21/12/2024

Kujtimet e akrobates së cirkut “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe poetes, Vitore Sallaku:

0
Vitore-Sallaku

Në këtë situatë pandemie rroj me kujtimet, filmat, videot dhe intervistat e Skënderit

Babë Myslimi e kishte shok babanë, por Enveri nuk e dëgjoi, e pushkatoi

Nga Albert Z. ZHOLI

Vitore që në moshën 11-vjeçare ka qenë pjesëtare e trupës së cirkut, duke dhënë një kontribut maksimal, si brenda edhe jashtë vendit. Pas shkëputjes nga skena, ajo u bë ndër pedagoget e para të studios së Cirkut. Në shenjë mirënjohje të aktivitetit të saj artistik në shërbim të artit, i janë akorduar Medalje dhe Urdhëra Pune, gjithashtu edhe titujt “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Akrobate, por edhe krijuese. Ndoshta është ndër gratë e pakta që qysh në vogëli mbante shënime. Në krijimtarinë e saj ajo numëron 6 libra, një prej të cilit ia dedikon bashkëshortit të saj “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Mban titujt “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e madhe e Punës”. Takimet e mia me të janë të shpeshta dhe plot emocion.

–  Më këtë situatë Pandemie, si ka kaluar Vitorja? A të ka munguar Skënderi pasi tashmë u bënë mbi 7 vjet që ai është ndarë nga jeta dhe mbi 4 vjt që ju botuat librin me kujtime për të, “Skënder Sallaku”.

-Situata e Pandemisë ka qenë pjesa më e vështirë e jetës sime. Ka qenë e tillë pasi u largova nga shoqet nga të afërmit, pasi lëvizja ishte tepër e kufizuar. Gjithë këto kohë shikoja të gjitha materialet e Skënderit, dorëshkrimet e tij, fotografitë, intervistat e dhëna, filmat e tij. Me to kaloja kohën. Vetëm kështu mendoja se e kisha në krah. E vetme, por në çdo moment me rolet, fotot, gazetat, videot, dorëshkrimet e tij.

–  Unë mbaj mend se gjithmonë ju shikoja bashkë. Edhe në pazar, edhe në aktivitete edhe në takime të ndryshme. Si do ta komentonit këtë lidhje kaq të fortë?

–  Ju thatë një të vërtetë që ne nuk ndaheshim kurrë, kurrë. Atëherë ne takoheshim thuajse çdo ditë bashkë me ju, në aktivitete. Ne ishim aq të lidhur sa nuk e mendon askush. Në çdo rrugë,  lokal, teatër, cirk, operë, në çdo qoshe të Tiranës kemi kujtime të shumta. Shumë kujtime. Ndaj në çdo moment më del përpara Skënderi dhe më duket se jemi bashkë. Vetëm në ndonjë moment kur dua të marr ndonjë mendim, atëhere e ndjej se më mungon. Jeta e Skënderit ishte e mbushur me batuta gazmore, të papritura skenike, spektakle, turne, situata komike, përplasje ideore, keqkuptime, xhirime, improvizime. Jetë e gjitha në lëvizje. Ndaj për asnjë çast, edhe tani që po flasim, nuk e besoj se Skënder Sallaku është larguar nga kjo jetë. Nuk besoj që nga ne është larguar e qeshura, humori, barsoletat, gallata, shakatë, shoqëria e shumtë. Jo vetëm unë, por gjithë miqësia e kujtojmë çdo ditë dhe qeshim… Për më tej, në tavolinën time të punës ndodhet portreti i tij, që më shikon drejt në sy dhe më përcjell atë buzëqeshjen  e tij karakteristike. Ndoshta ishin shumë kujtime, shumë ngjarje që i kisha të freskëta në mendje që u ula dhe shkrova një libër për të. Edhe sot e qeshura e tij karakteristike duket sikur më thotë: a të them një të fundit? Sikur dëgjoj fjalët plot humor dhe pas tyre të qeshurën e tij të fortë. Sa shumë kemi qeshur! Jeta e tij është ashtu si ka thënë miku i tij Bujar Kapexhiu: “Jeta e një njeriut të veçantë, që Zoti, si rrallëkujt, i dhuroi një dhunti të çmuar: humorin, dëshirën e pasionin që në çdo moment, në çdo vend, në çdo rrethanë t’u japë njerëzve buzëqeshje, të qeshurën, gëzimin. Këtë mision ai e kreu me aq devotshmëri, përherë i gatshëm, i papërtuar, entuziast. “Buzëqeshja është rruga më e shkurtër midis dy njerëzve”, e kam thënë këtë herë pas here, sepse e besoj, dhe sepse kam parë përherë te Skënderi që me njerëzit ai nuk kishte rrugë, nuk kishte distancë, qëndronte gjithnjë pranë tyre, duke mos e kursyer buzëqeshjen, mirësinë, gazin dhe harmoninë, por duke i dhuruar këto me shumë përzemërsi. Sa herë që Skënder Sallaku tregonte diçka gazmore, po aq herë ai qeshte me gjithë shpirt dhe e qeshura e tij shpërthente akoma më shumë kur bashkëbiseduesit ia shkrepnin gazit”.

– Një jetë në cirk. Ditë dhe netë të paharrueshme. Si u lidhët me këtë profesion, kush ju nxiti, kush ishte arsyeja dhe si e njohët Skënderin?

– Unë në radhë të parë kisha fizikun të tillë, një fizik elastik të veçantë. Bëja lëvizje trupore që të gjithë befasoheshin. Të tregosh se si më ka lindur dëshira për cirkun është shumë e thjeshtë, sepse unë qysh fëmijë, kam qenë shumë e dhënë mbas cirkut. Cirku për mua është art që unë e krahasoj me poezinë. Si duhet të zgjidhet fraza në poezi, ashtu do të zgjidhet edhe në cirk mënyra se si do të punosh dhe mënyrën se si do ta zgjidhësh vete punën. Duke pasur lirësinë e shprehjes dhe talentin për të punuar arrin gjithçka. Im atë, Lorenc Rasha, (professor, doktor në linguistikë), si intelektual që ishte, e dinte se unë isha e talentuar për këtë profil që mora, si akrobate. Dëshira e tij ishte që të më çonte në Austri, atje ku kishte mbaruar ai shkollën. Megjithatë ngjarjet ndodhën që tim atë e pushkatuan, por kjo situatë nuk ndikoi që unë ta largoja ëndrrën time. Ndërsa njohja me Skënderin është tjetër histori…Njohja jonë është shumë e veçantë, shumë specifike dhe e kujtoj me nostalgji. Vite të bukura, vite pune, vite sakrifice, vite plot humor dhe intensitet. Unë me Skënderin jam njohur në Estradën e Tiranës. Konkretisht kam qenë para Skënderit në estradë. Kur unë isha aty Skënderi ishte ushtar, në Estradën e Kufirit. Sa mbaron ushtrinë me këtë Estradë, Skënderin e emërojnë si aktor, në Estradën e Tiranës. Ju e keni intervistuar shpesh herë dhe e dini shumë mirë se, Skënder Sallaku, ishte akrobat, mundës, aktor humorist. Pikërisht  në Estradë kemi punuar bashkë. Aty filloi njohja jonë. Aty lulëzoi dashuria jonë. Në fillim ne kemi qenë bashkë të dy institucionet cirku dhe estrada. Skënderi jepte shfaqje edhe në estradë, edhe në cirk. Ne punonim të paktën 8 orë në ditë bashkë. Ka qenë puna ajo që ne na ka lidhur. Ne në Cirk kishim shumë vegla gjimnastikore, pasi me to mbanim trupin në formë, apo bënin numra të ndryshme cirku. Skënderi nuk ishte vetëm humorist, ndaj kur kishte kohë të lirë vinte në palestër dhe bënte përgatitje fizike. Stërvitej. Madje mund të them se  kjo stërvitje në palestër i shërbente formës së tij trupore, pasi merrej edhe me pantomimë që është pjesë e cirkut. Pantomima ka humorin në vetvete. Sa herë vinte, ne qeshnim dhe e shikonim me shumë respekt. Nuk kishte njeri që nuk e donte Skënderin. Shikoja që ndonjë herë më shikonte më gjatë dhe mundohej të më afrohej më shumë, por as që e vija re, pasi ai ashtu sillej mirë me të gjithë. Kështu disi normale vazhdoi miqësia jonë deri kur si trupë, shkuam në Kinë. Aty filloi dhe dashuria jonë. U afruam shumë dhe flsinim për shumë gjëra. U lidhëm vetvetiu, pa e ditur nuk mund të rrinim pa njeri-tjetrin. Por kurrë nuk shprehëm ndjenjë dashurie të shprehur me shumë pompozitet. Thjesht, natyrshëm.. Kur u kthyem nga Kina u fejuam. Pra jemi njohur gjatë procesit të punës. Ishte një afrimitet shpirtëror, i pastër, i natyrshëm, pa bujë! Kështu u martuam, u lidhëm shumë, krijuam familje dhe lindëm fëmijë.

-Kur e ndjeje veten keq me Skënderin?

-Jo se ndjeja veten keq, por edhe mërzitesha, pasi atë e kërkonin shumë, e ndalonin shumë por kishte dhe femra që e përqafonin dhe e puthnin si miq, si artistë të një profesioni. Mua nuk më vinte mirë, por nuk e bëja veten. Mbaj mend si sot se, kur Skënderi mbaronte shfaqjen, e prisnin kushedi se sa vetë pas dere, vetëm për ta parë, për të folur, për ta përqafuar, për të folur sadopak me të. Unë ndonjëherë mërzitesha dhe e kam prishur ndonjë herë zemrën, duke i thënë pse e bëre këtë veprim, ose atë. Por vetëm kaq. Por më e forta ishte kur shkonim në ndonjë dasmë dhe shumë vajza që e adhuronin si aktor, vinin me turp dhe më thoshin, mund të puthim pak Skënderin? (natyrisht miqësisht). Unë qeshja dhe u thoja: Po shqyejeni po mundët (qesh). Ato skuqeshin dhe shkonin e takonin. Por dhe më bëhej qejfi që e donin, e respektonin, e adhuronin. Kishte një emër të madh, por dhe sillej mirë me të gjithë. Kishte raste që bënim dhe grindje të vogla. Nuk ka familje pa grindje. Po të thuash që nuk jam zënë kjo është rrena më e madhe e vitit. Por, Skënderi ka qenë gjithmonë pak xheloz, por unë jo.

-Po pse e pushkatuan babanë tuaj?

-Ah, unë nuk e dija shumë mirë në monizëm, por në demokraci m’u qartësuan gjërat. Im atë Lorenc Rasha, ka qenë profesor dr. në linguistikë, ka qenë njohës i shumë gjuhëve të huaja, ku shtatë gjuhë i ka pasur me diplomë. Ai kishte mbaruar studimet në Fakultetin e Isbrukut në Austri, një nga fakultetet më të njohura dhe me shumë emër, pra për linguistikë. Ka qenë drejtor i gjimnazit të Shkodrës dhe drejtor i gjimnazit të Tiranës, tek është sot gjimnazi “Qemal Stafa”. Besoj nga vitit 1922. Babai im ishte nacionalist. Gjatë fillimit të luftës vazhdonte ende mësimin dhe në një moment shkon në Pezë, për të përfaqësuar nacionalistët. Ishte viti 1942, kur në Pezë do të zhvillohej Konferenca e Pezës. Pra ishte 16 shtator i 1942. Ende në Shqipëri ishin trupat fashiste të Duçes. Në këtë Konferencë babai ka mbajtur një fjalim që u mirëprit nga shumë njerëz. Madje mund të them se pas fjalimit, atë e pritën në mënyrë të shkëlqyer shumë pezakë të cilët i shkuan mbrapa dhe  e pyesnin për shumë gjëra. Unë s’e di çfarë tha babai fjalë për fjalë, por fjala e tij ishte krejt ndryshe nga e Enverit. Ai kishte të tjera pikëpamje nacionaliste. Fjala e tij e çoroditi Enverin, i cili as nuk e takoi. Por ajo që s’i ka ardhur më shumë për shtat Enverit, ishte se babai fitoi simpatinë e shumë  pjesëmarrësve, sidomos të pezakëve. Këtu filloi mëria e Enverit me babanë tim. Enveri si duket e kishte ndarë mendjen që me babanë tim do shpallte luftë. Më vonë ne kemi lexuar në librin e tij “Gjithmonë vigjilentë”, volumi i parë, ku Enveri shkruante se ‘pse ma lini të livadhisë i lirë në rrugët e Pezës, atë kundërshtarin tonë?!’ Në atë kohë, duke parë reagimin e Enver Hoxhës, babë Myslimi i kishte thënë Enverit, mos ma ngisni doktorin, se është miku im. Babait, kudo që e njihnin i thërrisnin doktor. Për disa kohë Enveri u tërhoq nga komentet, por më vonë, e arrestoi në Tiranë,  në vitin 1944 dhe duke e cilësuar tradhëtar të ideve të tij, dhe e çoi në Paraspur, në një fshat të thellë, në rrëzë të Dajtit. Aty e pushkatoi. Një fshat i vogël me njerëz të mirë. Duhet thënë se shumë ndihma që vinin në Shqipëri ku babain e merrnin si përkthyes, ai ndërhynte dhe ua çonte pikërisht fshatarëve të këtyre zonave të thella të rrëzës së Dajtit. Kishte lidhje me ato fshatra me kryepleqtë e tyre, ku gjithmonë donte të ishte pranë njerëzve të varfër. Kur skuadra e pushkatimit e nxori në një grykë për ta pushkatuar të gjithë fshatarët i thanë komandantit të skuadrës, “mos e bëni këtë akt, pasi doktori na ka ndihmuar shumë. Ne duam ta dimë përse e pushkatoni. Ai në ditët më të vështira na është gjendur afër.” Por ata s’i morën parasysh këto fjalë, madje u thane: “ikni, se do t’ju pushkatojmë edhe ju.” Fshatarët u larguan dhe ata pas pak e pushkatuan, duke i marrë dhe këpucët. E lanë aty, vetëm me të brendshmet. As e varrosën, e lanë aty derisa e gjeta në vitet e demokracisë. Aty e varrosi, njëri prej fshatarëve  që babai e kishte ndihmuar dikur, e mori dhe e varrosi në oborrin e vet, në rrënjët e një ulliri, që ta mbante mend. Ai e mori tinëz që të mos e shihte njeri, pasi atë kohë, spiunët ishin sheshit.

Si rrodhën ngjarjet pas pushkatimit të babait?

Pas pushkatimit të babait drejtori i Cirkut, më mësonte që të isha e kujdesshme në këtë drejtim, sepse në atë kohë mund të përfundoje menjëherë në burg nëse gaboje diku, nëse flisje diku, nëse bije pre e provokimeve diku. Por tashmë kisha dhe një mbështetje të fortë, bashkëshortin tim, Skënderin, i cili ishte njeri më i besuar, njeriu që bëri gjithçka për mua.

-Po kush të futi në cirk para se të njiheshe me Skënderin? Si të morën me një biografi të tillë që atë kohë të bënte të dalloheshe si delja e zezë?

Unë kam filluar punë me urdhër të Ramiz Alisë. Në fillim që e vogël isha në estradë, sepse aty bëheshin numra cirku. Në estradën e Tiranës ndenja dy vjet pa rrogë. Nuk më hiqnin sepse s’kishte kush të më zëvendësonte, isha absolute. Atëhere, duke parë se nuk më paguanin, më merr Telat Agolli për dore dhe më çon në Komitetin Qendror. Më futi tek Ramiz Alia që përgjigjej për artin dhe kulturën. Me njohjet e tij, Telati më dërgoi të vetme tek zyra e Ramiz Alisë. Kur u futa, Ramiz Alia u habit. “Po ti moj vajzë e vogël, kush të solli këtu?”, më thotë me dashamirësi.  “E kujt je ti?” Unë ula kokën dhe i thashë, jam vajza e doktor Lorenc Rashës. “Po përse keni ardhur këtu?” “Erdha pasi kam dy vjet pa punë dhe nuk marr rrogë tek Estrada e Tiranës.” Tundi kokën dhe pa më thënë asnjë fjalë më përcolli tek dera. “Suksese”, kaq më tha. Ika dhe sa ve këmbën në Estradë, më thërret shefja e kuadrit. “Sot do marrësh dy rroga, -më thotë, -dhe këtej e tutje do paguhesh rregullisht, sepse tashmë je profesioniste”. Më vonë mora vesh se, Ramizi ka qenë nxënës i babait tim.

-Më vonë duke u ndalur tek biografia, pasi u martuat, Skënderi nuk u vu para përgjegjësisë për këtë martesë?  Nuk e thirrën, nuk i bënë vërejtje?

Ah, po. Skënderi vetë e fshiu nga memoria çështjen e biografisë sime. As nuk e sillte në mend. U tregua burrë korrekt, i mençur, i dashur dhe largpamës. Ishte një njeri që i kishte shokët e rrallë. Pasi u martuam njëherë e thërritën Skënderin në organizatën e partisë dhe i thanë: “Çfarë do të bësh me Vitoren? Ajo ka biografi të keqe nga babai?!” Ai u tha: “Ajo është gruaja ime, nëna e dy fëmijëve. Urdhëroni teserën e Partisë, sepse ku të jetë ajo, do të jem dhe unë. Nëse keni ndërmend që t’i bëni ndonjë gjë, ne jemi bashkë”.

– Si e kujtoni hyrjen në cirk, atë masë gjigante me litarë, hekura, tavolina, rrathë e shumë sende të tjera? A kishe emocione në numrin e parë dhe ishe vetëm, apo numër të përbashkët?

– Unë në shtëpi vetë bëja lloj-lloj numrash. Bëja çka mendoja vetë, pa hyrë thellë në perfeksionin e cirkut. Ndërsa kur hyra si profesioniste e mbaj mend si sot. Ka qenë viti 1952 dhe në numrin e parë e kam luajtur me mjeshtrin Ali Xhixha. Konkretisht kam ecur mbi tel dhe bashkë me të kam bërë edhe ushtrime plastike. Ai ushtrim ishte një art që unë e kisha të trashëguar. Pra ishte konstrukti im që i kishte të gjithë të dhënat absolute që nuk ka mundësi t’i ketë gjithkush. Me Aliun kam realizuar disa numra që bënë të më kërkonin  në Estradën e Shtetit. Nuk isha veçse 10-vjeç. Një fëmijë që kisha shumë ëndrra. Zura vend të sigurt në Estradë si të domosdoshme ndaj më lidhën dhe rrogë. Që në moshën 10 vjeç kam dhënë shfaqjeje dhe që në atë moshë unë jam paguar me rrogë. Kjo ishte cilësi e artit të akrobacisë që në moshë të vogla mund të paguhesh si të rriturit. Në Estradën e Shtetit kam ardhur në vitin 1956. Në vitin 1972 u nda cirku nga Estrada si një institucion më vete.

-Kemi folur shpesh për shkuarjen tuaj në ish-BS, kur shkuat dhe pse shkuat?

-Atë kohë cirku ynë ishte në fillimet e para dhe po ecte mirë, por ne nuk kishim një histori cirku, një trashëgimi. Babai i cirkut tonë mbetet Telat Agolli. Ishte një njeri i mirë, energjik, i talentuar që hodhi bazat e një cirku modern, bashkëkohor. Kur kisha disa muaj që kisha filluar punë unë kam qenë për 4 muaj me Telat Agollin në ish-BS. Aty pashë vërtet diçka tjetër. Në atë kohë cirku rus ishte ndër më të mirët në botë. Kushtet ishin shumë të mira. Aty mësova shumë gjëra nga ana teknike. Ishte një mrekulli që më shërbeu shumë. Mbas specializimit kemi pasur zgjedhur dhe përgatitur artistë shumë të mirë. Kështu filloi që cirku ynë të ecte para, duke qenë më i miri në Ballkan. Kemi pasur artistë që kanë dhënë kontribut shumë të mire, duke filluar tek Telati,  Skënder Sallaku, Arjan Miluka. Kur u prish sistemi ai u largua nga Shqipëria dhe shkoi në Belgjikë. Në Belgjikë mbas një periudhe njohje ai mori pjesë në cirkun e Belgjikës dhe ai u bë një nga iniciatorët që cirku i Belgjikës u bë famoz. Sot ai është një qytetar i nderuar në Belgjikë dhe është edhe “Mjeshtër i madh i Punës”, siç jam edhe unë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok