22/12/2024

Kurti ka gabuar rëndë

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Shkrimtari Franz Kafka ka shkruar një prozë të shkurtë me titull “Hiq dorë.”

Ky tregim flet për një personazh që po shkonte në stacion dhe tek sheh orën e tij dhe e krahason me orën e madhe e kupton se është vonë dhe i trembur nga ai zbulim, i duhet të nxitojë.

Por, duke nxituar ky personazh i trembur e humb rrugën dhe takon një polici, të cilit i kërkon të kuptojë rrugën që duhet ta ndiqte.

Polici buzagaz i thotë më mirë hiq dorë dhe ia kthen shpinën “si njeriu që qeshë pa e parë askush.”

Njeriu që sot udhëheq me vendin tonë i ngjan këtij personazhi.

Ora e tij është prapa në krahasim me orën e madhe.

Ai është në rrugë të gabuar, prandaj i duhet të heqë dorë në qoftë se s’do ta futë krejt Kosovën në këtë rrugë.

Në fakt, Kosova s’besoj se e ndjek rrugën pakrye të këtij sharlatani politik dhe vërtet besoj se ai s’është shprehje e popullit të Kosovës që di të vlerësojë rolin e pazëvendësueshëm dhe jetik të perëndimit për liri dhe pavarësi.

Kosova sot është plandosë në një gjendje të rëndë mërzie për shkak të injorancës politike dhe mendjekëqijve ideologjilkë.

Por kurrë s’është vonë  heqja dorë prej marrinave e budallaqeve, përkundrazi, është vlerë perëndimore, është shenjë qytetërimi, sepse thelbi i njohurive qëndron te kuptimi i injorancës sonë, thonë të mençurit. E kësaj aksiome sokratiane perëndimi i beson.

Kurti ka gabuar rëndë, shumë rëndë.

Ai tashmë duhet të kuptojë injorancën e tij të thellë dhe vërtet të fillojë të lexojë si ata nxënësit e dobët që rrëzohen përtokë dhe për t’u ngritë e dinë se duhet punë e madhe.

Ai duhet tani të lexojë orën dhe të kuptojë rrugën ku është që ora e tij e ligë të mos bëhet orë e ligë e Kosovës.

Prandaj, hiqni dorë prej orës së ligë dhe rrugës së gabuar.

Hiqni dorë prej budallaqeve e marrinave, hiqni dorë prej farsave neveritëse patriotike, sepse historia jonë është plot orë të liga dhe s’na duhen të tjera, hiqni dorë e mos u ktheni – siç thonte Fishta në “rriqna e mikrobe të zi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok