18/11/2024

Kush po e vret dialogun!?

0

Shkruan: Florim Zeqa

Deklaratës së Presidentit Macron për mundësinë e pezullimit të vizave për Kosovën si shkak i mospërmbushjes së obligimeve të Kosovës për Marrëveshjen e 19 Prillit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, i është përgjigjur presidentja Vjosa Osmani “nëse merr masa kundër qeverisë Kurti dhe bën gabim e pezullon vendimin për liberalizimim e vizave për Kosovën ai me këtë e ‘vret dialogun’.

Kur presidentja flet me gjuhën e Kurtit, mund të vijnë ditë të zeza për Kosovën

Thyerja e heshtjes për një kohë të gjatë nga Presidentja jonë ndodhi në mënyrën e të folurit siq nuk jemi mësuar ta dëgjojmë deri më tani. Fjalë aq të mëdha dhe kundërthënëse kundër shteteve të Bashkimit Evropian nga e para e shtetit të vogël dhe të pakonsoliduar në Ballkan janë papjekuri politike e Vjosa Osmanit ose janë të ndikuara nga kryeministri i vendit i cili tashmë një kohë të gjatë është pozicionuar kundër të gjithëve, thuajse e krejt bota sillet rreth Kosovës, ndryshe nuk ka si të quhet veqse çmenduri politike!

Presidentja me ‘guximin e Albin Kurtit’ dhe adoleshencën politike të një injoranti, i vuri kushte presidentit të njërit nga shtetet më të fuqishme të bashkimit evropian, se “nëse pezullohen vizat për Kosovën do të vritet dialogu i Brukselit”!

Presidentja e Kosovës me qëllim po harron se dialogu me Serbinë në Bruksel nuk ka filluar me bekimin e saj dhe të Albin Kurtit, dhe as nuk do të përfundojë me ta!

Të parët e shtetit po harrojnë se Marrëveshja e 19 Prillit 2013 në Bruksel është legjitimuar në Parlamentin e Kosovës dhe është ligjërisht obliguese për Kosovën. E pëlqyer apo e papëlqyer nga krerët aktualë shtetërorë, delegjitimimi i saj mund të fillojë vetëm në Parlamentin e Kosovës, për të vazhduar tutje në instancat e larta të Bashkimit Evropian me vënjen e kushteve ndaj shtetit të Serbisë, siq janë dëmshpërblimi i Kosovës për të gjitha dëmet e luftës, kthimi i mbi 1600 të zhdukurve, kthimi i artefakteve të grabitura, kthimi i fondeve të plaçkitura pensionale gjatë luftës e deri tek përmbushja e kushtit themeltar për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Kjo është gjuha me të cilën do duhej t’i përgjigjej Makronit presidentja e vogël e shtetit të Kosovës e jo të bie pre e kryeministrit i cili së paku dy herë është pajtuar me Vuqiqin për themelimin e Asociacionit në Veri të vendit (në Bruksel dhe Ohër).

Nuk ekziston ‘vrasja e përkohshme’

Terminologjia e gabuar e presidentes Osmani ndaj deklaratës së presidentit francez është rast i pashëmbullt në diplomaci, i paprecedent në politik-bërjen kosovare!

Kjo është një dëshmi e mjaftueshme se Vjosa Osmani “rugovizmin” e përdor vetëm si kamuflazh për elektoratin, ngase, jo vetëm që nuk ka gjë të përbashkët me filozofinë politike rugoviane, ajo asgjë nuk ka mësuar nga diplomacia e Ibrahim Rugovës, i cili në kohërat më të vështira për Kosovën e përfitoj mbështetjen e botës demokratike, kurse lidershipi aktualë në kohë paqe po e humbin mbështetjen ndërkombëtare.

Kjo gjuhë e përdorur nga krerët shtetëror përveqse jodiplomatike, nuk është as guxim dhe as pragmatizëm politik, por thjeshtë është varfëri politike, për mos ta quajtur budallaki njerëzore.

Sikurse që nuk ka vdekje të përkohshme, nuk ka as vrasje të përkohshme. Ka prolongim apo pezullim të dialogut deri në përmbushjen e një kushti politik, por jo ‘vrasje të dialogut’.

Miopia politike e liderëve aktualë shtetërorë vërtetë mund të ndikojë në “vrasjen e përkohshme të liberalilizimit të vizave”, por jo në pengimin përgjithmonë të liberalizimit të vizave. Pasi këta liderë shtetërorë janë me mandat të përkohshëm politik dhe pas tyre do të fillojë të ngohë dielli përseri për Kosovën.

Po ndodhë vdekja e shpresave të qytetarëve për jetë në Kosovë

Si pasojë e mungesës së vizionit politik, si pasjojë e mungesës së platformës zhvillimore dhe degradimit të skajshëm të mirëqenjes qytetare, dita-ditës po vdesë shpresa e të rinjëve për jetë në Kosovë.

Ky është problemi bazik me të cilin do duhej të merreshin liderët shtetërorë në vend që të merren me serbët e veriut. Por edhe kur merren me serbët e bëjnë çdo herë në dëmë të popullatës shqiptare.

Në vend të ndaljes së dukurisë së shëmtuar dhe kriminale të mospagesës së rrymës së shfrytëzuar, edhe kjo qeveri sikurse ato paraprake po i ndajnë me qindra miliona euro nga buxheti i shtetit për serbët e veriut.

Me ‘këputjen e telave’ dhe ndaljen e kësaj rrjedhje enorme të parave të buxhetit të shtetit për serbët e veriut mund të investohej në sistemin shëndetësorë dhe ndërtimin e skemave të sigurimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës, e jo të mbrohet anarkia ligjore në Veri dhe as të krijohet kaos financiar në vend siq u krijua për librat e nxënësve në këtë fillim të vitit të ri shkollorë.

Liderët shtetëror dhe ata partiak duhet të merren me gjëra praktika që shkojnë në funksion të mirëqenjes qytetare, e jo të krijojnë kauza të rrejshme për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit. Sikurse që nuk u kthye pas demarkacioni me Malin e Zi, nuk do të kthehet pas as marrëveshja ndërkombëtare për Asociacionin e nëshkruar në Bruksel dhe e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok