatë se të nënës“simbolizon përqafimin e saj fizik e shpirtëror dhe gjatësia e tyre nuk përcaktohet me parametra fizik, por reflekton aftësinë e saj shpirtërore për të mbërritur deri te fëmija, pavarësisht distancës ku ndodhet ai, pse realisht dashuria e nënës tejkalon hapësirën e kohën, dhe bëhet burim ngrohtësie e mbrojtjeje, edhe kur distanca duket e pakapërcyeshme.

E parë në këtë aspect edhe  vargu: “Sy më të thellë se të sajtë” përfaqëson mençurinë, ndjeshmërinë dhe aftësinë e nënës për të parë më shumë sesa është e dukshme në natyrë, sepse sytë e nënës shohin përtej pamjes së jashtme, ata depërtojnë në shpirtin e fëmijës , duke “parë” plagët dhe dhimbjet e tij, edhe kur ai vetë nuk i shpreh. Ato janë sy të mbushur me dashuri dhe dhembshuri që vetëm nënat e zotërojë. Pra, në poezi dashuria e nënës nuk shfaqet thjesht si ndjenjë, por ashtu siç është në realaitet , një fuqi e jashtëzakonshme që mbizotëron mbi çdo pengesë dhe tejkalon çdo përvojë njerëzore.

III-Te vargjet: “Të kujtohet si na rrëfente baba / për zemrën e nënës në dorën e djalit / që klith nga dhimbja kur ai rrëzohet?” duhet të ecim ngadalë, pse ato ndërthurin një narrativë të dhimbshme që përqendrohet në sakrificat ekstreme të nënës. Elementi  tregimor i këtyre vargjeve (është ai djali i përrallës ruse, që vrau nënën e tij dhe ecte duke mbajur zemrën e saj në dorë, që tja shpinte urdhëruesit të vrasjes, si dëshmi  besnikërie), shton një dimension të errët dhe universal për mënyrën se si lidhjet njerëzore shpesh testohen në kushtet më ekstreme. Vargjet marrin një kuptim  dyfish të dhimbshëm, nga njëra anë, zemra e nënës që rrihte në dorën e djalit dhe “që klith nga dhimbja kur ai rrëzohet” (dhe e pyet: “mos u vrave bir”?) simbolizon dashurinë e pakushtëzuar të nënës, që vijon edhe pas vdekjes. Nëna klithi se mos u vra sadopak djali (vrasës) i saj, sepse biri është bir pavarësisht se çfarë bën e ku ndodhet. Fakti që kjo zemër i është marrë me dhunë nënës nga vetë djali i saj dëshmon tragjedinë, ku besnikëria ndaj urdhëruesit ofiqar apo detyrimi i imponuar shkatërron lidhjen më të shenjtë njerëzore. Ky akt përçon një thirrje morale dhe një pasqyrë të errët të marrëdhënieve të pushtetit dhe tradhtisë.

Përsëritja “Nëna jonë paska qenë.” ka një peshë të veçantë në këtë kontekst, shto faktin që melodikisht tingëllon si refreni i poezisë. Nëna jo vetëm mishëron dashurinë dhe sakrificën, por gjithashtu përfaqëson pafajësinë dhe dhembshurinë. Poetja e ngre figurën e saj si një  simbol i shpirtit njerëzor që duron dhimbjen e shkaktuar nga atadhe për ata që do më shumë.

Nuk e di pse vargjet “Po ajo që mban digën e skamjes / dhe nuk e ndal këngën / të mos e trembë vërshimi / lumturinë e fëmijëve?” më kujtojnë një baladë të Vendeve të Ulta, por dëshmia “Nëna jonë paska qenë” e poetjes më rikthen në Kosovë. Në këtë kontekst, këto vargje reflektojnë jo vetëm qëndresën e nënës ndaj vështirësive, por dhe sakrificën e saj: ajo përpiqet të mbrojë jetën e lumturinë e të gjithë fëmijëve. Kënga e saj, që nuk ndalet pavarësisht sfidave, tingëllon si simbol i dashurisë mëmësore që triumfon ndaj rezikut që kanos fëmijët e saj. Historia e jonë është plot më raste sakrificash të nënave për të shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre.

Vargu: “Gjithë nënat që dimë gjithandej/nëna jonë paskan qenë” universalizon dhimbjen dhe sakrificat e nënës, pse të gjitha nënat, qëndrojnë si figura simbolike të dashurisë dhe sakrificës për fëmijët e tyre,  dhe në këtë kuptim, poezia shpreh një thirrje për të reflektuar mbi aktet që shkatërrojnë lidhjet më të shenjta njerëzore.

IV- Një anë tjetër të figurës së nënës shfaqin vargjet: “Kërkon vazhdimisht të mbajmë derën hapur/ (ti e di nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura)”pse shpalosin një ndërthurje të pasur kuptimesh e simbolesh që kapërcejnë kufijtë e përvojës individuale apo traditës shqiptare të mikpritjes. Në qendër përsëri është figura e nënës, por ajo shndërrohet në simbol universal të hapjes shpirtërore, pritjes dhe lirisë, duke u lidhur me ide të thella filozofike dhe ekzistenciale.

Në nivel të parë, imazhi i derës së hapur përçon pritjen plot merak të nënës për të birin, që mund të vijë në çdo moment, por në kontekst më të gjerë, dera e hapur simbolizon qasje universale ndaj jetës dhe të tjerëve. Dyert e hapura janë shprehje e pranimit, besimit, dashurisë. Ato refuzojnë “mbylljet”,kufizimet e izolimin, duke përfaqësuar një shpirt të lirë dhe të përgatitur për të përballuar botën. Në këtë aspekt, nëna mishëron një urtësi të thellë, si përvojë jete, që refuzon çdo lloj pengese apo kufi që mund të ndërtohet ndërmjet njerëzve.

Nuk të befasojnë vargjet: “Dhe se kujt i hakërrehet-/ lërini të vijnë, lërini të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë, pastaj sërish nga fillimi”pse këtu, hakërrimi si  thirrje e brendshme, tejkalon aktin e thjeshtë të pritjes për një mik apo bir apo të një mbylljeje porte. Thirrja “të vijnë” dhe “të shkojnë” pasqyron një cikël të jetës: ardhjen dhe largimin, dhënien dhe marrjen, bashkimin e ndarjen. Në këtë kuptim, nëna përfaqëson pranimin e këtij cikli si realitet i pashmangshëm dhe universal. Ajo nuk kërkon të ndalë  ardhjet apo largimet, por thërret për një rrjedhë të lirë të lëvizjes, ideve dhe emocioneve. Në kontekstin universal,këto vargje mund të lexohen si reflektim mbi rëndësinë e hapjes , tolerances, pranimin e tjetrit dhe ndërlidhjes globale dhe refuzimi i dyerve të mbyllura shpreh kundërshtimin ndaj izolimit, kufijve fizikë apo shpirtërorë që pengojnë rrjedhën e lirë të njerëzve dhe mendimeve. Kërkesa për të “lënë të vijnë dhe të shkojnë” përçon idenë e lirisë universale, dhe pasqyrojnë një filozofi që pranon ndryshimin si thelbësore për përvojën njerëzore. Dhe të mos harrojmë, ishte koha kur kërkohej nga Kosova që tu lejohej qytetarëve të saj qarkullimi i lirë.

Pra, këto vargje janë përtej kuptimit të tyre personal dhe traditës shqiptare të pritjes së mikut, ato janë një meditim mbi nevojën për hapje dhe shkëmbime në marrëdhëniet njerëzore e ndërshtetërore, dhe në këtë kontekst ato mishërojnë një qasje universale ndaj jetës, ku lidhjet ndërtohen jo mbi kufizime, por mbi liri dhe pranimi. Në këtë mënyrë, dera e hapur shndrohet në një simbol i mundësive dhe takimeve që nuk duhet të ndalen kurrë, duke fituar një botë ku pritja dhe largimi ndodhin në harmoni të plotë. Sigurisht nëna e Albina Idrizit nuk ka mbaruar fakultetin e filozofisë, por ka përvehtësuar filozofinë e jetës dhe me fjalë të thjeshta ua përcjell fëmijëve të saj.

V- Ndërsa jemi në tension shpirtëror për të vijuar leximin, vargjet: “Po tani që erdha në fund, nuk di / të shkruajta për nënën apo për Kosovën.” na befasojnë me kulmin emocional e refleksiv që mbartin, sepse sintetizojnë ndjenjat e poetes me ato kolektive, duke i shndërruar ato në simbole universal, duke  pasqyruar dualitetin e ndjesive të poetes, ku figura e nënës dhe ajo e Kosovës shkrijnë kufijtë mes vetes dhe përfaqësojnë një dashuri të pakushtëzuar dhe ndjenjë të thellë  Në këtë varg, dilema mes nënës dhe Kosovës është më shumë një pyetje retorike sesa një dyshim i vërtetë. Nëna dhe Kosova , në mënyrë të ndërthurur, simbolizojnë dy shtylla të qenies së autores: dashurinë për individin më të shtrenjtë në jetën e saj dhe dashurinë për atdheun, i cili përfaqëson rrënjët, kulturën, traditën, identitetin. Në këtë kontekst, figura e nënës bëhet një metaforë e Kosovës, dhe Kosova merr cilësitë e një nëne të dhembshur dhe sakrifikuese. Nuk gabojmë ne shqiptarët që atdheun e quajnë “nënë”, pse ky emër përçon idenë se përkushtimi ndaj nënës dhe ndaj atdheut janë dy forma të së njëjtës dashuri, të cilat nuk mund të ndahen.

Në aspektin poetik, dilema nënvizon marrëdhënien (gjithmon të ndërlikuar) mes individit dhe kolektivitetit. Duke shkruar për nënën, autorja shpreh dhimbjen personale dhe të thellë për një figurë të dashur. Por në të njëjtën kohë, ajo flet edhe për Kosovën, një atdhe që ndodhet në dhembje e mungesë lirie, pikërisht si dhe nëna. Në këtë mënyrë, dhimbja për nënën bëhet zëdhënëse e dhimbjes së një populli të tërë, duke i dhënë poezisë një dimension universal.

Të ve në mendime vargu: “Bëj ç’të bësh, dil nga legjenda” dhe pyet veten: për çfarë legjende e ka fjalëmn poetja, pasi në asnjë varg nuk na ka dhënë  ndonjë element të saj. Ah, po na ka dhënë pritjen e motrës dhe ankthin e nënës, një Doruntinë që pret vëllain, (jo për ta çuar te nëna, por), për të parë nënën. Shkuan shumë vite dhe ai spo vjen. Por me siguri që do vijë: e ku ka vëlla që nuk vrapon te motra kur ajo e kërkon, ku ka bir që nuk rend te nëna kur ajo ka nevojë për atë. Kostandini, vëllai i Doruntinës për shkak të nënës dhe motrës rendi nëpër legjendë me kalin e bërë nga dheu i varrit, por vëllai i Albinës do vijë me linjën ajrore, sepse tani dhe qytetarëve kosovarë ju lejua lëvizja e lirë. Lere hapur portën Albina se do vijë befas e do hyjë me vrull e, së pari do përgjunjet në prehërin e nënës dhe ty do të të marrë në gjoksin e tij. Do tju përzihen lotët faqeve, por ani: lotë gëzimi do jenë.

Kjo frazë mbi daljen nga legjenda mund të shihet dhe në një aspekt tjetër, si një thirrje për veprim, për dalje nga kufijtë e mitizimit dhe përballje me realitetin. Nëna si simbol i Kosovës, dhe Kosova si simbol i nënës, janë thirrje për mos qëndruar në pasivitet apo në idealizim të pajetë, por të ndërmirren hapa konkretë që përqafojnë realitetin dhe ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Në këtë formë, poezia tejkalon nostalgjinë e sentimentin, dhe  shndrrohet në një manifest për veprim dhe reflektim. Dhe shikoni thjeshtësinë e të shprehurit: “Bën ç’të bësh dil nga legjenda”, sikur ti thotë: “bën ç’të bësh, kalo nga shitorja e blej ca llokume se do presim miq”, por në fakt duke menduar dimensionin e saj të duket se është Doruntina që së largu  e fton vëllain të vijë ta marrë e ta shpjerrë te nëna, sipas fjalës së dhënë.

V-Poezia e Albina Idrizit “Letër”, është thellësisht simbolike, duke përdorur figurën e nënës dhe atdheut një narrativë që shkon përtejë ndjenjave personale, drejt një universi më të gjerë e kompleks të përvojave. Simbolizmi  pasqyron lidhjen e pazgjidhëshme mes dashurisë familjare dhe asaj për vendin, duke i ngritur këto ndjenja në nivelin më të lartë shpirtëror e filozofik.

1.Në këtë poezi, nënës i atribuohen cilësi të shenjta dhe të patjetërsueshme, duke u shndërruar në simbol të atdheut dhe të një historie të dhimbshme. Figura më e bukur dhe më e fuqishme simbolike është ajo e nënës, në rolin e një mbrojtëseje të dashur, të qëndrueshme dhe të përkushtuar, e cila përpiqet t’i ruajë fëmijët nga vështirësitë dhe padrejtësitë e botës. Ky simbol është i lidhur ngushtë me përvojën e Kosovës, ku populli ka kaluar përmes periudhave të mundimshme dhe të vështira.

Në këtë kontekst, nënës, si figurë e dashurisë dhe e sakrificës, i atribuohet fuqia për të mbajtur “digën e skamjes” dhe për të ruajtur “lumturinë e fëmijëve”, e cila mund të shihet si një paralelizëm me popullin që përpiqet të mbijetojë dhe të ruajë dinjitetin e tij në kushte të vështira.

“Zemra e nënës” është simboli i sakrificës, por edhe i vazhdimësisë e  mbijetesës. Vargu me zemrën e nënës përfaqëson sakrificën e tipit legjendë që bën nëna, duke mos kundërshtuar, mallëkuar apo penguar birin e saj të kryejë aktin më të pashëmbullt criminal (vrasjen e nënës) vetëm që ai të jetontë.

3.Një tjetër simbol në poezi është ai i derës. Deri tani, simbolizmi i derës ka pasur dy kuptime: një lidhur me mikpritjen tradicionale shqiptare dhe një më të thellë dhe më universalisht human. Vargjet “Kërkon vazhdimisht të mbajmë derën hapur” dhe “lërini të vijnë, të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë” tregojnë për një kërkesë të pafund për hapjen dhe mirëseardhjen e të gjithëve, si simbol i shpresës dhe solidaritetit të njerëzve, pa dallime. Ky simbol thotë që dashuria dhe mikpritja duhet të jenë të pranishme në çdo familje, si mundësi për shërimin e plagëve  apo dhe hapësirë për unitet dhe pajtim.

4.Në një nivel më të gjerë dhe më universal, simbolizmi i kësaj poezia mund të kuptohet si thirrje për reflektim të thellë mbi identitetin, sakrificat, dhe luftën për liri, të cilat janë pjesë e çdo kombi dhe çdo individi që ka përjetuar padrejtësinë dhe mungesën e lirisë. Nënës dhe Kosovës u janë dhënë dimensione të tilla saqë ato shndrohen të përjetshme dhe të pashlyeshme. Ky simbolizëm i bën këto figura të tingëllojnë si tema universale, të cilat mund të përjetohen nga kushdo që ka përjetuar dhembje dhe mundim në një nivel të ngjashëm. Pra, poezia e Albina Idrizit është e mbushur me simbole, të cilat shtrihen nga aspektet personale të poetes deri në ato universale të dashurisë, sakrificës e shpëtimit.

VI- Poezia “Letër” e Albina Idrizit ka disa elemente që shfaqen si tipare postmodernizmi, duke nisur nga shkrimi i saj, që thyen ndarjen mes traditës dhe inovacionit, dhe gjer te përdorimi i formës dhe strukturës në mënyrë të papritur dhe të hapur për interpretime. Ja disa nga aspektet postmoderniste që mund të evidentohen në këtë poezi:

  1. Postmodernizmi e trajton individin si të lidhur ngushtë me grupin dhe historinë e tij, por pa arritur një kuptim të plotë dhe të njëtrajtshëm. Poezia e Idrizit ka këtë tipar në mënyrën se si ndërthur lidhjen personale me Kosovën dhe historinë e saj. Vargjet që shprehin pasionin për nënën dhe atdhenë, si dhe përpjekjet për të artikuluar një dashuri sa personale aq dhe kolektive, janë një reflektim i postmodernizmit, që refuzon çdo ide të një kuptimi të plotë dhe të njëtrajtshëm të historisë dhe identitetit.
  2. Postmodernizmi shpesh luan me historinë dhe përdorimin e saj, duke e transformuar atë në një tekst të vazhdueshëm, gjithmonë në ndryshim dhe i pasigurt. Vargu “Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, / po tani që erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën / apo për Kosovën”është një pasqyrë e këtij disavantazhi historik: poetja nuk e shpjegon qartë nëse flet për një temë ose një tjetër, sepse ato janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe nuk mund të shfaqen të ndara. Kjo poezi ka elemente të postmodernizmit, pasi ai krijon një ndjesi pasiguri dhe interpretimi të kuptimeve pa fund, tipar ky i njohur i postmodernizmit.
  3. Në shumë poezi postmoderne, është e zakonshme që forma të shkruhet në mënyrë të lirë dhe pa ndjekur rregulla tradicionale të ritmit dhe vargjeve. “Letër” është një poezi që nuk u përmbahet rregullave klasike të vargut, por ka një rrjedhë të lirë, dhe të pasigurt, që shpesh është karakteristike e postmodernizmit. Forma e poezisë shfaqet si një bisedë e natyrshme me veten, me vëllain, dhe me lexuesin, formë që sfidon idenë e një strukture të përcaktuar dhe të qartë.
  4. Postmodernizmi është i njohur për shumëkuptimësinë dhe fragmentimin e kuptimit, që janë pasqyra të realitetit të pasigurt e të shumëanshëm. Vargjet e poezisë “Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, / po tani që erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën / apo për Kosovën” janë një shembull i kësaj: autorja e vë veten në një pozicion ku nuk mund të ndahet ajo që është personale (dashuria për nënën) nga ajo që është kolektive (Kosova si atdhe dhe simbol). Ky fragmentim dhe mospërputhje e kuptimit është një element tipik postmodernist, ku nuk ka një kuptim të qartë dhe të njëanshëm.

Si përfundim mund të themi se poezia “Letër”e Albina Idrizit dallon për ndjeshmërinë dhe thellësinë e saj, duke arritur të krijojë një ekuilibër të rrallë mes ndjenjës personale dhe universalitetit. Me një gjuhë të thjeshtë por të ngarkuar me simbolikë, ajo depërton në shtresat më të thella të përvojave njerëzore, duke përfaqësuar dhimbjen, dashurinë dhe shpresën me një forcë artistike që mbetet në kujtesë, madje forma e saj si një letër dërguar vëllait për të ardhur të shohë nënën I bëhet tepër familjare lexuesit. Poetja  krijon një botë poetike të pasur, ku imazhet dhe emocionet flasin njëkohësisht për intimitetin familjar dhe identitetin kolektiv të një populli. Aftësia për të ndërthurur dimensionet personale dhe historike, duke ruajtur një ton delikat dhe reflektiv, e vendos këtë poezi ndër krijimet më të arrira të poezisë bashkëkohore shqiptare. Kjo është një poezi që jo vetëm prek, por edhe frymëzon, duke ftuar lexuesin të reflektojë në nivele të ndryshme të përjetimit njerëzor.

Sarandë, më nëntor 2024

________

Albina Idrizi

 

Letër

 

Nëna nuk është mirë, vëlla

shpeshherë ngre dorën

dhe të fshin ballin

thua se nuk je kaq detra larg.

E ndien edhe ti?

Sepse, krahë më të gjatë se të nënës

e sy më të thellë se të sajtë

unë kurrë nuk kam pa.

Të kujtohet si na rrëfente baba

për zemrën e nënës në dorën e djalit

që klith nga dhimbja

kur ai rrëzohet?,

nëna e jonë paska qenë.

Po ajo që mban digën e skamjes

dhe nuk e ndal këngën

të mos e trembë vërshimi

lumturinë e fëmijëve?,

nëna e jonë paska qenë.

Gjithë nënat që dijmë, gjithandej

nëna e jonë paskan qenë.

Nganjëherë i vë gishtin gulçeve,

të mos na dëgjojnë lulet, thotë

dhe çuditem nga i ka mësuar

metaforat e poezisë sime.

Kërkon vazhdimisht të mbajmë

derën hapur,

(ti e di, nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura),

dhe se kujt i hakërrehet –

lërini të vijnë, të vijnë, të vijnë….

lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë…

pastaj sërish nga fillimi.

Po e mbaroj këtu, vëllaçkoja im,

por tani që erdha në fund,

nuk di

të shkruajta për nënën

apo për Kosovën.

P.s.

Bëj ç’të bësh, dil nga legjenda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok