02/12/2024

KUVENDI POETIK “MUZA POETIKE BUDJANE”

0
Tarelli-Mat-Muza-Budjane1

Organizuar nga Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat

Nga Kadri Tarelli

Dy Shtator 2023. U nisëm herët nga Durrësi, për të marrë pjesë në Festivalin e shtatë “Muza Poetike Budjane”, që organizoi klubi letrar “Pjetër Budi” i Matit. E dinim se gjithçka do të shkonte më së miri, të bindur nga serioziteti dhe përkushtimin e drejtuesve të këtij klubi, shkrimtarit të palodhur Hamdi Hysuka, poetes së talentuar Lindita Doda dhe sekretarit Fatmir Neli. Kënaqësia jonë ishte se, krahas paraqitjes së poezive tona, do të takonim plot nga miqtë tanë poetë, apo do të njiheshim me shumë të tillë të ardhur nga të gjitha trevat ku flitej shqip, madje edhe nga diaspora.

Nuk u gabuam, kur pamë se para nesh aty kishin mbërritur edhe poetë të tjerë nga Durrësi e qytetet e tjera të Shqipërisë, por më shumë na entuziazmoi prania e disa të tillëve nga Dardania, miq të hershëm të qytetit tonë, si politikania e aktivistja Flora Brovina, vajza nga Elbasani e martuar në Gjakovë, Migena Arllati, poeti Xheladin Mjeku, Ramë Oraca dhe energjiku, poeti dhe botuesi Berat Batiu nga Prizreni me shokë, apo ata nga Maqedonia e Veriut, e deri Suedia e largët.

Si fillim nderimi i parë u bë te busti i Budit, në oborrin e Shkollës së Mesme, ku u vendosën edhe kurora e tufa me lule.

Më pas, në sallën e përshtatur më së miri, u përuruan dy libra të dy autoreve: Adivije Hoxha (“Hije ëndrre”), dhe Trëndafile Molla (“Jehona e valëve të jetës”). E para vajzë Mati e ardhur familjarisht në Durrës dhe e dyta bijë Durrësi, por që kishte ardhur posaçërisht nga Italia, ku jeton prej vitesh. Për dy librat folën, Shpendi Topollaj dhe Fatmir Neli.

Në vazhdim, u kalua te recitimi i 44 poezive të përzgjedhura nga juria e përbërë nga Prof. dr. Shyqri Galica, Kujtim Stanaj e Vera Istrefaj. Poezitë ishin njëra më e bukur se tjetra dhe u recituan me mjaft ndjesi dhe elegancë, disa si artistë të vërtetë që elektrizuan sallën. Tematika ishte e larmishme, por e shprehur me mjaft bukuri vargu dhe mendim te qartë poetik dhe filozofik, si për dashurinë, mëmëdheun, mërgimin si plagë e hapur që dhemb, probleme të kohëve që po jetojmë. Etj etj.

Për t’i shtuar bukurinë kuvendit tonë, herë pas here veprimtarinë e shoqëruan artistët matjanë, me mjeshtërinë e tyre të pashoqe në përdorimin e veglave muzikore popullore, si çifteli e fyell.

Gjatë kohës që juria po vendoste për vlerësimet dhe çmimet, unë munda të takoj znj. Flora Brovina, poetin Xheladin mjeku, Ramë Oraca, Berat Batiu, të cilëve u dhashë librin tim të botuar së fundi: “Vjeshta në Vargje”, ndërsa znj. Flora më dhuroi librin: “Përflakje e stuhi”, (Poezi), kurse z.  XH. Mjeku, më dhuroi librin: “Fajkoi i Ëndrrave”, (Motive nga Nju-Jorku). Kështu më jepet rasti të rikujtoj një shprehjen time të thënë edhe në shkrimë të tjerë: “Poetët pasuri kanë veç vargjet, ndaj shkëmbejnë libra”.

Në fund sipas programit, u ndanë vlerësimët, ku çmimin e parë  e fitoi poeti durrsak, Shpendi Topollaj, për poezinë “Në Athinë në autobusin urban”. Fitues të vendit të dytë ishin: Rajmonda Qose dhe Haqif Heta dhe në vendin e tretë, Mevlud Buci, Zyrafete Kryeziu dhe Lulzim Hajdari.

Po ashtu, me votim të poetëve, i’u dha çmimi i poetëve konkurues Migena Arllatit, si dhe çmime të tjera për Adivije Hoxha, Adile Baleta, Ramë Oraca, Rubjana Nika dhe anëtar nderi i klubit Prof, dr. Ejup Hajdini.

Organizatorët ishin kujdesur që dreka në restorantin modern “Sofra e Luanit”, të kalonte sa më mirë mes këngëve dhe valleve popullore.

Është bukur kur takohen poetët. Kush i ka provuar e di mirë fantazinë, lirshmërinë dhe kënaqësinë e tyre.

Në kthim ndaluam për një kafe buzë liqenit të Ulzës, vend çlodhës, i pëlqyer nga te gjithë ata që shkojnë drejt Matit dhe Dibrës, por edhe nga ata që kthehen.

Freskia dhe bukuria e këtij vendi të thërret për të ardhur përsëri.

Kishim kaluar një ditë të ngarkuar, por të paharruar.

Unë u paraqita me poezinë:

“Kuleta e shpuar, xhepi grisur”

(Baladë).

Që në hyrje citova pak fjalë të thëna tre javë më parë në festivalin poetik “Guri Plakës”, në Dardani:

“Poetët nuk shkruajnë, për të fituar çmime.

Vargjet shpërthejnë e rrjedhin si burime,

që mbijnë në buzë, dhe mbeten në vegime”.

 

KULETA E SHPUAR DHE XHEPI GRISUR……!

 

(Fabul)

 

Ankohet kuleta mbetur bosh! Shpon xhepin e grisur!

-Të dy mbetëm nëmur, përbuzur, copash të çarë,

Pranë rri me frikë, mos bie pa gjurmë, në dhe gremisur,

Mbetur ftohtë, shkret, sosur, lagur, as lot për të qarë.

 

Xhepave, vrima-vrima, vajton heshtur kuleta,

Kush na grabiti punën, dijen, djersën dhe mundin?

Pse na i thyen ëndrrat, ku na përplasi jeta?

Mbetëm gojë shqyer, … Kështu do prekim fundin!?

 

Gjallojmë nëpërkëmbur, vuajtur, shpresa vrarë,

Mëshira, dhembja deri në fyerje, nuk bën dobi!

Mes njëri-tjetrit, sherr e grindje, bashkë e të ndarë,

Pa ngjyrë mbet trishtimi, gozhdë e ngulur, pabesi.

 

Qindarkat fluturojnë, bien, humbasin vërdallë.

Më kot xhepat rrëmoj, për autobus dhe gazetë.

Kafeja po ftohet, sepse po e pi më e rrallë.

Kur mosha shtrydhet, kuptojmë si ngryset kjo jetë.

 

Kadri Tarelli

Gusht 2023.

Exif_JPEG_420

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok