03/12/2024

KUR GOJËDHËNA E TEJKALON VETEN…

0
Grate-Mirditore

NGA NDUE DEDAJ

Gojëdhanat, aq më tepër mitet dhe legjendat janë mjaft të vlefshme, deri atëherë kur nuk mëtojnë të bëhen histori. Kur ne duam me patjetër t’i marrim të mirëqena ato, si fakte historike, këtu gabimi ynë është i dyfishtë, pasi në radhë të parë deformojmë një “materie” folklorike dhe nga ana tjetër përpiqemi të bëjmë histori me një lëndë që nuk është e saj.

Thuhet se gratë mirditore mbajnë shaminë e zezë në krye qysh nga zija për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Kjo është gojëdhënë, se po të ishte histori do të dinim më e pakta se si ishte mbulesa e kresë e grave mirditase para vitit 1468. Ndërkohë që nuk e dimë historinë e kësaj shamie as pas shekullit XV. Ndokush e merr dhe si një huazim nga gratë orientale, duke e mjegulluar dhe më shumë gojëdhaninë rreth kësaj shamie. Një gjë është e vërtetë, që në shekullin XIX shamia e kresë e gruas mirditase nuk ishte e zezë, përkundazi, ishte e larme. Këtë e thotë dhe një nga studiueset më të njohura të veshjeve shqiptare, Andromaqi Gjergji, e cila shkruan se disa fotografi të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XIX të fototekës Marubi na tregojnë se gratë mirditase në atë kohë përdornin shami me ngjyra e lule të vogla, që u jepnin një pamje më gazmore. (“Etnografia shqiptare”, IX, 1978, f. 26). Këto foto janë riprodhuar dhe në një botim të Schneider-it të vitit 1894 në Paris e sot qarkullojnë lirisht online. Nuk e kuptojmë se pse etnologia, në vijim shkruan: “Mendoj se përgjithësimin e mbajtjes së shamive të zeza duhet ta shohim si pasojë e ndikimit të fortë të kishës katolike në atë zonë”, kur, në dijeninë tonë, e zeza nuk është ndonjë shenjë e përveçme e kishës katolike, por në spektrin e ngjyrave liturgjike, krahas të kuqes, të bardhës, të gjelbrës etj. Studiuesi i letërsisë antike greko-romake, Muzafer Xhaxhiu ka shkruar se përkrejca e kokës së Demetrës, hyjneshës së tokës dhe plleshmërisë së saj, ngjet me atë të grave mirditore, si dhe shton: “Edhe në ndonjë skulpturë tjetër, si ajo e një magjstareje, përkrejca është si e mirditoreve”. (Gazeta “Drita”, 13 korrik 1986.) Pra, na duhet të shtyhemi drejt lashtësisë sa i përket origjinës së veshjes së gruas mirditore dhe shamisë së saj të kokës, që nuk është vetëm kjo e zeza që shohim sot!…

Ky është veçse një shënim modest, që tërheq vëmendjen në një gjë, sot për të shoqëruar turistët vihen në rolin e guidë-bëresit edhe individë pa njohuritë e duhura kulturore, shkencore dhe nuk do të ishte e pëlqyeshme që turistët t’i “befasonim” me legjenda dhe gojëdhëna, të marra të mirëqena si histori.

Detaj i shamisë së zezë është njëri, por ka dhe plot të tjera ku gojëdhanë nuk duhet ta “tejkalojë” veten…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok