21/12/2024
u6_Fahri-Dahri

(Trashëgimia shpirtërore dhe ajo materiale)

Nga Fahri Dahri

(Kur qielli egërsohet dhe nxin në mes të ditës, për përballimin e situatave duhet informim për masa mbrojtjeje!)

Aktualiteti shqetësues mbarëshoqëror, ku na kanë sjellë “primarët” partiakë të politikës, për vëzhguesit profesionistë dhe të pavarur nga grupimet partiake, është një detyrim objektiv për t’i trajtuar me ndershmëri jo vetëm profesionale, por me ndjesi të lartë në ndikimin shpirtëror, material dhe social që preket e gjithë popullsia që gjallon në nënshtetësinë shqiptare.

Titulli nënkupton dy kategori:

a)- trashëgiminë shpirtërore, dhe

b)- trashëgiminë materiale.

Ky shkrim nuk ndalet në përkufizimet përkatëse që janë të qarta, të shkruara dhe të njohura, por do i përmbahet realiteteve, praktikës që nxirret nga vetë jeta jonë.

Të gjithë vijnë në jetë një e nga një, po ashtu edhe ikin. Askush nuk arrin pavdeksi. Edhe kjo teorikisht dhe praktikisht njihet nga të gjithë që nuk ndodh ndryshe. Megjithatë tek disa anashkalohet, jo se harrohet, por seç i mposht një ndjesi madhështie e cila i krekos deri në atë masë sa që, nuk them dot mohojnë, por vetveçohen, shkëputen nga shoqëria dhe familja,  vetvendosen mbi ‘ta.

A ka përcaktim për tipat që mendojnë dhe veprojnë si primarë, të zgjedhur nga “qielli”, të pa krahasushëm, të ditur, të pavdekshëm? Ata, që kur afrohet e pa shmangshmja, struken, tkurren, frikohen, atëhere u vjen mendja… dhe pendohen. Sa e sa njerëz të kamur, miliarderë, të pushtetshmë, janë penduar dhe para vdekjes kanë deklaruar: “Sikur ta dija se pasuria, sado e madhe, dhe plotfuqia e pushtetit nuk më shpëtojnë nga vdekja, shumë ndryshe do të veproja“.

Këto deklarime njihen, por, siç thotë gjenia popull, “sa para bën” (që nënkupton “s’kanë vlerë”). Për të gjithë, të varfër, pasanikë, mbretër, presidentë, kryeministra, kapadai, etj. vjen një kohë dhe u “dhurohen” 2 m. kub dhe, sepse radha (rrjeshti) është e pandërprerë.

Po trashëgimi, a ka? Ka. Do ndalemi në trajtim vetëm për dy të tilla.

a)- Tradhëgimia shpirtërore.

Është e vërtetuar se nuk ka përjetësi. I duam prindërit, fëmijët, të afërmit, miqtë dhe shokët. Po. I duam me gjithë shpirt e zemër. Kujtojmë me dashuri, dhimshuri gjyshërit dhe gjyshet që na deshën aq shumë, por janë ndarë nga jeta. Ja, ta shtrimë kujtimin edhe tek stërgjyshërit, nuk i kemi njohur por i kemi të thëna nga prindërit apo ndonjë nga gjyshërit. Kaq. Më tej, me përjashtim të atyre që kanë lënë vepra të dobishme, trashëgimia shpirtërore përfundon. Fjala vjen: unë di që stërgjyshi kishte grua, por unë nuk ja di emrin!?. Pra asaj i është harruar emri. Shembulli na tregon se ky është fundi i të gjithëve.

“Sa keq” për tipat e mësipërmë që sot mbiveçojnë veten dhe nesër do nënçmohen, nuk fitojnë asgjë veç të djegurit në “ferr” dhe mallkimin e dy a tre brezave pasardhës kokë ulur për bëmat e prindërit apo gjyshit!

b)- Trashëgimia materiale.

Është fjala për pasurinë e patundshme, për atë ku kemi lindur, për tokën që quhet “ATDHE”. Sa ndryshe nga trashëgimia shpirtërore! Është ndryshe kjo trashëgimi. Toka ku kemi lindur është e përveçme, ajo për vetë objektivitetin që ka, është dhe përcaktuesja e identitetit. Ajo nuk vdes, as nuk harrohet, është e përjetshme. Dheu ka vlera mbinjerëzore. Dhuron vetëm jetë, tek kjo lindin, krijohen gjallesa ajrore, tokësore dhe ujore. Po ashtu, siç krijon kushte për jetën, pranon edhe prehjen brenda saj. Toka, është mbrojtja e kockave të gjithkujt, edhe e atyre: “primarëve”, të kamurve, të pushtetëshmëve por pa zemër. Nëndheu nuk veçon kujdesje. Dheu, është kudo dhe për të gjithë i njëjtë.

Këtë që shkrova, e di që e dimë të gjithë, ka dhe nga ata që, sigurisht e dinë, por “madhështia” e pamerituar u a “merr mendjen” dhe “tunden e shkunden” para të tjerëve. Nuk ndryshohen të vërtetat, ato mundet të pengohen për një farë periudhe nga rrotat e keqbërsave, zemër katranëve. Shoqërisë i janë dashur mijra vite për të arritur tek shteti, i cili mbart vlera rregullatore të domosdoshme për popujt. Por nuk duhet harruar se në shoqëritë e qytetëruara, shtetet janë  krijuar për ti shërbyer shoqërisë në tërësi. Ndryshe nga sa veprohet prej disa “parësorëve” tanë që përdorin shtetin për interesa të ngushta, brenda gardhit.Tipa të tillë rrezikojnë sovranitetin, shkaktojnë shqetësime të theksuara në shoqëri, pengojnë të shijuarit e jetës, bëhen mizorë, mëkatarë.

E kanë hak mallkimin popullor: “Lanet paçin“.

Fahri Dahri. 09/02/2022.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok