21/12/2024

KUR LEXON LIBRIN “RRËFIME PËR DUMRENË”

0
Shefqet-Hysa-Dumre

NGA PËLLUMB GORICA

Shpesh lexoj libra (kaq shumë libra ka kjo botë, më shumë se lexues) të vendosur në kontekste objektiviteti, largpamësie, bukurie, mençurie, kujtese historike, njëkohësisht, realistë, që flasin me gjuhën e të vërtetës. Shumë prej tyre prej mënyrës së bukur të të shkruarit, përcjellin kureshtje dhe interes për lexuesin. Por, ndërkohë po kaq shpesh, ndjehem i lodhur, kur mbështes kokën në libra me peshë të rëndë, apo të komplikuara sa vetë bota. Aq sa mendja ime dalëngadalë fillon të përtojë e nuk i përcjëllë rreshtat dhe truri kthehet gjithë arrogancë e pyet përse i lexon?

Rastësisht më ra në dorë një libër mbresëlënës, një prej të cilëve ku hidhet vështrimi te historia e Dumresë, nuk mund të më linte indiferent, jo vetëm për mënyrën e rrëfimit, por edhe për mesazhet, si një nga ata libra, që të kujton gjithmonë nga vijmë e ku shkojmë. Dhe kush më shumë se Shefqet Xh Hysa nga Belshi, i apasionuar pas historive të Dumresë mund të shkruante.

Qysh në krye të herës kisha dëgjuar për mençurinë, mirësinë, dashurinë dhe pasionin e doktor Çeçit (Shefqet Xh. Hysës), për profesion human dhe dijen e tij. Shpesh në miqësinë time flitej për të e për familjen e tij. Kur u takova për herë të parë, më ngjante me një rrëfimtar legjendash, që të grishte e të bënte për vete.

E lexova librin e tij “Rëfime për Dumrenë”, të gjithin, pa e ndier kohën, faqe pas faqeje; duke më mbajtur të “lidhur” deri në faqet e fundit. Leximi i ngjante një shtegu, ku fëshfërijnë jo degë e gjethe, por rreshta të shkruara, që nuk është vështirë të gjesh fjalën e latuar, të mbrujtur nga faktet interesante, vlera njohëse dhe edukative, për të ndriçuar historinë.

“Rrëfime nga Dumrea” rrjedh natyrshëm, të fut vetiu në thelbin e ngjarjes, me sinqeritetin e mbi të gjitha me gjuhën e pasur, hera-herës me dialogje dhe fjali dy-tri pjesëshe, që nuk kanë përsëritje të vetvetes, shpesh të stolisura nga leksiku krahinor.

E nis me një udhëtim në natyrën mbresëlënëse të Dumresë, duke paraqitur një panoramë jo vetëm panoramike por edhe shpirtërore të bukurisë dhe magjisë tërheqëse të Dumresë, që të josh për ta shkelur, por shpejt mëson shumçka: Të pathëna për Dumrenë, ku përmes fakteve historike dhe shoqërore përshkruan tetëdhjetepesë sykaltrit “gjole” dhe fenomenin e karstitit të tyre. Për kodrat e larta si dallgë oqeani; lisat shekullorë dhe pyjet që dikur e zbukuronin edhe më shumë dhe populloheshin nga gjithfarlloj gjallesash: insekte, zvarranikë, kafshë të egra dhe shpend me zërat e tyre të shumëllojshme, të cilat krijonin një lloj sinfonie të Bethovenit.

Të mbresojnë përshkrimet e vendeve historike të veshura me mantele mjegullash; zbulimi i artefakteve arkeologjike në Gradishtë, në liqenin e Afërditës, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve, studiuesve dhe historianëve. Duke cituar shkrimet e tyre e, njëkohësisht faktet e të dhënat me vlera të mirëfillta dhe shumësi mendimesh, ndesh kujtesën historike të shprehur me gjuhën e së vërtetës dhe jo të njëmendësisë. Në këtë pikë afron me historianët profesionistë që marrin përsipër të tregojnë, jo të interpretojnë, siç ndodh rëndom me të tjerët.

Historive të Dumresë, pëshpërimave të legjendave, fakteve dhe dokumenteve që sjellin pjesëza ngjarjesh, pozicionin gjeografik e përcaktues njerëzor. Së këndejmi, parakalon galeria e karaktereve dhe protagonistëve të kohës së shkuar, figurat historike, ngjarjet kohore, lidhjen sa historike dhe logjike, qëndresën historike, me plot me elementë biografik. Në të, përfshihen njerëz me qëllime dhe objektiva në jetën e tyre, të dalluar për nga urtësia, apo bartës të ndonjë vesi, që të mpijnë me dritëhijet e tyre.

Shefqeti futet në thellësinë e prejardhjes së fiseve në Dumre, ku sot shumëkush e ka shumë të vështirë të gjejë origjinën e tyre; shenjat e zhvillimit të një krahine krejt të veçantë, që di të respektojë vlerat, di të ndërtojë jetën dhe të shijojë mirësitë e natyrës.

Ndalon e kthehet pas, të shkruajë për toponiminë, që të fusin në atë botë të largët, të shtrira në terrene të përveçme, me emra tipologjik, të Dumresë, Belshit, Gradishtës, Rrasës, Dragotit etj. Të shpjegosh një fjalë etimologjike, do të thotë të nxjerrësh në pah të gjitha shndërrimet fonetike dhe të realizosh motivimin kuptimor të tyre. Shefqeti jep spjegime shteruese mbi emërtimin e Belshit, rrënjën e fjalëve e prejardhjen e tyre, duke i bërë jo vetëm zbërthimin e fjalës, por edhe të pozicionit natyror të vendosjes.

Por, merita kryesore e librit, është ndërthurja e detajeve të panumërta, tashmë të pranishme si fakt; të cilat mund të jenë të tepërta për ata që e njohin Dumrenë, por informuese për të tjerë, të cilët nuk njohin të veçantat e saj. Përmes copëzave historike, si dëshmi të këtyre realiteteve, të thurura artistikisht bukur, u jep shkëlqim këtyre historive të herëshme mbi të cilat pluhuri i harresës të viteve orvatet të mbulohet, e mbi të gjitha të shikosh të vërtetën e tyre drejt në sy, ashtu siç ishin.

Çdo ngjarje është mbresëlënëse. Aty ka dhëmbje, trimëri, mençuri, tradita, norma njerëzore dhe shumë vlera; histori shpirtërore, ndjesi renqethëse nga dramat e fuqishme të kohës, të mbijetesës mbi vështirësitë dhe fatkeqësitë familjare përtej asaj të dukshmes. Pasqyrë ku shikohen dritëhijet e kohës, vende, njerëz me botë të trazuar dhe pezme që ngatërrohen në labirintet e të përditshmes.

Në këtë monografi historike do të njohësh tragjizmin e ngjarjeve të rënda që kaloi Belshi, Dumreja dhe e gjithë Shqipëria në fillim të shekullit të kaluar, ku autori duke hulumtuar e lidhur fakte e detaje të copëzuara ka mundur të na japë të plotë historinë e masakrës së serbëve në Allajbeg të Dumresë. Një drithërimë shpirti të prek kur mendon se ishte një tragjedi plot humbje njerëzore, që do të mbetej për shumë kohë e verbër.

Në monografinë “Rrëfime për Dumrenë” shikon se jeta nuk është vetëm luftë, dështime, sëmundje, stërmundime, urejtje, cmirë, hakmarje, por edhe ndjenja të gëzuara. Autori përshkruan ritet zakonore të trashëguara nga banorët e Belshit: Për fejesën e djalit e të vajzës, përgatitjet e tyre paramartesore, për institucionin e lajmësit, qëndrimin e familjes së nuses dhe dhëndrrit, dasmat që zgjatin një javë, rendin e shkuarjes së dasmorëve (krushqëve) dhe kthimit nga marrja e nuses, apo harenë e rinisë në lojërat popullore; doke, zakone, bestytni, ngjarje, marrëdhëniet shoqërore dhe jetë brënda familjes, shpirtin njerëzor të atyre njerëzve, forcën dhe këmbënguljen e brezave për të ruajtur mënyrën e jetesës, mrrëdhëniet njerëzore.

Autori nuk pajtohet me shkeljen e traditës në emër të modernizimit. Lexon për herë të parë dhe të duket se i di kaherë shprehjet e urta popullore. Dikur, burrat e mençur të Dumresë, në odat e tyre nxirrnin nga goja fjali, si “formula”, të ndërtuara e lidhura me një logjikë të pakundërshtueshme. Të vjen kaq keq teksa sheh që dita-ditës shuhen vlera të tilla, si ky zhanër i rrallë i folklorit.

Nuk harron të shkruaj rreshta edhe për vajzat, motrat, nënat e Dumresë, këto qënie njerëzore kaq të brishta, të buta, të ëmbla, por tepër të forta, të caktuara me misionin e madh për ripërtëritjen e jetës, që duruan dhimbjet e shpirtit, të fëmijëve, të burrit dhe atdheut. Shpirti i tyre qëndron në duart aq punëtore, në dëshirat dhe pasionin, në këngët e bukura që thureshin.

Shefqeti ndalet gjerësisht në kulturën dhe traditat e veshjes, të jetuarit, te folklori dhe grupet artistike. Vetëm një shpirt i ndjeshëm dhe me zemër të madhe e shije të hollë, mund të shkruante dhe paraqiste deri në detaje botën shpirtërore të amatorë të Belshit.

Njëherazi nxjerr në pah produktet e përdorura; tregime për kafshët shtëpiake që shfrytëzoheshin për ushqim, por edhe ato për transport e punë, si janë kuajt e shalës dhe qetë në parmendë; ndryshimet që ndodhën pas çlirimit të vendit, mënyrën e jetesës; rrokjen e problemeve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare në kapërcyell të ndërrimit të regjimit, së bashku me dukuritë e reja të shfaqura, në lloj- lloj udhëkryqesh të Demokracisë.

Natyrshëm “udhëton” larg në kohë, të risjell rrëfime plot ndjenjë e vërtetësi për historinë e fisit Hysa në Belsh, pemën gjenealogjike të tyre, fakte dhe histori gojore; shpluhuros shpirtin që ‘’gërvishin’’ kujtesën e rrënjëve të tyre. Shefqeti, si një arkivë e gjallë, ka prekur trungun dhe çfarë ka në degët e shpërndara, larg vetmburrjes, së atyre që vazhdojnë të çudisin me prrallat e gjyshërve, për bëma dhe gjëma “trimërore”.

Rrallë më ka qëlluar të lexoj rrëfime të ajërta, për të mësuar hap pas hapi, historinë e Hysajve, që pa dyshim përfaqëson një nga dhjetra familjet simbolike në Belsh. Nëpër kohë të fatit të tyre, autori nxjerrë në pah cilësitë e njerëzve të thjeshtë, të trashëguar nga brezi në brez. Njerëzit e fisëm, me ndjenja të adhurueshme kur vjen rasti, ashtu pa u lëkundur, u gjendeshin pranë të tjerëve në nevojë, duke u dhuruar mirësi, mbështetje për të lehtësuar, për t’u zbutur dhëmbjet, shqetësimet dhe hallet. Gjithashtu historitë e paraardhësve me biografi fatkeqe në luftëra, shërbime ushtarake në Kohën e Osmanëve, hasmëritë, hatërmbetjet, apo grindjet në jetën e fisit dhe viktimat e sistemit; çdo fëshfërimë gjetheje, çdo regëtimë fryme, çdo zë njerëzor, degë e fletë të tij, të shpërndarë nëpër të gjithë Shqipërinë, në emigrimin e vjetër e të ri.

“Rëfime për Dumrenë” është një dritare për të parë, ndjerë dhe lexuar historinë e lashtë, jetën e banorëve të saj, shpirtin dhe karakterin e tyre të veçantë, në rrugëtimin historik. Sepse, për mendimin tim, kemi të bëjmë, me një vepër, e cila kërkon të lexohet me vëmendje, nëse kërkon të depërtosh se çfarë ka brenda saj.

Të shkruash gjithmonë do të jetë pak, pasi lidhet, e kaluara në gjurmët e të cilës zbulohen grimca kujtese dhe emocioni, e sotmja me një përditshmëri të ngarkuar dhe e ardhmja e panjohur.

E mbyll librin dhe vazhdon të sjellësh në mendje çfarë ke lexuar. Ndjen aromën e shpirtit të mirë të banorëve të Dumresë, kënd vështrimin e Shefqet Xh. Hysës për jetën, dashurinë dhe respektin që ka për njerëzit, për fisin e tij, për të vërtetën e historisë, për sakrificat dhe dhimbjen, për të bukurën e liqeneve, për fjalën e mençur…

Historia e Dumresë është kaq e madhe dhe e gjerë, sa edhe një libër nuk mjafton, por mbetet enciklopedi kulturore, që pasuron këndin modest të bibliotekave tona. Nuk dyshoj që dumreasit do të kenë në duar një libër të rrallë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok