30/12/2024

KUPTIMI PERËNDIMOR, KASTRIOTIAN DHE AI ORIENTAL E RUS PËR LIRINË

0
Prend-Buzhala

Nga Prend BUZHALA

Eh, si po na sillen disa qarqe tonat (jo) politike: sikur lufta çlirimtare është pronë private, sikur liria është pronë private e të cilat i privatizon… sikur ato ndahen në parcela e në këste dhe të tjerët nuk kanë se çka kërkojnë në atë hise të uzurpuar. Harrojnë se liria nuk dhurohet, liria e pushtuar  si parcelë private nuk quhet e tillë, nuk është liri.

Ajo pushtohet me vlera.

1.

“LIRINË NUK E SOLLA UNË, POR E GJETA KËTU”. Kjo thënie e njohur, e shkruar nga Marin Barleti, i atribuohet Fjalimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga osmanët më 28 nëntor 1443.  Përdorimi më i shpeshtë është ai i fjalës LIRI, ndryshe nga civilizimi pushtues otoman që nuk e kishte në fjalorin e vet këtë fjalë (ata kishin fjalën nënshtrim Allahut kundër “të pafeve”… ). Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.

2.

Thënia shpesh merr edhe konotacione të tjera që u përsëritën nëpër kohë. E kemi dëgjuar shpesh thënien “Liria nuk dhurohet, por fitohet”. Nën regjimet e diktaturave komuniste, regjimet e tilla e përsëritnin thënien e kundërt si formulë ruse-komuniste: “Ne ua sollëm lirinë”. Fatkeqësisht, nga disa qarqe të ngushta (disa pjesëtarë lufte) përsëritet e trashëguar nga komunizmi thënia “Ne ua sollëm lirinë.”  Rusia e Putimit bën agresion kundër Ukrainës, për ta “çliruar” Ukrainën nga “neofashizmi”, d.m.th. nga liria eurperëndimore!

Le ta përkujtojmë një fakt: janë miliarda dojçmarka, dollarë, funta e euro, që shtetet eurperëndimore, SHBA dhe Australia e largët, dhuruan për Kosovën, pa asnjë kusht, përpos kushtit që Kosova të rindërtohej, të dilte nga gjendja e emergjencës së rëndë të shkatërrimeve të luftës. I dhuruan ndihmat dhe kurrë nuk thanë: ne po u mbajmë me para a me bukë, me punë a me investime. Kur ndërhyri po e njëjta Bashkësi (NATO, më saktësisht) kundër Serbisë, me anë të bombardimeve, për 79 ditë me radhë, ata kurrë nuk thanë: ne ua sollëm lirinë! U dëgjua vetëm Klinton të ketë thënë: “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen.” Dhe përse as europerëndimorët nuk e përsëritin kurrë që na kanë sjellë ata miliarda dhurime e investime në Kosovë, e as e përmendin që “Ne ju çliruam, ne e bobarduam Serbinë”!? Sepse ata janë RESPEKTUES të dinjitetit të njeriut dhe të LIRISË së tjetrit.

3.

Do të na kujtohet, se me çfarë CINIZMI e përsëritnin pikërisht serbokomunistët e shqipfolësit projugosllavë: “Ne Luftuam gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne ua sollëm lirinë. Prej nesh i keni të gjitha të mirat… ” Dhe vazhdonin dëbimet, vrasjet, burgosjet, kundër “armiqve të socializmit”, kundër “mosmirënjohësve” të asaj lirie partizano-komuniste që shkelte vërtet lirinë me të gjitha mjetet. Në të vërtetë, ata ishin SHKELËS TË LIRISË dhe jo SJELLËS të lirisë. Ata ishin mishërim i terrorit, totalitarizmit dhe kontrollit mbi gjithkënd e gjithçka… Këto slogane dhe këtë mendësi qeverisjeje e sundimi, ata i kishin huazuar nga tradita staliniste rusomadhe, si SJELLËS TË LIRISË. Këtë mentalitet serbët e kishin që në dekadën e parë të shek. XX kur ndërhynë ushtarakisht në pushtimin e trojeve shqiptare,  pas dëbimit të perandorisë otomane, duke thënë se ishin “çlirimtarë”, mbasi vritnin, PLAÇKITNIN e shkatërronin çdo gjë shqiptare e çka do që gjenin përpara.

4.

Dhe sot, kushdo që e përsërit këtë formulë: NE UA SOLLËM LIRINË, përsërit formulën ruse, e cila nënkupton: privilegje për vetveten, plaçkitje dhe shkatërrim në masë. Por, të mos harrojmë, ekziston një krah tjetër, pseudo-liberalist: që ka prirje (a tendenca) edhe sot që të relativizohet dashuria ndaj Atdheut. Kjo atdhedashuri ose shpallet si nacionalizëm (njësoj si vepronin komunistët si “sjellës të lirisë”, kur burgosnin atdhetarë shqiptarë), ose e bëjnë këtë me qëllime përfitimi të interesave të ngushta apo për ndonjë donacion të dyshimtë të tipit mercenarist. Ekziston, pra, si fenomen shoqëror ndër ne, dhe një shpallje tjetër, e një KRAHU TJETËR, shpallje e përfitimeve të ngushta: përbetimi në vlerat e luftës i një pjese të vogël, nënkupton rrëmbimin e privilegjeve për pushtet, për para, për privilegje. Prandaj ka kaq rrëmujë e pazare të pafund “luftarake” e “atdhedashurie. Kush qenka “me muskuj” më i fortë, për të ndërmarrë “vendime” e kush qenka qyqar!

Thuajse edhe politika qenka arenë lufte!

Luftë kundër kujt? Nëse thuhet: kundër të keqes e varfërisë, atëherë cilët qenkan aktorët e kësaj të keqeje?! Tjetri? Partia tjetër?!

Tamam një DIFERENCIM I RI IDEOPOLITIK, vetëm se me mjete të reja!

5.

Mendësia e sjellësve të lirisë, kur thonë: “Ne ua sollëm lirinë”, e PËRJASHTON një popull komplet nga lufta për liri e nga lëvizjet e rezistencës për liri, duke vënë kierarki sundimi: “Unë kam luftuar, ti vetëm ke rezistuar “pasivisht”, unë kam më shumë vlerë, prandaj më takojnë këto privilegje e ky pushtet.”

Dikur, nën sundimin komunist:

Populli nuk kishte të drejtat e veta në luftën e zhvilluar “antifashiste.”

Populli nuk ishte pjesë e luftës.

Populli nuk kishte të drejtë të krijonte ligje për veten e tij nga ajo luftë “antifashiste” e “nacionalçlirimtare”!

(Dhe e dërguan popullin në Masakrat e Tivarit, në burgosje masive, në dëbim, në papunësi masive).

Po sot?

A është populli pjesë e luftës së fundit?

A ka të drejtë të kërkojë të drejtat e veta të kësaj lufte, njësoj si të tjerët?!

Po populli, a është pjesë e LIRISË?

Po del që është pjesë e LIRISË SË DHURUAR dhe jo PJESË E LIRISË vetjake, si e shpallte dikur Skënderbeu popullin e tij arbëror. Prandaj, mendësia e tillë e formulave ruse-staliniste, nuk është respekt ndaj kësaj lirie, kur të vetëshpallurit sjellës të lirisë, sillen kësisoj me vlerat “e luftës” e me vlerat “e lirisë”.

Në fakt, në vend të këtyre vlerave, popullit i ofrohet shkelja e dinjitetit njerëzor e kombëtar (ti je kurrkushi, unë jam zoti yt i ri, PRIVATIZUES I LUFTËS ÇLIRJMATRE DHE PRIVATIZUES I LIRISË, i s’je i zoti të ndërmarrësh vendime, unë marr vendime në emër tëndin); i ofrohet poshtërimi i ri, sipas mendësisë: po qe se dëshiron të hysh në Klubin e Madh Politik të Liridashësve, duhet të hysh si në pazar… në pazarin politik, në pazar postesh shoqërore, madje mund ta blesh edhe !”veteranllëkub” me para, sepse:

KËTU SHITET GJITHÇKA. SHIZET EDHE SHPIRTI I LIRISË.

Të tillët e skllavërojnë lirinë: duke e tëhuajësuar identitetin kombëtar; duke abuzuar me historinë dhe me të sotmen… për shkak se kanë krijuar fallanga mercenariste të dofarë OJQ-ve, për pseudo-integrime dhe për veprime pseudo-demokratike. Dhe, FATKEQËSISHT, të dy palët ekstreme, “sollën” (në kohën e PALUFTËS edhe një dukuri tepër të dëmshme) … eh: sollën… flirtuan me ekstreme fetare aziatike, me shitjen e historisë e të identitetit vetjak sipas ideologjisë së zhbërjes së identitetit kombëtar, pardon: sipas masës së votës dhe pushtetit!

6.

Së këndejmi, koncepti barletian për lirinë i takon edhe trashëgimisë sonë, edhe vetëdijes europiane për lirinë, edhe së sotmes.

Jeta na ka mësuar që të mos frikësohemi e as të gjunjëzohemi përpara vështirësive a pengesave, përpara mjegullimeve e paqartësive që na shfaqen në ecje. Prandaj, secili njeri ka ARRITJET e veta, ka përpjekjet e veta, ka dinjitetin e tij familjar e kombëtar, ka fatin e vet, sukseset e veta dhe kontributin e vet, krenarinë e dinjitetin e vet. Prandaj DHURIMI I JETËS nuk është rezultat i “antilirisë” apo i “liridashësve”. Secili ka lindur që ta gëzojë jetën e t’i gëzohet asaj…

E pra, LIRIA NUK DHUROHET, POR FITOHET.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok