15/10/2024

KUR MILAN KUNDERA PATI FTUAR NË PRAGË GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ, JULIO CORTÁZAR DHE ARLOS FUENTES

0

Në vitin 1968, Milan Kundera pati ftuar Julio Cortázar, Gabriel García Márquez dhe Carlos Fuentes për të vizituar Pragën e tij. Ishin kohë tejet të vështira, veç tre muaj pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë.

Tre shkrimtarët e shquar qenë ftuar për t’u njohur personalisht nga afër lidhur me çfarë kish mbetur nga Lidhja e Shkrimtarëve vendas.

Kundera sakaq do të shkruante mbi këtë vizitë:

“Kalova bashkë me ta një javë të paharrueshme. U miqësuam menjëherë njëri me tjetrin, ndërsa porsa ishin larguar munda të lexoja, akoma të pashtypur zyrtarisht, përkthimin në çekisht të “Njëqind Vite Vetmi”.

Ndërkohë tregimi më grishës ka të bëjë me udhëtimin me tren që i pati shpënë në Pragë tre latinoamerikanët e mëdhenj, për t’u takuar me mikpritësin e tyre, Kunderën.

Sikurse “tokësorë” të tjerë, këta tre shkrimtarë kishin një frikë të përbashkët lidhur me fluturimet me avion, veçanërisht Gabo, prandaj patën zgjedhur ta bënin këtë udhëtim me tren, duke e përshkuar Europën anekënd gjatë natës, në binarët që shpinin nga Parisi gjer në Pragë.

í á, e pati mishëruar një pjesë të kësaj nate të paharruar në prologun që do të shkruante për librin “Imazhi i Julio Cortázar”, nga Ignacio Solares.

“Po udhëtonim me tren nga Parisi, ngaqë të tre ishim fort solidarë në drojën tonë nga avioni, teksa ndërkohë kishim llomotitur për gjithçka të mundshme nëpër natën e ndasive të dy Gjermanive, krahas oqeaneve me rrepa të mbjella kudo, fabrikave vigane që prodhonin gjithçka të përfytyrueshme, rrënojave të luftës së dikurshme dhe dashurive të paligjshme.

Kur do të binim në gjumë, Carlos Fuentes-it i ra mendja ta pyeste Cortázar-in sesi, në çfarë momenti dhe me nismën e kujt ishte përfshirë pianoja në orkestrat e jazz-it. Ishte një pyetje rastësore, pa asnjë grishje për të ditur diçka më tepër se ndonjë datë apo emër të saktë, ndërsa përgjigja ishte në formë të një shtjellimi të mahnitshëm që do të zgjaste deri në agun e ditës, mes gotash të stërmëdhaja birre dhe salsiçesh e patatesh të ftohta.

Cortázar, i cili dinte t’i maste shkëlqyer fjalët që thoshte, na ofroi edhe një thellim gjithëpërfshirës historik dhe estetik, me një rrjedhshmëri dhe thjeshtësi të pamohueshme, që do të kulmonte kur po zbardhte dita, me një apologji homerike të . Jo vetëm që ai çoku fliste me një zë të thellë, që tingëllonte si një organo me shkronjat “Rr” të zvarritura, por edhe me duart e tij të bëshme, që askush nuk i kishte më shprehëse se ai”.

Carlos Fuentes gjithashtu i pati botuar përshtypjet e tij nga ai takim:

“Milan Kundera gajasej së qeshuri, ishte një vigan sllav me një çehre nga ato që i has njeriu vetëm matanë lumit Oder, mollëzat e faqeve të ngritura dhe të ngurta, hundën e shtyrë, flokët e shkurtra që kishin braktisur leshverdhësinë rinore, ngase kish hyrë tanimë në viset e thinjura mbi të dyzetat, porsi një përzierje boksieri dhe oshënari, diçka mes Max Schmelling dhe papës polak Gjon Pali II, me pamjen fizike të druvarit dhe alpinistit të regjur; por gjithashtu me duar të mirëfillta prej shkrimtari, domethënë duar si të nënës së vet, një pianisteje.

Sytë i kishte si të gjithë sllavët; me ngjyrë gri, të rrjedhshëm, befas të zymtë, në shndërrimin e rrufeshëm të ndjeshmërisë, tipike të shpirtit të sllavëve, një vrull pasionesh. E pata shikuar të qeshur; teksa e përfytyroja si një figurë legjendare, një gjuetar të lashtë në malet Tatra, i ngarkuar me lëkurët që ua kish rrjepur arinjve, për t’u dukur si ata edhe ai”.

Përktheu nga spanjishtja:

ELVI SIDHERI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok