Lala i Vogël
TREGIM I JETUAR
– Tregim i shkurtër në kujtim të një pinjolli –
Nga Llesh NDOJ
Deri vonë e dija se ky ishte emri i tij i vërtetë, e kurrë s’kisha pyetur nëse kishte emër tjetër. Më mjaftonte ky emër dhe dashuria e tij, për t’a dashtë sikur t’a kisha axhë. E vetmja pikëpyetje ishte: pse kishte epitetin “i vogël”, ndërkohë që ai ishte normalisht i madh në shtat e më shumë se kaq në takat. Trupi i drejtë si lastar, mënyra si e hidhte hapin, të madh e plot siguri, mënyra si i kryente punët që merrte përsipër, plot vrullë, shtrunga e deleve që “shterrohej” më shpejt, kur i milte ai, e sillnin përfytyrimin e tij tek unë, përherë të ri e të fuqishëm. Dikur, tregonin se s’ia kishte vu kush shpinën për tokë në ato “kampionatet e zanonshme të mundjes mundjes” që zhvilloheshin në lendinat e Rrugjës kryesisht për t’Shmarramej, apo në Fanë për t’Shmark. Derisa u nda nga jeta, faqet e tij kuqëlonin, si të ishte djalë i ri, plot shendet dhe freski. Po të mos ishte veshja tradicionale me brakesha, brez të kuq në mes, këmishë akull të bardhë, xhaketë e kësulë me maje, zor me iu përafrue moshës së tij. Tufa e tij e deleve në ish – kooperativën bujqësore shquhej për rendimentin e lartë në qumësht e lesh, në pjellori, mbarshtrim e gjithçka tjetër, sepse ai “nuk dinte” ndryshe, çdo punë që merrte përsipër do t’a kryente me ndërgjegje dhe ndershmëri sikur të ishte e gjitha e tij.
Ndreu ishte i bindur dhe bindës. Ai i bindej së drejtës, usulleve shoqërore dhe rregullave shtetërore. Ishte bindës në ato që merrte përsipër, qoftë edhe si ndonjë ndërmjetës, apo… Toka e tij, që quhej “Kopshtnajet”, ishte ndër më të mirat, në mos ma e mira tokë e punueshme atje në atë fshat. Familja e tij ishte ndër të paktat, që e siguronte bukën vetë për të gjithë vitin. Ishte kjo arësyeja që ai e kundërshtoi me forcë hyrjen në kooperativë, por më vonë iu bind fjalës së miqve e shokëve që iu drejtuan atij për këtë çështje. Ndërsa të gjithë bashkëfshatarët ia kishin borxh njëri – tjetrit një punëtorë falas në vit, Ndreu kujdesej t’i bënte dy, e ndoshta edhe më shumë, sepse ky humanizëm burontë jo vetëm nga shpirti i tij i mire dhe bujarë, por edhe nga geni fisnorë. Ai ishte shumë shoqërorë, fjalëembël dhe i besueshëm. Nuk mund të kishe një hall të madh, sëmundje, a larg qoftë vdekje, ku ai të mos gjendej me përkujdesjen e tij dhe të të afronte ndihmë.
Kulla ku kishte lindur ai, një ndërtesë trikatëshe, që s’mbahej mend qysh kur kishte mbirë në lagjen Rrugjë të Domgjonit, thuhej se ishte ndërtuar me gëlqere 100 vjeçare nga mjeshtrit dibranë, e s’mbahej mend sa desh e cjep ishin therë gjatë asaj kohe. Ajo njihet si kulla e Marka Ndreut, të parit të barkut tonë që njihej ose “Lalaj” ose “të Markandreut”. Ndue Marka Ndreu ishte paraardhësi ynë i drejtpërdrejtë. Nikoll Ndoj, gjyshi Ndreut, kishte lënë vetëm një djalë, Markun, edhe ai u nda nga jeta heret, duke lenë pas gruan burrneshë Prenë, nanën e tij dhe Ndreun, të vetmin mashkull. Kjo ishte arësye e mjaftueshme që ai të trashëgonte trojet edhe pse mbi bazën e së Drejtës Zakonore ato i takonin vllaut më të ri. Prena, nana burrneshë që mbahet mend si një grua fisnike me tipare burri në ato troje, kishte bërë gjithçka që djalin t’a rriste mirë e kulla të përparonte, edhe pse tre brezni kishin trasheguar vetëm me nga një djalë. Ndreut si kishte munguar asgjë, prandaj i kishte shpatullat e gjëra, forcën burrërore dhe faqet e kuqe. Por në radhë të parë e mbi të gjitha, ai kishte dashuri për njerëzit, ndershmëri e besnikëri të pashoqe, bujari të pakufishme, gjë që e bënte të dallohej nga të tjerët dukshëm, në punë, shoqëri, familje e kudo.
Po pse Lala i Vogël?
Kur u rrita disi dhe fillova të gjurmoj në lidhjen e breznive e historikun e familjes, vetiu më lindi edhe kjo pyetje. Nëse ky është Lala i Vogël, kush ishte Lala i Madh? Mendja ma thoshte se edhe ai duhet të kishte qenë një Ndre, diku në vargun e breznive, ashtu si e përmenda edhe më lart. Po cili? Sa brezni larg shkonte? Askush nuk dinte t’i vinte në varg breznitë edhe pse kalohej përmes numërimit të brezave nëpër shkallët e rreth treqind viteve.
Ky Ndreu, Lala ose Lala i parë, ishte i pari i barkut tonë, që për shkak të tij njihemi me emrin Lalaj… Ndreu i parë kishte patur vetëm një djalë e një vajzë. Kur i kishte kapërcyer të shtatëdhjetat, djalin ia kishin vra, kurse vajza ishte martue. E ardhmja e asaj dege të fisit Kolaj ishte në zgrip të shuarjes. E kishin lutë Ndreun, apo Lalën të martohej, por ai nuk pranonte pa ia marrë gjakun djalit, punë që në atë moshe nuk ishte e mundur t’a kryente vetë. Askush s’ia merrte përsipër atë detyrë!
Ishte 75 vjeç, kur e bija e martuar e mori gjakun e vllaut të vetëm. Si?
…kishte dëgjuar se hasmi kishte radhën e mullirit natën, e do të bluante aty personalisht. Pasi njerëzit e familjes së burrit kishin ra për të fjet, gruaja e re pa zhurmë, merr armën e qenin për hekurash dhe dredhon drejt e tek mulliri. Sigurohet se është ai, dora vete dhe përmes vrimës së derës e vret hasmin e babës. Turravrap vajza trimëreshë shkon tek baba, Lala jonë dhe i tregon se si kishte vepruar, mandej i thotë që pas rreth 1 ore e gjysmë, koha që i duhej të kthehej përsëri deri tek shpia e burrit, ai t’i bënte danamin, tri të shtëna në ajër, të njoftonte fisin dhe të merrte masat për mbrojtje. Fisi nuk e besuan derisa në të dal të dritës, nga larg panë vargun e njerëzve të të vramit të dilnin nga mulliri me gjenazen në vigj dhe u nisën drejt shtëpisë se të vramit, të cilit edhe i çoi fjalë se e kishte vrarë ai dhe se e kishte bërë për të marr gjakun e djalit. Tashmë Lala ishte i lirë për martesë, e ashtu u bë. Nga Lala leu djali i lalës e me radhë lalajt, dhe Lala i Vogël qe njëri nga më te mirët trashëgimtar të tij.
Duke shfletuar nëpër dokumenta dhe libra, e sidomos nga i ndjeri Qazim Prejsi, kam mësuar se në Bulqizë janë një degë e fisit Lalaj me prejardhje nga Domgjoni i Mirditës, të cilët edhe ai i rrjeshton në rreth 10 – 12 brezni. A janë ata degë e Lalës tonë? Fatkeqësisht ende nuk mund t’a them sepse nuk kam mundur të gjej të dhëna të drejtpërdrejta prej tyre, veç librit mbi karër grykët e Dibrës së autorit të sipër cituar. Qoftë edhe mbledhja e gojëdhënave prej pinjollëve “lalaj” atje, mund të hidhte dritë mbi ekzistencën e kësaj lidhje. Qoftë edhe kjo pikëpyetje e lindur nisur nga emri i tij, dëshmon vlerat e larta që ka mbartur Lala i Vogël, apo Ndre Mark Nikolli, si njëri ndër ponjollët e barkut tonë, fisi Kolaj, në Domgjon të Mirditës.
Lala i Vogël tashmë nuk jeton më, por kujtimet e tij të mira janë të pafundme e rrojnë në kujtesën tone krahas pasardhësve të tij të shumtë, pasi aty u ndal edhe vijimësia e zingjirit të brezave me vetëm nga një hallkë.
