18/01/2025

KUSH DO TA GJYKOJË INTELIGJENCËN ARTIFICIALE NË DRITËHIJET E SAJ?!…

0
IA

Refleksion Analitik

NGA DR. EDUARD A. SKUFI, ATHINË

Inteligjenca  artificiale një  sfidë  joshëse  dhe  po aq misterioze.

Kush do ta gjykojë, apo më saktë kush do ta penalizojë Inteligjencën  Artificiale  mbas  probabilitetit  të  një  gabimi ?!.

Një  pyetje  retorike që do të na preokupojë në të ardhmen.     Një   këmbanë   që   duhet   dëgjuar    dhe   duhet   vlerësuar…

Duke  njojtur  vlerat dhe  “antivlerat”  e inteligjencës  artificiale ( IA)  pyes  veten  dhe  juve, se si do të kontrollohen  saktësisht  kufijtë e kompetencës, si  dhe saktësia e burimit të informacionit apo aplikimeve të saj vecanërisht në mjekësi…Apoteoza  ndaj  inteligjencës  artificiale  nuk duhet  të  jetë e  hiperbolizuar. Inteligjenca artificiale është tepër dinamike, racionale dhe inteligjente për të kryer operime të shumta me  shanse të  larta  suksesi,  bazë  qëllimeve  të  paracaktuara. Ajo është  e aftë  për t’u fokusuar qartësisht  në  të dhëna statistikore, fakte dhe  parashikime. Vërtetë  simbolizon  perfeksionin  elektronik  por mbetet në  hije  ndaj  inteligjencës  humane, krijuesit të saj. Aktualisht  ekzistojnë  mjaftë  këndvështrime apo opinione  mbi inteligjencën artificiale që informojnë se evoluimi i IA mund  të rritet përtej niveleve tona njohëse, madje mund  të konvertohet  si  kërcënimi  kryesor i njerëzimit, që tejkalon parashikimet e  krijuesve të  saj dhe  del  nga  kontrolli. Për më tepër  IA  po  zhvendoset me ritëm galopant nga industria  teknologjike  elektronike   drejt   biznesit  “ bullist “…

Osmoza midis  shkencave  është  një fenomen i njohur, por “osmoza  imperative” e inteligjencës artificiale, cuditërisht nuk  lejon  diskutim. Aktualisht  na  duhet  të ecim në një rrugë paralele krahas Mjekësisë moderne me Inteligjencën  Artificiale,

duke vendosur një raport racional, larg emocioneve, në   kërkim  të  ekuilibrit, por  pa  humbur  dinjitetin. Në  esencë  objekti  i  të  dyjave  është  NJERIU, por  qasja   nga  njëra  anë  mbetet  e  distancuar,  mekanike,  e ftohtë   dhe   pa  vetëdije.

Por prania e “ L’Art de Guerir” apo “The Art of  Healing”,  zbulon burimin universal të mrekullisë që fillon nga thellësia e vetes të pacientit për të gjetur qetësinë, paqen duke e kërkuar midis  spirituales,  trupit  e shpirtit  dhe  ndihmës së  mjekut.

Eshtë  arti i mjekësisë  që evidenton  kujdesin dhe humanizmin për pacientin  dhe  efektiviteti  i  tij  diktohet  nga lidhja e vecantë  bipolare  mjek-pacient. Lidhje, që në një farë shkalle rezulton  e pa realizuar në kuadrin e inteligjencës artificiale. Fjala e ngrohtë  e  mjekut  zëvendësohet  nga  ftohtësia e  një  aparati , i cili mbetet peng i  kodit software, pa mundur të gjej alternativat  krijuese, pa mundur të debatojë të konsultojë diagnozën dhe variantet terapeutike individuale, megjithë sistemet e sofistikuara   të  Deep Learning,  për  zgjidhjet kompjuterike   dhe   aplikimin   e   variacioneve  Algoritmike.

Vec asaj  ajo  nuk duhet  absolutizuar, por  të jetë  nën kontrollin e  plotë  të  mjekut, pasi IA  nuk  mund  të arrijë  nivelet e vetëdijes  njerëzore. Nuk duhet të ndjehemi të dominuar  dhe për më  tepër  të mos humasim  integritetin. Mjeku duhet  të përdorë  të gjitha njohuritë, dashurinë, durimin, mirëkuptimin dhe  aftësitë  e tij  për atë mision të  shenjtë  në bashkëpunim  me  inteligjencën artificiale. Duke  sugjeruar ndërveprimin kompleks  në  zhvillim  të mjekësisë dhe  makinave  elektronike,  që  kualifikohet gjatë  një rrugëtimi dhe jo të vendosim një algoritëm në një vakum.Shqyrtimi i  aplikacioneve të IA në kujdesin  shëndetësor thekson nevojën për vlerësime  reale mbi efektivitetin dhe pasojat e padëshiruara. Mundet IA të mbushë boshllëqet në aksesin ndaj kujdesit, të evitojë burokracinë, por nuk realizon trajtimin e plotë të personalizuar,  me praninë  e  risqeve të mundshëm.  “ Unë mendoj se  është një tren  i pandalshëm  në një fushë specifike  të  mjekësisë, që tregon  performancë  të vërtetë,  në nivel  ekspertësh“.., deklaron Isaac Kohane, shef i Departamentit të Informatikës  Biomjekësore  të  Universiteti  të Harvardit. Duke  nënkuptuar  se potenciali i IA është aq i madh sa dhe  sfidat  e  surprizat  e pakëndshme që e shoqërojnë. Por  dhe ky sistem elektronik superpower  mund të pësojë black out  dhe të humbasi  pjesë  të ndryshme  të  informacionit që mund të jenë të rëndësishme në historinë e pacientit ose të bllokohet  performanca  e tij gjatë  një  interventi kirurgjikal, duke përfshirë rrezikun  e keqtrajtimit  të pacientëve  nga  gabimet  e sistemit algoritmikë,  me eklipsimin e  shpejtësisë   dhe   aftësisë   reaguese   të   mjekut  bashkëpuntor.

Nëse ky sistem rekomandon medikamentin e gabuar për një pacient, apo nuk evidenton  një proces  tumoral në një skanim radiologjik  pacienti mund të lëndohet, pra  gabimet okulte të   IA janë potencialisht  të ndryshme  dhe me  konseguenca. Megjithëse IA ka bërë një ecuri në botën mjekësore, mbikëqyrja njerëzore prej saj është e pa mjaftueshme. Nevojat e pacientëve shpesh shtrihen  përtej  kushteve  fizike,si  faktorëve socialë, ekonomikë  dhe historikë, që ndikojnë në rekomandimet e duhura për pacientë të veçantë, ku  pasaktësitë  janë  ende  të  mundshme. Ky  perceptim lidhet me faktin se IA nuk ka kontekst  apo përvojë njerëzore,  pra  nuk mund të përshtatet në të gjitha  situatat  klinike të  personalizuara dhe  vecantitë e tyre.

Inteligjenca artificiale mjekësore varet shumë nga të dhënat e diagnozës  të disponueshme nga miliona raste të kataloguara, por kur ekzistojnë pak të dhëna për sëmundje të pazakonta, faktorë demografikë  ose mjedisorë, ku një diagnozë e gabuar është plotësisht e mundur. Ndërsa IA përdor të dhënat për t’i bërë  sistemet  më të zgjuara  dhe më të  sakta, ajo mbetet akoma e pa  garantuar  nga  agresionet  kibernetike ! IA  akuzohet  të jetë  në  konflikt  me humanizmin real,  madje  konsiderohet instrument   koherent   i  “ kërcënimit  ekzistencial “. Sigurisht, në një  skenar  të tillë, nuk  ndihet  e  pamundur që  të humbasim  kontrollin  e  saj,  apo  që  IA  të  kthehet   kundër  nesh…           Por mund  të  kërcënojë dhe mbijetesën e qytetërimit nga         një  drejtim  i paparashikuar,  duke  u transformuar  në  oponent  i  saj, duke  u  konvertuar   nga   synergist   në   antagonist.

Nga  ana tjetër  ekziston  një e  vërtetë  papërshtatshmërie  midis fluksit   frenetik   të  IA    dhe   elementëve   të   infrastrukturës,    që    varen   vecanërisht    nga    konteksti    socialo – ekonomik.

Dihet se nëse një mjek kryen një akt që cënon etikën mjekësore, apo konkludon  në  një  diagnozë  të gabuar apo keqtrajtim terapeutik, i nënshtrohet  gjykimit të  një  këshilli shkencor dhe një komisioni  medikolegal. Kështu lind llogjikisht  pyetja:“ Po gabimet  e  inteligjencës artificiale , kush do  ti  gjykojë ose kush  do ti  ndëshkoj “?!…Apo  do të  ndalojnë  dhe  penalizojnë  robotin…Kush do të  përgjigjet  për keq trajtimin  dhe  rezultatin  e  pa dëshiruar…Kujt  do  ti  vejë “ fatura” ?… Pacientit të pafaj apo  specialistit  të  IA  me  algoritmet  inteligjente!

Këto  pyetje   retorike  në  dukje   hipotetike  por  reale,  aktualisht   pa   përgjigje,  me  dritëhijet  e  këtij  fenomeni si interference moderne, do  ti  pohojë  bilanci  i  futurizmit  kohor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok