09/11/2024

ÇDO MIRËSI DHE MARRËZI KANË LIMITET E TYRE TË PROGRESIT DHE REGRESIT

0

(Një kontribut modest për demokraci)

Nga: profesor Agim Binaj,

studjues Fahri Dahri

Nuk ka vënd për të diskutuar teoritë e ndryshme të organizimit të shoqërive. Ka shumë të tilla të ideuara, të vëna në zbatim dhe të pa gjetura për tu konsoliduar. E pritëm në fillim të 1991-shit ndërrimin e sistemit me shpresa të mëdha. Na u bë zemra mal. Mbushëm sheshet dhe mejdanet me brohoritje, thamë se shpresat e gjithëhershme të brezave zbritën nga “qielli”. Gëzonim se po e mposhtnim “Unin”, “Monoizmin”, varfërinë. Koha na tregoi se u zhgënjyem. Zhgënjim, jo se ish rendi që përmbysëm ishte i përshtatshëm, por zhgënjim për atë ç’farë shpresonim të arrihej. Ikën 32 vjet. Zhgënjimi është zmadhuar në atë masë sa thelluka, na i pret shpresat për ngjitje. Nuk do analizojmë pse-në, sepse zhgënjimi i tre dekadave është shumë i qartë, kudo është i provuar dhe i urryer. E solli, kush e solli, edhe kjo dihet. Nuk ja vlejnë artikujt, intervistat, debatet mediatike, apo televizive. As akuzat që përdoren për të zgjatur proçeset, as teoritë e mbara dhe të mbrapshta partiake, akademike. Madje as importimi i llojeve të demokracive.

Në genet e etnike të kombit tonë, qendrojnë të gjitha aspektet më të pëlqyera të drejtimit dhe zhvillimit shoqëror. Trashëgojmë karakteret, virtydet dhe mbivlerat e administrimit të shoqërisë që nga Aleksandri i Madh, Olimbia, Pirro i Epirit, Gjin Bue Shpata, Gjon Zenebishi, Gjergj Kastrioti, Gjergj Fishta, Frashëllinjtë, Dinejt preveziotë, Fan Stilian Noli dhe ndonjë tjetër.

U harruan traditat tona kombëtare, filluam të drejtohemi me ndasitë mes vetvetes, disa na dolën të majtë, disa të djathtë, disa të “kuturusë”. Hasmëruam veten tonë me luftë ndarëse të brendshme klasash, sepse kështu na diktonin ata të djeshmit dhe këta të sotmit. Deri dje të huajt na lëvdonin për institucionin tonë të familjes, ndërsa sot ata gëzohen që na e përçanë. Arritëm të bëhemi si ata.

Vërtet ka shprehje që çdo popull meriton qeverinë që ka. Por, etnisë tonë, jo të gjitha fjalët e urta të popujve i përshtaten. Në këtë rast ne kemi urtësinë tonë:   “Çdo fshat e zanat, ose derë e tabiat“.

  • ●●

Zbresim në terrenin tonë. Konkretisht tek zgjedhjet e 14 majit 2023, janë të nëntat për pushtetin vendor në këto 33 vite demokraci. Sipas KQZ numuri i shtetasve shqiptar (RSH) me të drejtë vote ishte 3,650,550 shtetas. Nga këta 122,545 zgjedhës votonin për herë të parë. Mirëpo nga zgjedhësit që votonin për herë të parë, më 14 maj, sipas të dhënave të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 16, 628 prej tyre ose 13.5% e kanë ushtruar të drejtën e votës ditën e 14 majit. 86,5% e të rinjëve nuk votuan (me rezerva se mungojnë të larguarit).

  • Një sinjal tepër domethënës, për ata drejtues partish që duan të bëjnë vlerësim të drejtë të situatës. Të rinjtë treguan me votën e tyre mos besim ndaj politikës aktuale.

Ndërsa vetëm 37,79%, ose rreth 1.250.000 shqiptarë, në 14 maj 2023 (të dhëna paraprake) i u drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur 61 krerët e rinj të bashkive që do drejtojnë në 4 vitet e ardhshme. Pjesmarrje tepër e ulët! Kjo pjesmarrje nuk tregon të vërtetën, sepse nga 3,650,550 zgjedhës mbi 1,100,000 nuk kanë votuar sepse janë jashtë atdheut. Nëse do të votonin edhe ata, përqindja në pjesmarrje do shkonte tek 65-70%. Fenomen që kërkon zgjidhje, ose t’u jepet e drejta e votimit; ose të zbriten nga numri i të rregjistruarve për zgjedhje. Më e mira të krijohen kushte për t’u kthyer në atdhe. Rezulton se Institucionet shtetërore përkatëse nuk kanë arritur të justifikojnë detyrat e ngarkuara.

Tjetër sinjal që dhanë këto zgjedhje  është veprimi që kryhet me shifrat që jep KQZ-ja, mbasi tek të rregjistruarit për votim përfshihen edhe shqiptarët që janë jashtë (mangësi statistikore në numurin e shqipëtarëve që jetojnë jashtë vendit). Aktualisht kemi 140 deputetë, që i përgjigjen numurit të përgjithshëm të zgjedhësve, por nëse zbriten të larguarit, zvogëlohet numri i votuesve, si rrjedhojë duhet të ulet numri i deputetëve nga 140 që janë sot, ndofta duhen 100 të tillë. Po kështu dhe numri i punonjësve në administrata shtetërore, të korigjohet në raport me numrin real të banorëve që u shërbehet.

  • Një sinjal tjetër madhor që zgjedhësit e RSH i dhanë politikës tre dekadëshe. Në ndihmë të shtjellimit të kësaj teme, krahasojmë disa të dhëna cilësore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
  • Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Shqipëri, kanë marrë pjesë në votim 1.613.087 zgjedhës, ose 46,72 % e numrit të përgjithshëm.

Sipas KQZ-së, Partia Socialiste ka siguruar 763.999 vota, ose 48,33 për qind e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme.Partia Demokratike mori 455.481, vota ose 28,81përiqnd.

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 225.678 vota ose 14,28 për qind.

Partia Demokratike dhe Partia e Lëvizjes socialiste, sëbashku në 2021 morën 681,159 vota. Diferenca mes PD+PLS me partinë socialiste ishte 82.840 vota në favor të Partisë Socialiste.

Në zgjedhjet e 14 majit 2023, Partia Socialiste arriti të fitonte 53 bashki, koalicioni “Bashkë Fitojmë” fitoi në 7 bashki, ndërsa një bashki u fitua nga Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen.

Në këto zgjedhje vendore morën pjesë 1.250.000 zgjedhës, ose 37,79%. Ende deri sot (05/06/2023) nuk janë çertifikuar përfundimisht nga KQZ-ja rezultatet për të paraqitur shifrat absolute dhe relative të fituara dhe të humbura nga subjektet elektorale, për të bërë vlerësimet politike, por u mësua se partia socialiste ka fituar shumicën e bashkive, ose 86,88 % të tyre. Këta tregues dëshmojnë se për elektoratin shqiptar paraqiten shqetësime serioze, të cilat duhet të zgjidhen nga institucionet e larta shtetërore; KQZ; Partitë politike qofshin fituese apo humbëse. Diferencat e theksuara mes partive, tregojnë mungesë pluralizmi, ende nuk kemi arritur të shkëputemi nga e shkuara. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve për nga veprimet dhe mos veprimet në ndikimin për ndryshimin, shkëputjen nga e shkuara.

Të dhënat që rezultojnë nga zgjedhjet, si parlamentare dhe vendore, tregojnë se në Shqipëri, zgjedhësit anojnë nga e majta. Kjo prirje, sipas mendimit tonë, ka disa arësye:

  1. a) tregon se tek e majta (kryesisht tek PS), strukturat organizative janë më të konsoliduara, rrjedhojë e trashëgimisë.
  2. b) tregon se të djathtës i mungon përvoja në konsolidimin e strukturave nga qendra në bazë, mungon aftësia për të krijuar lidershipin e saj, ka luhatje-pa qendrueshmëri. Madje nuk është arritur përputhja e parimeve të demokracisë me përzgjedhjen e emërtimit të saj si Parti Demokratike. Nuk është gjetur bashkërendimi, besueshmëria ndërmjet emërit të partisë (PD) me parimet demokratike. Nuk është arritur përshtatja e emërit të PD me synimet për vendosjen e kritereve dhe parimeve demokratike

Deri tani, me keqardhje rezulton më shumë si një përvehtësim.

  1. c) Nuk është arritur konceptimi se çdo parti, së pari krijohet për mbrojtjen e ruajtjen e Atdheut, të interesave të bashkëkombasve, zhvillimit të shoqërisë.

Përvoja e këtyre tre dekadave tregon se ka ekzistuar dhe ekziston privatësia partiake, konfliktualizmi partiak për interesa shumë të ngushta, apo për grupime shumë të vogëla dhe të ngushta interesash. Është i dukshëm roli i “individit”, egoizmi ekstremist. Këto janë plagë të thella, që kanë partitë tona dhe duhen të shërohen, por në asnjë rast me riciklime, siç është vepruar dhe dëshirojnë të gjitha partitë me propagandat e tyre. Janë mëse të tepruara qendrimet në krye të partive të njëjtët persona me dekada!. Kriter krejtësisht antidemokratik, të pamerituar dhe aspak të justifikuar.

ç) Qëndrimet konfliktuale rëndom të përdorshme nga krerët e partive, të cilat kalojnë në veprime ekstreme, siç janë thirrjet për vdekje politike të këtij apo atij politikani apo partie, janë thirrje antidemokratike. Nëse, vërtet do të realizoheshin këto lloj qendrime mallkuese, kuptohet se do mbetej vetëm partia “mallkuese”. Kjo pa mëdyshje nënkupton shuarjen e pluralizmit.

Pa u shtjelluar më tej, çdo thirrje dhe veprime të tilla të ashpra armiqësore mes partive dhe personave drejtues, tregojnë se këta lloj “thirrësish” nuk kanë arritur të kuptojnë asgjë nga demokracia, por u qëndrojnë besnik pushteteve diktatoriale, intresave vetiake, kundër interesave patriotike e shoqërore. Votuesit nuk duan sharje, as konflikte, vend e pa vend, por ata kërkojnë pluralizëm, dmth konkurenca   (gara) në zgjedhje për programet më të mira në favor të shoqërisë dhe vendit. Këtë pëlqim, dëshirë duan zgjedhësit dhe kjo duhet kuptuar qartë.            Çdo devijim nga parimet demokratike shpie në dëmtim të demokracisë, siç ka ndodhur këto 32 vite.!

  1. d) kërkohet thellim për shkaqet që na shpien në fitore ose humbje. Nëse fituesi e tepron fitoren duke i bërë jehonë, ai do rrëshqasë nga humbja, sepse shuhen përpjekjet për të ecur më përpara, bie vigjilenca garuese. Edhe më keq do eci humbësi, nëse nuk analizon shkaqet e vërteta të humbjes, por trumbeton si shkaqe vjedhjen e votave, manipulimin, manovra ekonomiko-sociale në prag fushate etj, të cilat dihet që kanë vepruar dhe veprojnë gjatë zgjedhjeve. Humbësi do mbetet përsëri humbës. Ndaj duhet të dy palët të jenë seriozë në nxjerrjen e shkaqeve, t’u drejtohen projekteve, programeve që i nevojiten vendit dhe shoqërisë. Të mos merren vetëm duke zmadhuar shkaqet e vogla dhe të përsëritura, të cilat i përdor politika për largimin e përgjegjësive e manipulimin e elektoratit.
  • Tjetër sinjal shqetësues që rezultoi mbas 32 viteve, votuesit shqiptarë, për herë të parë shfaqin interesin më të ulët në zgjedhjet vendore. Fakti tregon se zgjedhësi shqiptar është ngopur me propagandat e pafundme të politikanëve. Duhet kuptuar dhe pranuar tashmë se mashtrimeve zgjedhore po u vjen fundi. Koalicioni “Bashkë fitojmë” u votua nga afro sa gjysma e votave që ka pasur e gjithë opozita në zgjedhjet e mëparshme.
  • Një situatë e tillë, e padëshiruar nga të gjithë ne, është sinjal i qartë politik, jo vetëm për opozitën e ndarë, por për lojrat politike të lidershipërve të politikës tonë aktuale. Opozita nuk ishte solide me idenë dhe veprimin e një bashkimi aspak organik. Ky ortakllëk, mundet të dyshohet edhe i mirëmenduar. Fenomeni lindi tek opozita, por për shqiptarët dhe Shqipërinë, fenomeni është tek i gjithë lidershipi partiak.

Mos marrja pjesë e më shumë se gjysmës së elektoratit, kryesisht të djathtë, goditi me të drejtë vetveten, por shkaku i goditjes e kapërcen “vetveten” duke folur bindshëm për gabimin politik të mos zbatimit të orientimit euroatlantik në vendit tonë. Kjo duhet të ngulitet mirë tek truri politik, si tek të “majtët” dhe tek të “djathtët”.

Zgjedhjet treguan se kërkojnë bindshëm ringritjen në nivel kombëtar për riorganizimin politik të partive kryesore, të djathta dhe të majta. Kujdes ti kushtohet elementit të ri (larg nepotizmit dhe militantizmit), të përkushtuarve për demokratizimin e shoqërisë.

Nëse do të shikohet realisht riorganizimi Partisë Demokratike, nuk ka asnjë vlerë që të vazhdojnë të ndara, veç interesave personale. Të gjithë e dimë se çdo ndarje, është rifillim për të dyja copëzat. Asnjë parti nuk mund dhe nuk duhet të shkëputet nga objektivi për të ndërrtuar politika që i përshtaten vendit dhe shoqërisë. Pikërisht ky parim i bën ato të jenë pasuri e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie. Ndërsa partitë janë pronë e Shqipërisë dhe të detyruara për të mbrojtur sovranitetit dhe vetëm në shërbim, kush e kush, sa më mirë për zhvillimin tonë shoqëror. Synimet për të qenë partitë pasuri individuale apo grupnjerëzish, të shkëputur nga interesat gjithpërfshirëse të shoqërisë, janë të destinuara të “dështojnë”. Këtë e din edhe “bufi”, por na e mësuan dhe e goditën mjaft qartë dhe rëndë rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

U tregua me maturi se dëshpërimit, zhgënjimit dhe durimit 32 vjeçar i erdhi fundi, ose duhet t’i vijë fundi. Këtë maturi, lidershipi (udhëheqësit) shqiptar duhet ta konkretizojë nëpërmjet ndryshimit cilësor të drejtimit. Të udhëheqësh, kërkohen disa kritere, të cilat nuk janë kopsitur as sot dhe as nga ne, por nga përvojat botërore historike.

  • Një shprehje e Alcide de Gasperi që ką qenë një ndër kryeministrat e shquar të Italisë, duhet të jetë në qendër të vëmëndjes: “Politikanët mendojnë gjithmonë për zgjedhjet e ardhshme. Burrat e shtetit mendojnë për brezat e ardhshëm”.

Në këto tre dekada, duhet pranuar që politikanët tanë kanë vepruar vetëm dhe vetëm për të fituar zgjedhjet. Me zgjedhjet e 14 majit 2023, sovrani e dënoi këtë veprim dhe kërkon që “burrat” e shtetit të mendojnë dhe veprojnë për brezat e ardhshëm. Ka disa përkufizime që përcaktojnë profilin e lidershipit të vërtetë: “Lidershipi është frymëzim, për vete dhe për të tjerët. Lidershipi i suksesshëm është për jetesat njerëzore, jo për proceset. Lidershipi nuk është formulë apo program, por një aktivitet njerëzor që vjen nga zemra dhe merr parasysh zemrën e të tjerëve. Është një qëndrim dhe jo një rutinë”. Për fat të keq na mungojnë të tillë personalitete. Kjo  mungesë është pasojë e sistemit të shkuar por që vazhdon edhe sot, ku nuk   piketohen individë cilësor duke filluar në bankat e shkollave e në vijimësi për trajnimin e individëve të përveçëm, brenda shoqërisë tonë.

  • Tek ne është vërtetuar një tjetër e thënë:”Kur vërtetohen me shifra dhe fakte gabimet, duhet të  kërkohet falje. Tek ne mungon se kush është bindësi për të treguar se është gabim“. Për fat të mirë, me këto zgjedhje u gjet se kush duhet ti bindë udhëheqësit që kanë vepruar dhe veprojnë gabim. Ky ështe elektorati si i djathtë dhe i majtë. Foli sovrani, madje me zë të fortë: “Binduni se jeni gabim”. Nëse ende nuk reflektohet për bindje, atëhere drejtësia është e detyruar të vendosë për t’i bindur.

Zgjedhjet e 14 majit, me rezultatet e arritura, treguan se sovrani zgjodhi pluralizmin shqiptar, sepse si ata që votuan dhe ata që nuk e panë të arësyeshme të votonin, nuk joshen më me propagandë, por duan pluralizëm dhe rotacion politik, jo se është e thënë teorike, por e duan të bazuar në balancat e meritokracisë.

Kush mendon se, në rastin konkret, ndarja e një partie në copëza, do sjell fitoren, demokracinë, apo marrjen e pushtetit, nuk e njeh demokracinë, madje as veprimet arithmetike. Ose bëhen qëllimisht për të penguar demokracinë. Ndërsa të rendurit mbas krijimit të partive të reja, shpie në egoizëm, tregon “pronësi” vetiake, ose parti për interesa të veçanta grupnjerëzish, por që nuk i përkasin rendit demokratik.

Çdo e mirë arrihet nëpërmjet unitetit, bashkimit dhe jo ndarjes. Ndaj kombit tonë, dashakeqët romakë, bizantinë, osmanë, etj. kanë arritur të na dëmojnë rëndshëm pikërisht nëpërmjet copëzimit të trojeve, përçarjes fetare dhe këto afro 70-80 vitet e fundit, na mbollën edhe luftën e klasave. Ca turq e ca grekë apo serbë; ca kulakë, ca ballistë, a komunistë. Duken qesharake, por të tilla ndarje kanë çoroditur, armiqësuar popullin deri në palcën e familjes. Nëse ndokush ende vazhdon të pranojë ndarjen, ai apo ajo, kushdo qoftë, praktikisht dhe teorikisht nuk mund të jenë udhëheqës. Ndaj tyre duhet të hiqet dorë, ose historia do ti ndëshkojë njëlloj edhe rendësit pas tyre.

Mbas zgjedhjeve dëgjojmë edhe pretendime të cilat përgënjeshtrojnë njëra tjetrën. Disa drejtues të rëndësishëm partiakë e kanë guximin dhe deklarohen drejt për shkaqet e vërteta të dobësive në zgjedhjet e 14 majit 2023:

  • Nëse PD-ja do të ishte e bashkuar, ndyshe do të ishte situata. Atëhere ky është shkaku, kurse thirrjet: “u vodhën votat” është manipulim për të mbuluar realitetin. Një konkludim i saktë, i pastër dhe i drejtë. Metodë tepër e gabuar, kur defekti kërkohet gjithnji vetëm tek vjedhja, manipulimi i votave. Ky pretendim nuk i shërben as PD dhe as demokracisë në Shqipëri. Dikush tjetër në rrjetet sociale shpreh mendimin e tij se: “Berisha dhe Basha të tërhiqen. Asnjëri nuk është për situatën ku është PD-ja”.

Në të vërtetë dorëheqja është institucion, i cili vepron në raport me ndërgjegjen dhe përgjegjshmërinë e secilit ndaj interesave tërësore të shoqërisë së cilës i takon dhe kundër interesave vetiake, tepër të ngushta.

  • Ish-kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, aktualisht nënkryetar i kësaj partie, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se PD nuk hyri në zgjedhjet lokale për të fituar, por për të mbajtur gjallë partinë dhe atë që ajo përfaqëson. Deklarime të tilla, në pamje të sinqerta dhe të vërteta, por nuk kuptohet e kundërta kur bëhen akuza për “vjedhje të votave”, manipulime, etj. Fjala vjen: ish kryeministri sërish ka vijuar akuzat ndaj qeverisë duke bërë atë përgjegjëse për humbjen drastike në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai deklaroi se “në këto zgjedhje kishte një industri të blerjes së votës përmes bandave dhe oligarkëve. Gjithashtu shtoi se në zona si Mamurrasi blerja e një vote kapi dhe shifra deri në 600 euro”. Në Shkodër, eksponentë tanë të PD u telefonuan nga banditët, u kërcënuan në mënyrën më të egër prej tyre, u ofruan gjer në 20 milionë lekë për komisioner, nga 10 mijë euro për komisione. Edhe Partia e Lirisë deklaron: Krimi nën komandën e Ramës shkatërroi zgjedhjet! Do mbrojmë votën me çdo çmim. Në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, përfaqësues të Partisë së Lirisë, i mëshojnë argumentit se më 14 maj pati votime nën terrorin e mafies së pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, të cilat, sipas tyre, shkatërruan zgjedhjet.”Qindra milionë euro të pista u hodhën në fushatë për të blerë vota….”etj. Të tilla vlerësime i kemi dëgjuar në të gjitha zgjedhjet e pas nëntëdhjetës, nga të dyja palët dhe që thuhen edhe para zgjedhjeve se do të mbrohen votat, etj.  Nuk pretendohet dhe as mohohet se në zgjedhje nuk veprojnë fenomene të tilla, por ato nuk eliminohen me deklarime nëpër media, as duke treguar trimëri si para dhe pas tyre. Rrugët për ndreqjen e fenomenit janë mbledhja e fakteve me prova dhe kallzimet në organet përkatëse të drejtësisë.
  • Në shkrimin tonë, nuk anësojmë nga asnjë palë, nuk jemi pjesë e asnjë force politike, por si qytetarë, si intelektualë e ndjejmë të nevojshme të paraqesim mendimet tona. Dëshirojmë të japim kontributin tonë për të ulur sado pak  tensionet, konfliktet partiake, të cilat janë vërtetuar se nuk ndihmojnë aspak në gjetjen e rrugës më të mirë, më të përshtatshme për të patur opozitë dhe pozitë të shëndosha e të konkurueshme. Qendrime të tilla, të pa përshtatshme, u shërbejnë vetëm disa pak individëve dhe grupeve të caktuara pranë tyre.

Duhet të ndërgjegjësohemi për të siguruar rotacionin qeverisës mbi bazë të meritokracisë, vetëm të asaj force politike që ideon dhe realizon projekte më të favorshme për shoqërinë dhe vendin. Të mos ecim pas sloganeve konfliktuale, as propagandave ku vetëm luftohen individë apo parti politike pa argumenta. Të vlerësojmë vetëm arritjet, veprimet që kryejnë palët politike. Jo rotacion politik fallso se: “dua unë, apo duam ne”. As me mashtrime nën sliganun se është parim demokratik. Rotacioni politik është vërtet parim demokratik, por me kushtin garues meritokracinë.

Urojmë që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të shërbejnë në arritjen e reflektimeve pozitive, të mposhten, sjelljet dhe veset e mbrapështa, pjella të së kaluarës jo demokratike.

Nga: profesor Agim Binaj,

studjues Fahri Dahri

Tiranë – Qershor 2023-

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok