21/11/2024

Kujtesë nderimi në 76 vjetorin e lindjes së Ibrahim Rugovës-1944 2006

0

Ibrahim Rugova, elitar i Kombit, atdhetari , shkrimtari, ideologu dhe politikani

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Ibrahim Rugova, intelektual,politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar, i cili udhëhoqi luftën popullore në Kosovë. Rugova i quajtur “Gandi i Ballkanit”, pas vdekjes u shpall “Hero i Kombit” .Rugova  mbante titullin Doktor. Është Presidenti i parë i Kosovës, bashkëthmelues i partisë Demokratike. Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi,  i cili ndoqi një rezistencë paqësore ndaj sundimit jugosllav dhe pikërisht për këtë qëndrim pati mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa. Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova nga kosovarët është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”.Pas vdekjes u shpall “Hero i Kosovs” .

Më 10 janar 1945, kur ai ishte vetëm foshnjë pesëjavsh, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë e tij, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, i cili kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova kreu me sukses arsimin e mesëm në Pejë në vitin 1967. U diplomua në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.

  1. Rugova qëndroi gjatë një viti Akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi studimet e veta shkencore në fushën e letërsisë, ku veçanërisht u përqëndrua në teorinë letrare.
    Ibrahim Rugova mori Doktoraturën në letërsi, pranë Universitetin të Prishtinës më 1984.
    Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Është autor i dhjetë librave me vlera. Dr. Ibrahim Rugova ishte redaktor nismëtar në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada.  Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, organ mediatik që e botonte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual i formar, apo politikan i matur, fitoi famë, sepse ishte atdjhetari që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike. Më 23 dhjetor 1989, Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), gjë që për kohën ishte një hap i rëndësishëm zhvillimi ideo-politik. Kjo për një arsye madhore se, ishte  forca e parë politike që doli si formacion më vete. Formimi i  partisë së parë politike në Kosovë, pra Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte ajo që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicën dërrmuese të votave.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit (VIII) Sorbonë, Francë.

– Më 1998, Rugova iu dha Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

– Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Personalitetet që u është akorduar ky vlerësim “ Çmimi i Evropës”; janë:

– Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.

– Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it në Lindje, i cili ishte për një vizitë lamtumire te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, i dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).

“…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatat për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.”  (znj. Kethrinë Bejkër Noll)
– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.

“Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.

“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg)
– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

– Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.
– Më 21 janar 2006, pushon së rrahuri zemra e Presidentit të Parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai jetoi një jetë të shkurtër, por plot nder dhe lavdi. U nda nga jeta në një kohë kur kushtet po pasi faktori kombëtar dhe nd/kombëtar ishte në favor të vizioneve të Rugovës dhe të shqiptarëve të Dardanisë, kësaj treve të aneksuar padrejtësisht nga trungu mëmë…Por ai nuk arriti ta shihte Kosovën të lirë.  Gjithsesi u nda nga kjo botë i qetë dhe me besim se e drejta vonon por nuk harron.

Rugova ka ekzistuar kur Kosova s’ka pasur parti. Rugova ka udhëhequr kur Kosova s’ka pasur asnjë lider. Rugova ka kuvenduar kur Kosovës i është  mohuar kuvendi. Rugova ka folur kur Kosovës me gjak e me dhunë ia kishin mbyllur gojën. Rugova ka hapur rrugë kur Kosovës ia kishin mbyllur të gjitha dyert. Rugova ka qenë dhe mbetet njëri prej politikanëve që ka gëzuar përkrahje dhe nderim më shumë se cilido politikanë tjetër shqiptarë që mban mend historia. Rugova ka qenë burrë i urtë dhe i mençur, ku fjalët fyese ishin të huaja për gojën e tij që nxirrte vetëm mjaltë. Kjo sjellje njerëzore e karakterizongte si një Elitëe lindur , tejet eveçantë , sepse kishte vizion, ishte largpamës dhe shihte tej individit. Ka pasur edhe shqiptarë që kanë kërkuar të ngjallnin armiqësi tek ai, por Rugova ka refuzuar, duke u  përgjigjur veëm me buzëqeshje, dashamirësi  dhe u ka ofruar miqësinë e tij. Vizioni i tij ka qenë vendi i tij, Dardania  dhe populli, por kurrë nuk ka ndihur egot e individëve. Prandaj puna dhe vepra e tij nuk i ka takuar dhe  as që i takon asnjë individi, partie, fisi, apo klani. E gjithë ajo që la pas tij ka qenë për atdheun dhe popullin e Dardanisë. Prandaj, Rugova është një ELITË e shquar e kombit, që i takon veç popullit dhe historisë së lavdishme të tokës mëmë që e lindi e rriti dhe  tani e ruan në gjirin e saj, si nëna që mban të birin. Burra të tillë si Rugova e nderojnë Kombin.

I paharruar qoftë emri i tij!

Vlorë,2.12.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok